7• S'më Pëlqejnë Tatuazhet.
- Trego! - Anila e uli Brunildën në divanin përballë saj dhe midis tyre vendosi qesen me materialet, që kishin blerë gjatë rrugës së kthimit për në shtëpi. - Çfarë folët, kur nuk isha unë?
- Më pyeti, se për çfarë studioj dhe ç'punë kam vendosur të bëj; nëse kam vendosur.
Pjesën tjetër të bisedës Brunilda e shtjelloi në heshtje. Po t'i tregonte Anilës, se ai kishte thënë, që ajo ishte ekstroverte për faj të saj, kishte frikë se Anila do t'i miratonte fjalët e tij dhe do ta bënte përgjegjëse për çdo herë, që ishte detyruar të mendonte, për të organizuar aktivitete së bashku, sepse, të kishte qenë për Brunildën, do kishin përfunduar tërë jetën të mbyllura në shtëpi. Nëse nuk i thoshte gjë, kishte frikë se Blerimi do t'i tregonte vetë dhe Anila do dyshonte se mos ajo kishte qëllime negative ndaj saj.
Mori një pako patatina nga qesja dhe ndenji në heshtje me kokën ulur, ndërsa konsumohej prej mbimendimit dhe paqartësisë, se cilën rrugë të merrte: të rrezikonte dhe të fliste, apo ta linte veten në dorë të fatit, nëse ky i fundit donte ta rrezikonte, apo jo?
- Brunilda, a e pëlqen?
Pyetja e Anilës e bëri të ngrinte sytë dhe të shikonte vështrimin dyshues të hidhur të saj mbi të.
- Jo, jo. - tha e qetë. - S'ke pse dyshon. - e shikoi drejt e në sy, për ta siguruar, që nuk po gënjente. - S'e di pse nuk më dha energji të mirë.
- Ngaqë nuk e njeh akoma. Po ta njohësh sa unë, do e kuptosh se sa i respektueshëm dhe vlerësues është.
Brunilda e shprehu haptazi skepticizmin në sytë e saj rreth ekzistecës së një ndodhie të tillë.
- Mua nuk m'u duk fare ashtu as ndaj teje, - tha në mëdyshje, që ndoshta duhej të kishte ndenjur në heshtje dhe jo hedhur akuza të tilla kundër tij, pa pasur prova konkrete.
- Si t'u duk? - Anila pyeti e shqetësuar.
- Sikur nuk donte të rrinte aspak me ty. Po i zihej fryma dhe mezi po priste t'ia mbathte vrapit.
- Mos ndoshta ngaqë kishte frikë se do t'i fluturonte ndonjë shishe në ajër drejt kokës? - pyeti me tallje Anila dhe anoi vështrimin mosbesuese nga gjykimi i saj.
- Këtë ndjesi mora, - u shfajësua Brunilda me një të ngritur të lehtë të supeve. - Të sugjeroj, që të kesh kujdes.
- Ja! Fillove përsëri me negativitetin tënd. - Anila u kthye e inatosur nga televizori dhe e mbërthyer prej helmit të hedhur ndaj saj.
- Është realiteti, - argumentoi rreptë Brunilda. - OK, e pranoj, që ndonjëherë jam tepër pesimiste dhe duhet ta shijojmë jetën, por jo të jetojmë shkujdesur. Duhet t'i marrim disa masa, për t'u ruajtur. Meqë nuk jemi në Parajsë.
- Nuk dua të flas për këtë gjë, - Anila u përpoq të ngrihej, për të marrë telekomandën e televizorit dhe shikuar ndonjë film, por Brunilda e ndaloi, duke i vendosur dorën në krahun e djathtë.
- Do flasim! - ajo e uli mbi divan. - Sa mirë, që ti i jep si zonjë e rëndë këshillat e tua. Pse nuk i dëgjon të miat?
- Çfarë këshillash? - ia ktheu vetullngrysur me nerva Anila.
- Po e pe, që nuk ka interes për ty, largohu! Mos i justifiko asnjë lloj veprimi, kur e di dhe vetë, se po vepron gabim, e para kjo; e dyta: mos fli me të! Të merr në video a gjë, edhe jashtë bote fare ti pastaj. Martesa është më e sigurt. Tani, dikush, që do të të bëjë keq, të bën, kur të dojë, e gjen rrugën dhe mënyrën, ama, meqë mund t'i parandalosh disa faza depresioni në jetë, pse ta traumatizosh veten më kot? Do doje, që t'i ndodhte ndonjë vajze tjetër një fatkeqësi e tillë? Jo. Atëherë edhe vetja jote nuk meriton më pak respekt.
- Shumë mirë, filozofe. Meqë mendon se vetja meriton po aq respekt, sa dikush tjetër, ngrihu! - Anila e bëri vetë një veprim të tillë e para.
- Por ne dolëm, - protestoi Brunilda e pashpresë se do i ecte e vetja.
- Dalim përsëri. Shkojmë nga zona e Bllokut.
- Çfarë të bëjmë? Nuk ka asgjë interesante. - shfryu e bezdisur.
- Sepse nuk ke qenë fare aty me qëllimin, për të gjetur ndonjë gjë interesante. Shkojmë dhe hamë drekë!
- Unë t'i dhashë këshillat për veten tënde. Ta dija, që do m'i nxirrje prej hundësh, nuk do flisja fare.
Anila shfryu lehtë dhe nxori telefonin nga xhepi i pantallonave jeshile të çelët, kur ai u dridh në shenjë ardhjeje mesazhi.
Brunilda mori telekomandën e televizorit dhe filloi të hulumtonte nëpër kanalet televizive, për të gjetur ndonjë film interesant.
- Blerta po më kërkon, që të dalim. Do shkojë të bëjë një tatuazh. - tha Anila, ndërsa ulej mbi divan dhe mendohej, në të shkonte, apo jo.
- Cila?
- Mino, kjo që kam pasur në universitet te grupi im.
- Nuk e di ajo, që ti nuk i pëlqen fare tatuazhet? Jo më të shkosh te një studio, ku bëhen. - qeshi Brunilda.
Anila shikoi orën në telefon dhe mesazhin pa përgjigje të kthyer akoma nga ana e saj. Meqë atë pasdite e kishte të lirë, vendosi të shkonte.
- Unë po dal, - u ngrit në këmbë dhe iu drejtua dhomës së gjumit, për t'u ndërruar. - Çfarë do bësh ti? - iu afrua pragut të derës, për të veshur atletet e bardha, që vendosi t'i kombinonte me xhinset ngjyrë shampanje të bardhë dhe bluzë të kuqe të errët.
- Do shoh, - tha Brunilda e përqendruar te televizori.
Anila e mori me mend, se ajo do rrinte në shtëpi dhe ndieu drobitje, akoma pa filluar, që t'i jepte këshilla, për të dalë dhe shijuar jetën, sa kishte mundësi. Nuk do t'i rrinte gjithmonë pincë mbi kokë, për t'i treguar se çfarë të bënte me jetën e saj. Brunilda duhej ta kuptonte vetë, në po jetonte si duhej, apo ishte duke i shkuar e gjithë vera dëm, vetëm duke ndenjur në shtëpi.
- OK. Nuk do vonohem. - lajmëroi Anila më tepër si shprehje kalimthi dhe doli nga shtëpia.
••••
Blertën e takoi përballë Bankës së Shqipërisë dhe shkuan te studioja, ku biondja me sytë e çelët blu do bënte tatuazhin.
Brenda në studio gjetën një djalë rreth të gjashtëmbëdhjetave, veshur me rroba të zeza sportive, ndërsa vendoste disa kuti në raftin e bardhë te kreu i dhomës së punës.
- Si je, Mateo? - hapi bisedën klientja me të riun dhe i dha dorën.
- Mirë, - ai përshëndeti edhe Anilën më pas.
- Ku e kemi pronarin? - pyeti Blerta.
- Tani po vjen. Fola me të në telefon.
Anila studioi me shikim vëzhgues muret ngjyrë pylli të mbyllur përreth, dyshemenë e bardhë me një dragua të zi në qendër, një divan bezhë në skajin tjetër të dhomës përballë karriges, ku klientët uleshin, për të bërë tatuazhet dhe një tavolinë të xhamtë pune në të majtë të saj, mbi të cilën ndodheshin disa fletë të përdorura.
U afrua më tepër, që të shikonte vizatimet, të cilën mundën të merrnin një buzëqeshje prej saj, e mahnitur nga bukuria e tyre; një flutur e kuqe me disa petale jo të plota trëndafili rozë përgjatë fundit të flatrës së saj në të majtë, shkronjën J dhe A të bashkuara, si dhe një orkide vjollcë me nuancë të ngjyrës së purpurt.
- Janë për tatuazhe dhe këto? - pyeti ajo Mateon, i cili po vendoste kutinë e mbetur në raft.
- Po.
- I ke vizatuar ti?
- Sidoreli.
- Tatuisti? - hamendësoi Anila.
Ai pohoi në heshtje me kokë dhe ajo mendoi fill, që personi në fjalë, ishte i sapoardhuri në studio. Ky i fundit kishte hapur derën disi me furi dhe me të hyrë në studio kishte vështruar athët me ashpërsi Anilën ngjitur punimeve të tij në shenjë qortimi rigoroz, se pse i ishte afruar tavolinës së punës pa lejen e tij.
Ajo shikoi e përqendruar në mënyrë të pavetëdijshme ngjyrën e jeshiltë të vrazhdë me pak të gjelbër të lehtë të syve të tij dhe tatuisti i dha fund kontaktit të syve midis tyre, duke u kthyer nga Blerta.
- Si je, Blerta?
- Mirë, si je ti? - pranoi dorën e tij të shtrirë ajo.
- Mirë.
- Unë mbarova punë, - Mateo iu afrua artistit. - Do ndihmoj për gjë tjetër?
- Jo, - tha Sidoreli. - Mund të shkosh.
- OK, - ai mbylli derën pas vetes, duke lënë vetëm ata të tre në studio.
- Për tatuazhin erdhe, apo ke ndryshuar mendje? - pyeti Sidoreli Blertën dhe, ndërkohë, që ata bisedonin, Anila gjeti rastin, ta studionte pronarin e asaj studioje me detaje.
Flokët e tij pakëz të shkurtër ngjyrë lajthie të mbyllur morën pikët maksimale, ashtu si fiziku i mirëmbajtur dhe veshja e zgjedhur për atë ditë, bluza e gjelbër e zbehtë, xhinset gri dhe atletet e bardha. Të folurit me zë të shtruar, toni i patepruar i autoritetit në çdo fjalë, që thoshte bashkë me vështrimin dhe energjinë e sigurisë, edhe njeriut të matur, që jepte, e bindën se më në fund kishte gjetur personin e duhur.
Ai ishte fiks për Brunildën, që kishte preferencë zonën e rehatisë. Sidoreli dukej se kishte pikërisht karakteristika të tilla gjithashtu. Tani prej Anilës mbetej vetëm të zbulonte, nëse ai kishte të dashur dhe menjëherë do t'i tregonte Brunildës për të.
Mezi po priste, që të shkonte në shtëpi. Entuziazmi për të ardhmen e afërt ia rriti padurimin, që ai t'ia bënte sa më shpejt Blertës atë tatuazh. Kishte bërë shumë mirë, që kishte pranuar të shkonte në studion e tij.
- Ajo është me mua, - tha Blerta për Anilën dhe Sidoreli ktheu kokën, për t'u ndeshur me buzëqeshjen miqësore dhe vështrimin e sjellshëm të saj.
- Mund të ulesh tek ai divan dhe të presësh, nëse dëshiron. - tha ai formalisht dhe vazhdoi punën e tij, pa pritur përgjigjen e saj.
Anila qeshi nga sjellja shpërfillëse e tij ndaj saj, u ul mbi divan me këmbën mbi këmbë dhe bërrylin e vendosur mbi mbështetësen anash, edhe vështroi nga hyrja e studios. Shikoi ngultazi një llogari Instagrami të stampuar në murin prej xhami ngjitur derës së jashtme dhe një numër telefoni poshtë saj, edhe nxori menjëherë telefonin nga xhepi i xhinseve, për t'i regjistruar, që t'i kishte për Brunildën, por mendoi fill, të hiqte dorë, kur ndeshi shikimin e tij të shpejtë dhe kuptues, se çfarë kishte dashur ajo të bënte, ndërsa tatuisti vishte dorezat e zeza të punës.
Anila ngriu e tëra e turpëruar, që ishte zënë mat dhe kishte lënë përshtypjen sikur po fiksohej me të, po fillonte ta përndiqte drejtpërdrejt edhe fiku menjëherë telefonin, por edhe për kryerjen e atij veprimi u pendua në çast. Tani Sidoreli do kujtonte se ajo vërtet kishte pasur atë qëllim, të cilin ai kishte hamendësuar dhe ajo do turpëronte veten më tepër.
Çfarë të bënte? Të shtirej, sikur po merrte dikë në telefon? Kështu do tregonte se kishte qenë duke kërkuar numrin e dikujt, për të folur me atë person dhe jo regjistruar numrin e tij, edhe adresën e Instagramit.
Të mbimenduarit e lodhi. Mbase ai nuk kishte supozuar asnjë nga dyshimet e saj dhe Anila e kishte vrarë mendjen më kot.
- Më duket se ti, Ania, ke thënë, që do bësh tatuazh një feniks në këmbë, apo Romina? - pyeti Blerta.
- Romina, - tha Anila për shoqen e tyre të universitetit.
- Unë e di, se ke qenë ti.
- Ajo, - këmbënguli Anila. - Unë nuk i pëlqej tatuazhet. - e theksoi qëllimisht atë informacion rreth vetes prej Sidorelit edhe uli kokën me shpërfillje ndaj shikimit të tij gjykues mbi telefon.
Blerta mbeti pa folur e sikletosur nga fjalët e saj dhe nuk tha më asgjë. Anila mezi po e mbante të qeshurën prej skenës së krijuar.
Kur doli pas shoqes së saj nga studioja u kthye drejt tij, ndërsa ishte i ulur pas tavolinës së punës.
- Ta mbyll derën? - pyeti me po atë shikim arrogant në dukje, që kishte pasur pas të treguarit se nuk i honepste tatuazhet.
- Po, - tha gjykues me vështrim ndaj sjelljes së saj tatuisti dhe ajo qeshi më tepër haptazi me ironi, para se të largohej, për të shprehur, që nuk i bëhej vonë fare, nëse i kishte mbetur hatri atij.
- Pse the ashtu? - i foli joqortueshëm Blerta.
- Kot, - ngriti supet shkujdesur Anila.
Nuk mendoi se duhej t'i tregonte, që do ishte në favorin e saj, po ta kujtonte ai prej ç'kishte thënë për tatuazhet, që ta mbante mend, kur t'i prezantonte Brunildën dhe kështu do ishte më e thjeshtë edhe për këtë të fundit, që t'i tërhiqte vëmendjen. Do ia fitonte miqësinë lehtë pastaj dhe do e merrte respektin e tij, megjithëse nuk kishte lënë aspak përshtypje, sikur e meritonte.
- E njeh ti këtë? - pyeti Blertën.
- Po, është shoku i ngushtë i vëllait tim.
Anila shtangu e tronditur.
- Blerta, a lexon libra? - pyeti nga asgjëja.
- Çfarë librash?
- Romane, mistere, romanca...
Se mos po i fiksohej asaj, që të lidhej me të si te ndonjë libër, që kishte lexuar për dashurinë midis një vajze dhe shokut të ngushtë të vëllait të saj. Do i vinte pak keq, se e kishte menduar Sidorelin për Brunildën.
- Jo, moj Ania! Ku merrem unë me trillime? - shpërfilli me një lëvizje të lehtë të dorës Blerta. - Unë s'po përballoj dot jetën reale, jo më romanet me nga 400 faqe.
Anila qeshi e lehtësuar.
- Është i lidhur me ndonjërën ky? Pyes për një shoqe timen.
Radha ishte e Blertës, për të qeshur.
- E di, që ky argument nuk pi më ujë, apo jo? Fakti, që po pyet për një shoqe.
- Jo, e kam seriozisht. - u përgjigj me një ton të tillë zëri Anila.
- Di, që jo, nuk është i lidhur. Emrin e plotë e ka Sidorel Nura. Është njëzet e katër vjeç. Jeton vetëm këtu në Tiranë dhe familja e tij është në kryeqytet gjithashtu. Ai djali, që takuam në fillim në studio, ishte i vëllai, Mateo.
- Sa anëtarë ka në familje?
- Dy prindërit, katër vëllezër dhe një motër.
- Janë pesë djem dhe një gocë?! - Anila hapi sytë e shokuar. - I sati fëmijë është vajza?
- E gjashta.
- Ua! Janë ndopak fanatikë, apo s'e di?
- Me aq sa kam vënë re unë për Sidorelin, jo. Të tjerët nuk i njoh dhe aq mirë.
- Po ky i sati është?
- I dyti. Leonardi është fëmija i parë, i martuar dhe ka një vajzë. Pas Sidorelit janë Gabrieli dhe Emanueli binjakë, Mateo dhe më pas Alketa. Kanë katër vite diferencë midis secilit, përveç binjakëve. Kanë lindur të gjithë në maj, sa për informacion, fëmijët dhe dy prindërit; dhe... është rastësi, kështu po e quaj unë, fakti që për pesë breza me radhë të gjithë burrat e familjes janë martuar në moshën njëzet e katër vjeçare me dëshirën e tyre. Sidoreli ka mbushur njëzet e katër vjeç këtë vit, më 4 maj dhe po presin nga ai tani, që të thotë datën, se kur do martohet. Ka afat deri më 4 maj të vitit tjetër, për të vazhduar traditën.
- Seriozisht? - qeshi Anila. - Epo ndoshta e vazhdon dhe ai traditën. - ajo fërkoi duart nga emocionet e krijuara prej përfytyrimit sikur tatuisti dhe shoqja e ngushtë ishin martuar së bashku.
E merrte me mend, se sa do qeshte me Sidorelin, kur të takoheshin sërish në rrethana ndryshe dhe Anila t'i tregonte synimet, që kishte pasur për të dhe Brunildën, të cilat do t'i ishin realizuar deri atëherë.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top