8• Drejt Humnerës

    Anila u ul në divanin e zi midis rafteve dhe pistës së patinazhit, edhe shikoi për të disatën herë atë paradite emrin e Brunildës te kontakti i zgjedhur, për t'i telefonuar.

    I gjithë entuziazmi i zjarrtë ditën e kaluar, që t'i tregonte asaj për Sidorelin, i ishte shuar, me të arritur te pragu i hyrjes së pallatit dhe, pa mundur në kohë, që ta mbronte veten nga të mbimenduarit, u dorëzua plotësisht dhe hamendësoi, që mbase do ishte gabim, po ta njihte Brunildën me të.

    Ndoshta ajo do lëndohej keqazi prej tij dhe faji do mbetej i Anilës, që ishte mashtruar nga paraqitja e Sidorelit si njeri i rregullt dhe e kishte përfshirë në jetën e shoqes së saj.

    Druante se justifikimi, që nuk kishte pasur qëllime të liga dhe i dukej normale, që të kishte menduar për ata të dy, të dilnin së bashku, do t'i hidhej poshtë nga argumenti i Brunildës, se nuk i kishte thënë njeri, që kishte leje, për të ndërhyrë në jetën e saj private dhe Anila ishte shkaku, se pse kishte përjetuar të tilla vuajtje. Po të kishte qenë e shkruar, që ta kishte takuar Sidorelin, ai dhe Brunilda ishin njohur edhe pa ndikimin e Anilës.

    Një version i tillë jete tepër i mundshëm, për t'u realizuar në të ardhmen, e kishte bindur Anilën, që të heshtte përballë Brunildës dhe, kur ajo i kishte thënë se do shkonte, për të qëndruar tri ditë në shtëpinë e prindërve të saj, në Vlorë, Anila nuk e kishte ndaluar, për të biseduar për Sidorelin fillimisht, por kishte menduar se aq kohë larg saj do t'i mjaftonte, për ta sheshuar mirë e mirë situatën, që të merrte një vendim të duhur.

    Brunilda do kthehej në Tiranë atë mbrëmje dhe Anila tashmë duhej të vendoste.

    Psherëtiu e zënë në një dilemë konfuze, për të zgjedhur dhe shikoi nga pista të rinjtë, ndërsa patinonin.

    T'ia linte fatit në dorë? Po sikur ky i fundit të kishte zgjedhur atë, për të bërë realitet njohjen midis kushërirës së saj dhe tatuistit, e po të tërhiqej Anila, në të ardhmen ata të dy mund të duheshin, por për shkak të rrethanave të caktuara të mos ishin dot bashkë?

    Ndoshta vërtet, po të ishte e shkruar, që të njiheshin dhe t'i përkisnin njëri-tjetrit, do të takoheshin dhe askush nuk do mund t'i ndante. Shpresonte shumë, që Sidoreli të ishte po aq njeri i drejtë, sa i ishte dukur asaj dhe të lidhej me Brunildën, sepse Anila kishte ndjesinë sikur do shkonin shumë bashkë.

    Fati; ajo doli nga aplikacioni Kontaktet dhe fiku telefonin; do e linte në dorë të jetës, në të krijohej ajo histori dashurie midis Brunildës dhe Sidorelit, të cilin Anila mezi po priste, që ta kishte të afërm dhe ai ta bënte të lumtur Brunildën.

    - Melodi! Çfarë numri patinat?

    Anila ktheu kokën nga recepsioni, shikoi për një çast vajzën e veshur me pantallona të gjera të kaltra dhe një gjysmëbluzë të bardhë, që kishte thirrur dikë tjetër pas shpinës së saj dhe vështroi Melodinë, që e kuptoi se ishte brunja po aq shtatlartë, sa ajo, e cila nuk ngjante më tepër se njëzet e tre vjeçe, u përgjigj me ton të theksuar serioz "tridhjetë e nënta", kaloi pas flokët e zinj të dendur dhe të lëshuar mbi supe, i hodhi përciptazi Anilës një shikim të rëndë me një forcë të pazakontë në sytë e saj kafe të mbyllur, që i jepte energjinë e një luftëtareje dhe e shpërfilli patinatoren e veshur me pantallona të shkurtra ngjyrë kakao të butë dhe gjysmëbluzë të zezë.

    "Vetëtimë, po ta kishin quajtur, do kishin vepruar më saktë." - hamendësoi Anila, ndërsa hiqte atletet e saj të bardha, për të veshur patinat.

    Shikoi edhe një herë nga Melodia dhe vajza tjetër, të cilat po i afroheshin divanit dhe hyri në pistë. Vuri re, që e njohura e Melodisë u largua drejt ashensorit me telefonin në veshin e majtë dhe Melodia po vështronte pistën, edhe kundroi admirueshëm mënyrën se si ajo ngjante si një stuhi, e cila mund të përballohej vetëm nga shpirtrat e mëdhenj.

    I pëlqente shumë vetja, që kishte pamjen e një njeriu të ëmbël, të sjellshëm dhe të afrueshëm, e kjo e ndihmonte t'i tërhiqte lehtë të huajt, i jepte mundësinë, për të njohur njerëz të rinj dhe krijuar shoqëri të reja. Me energjinë e një ekstroverteje, që përhapte, ishte motivimi në fillim për ata, që druanin t'i flisnin një të panjohuri nga frika se nuk do merrnin reagimin pozitiv, që donin; por ndonjëherë shprehte thellë dëshirën, sikur të ishte shpërblimi në fund, të dukej si njerëzit rrepësisht të disiplinuar dhe të distancuar, të cilët nuk flisnin me personat e nivelit të ulët të etikës, bënin, që të tjerët të ndiheshin të nderuar, kur arrinin të tërhiqnin vëmendjen e tyre dhe përzgjidheshin, për të biseduar edhe kaluar kohën me ta.

    Anila doli prej pistës dhe u ul djathtas saj në divan, pa e vështruar fillimisht, që të mos i krijonte ndjesi negative, sikur ishte e fiksuar me të. Nxori telefonin nga xhepi i thellë i xhinseve, pa orën 10:19 mbi ekranin e sapondezur, vështroi përciptazi nga Melodia, sikur po shikonte nga recepsioni dhe gjeti një arsye, për të hyrë në bisedë me të.

    - Më fal! - i buzëqeshi Anila, sapo ajo ktheu kokën dhe e shikoi gjykuese. - Po të del telefoni nga xhepi i xhinseve. - bëri me shenjë pas shpinës së saj dhe Melodia nxori telefonin nga xhepi, për ta mbajtur në dorën e djathtë. - Mendova se mos do binte në dysheme dhe do thyhej, kur të ngriheshe në këmbë, prandaj thashë të të lajmëroja.

    - Faleminderit! - i tha serioze Anilës, vështroi e ndikuar për një çast sytë e butë të saj dhe buzëqeshjen e ëmbël, edhe tiparet rigoroze të fytyrës iu zbutën fill nga gruaja e sjellshme e ulur në divan pranë saj. - Na është bërë telefoni si gjumi. Nuk bëjmë dot pa të. - shtoi më brishtë se më parë, e kapluar nga dëshira e papritur, që të vazhdonte bisedën me Anilën, për të marrë sërish atë ndjesi të mirë nga prania e saj dhe të folurit midis tyre, edhe tjetra anoi kokën në shenjë miratimi.

    - Tamam. Kam më tepër kujdes telefonin, sesa veten, kur ha ushqim, se mos mbytem. - rrëfeu në shenjë faji me të qeshur Anila dhe Melodia harkoi buzët lehtë, shenjë për bashkëbiseduesen se stuhia e kishte marrë energjinë e saj të pozitivitetit.

    - Unë këtë e kam blerë dhe të ri, para dy ditësh. Se të ishte i vjetër, OK deri diku. - Melodia la telefonin e saj mbi divan midis tyre.

    - Akulli nuk fal, - vërejti Anila. - Më ka rënë mua telefoni disa herë mbi dysheme pllaka dhe s'e ka gjetur gjë, çuditërisht, ama atij aty nuk ia kam besën. - bëri me shenjë nga akulli. - Tani e kam vendosur. Po bleva telefon të ri, do iu them shitësve: "Ky telefon ka rënë disa herë në dysheme dhe nuk është thyer. Keni të tillë? Ndryshe tjetër nuk blej."

    - "Nokia," do të të thonë. "Ajo e viteve të dikurshme."

    - E vërtetë. S'mu kujtua fare ajo. - qeshën të dyja dhe shikuan telefonin e Melodisë, kur dridhja e tij ndriçoi ekranin.

    Anila mundi të lexonte me shpejtësi mesazhin "Ku je?" dhe emrin e dërguesit të tij 'Leonard Nura'. Me Sidorelin dhe Brunildën menjëherë në qendër të mendimeve, ajo ktheu kokën e pushtuar nga adrenalina dhe entuziazmi, se bëhej fjalë për vëllanë e tatuistit, që Melodia mund të ishte e njohura e të dyve, ndoshta dhe kunata e Sidorelit, dhe tani Anila kishte ndjesinë e fortë, që do takohej përsëri me këtë të fundit, e jo thjesht kalimthi.

    Blerimi arriti t'ia largonte vëmendjen nga Brunilda dhe tatuisti me mesazhin e dërguar në telefon.

    Mendimi, se ai po tregohej paranojak në lidhje me Brunildën dhe duhej ta linte të qetë, pasi ajo nuk do ia prishte planet, që as nuk i dinte, se ekzistonin, nuk ia kishte dalë dot, që ta qetësonte Blerimin. Po sikur ajo t'ia mbushte mendjen Anilës, se ai nuk ishte i duhuri për të dhe Anila të hiqte dorë prej tij? Duhej të hidhte hapin e radhës. Më mirë të merrte masa, sesa t'i vinte gjithçka e papritur dhe ai, akoma pa e marrë veten nga tronditja, se çfarë kishte ndodhur, të shihte çdo gjë, tek i përfundonte jo siç kishte dashur, sa hap e mbyll sytë.

    Pjesa e parë e planit iu realizua me sukses, sapo motra e Amarildos pranoi ftesën, për të shkuar në piknik, te Liqeni Artificial i Tiranës dhe Blerimi iu përvesh menjëherë punës. Përgatiti çdo gjë, që kishte bërë llogari, se i duhej dhe të nesërmen në orën 10:20 të paradites u ndodh para shtëpisë së saj.

    Ajo zbriti me nxitim shkallët e gurta dhe me hapa, si të ishte duke kërcyer nga gëzimi, iu afrua makinës së zezë. Blerimi shikoi rrobat e zgjedhura prej saj atë ditë të nxehtë fundgushti, për t'i lënë asaj të mendonte, se e kishte vënë re pamjen e saj të jashtme dhe i buzëqeshi, duke e ditur, se Anila po vështronte me padurim për reagimin e tij ndaj rrobave, që ajo kishte veshur; një fund gri me pala dhe formën e jashtme të shkronjës A deri pranë kyçeve të këmbëve, me vija horizontale dhe vertikale të bardha edhe të zeza, rrip në po atë ngjyrë, këpucë të bardha ALL STAR dhe bluzë ngjyrë blu të errët.

    E kuptoi se e kishte fituar edhe më shumë pëlqimin e saj, kur i tregoi me shikim flirtues, se sa e bukur dukej dhe Anila buzëqeshi më tepër nga emocionet.

    - Jam gati, për të dhuruar vetëm lumturi me praninë time. - deklaroi ajo e fundit me shaka, për të mos u mposhtur tërësisht nga ndjenjat dhe as të mos e shikonte dot Blerimin në sy, pasi do skuqej flakë e tëra me një sekondë shikimi midis tyre.

    Ai qeshi dhe e pranoi puthjen e saj në faqen e djathtë. I vendosi krahun pas shpine si zakonisht, por këtë herë me ndryshimin se e mbajti më gjatë në gjysmëpërqafim.

    Anila e kuptoi veprimin e tij dhe kërkoi të dinte më tepër, ndërsa e vështronte e emocionuar me kuriozitet, që ai t'ia shprehte edhe me fjalë kuptimin e atij veprimi.

    - Po i mëson keq njerëzit kështu. Do duan të rrinë të gjithë me ty, pastaj. - vërejti flirtues ai me dorën te krahu i saj.

    - Eh, - psherëtiu e gëzuar nga komplimenti i tij. - E paske kuptuar edhe vetë, që ke konkurrencë!

    - Po, - qeshi Blerimi. - Dhe prandaj kam menduar gjithë ato mënyra, se si të të bëj përshtypje ty, për të më zgjedhur vetëm mua.

    - Ke të gjithë vëmendjen time, - u josh të pranonte Anila dhe tjetri i hapi derën e pasagjerit në të djathtë të shoferit.

    - Apo do, që t'i japësh ti? - pyeti ai.

    - Jo, të besoj.

    Ajo fjali ishte shpërblim për nivelin e arritur dhe motivim, për të vijuar me planin. Fitorja i ngjau atij më afër se kurrë. Veç edhe disa hapa të vegjël kishte për të hedhur.

    - OK, - ai kaloi nga ana e shoferit dhe ndezi menjëherë automjetin.

    Sugjerimi i tij, që të bënin një piknik te Liqeni Artificial i Tiranës, i kishte pëlqyer tej mase Anilës dhe kishin rënë dakord, që, nëse moti nuk do iu bënte ndonjë surprizë me ndryshimin e tij të papritur nga i kthjellët në kohë me shi, atëherë do vepronin, siç kishin biseduar. Blerimi kishte vrarë mendjen të gjente diçka, që ajo të mos e refuzonte. Duke e ditur se Anila i pëlqente shumë fotot dhe vazhdimisht bënte të tilla, kishte menduar se pikniku do ishte mundësi e përkryer për postimet e saj të radhës në rrjetet sociale dhe kështu do përfitonte edhe ai, duke e treguar veten si njeri i përkujdesur ndaj saj dhe sikur mendonte thellë për të.

    Gjatë rrugës për te Liqeni qëndruan në heshtje si të gjitha herët e tjera, kur kishin udhëtuar së bashku, që Blerimi të mos shpërqendrohej. Anila mbante mbi prehër çantën e saj bezhë në ngjyrë qumështi dhe telefonin me kasë të verdhë në dorë.

    Gjetën një tavolinë bosh ngjitur liqenit, shtruan mbi të një mbulesë argjendi dhe vunë dy çantat e piknikut ngjyrë bezhë mbi tavolinën e drunjtë. Blerimi këmbënguli, që për atë ditë të merrej ai me organizimin e gjithçkaje, ndërsa ajo vetëm të shijonte piknikun. Në ato orë piku vere nuk kishte njeri tjetër në atë zonë dhe Anila u gëzua, që po kalonte kohë vetëm me të, pa pasur njeri përreth. Konsiderata pozitive ndaj tij po i shtohej gjithnjë e më tepër.

    Po qëndronte sërish e ulur në stol, duke e soditur, teksa Blerimi vendoste gjërat, që kishte blerë.

    - Po e bën xheloz liqenin, - vërejti ngacmues ai nga kundrimi i saj, teksa vendoste picën e blerë në skaj të tavolinës në të djathtë dhe ngjitur saj marshmallow-t. - "Gjithë këtë bukuri, që kam unë," thotë, "edhe ti sheh atë?" - iu referua vetes.

    - Jam e sigurt se dhe liqeni do kishte bërë të njëjtën gjë, po të ishte në vendin tim.

    Blerimi qeshi nga fjalët e saj, i dhuroi një vështrim intensiv me ndjenja dashurie, siç e merrte me mend se Anilës do t'i pëlqente dhe nuk u gabua. Ajo uli vështrimin mbi tavolinën e mbushur me udhqime të blera, që të vinte nën kontroll me anë të ajrit të pakët të freskët flakën përvëluese, që i kishte përfshirë kraharorin dhe mendja vetëm i luante kujtimin e momentit, kur Blerimi e kishte vështruar, sikur e donte.

    Një fakt i tillë i ngjau i njëjtë me ndjenjat, që Anila po kuptonte se kishte për të. Tërheqja prej tij kishte qenë e pranishme, që kur e kishte takuar në fillim, pëlqimi ishte krijuar pasi kishte dalë në disa takime me të dhe, duke e ditur se do përfundonte në dashuri, e kishte mirëpritur atë fund edhe tani ishte e lumtur se i kishte dalë parashikimi dhe shpërblimi ishte shumë më i bukur, sesa ajo kishte pritur. Edhe Blerimi e donte.

    - Meqë e thua ti... - ai i zgjati njërën nga gotat me verë të kuqe dhe u ul përballë saj. - Mirë, që nuk merr hak ndaj teje. - vërejti me shaka për liqenin.

    - Je ti hakmarrës?

    Ai ngriti shikimin dhe e vështroi Anilën drejt e në sy.

    - Jam, - u përgjigj i vendosur dhe priti, që ajo të frikësohej nga shikimi i tij i errët dhe të mendonte negativisht për të.

    - Kuptoj, - Anila tha vetëm e trishtuar, që Blerimi mund të detyrohej në jetë, që të vendosej në pozitë, për të marrë një vendim të tillë. - Më vjen shumë keq për njerëzit, të cilëve iu kthehet e gjithë jeta përmbys dhe nuk marrin as mbështetjen e të tjerëve, por konsiderohen fajtorë, që nuk arritën të luftonin dot dhe prandaj bëhen të këqij.

    - Të drejtët si ti do bëjnë gjënë e duhur. - tha me ironi të fshehur Blerimi.

    - Do e bëjmë, - Anila i mori seriozisht ato fajlë. - Falë Zotit nuk gënjehemi më. E dimë shumë mirë të vërtetën se fundi i lumtur ekziston. Ai, që ka thënë "jo" fillimisht, me siguri do ketë qenë njeri i ligë, i cili, për të shpëtuar veten, e ka bindur njeriun e mirë, që të mos mendojë, për të ndëshkuar fajtorin, kur ky i fundit i bën padrejtësi, por, që jeta është vetë vetëm vuajtje dhe ai duhej të pranojë prej të tjerëve çdo të keqe, që i bëhet. Epo, nuk ka më. Nuk do ia vëmë më fajin atij, që nuk ka të tillë. Fajtorët e vërtetë do marrin dënimin e merituar edhe sikur ai fajtor të jemi vetë ne.

    - E vështirë kjo, të dënosh fajtorët e vërtetë. Njerëzit e këqij janë shumë të rrezikshëm. - argumentoi Blerimi.

    - Por të mirët janë më të rrezikshmit, - ia ktheu me vetëbesim, që kishte plotësisht të drejtë Anila. - Të mirët mund t'iu bëjnë, kur të duan shumë gjëra të jashtëligjshme të këqijve dhe askush nuk u thotë gjë, sepse i konsiderojnë në të drejtën e tyre; po marrin hak për veten, padrejtësitë, që u janë bërë, kurse të këqijtë, që janë të tillë, sepse duan të jenë, kanë të gjithë botën kundër. Askush nuk i miraton veprimet e tyre të liga dhe shpesh prej botës ndalohen, kurse të mirët nuk i ndalon njeri.

    "Çfarë naiviteti!" - mendoi ai për të dhe për një çast nuk iu duk, sikur Anila po aktronte, por ishte vërtet njeri i drejtë dhe ndieu pak keqardhje ndaj saj.

    Dikush duhej ta nxirrte atë grua nga iluzioni dhe t'i tregonte jetën reale, para se të ishte tepër vonë. Por ja që tashmë ishte tepër vonë dhe ai dikush s'kishte pse të bënte gjë, sepse nuk kishte më vlerë.

    Ai vijoi me planin edhe për disa ditë, që të sigurohej se do merrte përgjigje pozitive prej Anilës dhe, kur e vuri re, që kishte ardhur koha tashmë, për ta hedhur hapin e radhës, kur ajo, para se të hynte në shtëpinë e saj, pas darkës në një restorant, e vështroi në kërkim të diçkaje më tepër prej tij, jo vetëm një përshëndetje, por shprehje ndjenjash edhe me fjalë, Blerimi mendoi edhe një herë fjalët e përgatitura prej kohësh për atë moment, përpara se t'ia thoshte asaj me zë.

    - Anila! - ai iu afrua më tepër dhe vërejti se si ajo mbajti frymën, duke pritur me padurim, që të dëgjonte fjalët e dëshiruara. - Kur të të shkruaj, pasi të mbërrij në shtëpi, nuk dua të bisedojmë më thjesht si dy të njohur, që po dalin bashkë dhe kaq. Kur të mendoj për ty, dua të mendoj, që je dashura ime.

    Anila nuk mundi të thoshte gjë menjëherë.

    - E kam merituar të zgjidhem prej teje? - ishin fjalët e propozimit të tij, për t'u lidhur së bashku dhe ajo pohoi menjëherë e gëzuar me kokë.

    - Po, - rrëfeu gjithashtu me zë Anila.

    Ai e aviti pranë vetes, shikoi buzët e saj rozë të ëmbël trëndafili dhe më pas sërish atë, duke i nënkuptuar, se kishte dëshirë të putheshin dhe iu afrua me shpejtësi, që ta puthte, para se t'i nënshtrohej klithmës së të gjithë qenies së vet, që nuk kishte pse të shkonte aq larg dhe të bënte diçka, që nuk e donte.

    Edhe motivi deri diku e justifikon veprimin.

    Anila mori frymë me ritëm të parregullt, pasi u shkëput prej tij dhe e vështroi me sytë më të ndriçuar se zakonisht, sikur i dashuri i saj sapo i kishte dhuruar një guaskë të madhe plot me yje qielli.

    Një zhurmë dere në katin më sipër i shkëputi nga njëri-tjetri.

    - Nuk po të mbaj më tepër, që të mos vijë njeri dhe të vendosesh në pozitë të vështirë. - i tha në pëshpëritje Blerimi dhe ajo miratoi me kokë e dalldisur nga ato momente me të.

    - Natën e mirë! - i buzëqeshi ai.

    - Natën! - tha ëmbëlsisht Anila.

    Blerimi e puthi edhe një herë, para se ajo t'i drejtohej hyrjes, priti, derisa Anila mbylli derën kryesore të shtëpisë me çelës dhe fill më pas fshiu menjëherë buzët me forcë. As nuk e kujtonte dot atë moment, kur e kishte puthur, se druante, që do t'i mbetej në mendje për tërë jetën një makth i tillë i përjetuar. Sidomos kur mendonte, se do i duhej ta puthte sërish, bëhej shumëfish më keq.

    Shkundi kokën i pushtuar keqazi nga ndjesi negative të pështjelluara me nuanca neverie dhe mendoi se vetëm një gotë pijeje alkoolike do ta sillte në vete.

    Edhe pak distancë i kishte mbetur nga fundi i urës, që po kalonte. Sapo të siguronte veten, do ta shkëpuste këtë të fundit nga toka dhe Anila e ndodhur pas tij do të binte në humnerë.

....vazhdon....






Pjesa shkon për @verand11 ❤️❤️

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top