69• Zemër Helmuese
Anila lexoi frikën dhe lëndimin në sytë e Sidorelit, si dhe shqetësimin në vështrimin e burrit majtas tij, që, nga pamja e përafërt fizike me të, ajo dyshoi, se ishte i vëllai, Leonardi.
Do kishin qenë duke diskutuar për ndonjë temë personale, menduar se ajo i kishte dëgjuar prapa dere prej kohësh dhe, po të mos kishin dalë nga zyra, nuk do ta kishin zbuluar kurrë, veç nëse do iu kishte treguar vetë Anila.
- Tani erdha, - tha të vërtetën, për t'i qetësuar. E kuptonte më së miri rëndësinë e të pasurit privatësi, për të folur me dikë dhe e respektonte atë kufi të vendosur nga ai person. - Nuk e pashë sekretaren te recepsioni, prandaj s'të lajmëroi njeri, që po vija. Sapo do trokisja.
Leonardi kërkoi për prova shtirjeje në fytyrën e saj, por nuk dalloi gjë, kurse Sidoreli e besoi menjëherë. Ajo nuk i kishte dëgjuar, kur kishin folur për Amarildon.
- Si je? - Anila përshëndeti Leonardin dhe mendimi, t'i jepte dorën, qëndroi vetëm i tillë, si një ëndërr e brishtë e mbetur në sirtar për shkak të vetëbesimit të ulët, për t'u bërë realitet. Meqë nuk kishte më asnjë lidhje me Sidorelin, nuk i dukej e përshtatshme, për t'u sjellë joformalisht me një anëtar të familjes së tij.
- Mirë, - tha i qetë në dukje ai, ndërsa shikonte atë dhe imagjinonte veten në vendin e saj; një vëlla të vrarë, vrasësi akoma i pagjetur dhe një motër të vogël, për të mbrojtur.
Sa rëndë kishte gabuar! Ai, që ishte vëlla i madh vetë dhe kishte ndierë gjithmonë përgjegjësi për vëllezërit më të vegjël edhe motrën, duhej ta kishte kuptuar më shumë se kushdo tjetër, se sa i vështirë ishte ai rol dhe t'i kishte treguar Anilës të vërtetën për Amarildon, ta kishte shpëtuar nga ankthi, se ishte në rrezik bashkë me familjen dhe mund t'i bënin keq motrës së saj, duke e siguruar, që e gjithat kishte qenë rastësi dhe nuk kishin pasur asnjëherë qëllim, që Amarildo të vdiste.
Sidoreli kishte dashur të shkonte në polici, por Leonardi e kishte ndaluar me argumentin se ligji mund të ishte në anën e tij, por jo familja e Amarildos. E motra mund të kërkonte të merrte hak, duke ia kthyer me të njëjtën monedhë, me anë të vrasjes së familjarëve të tyre dhe, përderisa nuk kishte asnjë provë kundër tij, Sidoreli duhej të rrinte në heshtje edhe ai e kishte pranuar këshillën e të vëllait.
Tani Leonardi ishte vonë. Sado leukoplastë të vendoseshin te thyerjet e copave të gotës, shenjat e atye thyerjeve nuk do zhdukeshin kurrë, dhe, sado gëzim të hidhej në atë gotë, asnjëherë nuk do mbahej plotësisht e gjithë sasia për shkak të atyre thyerjeve. Anila do krijonte dyshime, se pse ata nuk i kishin treguar më përpara, nuk kishin dëshmuar në polici dhe vërtet do mendonte të hakmerrej ndaj tyre.
Po pse kishte ardhur në kompani?
- Mund të flasim pak tani? - Anila iu drejtua Sidorelit.
- Jo, sot nuk kam kohë. - tha akullt ai, duke fituar edhe vëmendjen e çuditur të Leonardit mbi të. - Lër një adresë kontakti te recepsioni dhe të lajmëroj vetë, se kur mund të më takosh!
Ajo përpiloi mendimin, për të mbytur në ujë të Drinit edhe etikën dhe t'i hakërrehej atij, që të mos dukej vetja i fortë, ngaqë po jepte urdhra në sy të vëllait, i cili po e shikonte qortues Sidorelin, se pse po i fliste ashtu asaj.
- Në rregull, - pranoi, pa u ankuar Anila dhe ai u largua në heshtje.
- Mirupafshim! - e përshëndeti Leonardi, para se të largohej.
- Mirupafshim! - puliti sytë dhe përuli pak kokën në shenjë respekti ajo.
- Pse i the kështu? - Leonardi e arriti Sidorelin te shkallët.
Sepse ndoshta ajo do t'i kërkonte, që të lidheshin bashkë përsëri. Ai do pranonte, ngaqë akoma e donte dhe të nesërmen Anila do vazhdonte rutinën e ndarjes. Zemra e saj sikur vetëm e helmonte, për ta vrarë dashurinë e tij. E, megjithatë Sidoreli donte të kishte vend në atë zemër, siç Anila kishte në të tijën.
Po lodhej. Po e vinin re dhe familjarët, se nuk ishin udhëtimet arsyeja e distancimit të tij të pakët nga bota, që sa vinte dhe po zgjerohej, por diçka tjetër dhe, sa herë e takonte mamanë e tij, sytë e saj të butë ishin çdo ditë e më të shndritshëm nga mbulesa e xhamtë e lotëve prej gjendjes së tij.
Ai e donte Anilën. Ajo ishte si vizatimi për të. Një ditë pa vizatuar, ishte si një ditë pa jetuar; ashtu dhe kur nuk e takonte Anilën. Mund ta zgjidhte mbi veten, sepse një pjesë e tij i përkiste asaj prej kujtimeve me të, por jo mbi familjen, kur kjo e fundit ishte në të drejtë.
Ama... edhe Anilën e ndiente anëtare të familjes. Nuk mund të hiqte dorë plotësisht nga ajo.
- Do, që të punojë këtu sërish me siguri. - shpiku ai një justifikim në nxitim e sipër. - Ndoshta pas disa ditësh bindet, të punojë diku tjetër dhe na hiqet qafe vërtet.
Leonardi nuk këmbënguli më tepër dhe të dy iu drejtuan makinave të tyre të parkuara në fund të oborrit të kompanisë.
••••
Anila pati ndjesinë, që ai nuk do ta kontaktonte, siç kishte premtuar dhe nga njëra anë edhe nuk i vinte faj. Ajo për të ishte vetëm negativitet tashmë, me të cilin Sidoreli nuk donte të kishte fare, të bënte me të, prandaj nuk këmbënguli më gjatë, të flisnin. Sidoqoftë, do largohej shumë shpejt nga ajo punë. Pastaj do ta nxirrte atë bashkë me të dashurën e tij nga jeta e saj. Shpërfillja dhe krahasimi i vlerës së tyre me nivelin zero në syrin e saj do ishte hakmarrja më e mirë.
E dashura e tij. Që do bëhej fjalë për dikë tjetër, kur të thoshte ashtu, nuk e kishte besuar kurrë, se do shkonin gjërat deri në atë pikë midis tyre.
Jetës sikur iu bë zemra mal, që Anila hyri në lojën e praktikimit të vetëbesimit dhe i hodhi pengesën e radhës përpara.
Atë fundjavë do organizohej një event në Ksamil për ndarje çmimesh rreth disa produkteve specifike të ofruara në treg nga disa kompani dhe një festë më pas.
Ajo duhej të merrte pjesë dhe të shtirej sikur nuk do t'i bënte fare përshtypje prania e Sidorelit dhe Arbetës aty. Do i duhej të shtirej, pasi e dinte me siguri, si fakti, që ekzistonte, se njëri prej tyre nuk do ta linte të qetë, pa e trazuar të paktën një herë.
- Sa super! - Visara përplaste duart vazhdimisht dhe sytë i shkëlqenin, si të ishin xhevahirë qelibari prej ngazëllimit. - Një udhëtim pune si nëpër filma. Qëndrim dy ditor në hotel, plazh, event, festë... oh, Ania! Jeta e fundit, fiks sikur të pëlqen ty.
- Fiks, - nga fytyra e vranët dukej se Anila nuk kishte aspak të njëjtin mendim.
Vetëm krijonte në mendje skenare të takimeve midis saj dhe Sidorelit, reagimit të tij indiferent dhe ajo, që duhej të sillej po njësoj, por nuk kishte aq forcë psikologjike, veç sa po vërdalliste veten më kot sërish, edhe përfundimi do ishte dhimbje nga agonia prej lëndimit.
Do mbaronte ndonjëherë e gjitha kjo?
I mbajti sytë drejt qiellit të ëmbël blu pothuajse përgjatë tërë udhëtimit për në jug të Shqipërisë dhe, kur mbërriti në hotel, ishte gati, të flinte menjëherë. Lajmëroi të ëmën dhe Brunildën, që kishte mbërritur dhe ia plotësoi dëshirën vetes. Mbylli perdet ngjyrë marine të zbehtë, veshi pizhamat e kaltra dhe u shtri mbi krevatin dopio me mbulesë të bardhë.
Piktura e një peizazhi dimri sipër kreut të krevatit, e varur në murin ngjyrë gri ulliri, bashkë me gardërobën dhe komodinat me nuancë kakaoje, laminatin ngjyrë lajthie të çelët, dy kolltuçet e gjelbra pylli përballë krevatit dhe tavolinës rrethore e zezë midis tyre u fshehën menjëherë në errësirë, sapo ajo fiku dritën e dhomës, por mendimeve të saj nuk po iu shpërfillej ekzistenca aq lehtë. Edhe kur flinte, ato bëheshin realitet në ëndrra dhe e trazonin.
Do kishte ardhur ai, apo prej saj kishte nxjerrë ndonjë justifikim dhe nuk do ishte i pranishëm në atë event? Pse e menaxhonte akoma degën e kompanisë "Brus & Ashton" në Shqipëri, meqë ajo ishte larguar? Kishte thënë se vetëm për të, e kishte marrë atë vend pune. Tani sigurisht që do kishin ndryshuar prioritetet. I kishte ardhur fati në derë dhe e përdorte, për të lënë te femrat përshtypjen e një biznesmeni shumë të rëndësishëm.
Nuk i besohej, që po gjykonte në atë mënyrë atë. Sidoreli nuk kishte treguar asnjëherë, të kishte mendime të tilla.
Me kapriço të bëra nga gjumi për ca minuta zvarritëse të gjata ia doli të flinte disa orë dhe të çlodhej, ndjesi, që ia vodhi ankthi, sapo u bë e vetëdijshme, se ku ndodhej dhe pse pikërisht aty.
Në tualet kishte një pasqyrë. Mund të vendoste syzet e diellit, që kishte marrë me vete dhe ta shmangte, por një zë i thoshte, që nuk kishte pse. Kishte fuqi, t'ia dilte.
Qëkur kishte parë Sidorelin në pasqyrën te lokali disa ditë më parë, nuk e ndiente më frikën prej tyre, se mund t'i kujtohej e shkuara. Kishte vetëm pamjen e saj fizike, se si i ishte dukur atij atë ditë dhe si dukej akoma, edhe atë në sfond, shikimin e fortë të syve jeshile të sertë dhe momentin, kur ai i kishte shprehur ndjenjat me vështrim fillimisht në një trajnim të kompanisë e mëparshme, ku kishte punuar, para se Sidoreli të bëhej menaxher e saj.
Si kishte lejuar,l të shkonin në atë pikë kthese të historisë së tyre, aq sa t'i dukej e pamundur, për t'u lidhur më me të? Gurët, që ai i kishte përdorur, për të ndërtuar ura dhe mbërritur tek ajo, Anila i kishte shembur të tërë dhe tani Sidoreli kishte ndërtuar mure midis tyre me ata gurë. Ajo nuk ndiente se kishte të drejtë, as për t'i prekur, siç nuk kishte lejuar Sidorelin, kur ai kishte dashur, të shembte muret rreth saj, të ndërtuara nga ajo vetë.
Mund t'ia dilte; iu drejtua me hapa të ngadalë tualetit dhe ndaloi te dera. Apo ishte herët dhe duhej të priste dhe pak kohë? Ndoshta shtyrja nuk do t'i vinte aspak në ndihmë dhe, përderisa ndihej gati edhe pse pak fare, duhej ta përdorte atë shans.
Zemra ndieu të njëjtin shtrëngim si doreza e argjendtë e derës së zezë nga dora e saj e djathtë, e cila u ul ngadalë dhe dera u shty në po atë mënyrë. Anila ndezi dritën, shikoi kabinën e xhamtë të dushit përballë, pllakat ngjyrë argjile dhe pasqyrën rrethore të madhe në të majtë sipër lavamanit të bardhë katror.
Hyri brenda me këmbën e djathtë, pa ia hequr sytë pasqyrës së padëmshme në dukje dhe ngadalësoi hapat, sapo do t'i dilte përballë.
Veten e saj; vetëm atë do shikonte, veten e saj të tashme. Kështu duhej të mendonte, që do ndodhte.
Ngriti këmbën, duke shkaktuar dhe ngritjen peshë të shpirtit, e vetëdijshme se pas pak çastesh asgjë nuk do ishte si gjashtë vitet e fundit; ose do shpëtonte nga ai makth paniku ndaj pasqyrave, ose do burgosej më thellë në frikën e saj dhe vështirë se do mund të shërohej më.
Ndeshi sytë e vet fillimisht në pasqyrë dhe, sikur të ishte duke e ritakuar veten pas vitesh të tëra, e që e kishte marrë malli, për ta parë, buzëqeshi. Nuk kujtoi asgjë nga e shkuara me Blerimin; veç po krijonte një kujtim të ri me fytyrën e saj të rritur dhe të ndryshuar.
Studioi gojëhapur nga mallëngjimi çdo tipar të fytyrës së vet, flokët e shpupuritur ngjyrë bajameje të errët, por që po i dukeshin model i bukur në ato momente, sytë ngjyrë kakaoje të ndezur dhe kanelle, vetullat me formën e harkuar butësisht, formë e ruajtur qëkur kishte qenë adoleshente dhe paraqitja tërheqëse në përgjithësi. I dukej sikur maturimi në fytyrë prej moshës e kishte bërë më të bukur dhe tërheqëse.
Ajo buzëqeshi ëmbëlsisht dhe fillimet e vetullave u ngritën, kur kujtoi e prekur veten më të re dhe energjike në moshën njëzet e dy vjeçare. Ai version moshe ishte pak më shtatshkurtër, po qëndronte para saj dhe po u buzëqeshte përzemërsisht të dy refleksioneve në pasqyrë. Sikur të kishte qenë trup! Do ta kishte tërhequr pranë vetes, përqafuar fort pas shpine, puthur në faqe dhe thënë se ishte yll.
- Kukull! - mundi vetëm ta komplimentonte refeksionin e vetes dhe imazhin e gjashtë viteve më parë të saj. - Do gëzohem unë edhe për ty. - u betua e sigurt, që atë fjali nuk do ta flakte poshtë si premtimet e tjera. Do ta konsideronte po aq të rëndësishëm, sa oksigjenin dhe do luftonte, për ta arritur atë qëllim. - S'do munden njerëzit toksikë as të na tërheqin vëmendjen, jo më të na bëjnë keq. - i buzëqeshi bindshëm dhe me shikim të zjarrtë vetes, më pas e zbuti harkimin e buzëve në paqësor dhe në fund të trishtë.
Sidoreli ia kishte mundësuar atë ndodhi, por ai nuk ishte aty, për t'u falendëruar.
- S'do ta kishte marrë mendja kurrë, apo jo? - i buzëqeshi vetes dhe iu bë sikur edhe njëzet e dy vjeçares, që kishte qenë. - Që do lidheshe ti me të, kur ke menduar, ta lidhësh me dikë tjetër.
Vetja më e re vuri buzën në gaz, se si kishin rrjedhur gjërat.
Ajo rregulloi flokët në modele të ndryshme, e adhuroi energjinë e dritës joshëse, që po përhapte dhe u shty pas, që pasqyra ta përfshinte të tërën.
- Unë mendoj se ky trup meriton një super fustan, - vërejti ajo dhe vrau mendjen, se cilin nga tre, që kishte sjellë jo fort e bindur, se do donte të vishte fustane, por më mirë me vete, se e penduar, që nuk i kishte marrë, të zgjidhte: të kuqin e errët, atë blu të butë, apo të ziun?
Doli nga tualeti më në hare, nga ç'e mbante mend veten kohët e fundit dhe mori valixhen gri pranë kolltukut nga ana e derës, për ta vendosur mbi krevat. Meqë ishte në humor, donte t'i shikonte fustanet në fillim, për të krijuar një ide, para se të hante darkë bashkë me kolegët, me të cilët kishte ardhur për në atë event.
I ziu ishte i ngushtë dhe i gjatë deri mbi gjunjë, kishte vetëm mëngën e djathtë dhe iu duk i përshtatshëm për mbrëmje të tilla, por edhe ai blu me gjatësi deri në fund të këmbëve, bust dhe një të çarë në këmbën e majtë arriti, ta vinte në dilemë, për të mos zgjedhur aq kollaj. Fustani i shkurtër dhe i ngushtë ngjyrë i kuq me rripa të trashë mbi supe kishte dekolte të hapur edhe formën e ngushtë të shkronjës V midis kraharorit deri pranë fundit të tij. Ky i dukej më tepër për festën e organizuar në mbrëmjen më pas.
Të ziun, apo atë blu? Natën dimërore pa hënë dhe me re, apo atë të freskët të verës me yjet e panumërt në qiell, romantizoi dy ngjyrat përballë saj, ndërsa mendonte t'i jepte më tepër kohë vetes deri të nesërmen dhe vendosi të bëhej gati për atë mbrëmje.
Kërkoi me sy gjoja, për të marrë masa, që të mos shikonte nga ajo anë, praninë e Sidorelit, por nuk e shqoi gjëkundi dhe qëndroi më së shumti në heshtje gjatë darkës nën bisedën e kolegëve në restorantin e hotelit.
Atë natë e mbylli me një videotelefonatë të gjatë me Brunildën dhe të nesërmen u zgjua herët.
Mbrëmja e kishte dukshëm gati shishen, për ta hedhur në ajër; detyrimisht do takonte Sidorelin dhe Arbetën.
Një shans i mirë, për t'iu vërtetuar, që kishte vendosur të mos ua varte fare, por a do mundej vërtet aq lehtë?
Arbeta do prekte në sy të saj duart e tij, që kishin prekur Anilën, do puthte buzët, që kishin puthur atë.
Si kishte mundur Sidoreli, t'i zëvendësonte ato lloj kujtimesh me të? Vërtet nuk kishte menduar kurrë, që t'i jepte edhe një mundësi të fundit asaj?
Anila do ta fshihte ekzistencën e zemrës për ato dy netë, që do e kishte praninë e tyre para syve dhe do sillej e pandikuar.
Biletën për në event e fitoi fustani blu. Hamendësoi, që do ishte ngjyrë më pak e ndeshur atë mbrëmje, ndryshe nga e zeza, prandaj vendosi të zgjidhte atë.
Sidorelin nuk e pa gjëkundi, kur hyri në sallë dhe shikoi kalimthi përreth, por ai e vuri re menjëherë atë me Suelën në të majtë të saj, e veshur me taka të bardha dhe një çantë të po asaj ngjyre në dorën e djathtë, flokët me onde natyrale i kishte lënë lëshuar anash mbi supin e majtë dhe shikimi i saj me vetëbesim e ndihmonte goxha veshjen, për të tërhequr vëmendje.
Mllef, që ajo dukej sikur kishte ecur aq lehtë përpara dhe admirim varësie ndaj saj, që ishte kaq e bukur dhe ai donte t'i fitonte zemrën përsëri.
Po i ngjante vërtet privilegj, siç ajo kishte thënë, sikur të mundej të kishte dashurinë e saj edhe nëse do të thoshte, që as të mos e fitonte dot dhe as ta harronte ndonjëherë; të mbetej gjithmonë një dashuri e parikthyer.
Ishte në të njëjtën dhomë me të dhe, përveçse nuk e trajtonte dot si të dashurën e tij, as nuk mund ta shikonte, siç kishte dëshirë, por vetëm të vinte re, se si e shikonin të tjerët edhe ai nuk kishte të drejtë, që t'i ndalonte dot.
Veç disa herë e vështroi fshehurazi gjatë eventit, kur ajo nuk e kishte vëmendjen dhe rrezikoi t'i mbante sytë mbi të për disa çaste, me shpresën se ajo do e shikonte, por Anila nuk e pa asnjërën herë.
Ajo vërtet kishte qenë, duke e përdorur në lidhje dhe kishte kërkuar ndarjen, ngaqë ishte bezdisur prej tij. Nuk kishte kontaktuar me të, pikërisht ngaqë do t'i bëhej realitet dyshimi, se Anila kishte dashur t'i kërkonte, të lidheshin sërish, për të luajtur, por po sikur atë herë ajo ta kishte pasur seriozisht dhe ai e kishte humbur mundësinë me të?
Pse kishte gjithë ato keqkuptime midis tyre? Vërtet kishte qenë ai fajtor, sepse nuk ishte përpjekur mjaftueshëm për të? Ngaqë ishte sjellë keq me të te deti, prandaj do kishte vendosur, të hiqte dorë prej tyre ajo? Pse nuk ishte shprehur mirëkuptues që në fillim, por vetëm pasi Anila kishte pësuar një thyerje emocionale? Tani ajo me shumë gjasa do kishte gjetur dikë, i cili ishte çdo moment i sjellshëm me të dhe ajo e kishte harruar totalisht të kaluarën e tyre.
Gjëja më e mirë për të dy ishte, që të hiqte dorë dhe ai, e peshoi situatën tri orë më vonë, kur mbërriti në dhomën e tij. Anila kishte nevojë, për të shpëtuar nga çdo person toksik në të shkuarën e saj dhe Sidoreli e kishte shënuar emrin vetë në atë listë.
U kap pas hipotezës, që ndoshta ajo nuk e kishte harruar dhe ishte veshur bukur atë mbrëmje, për t'i tërhequr vëmendjen atij, do ta kishte parë gjjthë ato herë, por nuk e kishte dalluar ai, ama e lëshoi menjëherë atë litar dhe ra në greminë i dorëzuar, që më kot po përpëlitej; midis tyre kishte mbaruar gjithçka.
Po ç'kishte dashur vërtet ajo, të bisedonin?
Nxori telefonin nga xhepi i xhaketës ngjyrë gruri të lehtë dhe gjeti numrin, që ajo kishte lënë te recepsionisti. Një bisedë me të dhe të qenit afër saj do ishte si drita e një shtëpie natën në një pyll të dendur. Ndoshta do t'u jepej mundësia, që të sqaronin çdo keqkuptim deri atë natë dhe do t'i jepnin edhe një shans njëri-tjetrit. Ajo e kishte kuptuar se e donte Sidorelin gjithashtu dhe donte të luftonte për lidhjen e tyre.
Me një fije dyshimi akoma të ngatërruar nëpër mendimin, që po vepronte si duhej, ai preku ikonën e telefonit jeshil dhe i çoi zile.
Anila lexoi me të shpejtë numrin e paregjistruar, e njohu menjëherë se kujt i përkiste dhe duart i ngrinë ashtu si zemra, që i shmangu disa rrahje nga emocionet. E kishte fshirë kontaktin e tij, por jo bllokuar, që të mos shkonte, ta shikonte vazhdimisht, për ta zhbllokuar, ama numrin nuk e kishte harruar dot. I ishte bërë tatuazh i përjetshëm në mendje dhe e kujtonte çdo herë, që mendonte se e kishte harruar.
Do ta kishte vënë re, se ajo nuk e kishte parë fare gjatë mbrëmjes dhe i kishte ardhur inat, që nuk kishte më ndikim tek ajo. Vërtet ia kishte dalë, të linte përshtypje të tillë, siç kishte bërë plan? Pse po i telefononte ai? E kishte një të dashur tashmë, Arbetën. Ishte në dijeni ajo? Nuk besonte, të kishin hartuar plan bashkë, për të luajtur me të, se veç kur ta shihte veten Anila, duke u siguruar posaçërisht vetë, që kufomat e tyre, të gjendeshin vërtet në ujë të lumit Drin.
Ajo kishte kërkuar të flisnin dhe ai po i pranonte kërkesën. Me siguri donte t'i caktonte një orar, se kur të bisedonin. Nga të dëgjuarit zërin e tij, kur të kishte dëshirë vetë, kishte përfunduar në kërkimin e thërrimeve të disa minutave, për të dalë një justifikim, që të fliste me të. Ishte vërtet plotësisht faji i saj, apo diçka jashtë fuqisë së tyre, për ta ndaluar, do kishte ngjarë gjithsesi dhe ata të dy do kishin arritur, megjithatë, deri aty?
Ajo rrëshqiti telefonin e jeshiltë nëpër ekran dhe ende ngurruese vendosi të pranonte telefonatën.
- Alo?
- Jam te dhoma 304. Nuk ka njeri nga kompania ime te ky kat. Eja dhe flasim!
- Ua! Sa i pafytyrë qenke bërë! - Anila klithi pa fare mundim, që të përpiqej të fliste shtruar. Si mund t'i thoshte kështu ai?
Kurth i planifikuar me Arbetën, ose donte dhe të lidhej me të njëkohësisht.
- Vetë ke kërkuar, që të bisedojmë. - vazhdoi i qetë Sidoreli. - Vetëm tani kam kohë. Nëse dëshiron, eja! Nuk të detyron kush.
- Domethënë re kaq poshtë edhe ti. - vërejti e zhgënjyer ajo. - Nuk e di, si e gënjeva veten, që të mendoja se je ndryshe.
- Anila, ke frikë prej meje? - Sidoreli pyeti më tepër për tallje, por heshtja e saj ia fshiu përkuljen e buzëve nga fytyra. - Prit! Prandaj je ndarë nga unë?
Anila i dha fund telefonatës dhe ai e largoi i trandur telefonin nga veshi i majtë.
Po qe se ishte ashtu, kjo nuk kishte fare një mundësi të dytë më pas. Nëse paskësh pasur frikë, se ai do ta prekte pa dëshirën e saj, nuk mund t'ia hiqte atë lloj frike.
Vonë, si shtegtari, të cilin e zë nata në udhë, sepse nuk është nisur në kohë, për misionin e tij, që të pendohej për gabimet e bëra, Sidoreli rikujtoi çdo moment intim me të dhe kur mund ta kishte tepruar, por ajo nuk i kishte thënë dot gjë nga frika edhe ai nuk e kishte kuptuar. Tani vërtet që duhej të hiqte dorë prej saj. Parehatia e Anilës prej tij, po e bënte dhe Sidorelin, që të ndihej në parehati me veten.
Dera i tërhoqi vëmendjen nga e trokitura e lehtë në të dhe ai, pa dyshuar më parë, se kush mund të ishte, shkoi ta hapte.
Anila, e sigurt, që jo. Ajo ia kishte bërë të qartë pak më parë, që nuk donte të rrinte vetëm për vetëm me të në një dhomë hoteli nga frika, se ai do t'i bënte keq, por si dukej, ishte gabuar, pasi Anila po priste në korridor përballë dhomës së tij.
E hapi derën menjëherë, sapo e pa atë përmes syrit magjik dhe kundroi i përhumbur nga malli për të sytë e saj të ëmbël, fytyrën dhe veshjen e ndërruar nga mbrëmja në xhinse të kaltra, fanellë blu të mbyllur dhe atlete të bardha.
Ajo hyri brenda, që të mos zihej mat nga njeri dhe e shikoi serioze, çehre, që rrezikonte të thyhej nga çasti në çast prej syve të tij jeshile liqeni të mbushur me kujtimet midis tyre.
- Nuk kam frikë unë prej teje, ke ti nga unë. - bëri me dije ajo.
- Për çfarë e ke fjalën?
Anila nënqeshi me ironi.
- Të paska trajnuar shumë mirë ajo Arbeta! Ose e ke trajnuar ti atë. Nuk po kuptoj gjë tani.
Sidoreli deshi ta pyeste, për të folur më qartë, por ajo vijoi vetë, pa iu bërë ndonjë kërkesë e tillë fillimisht.
- E di, që ju i thatë organizuesit të eventit te "Plazza" para disa ditësh, që të më nxirrnin jashtë mua, vetëm për të më ulur në sy të të tjerëve. - akuzoi e xhindosur ajo.
- Kush të nxori jashtë? - e pyeti me të njëjtin ton zëri i shqetësuar ai. - Unë kujtova se u largove vetë.
Anila përpiloi me shpejtësi fjalët e tij.
- Seriozisht do vazhdosh, të bësh të pafajshmin? - ajo zgjodhi të mos e besonte. - Ti dhe e dashura jote po përpiqeni, të më bëni keq...
- Anila, çfarë thua? Unë nuk jam i lidhur me askënd. - ndërpreu Sidoreli. Ç'ishin ato fjalë, që po dëgjonte prej saj? - Kush ta ka thënë të kundërtën?
Me fjalë nuk ia kishte thënë asnjeri, ndenji në heshtje ajo, thjesht kishte bindur veten menjëherë nga hamendësimi i Suelës atë ditë, se Arbeta kishte qenë duke iu ankuar vertet të dashurit të saj për të dhe ai person ishte Sidoreli, i cili kishte mbrojtur Arbetën kundër saj dhe mundësuar, që ajo të dëbohej nga trajnimi.
- Ju pashë shkëlqyeshëm duke folur me njëri-tjetrin dhe më pas zbritët shkallët, edhe hytë në sallë bashkë pastaj.
- Po, kishte ardhur me një shoqe të vetën aty dhe më pyeti, nëse e kisha parë organizuesin gjëkundi, pasi donte ta pyeste për trajnimin; a do zhvillonin ndonjë tjetër së shpejti, pasi donte dhe një e afërmja e saj, të ishte e pranishme, apo t'i thoshte, që të vinte atë ditë. Unë i thashë, që po dhe e çova tek ai.
- E dëgjove ti, kur e pyeti?
- Jo, m'u desh të bëja një telefonatë dhe u distancova. Pastaj, kur po vija në sallë, u ndeshëm te shkallët dhe hymë bashkë. Kaq. Nuk kam biseduar fare më me të.
Anila donte ta besonte dhe sytë e tij ishin në anën e saj, për t'i ardhur në ndihmë me qetësinë e tyre, se po thonin të vërtetën. Nuk e kishte parë fare bashkë me Arbetën atë mbrëmje në fakt. Ajo kishte qëndruar vetëm me disa gra të tjera, ndërsa ai me kolegët e tij.
- Mendova se më more inat, ngaqë i thashë fjalë, që e inatosën dhe prandaj desha të flisnim. Të thoja, që i meritoi dhe të mos merreshe më me mua.
- I the fjalë, që e inatosën? - përsëriti ai. - Pse, çfarë të tha? - i doli menjëherë në mbrojtje asaj dhe i gatshëm, që të zihej me Arbetën për të.
Anila e goditi poshtë supit të djathtë.
- Pse më bën, të ndihem toksike? - i kërkoi llogari e zemëruar ajo. - Sikur ti më trajton shumë mirë, por është faji im, që nuk ta di vlerën.
- Sepse je toksike, - pohoi shkoqur Sidoreli dhe Anila shfryu e indinjuar, e më pas nënqeshi me qesëndisje.
- Sa perfekt do jesh duke u ndierë tani, ngaqë vetë nuk je fare toksik. - ajo ngushtoi më tepër distancën midis tyre dhe nën pretekstin e talljes, kundroi më nga afër sytë e tij. - Edhe i gëzuar në ekstrem, besoj... se është krenari e madhe, të zbulosh, që ke bërë një person toksik, të bjerë kokë e këmbë në dashuri me ty. - e kuptoi, që ia kishte dhënë veten zjarrit me duart e saj dhe zemra iu pushtua prej flakëve nga ndjenjat e shprehura.
Atij iu ngatërrua oksigjeni me euforinë e vrullshme nga kuptimi i fjalëve të Anilës. Ajo vërtet e donte.
- Vetëm kur e do dhe ti atë person, është lumturi. Ndryshe nuk të bën përshtypje. - pranoi gjithashtu ai, se ishte akoma në dashuri me të dhe e puthi, shprehu të gjithë padurimin e atyre ditëve në formën e padukshme të shekujve larg saj me mënyrën se si i pushtoi buzët dhe Anila piu nga eliksiri i dëshirës dhe mallit, për t'u prekur sërish prej tij.
Duart e saj i gjetën fytyrën, për të thelluar puthjen dhe trupi iu avit më ngjitur Sidorelit, si të desh, të kacavarej përgjatë tij. Ai përshkoi shpinën e saj dhe gishtërinjtë e shtrirë, iu drejtuan fundit të shpinës.
- Prit! - Anila e shtyu papritmas tutje, duke i reshtur të gjithë vrullin e ndjenjave nga ngrohtësia e trupit të saj. - Se mos ke bërë tatuazh! - kërcënoi me vështrim arritjen e fundit të atij momenti, nëse ai do ta pohonte.
- Jo, - Sidoreli e puthi sërish dhe malli këtë herë iu zëvendësua nga pasioni, vala e të cilit nuk po mjaftohej vetëm me trupin e tij, donte të nënshtronte dhe të sajin.
Anila rënkoi në buzët e tij dhe u mbajt fort me krahët e lidhur pas qafës së Sidorelit, kur ai i udhëzoi këmbët e saj, që t'i rrethonin belin dhe iu afruan nga krevatit.
Ajo ra mbi mbulesën ngjyrë rëre të lehtë, sikur trupi t'i ishte prej qelqi dhe nuk po thyhej, vetëm sepse kishte prekjet e tij mbi të; nëse ai do ndalonte, ajo do bëhej copash. Anoi kokën pas, që të linte buzët e tij, t'i puthnin qafës, qeshi e ekzaltuar, nga kafshimi përkëdhelës në atë pjesë lëkure dhe Sidoreli synoi heqjen e fanellës së saj fillimisht.
Këtë kishte dashur gjithmonë ai, iu hapën sytë Anilës nga ajo hipotezë; si shpërblim, që ishte sjellë mirë me të dhe e kishte respektuar, kishte pritur, që të flinin së bashku, ta përdorte për një natë, maksimumi dy rresht, edhe një herë tjetër, për t'i dalë nga dëshira përfundimisht, të shfrynte të gjithë epshin e pakontrollueshëm në trupin e saj të përdorur tashmë, sikur ishte e gjithë e drejta e tij; ajo ishte plaçka e luftës së Sidorelit me traumat e saj dhe prandaj Anila duhej të pranonte, sa herë të kishte dëshirë ai dhe të bënte, pa u ankuar për asgjë, çfarë t'i urdhërohej.
Nuk e kuptoi se çfarë e nxiti të bindej, që të pranonte; ai e meritonte atë shpërblim dhe ajo duhej t'ia jepte. Përderisa kishin shkuar deri në atë pikë, Sidoreli kishte të drejtë, të ankohej se ishte përdorur prej saj, vetëm që ajo të shkëputej për pak kohë nga e kaluara, duke u argëtuar me të, dhe, po të mos pranonte të flinin bashkë, ai do thoshte se i kishte humbur koha kot edhe do kërkonte shpagim në një tjetër mënyrë, nëse Anila nuk do binte dakord, që të futej në krevatin e tij.
I gjithë pasioni në trup për të, iu zëvendësua asaj nga sikleti dhe nënshtrimi prekjes së tij, që donte të ndalonte, por nuk i thoshte dot gjë prej frikës.
Sidoreli u step pas, me të ndierë ngurrimin e saj, i lexoi vështrimin e shtirur, sikur gjithçka ishte në rregull dhe ai mund të vazhdonte, pavarësisht se sa keq po ndihej Anila në ato çaste edhe mbylli sytë i drobitur, dhe me dëshirën e kthyer në dobësi agonizuese, që po e zhyste më tepër në errësirë atë.
U ngrit vetë nga krevati i pari dhe më pas ajo me ndjenjën e fajit, që po ia shmangte sytë.
- Sikur njëri prej nesh të ndryshonte dhe ai person të mos isha unë, Anila! - u shpreh, ndërsa e shikonte i trishtuar, teksa ajo merrte fanellën në tokë dhe e vishte me shpejtësi. - Kështu e ke ndarë mendjen, të vazhdosh gjithë jetën? - nuk donte ta linte, të largohej, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, sikur ajo nuk e vriste fare mendjen, që të gjente një mënyrë, për ta shëruar veten, pasi po sëmurte dhe të tjerët përreth saj.
- Nuk ka ç'të duhet ty! - ia ktheu hidhur Anila dhe iu drejtua daljes.
- Sigurisht, je ti e traumatizuara këtu, jo unë! - inati, që ajo mund ta kthente shpinën aq lehtë, ia errësoi logjikën atij, për të goditur më fort, pa i menduar pasojat, që do shkaktonte.
- Ti m'i kujton të tëra traumat! - sulmoi mbrapsht me po të njëjtën sasi fuqie Anila. - Dhe prandaj unë të urrej me gjithë shpirt! - ajo përdori dhe sytë e papulitur për asnjë sekondë, që t'i shprehte ndjenjat si ato fjalë.
- Pse? - kërkoi llogari Sidoreli i acaruar. - Pse? Sepse të dua vërtet? Sepse më përpara do zgjidhja të hidhesha në zjarr, sesa të të prekja ty, pa dëshirën tënde, sikur të ka pr...
- Mjaft! - u shty pas Anila me duart e vendosura mbi veshë. - Mjaft! - kërkoi vërtet e traumatizuar, që të mos i rëndohej gjendja.
- Më fal! - Sidoreli shtriu duart, që ta qetësonte.
Ajo iu drejtua me nxitim daljes nga dhoma, si të ishte duke kërkuar shpëtim prej një përbindëshi.
- Anila! - Sidoreli deshi ta ndalonte, por u ndalua vetë ai nga mbyllja e derës në fytyrë prej saj dhe mbeti vetëm në dhomë.
Përshkoi duart me forcë nëpër flokë i penduar, që nuk e kishte mbajtur dot nën kontroll veten dhe vërtet ia kishte kujtuar traumat e së kaluarës.
Në ç'labirint, që ndodheshin!
Gjumi e la atë në po atë labirint tunelesh pa dritë të mendimeve rreth saj për goxha kohë, para se ta merrte me përtesë dhe ta shpëtonte nga të mbimenduarit për një zgjidhje, por nuk dinte, ç'të bënte më tepër. Ajo nuk i besonte, për t'i ardhur në ndihmë dhe kjo gjë ia lidhte duart atij.
As të hiqte dorë, nuk mundej plotësisht, sepse nuk i dukej zgjidhja e duhur. Ndoshta, po ta linte pak të qetë dhe të flisnin më vonë, do e gjente një mënyrë, se si ta bindte Anilën, për të besuar se ajo do mund ta linte të kaluarën pas me ndihmën e lidhjes së tyre.
••••
Justifikimin, për të folur, e gjeti të nesërmen, kur pa Arbetën te lobi i hotelit, e veshur me gjysmëbluzë të bardhë, pantallona të gjera ngjyrë bezhë të çelët dhe atlete të bardha, duke folur në telefon me dikë. Ajo do ia sillte Anilën atij, për të biseduar me të.
Por më përpara ai përdori disa sekonda të jetës së vet, për të kujtuar se si kishte rënë në dashuri me të dhe ishte bindur, që ta bënte pjesë të jetës së tij.
Ishin takuar për herë të parë në vitin e tyre të parë në universitet dhe ai ishte tërhequr nga ana e saj lozonjare dhe provokuese. Arbeta e kishte paralajmëruar me pamjen e saj fizike, se ishte gjithashtu një kurth drejt errësirës së panjohur dhe çarmatosëse, por, megjithatë, joshja nga nuri i saj kishte qenë më e fortë, se ai rrezik kërcënues.
Në të tashmen, mendja e tij e fshiu menjëherë faktin, që dikur kishte qenë i dashuruar me të dhe i rikujtoi diellin në qendër të jetës së tij, e cila e kishte vënë veten në atë pozicion vetëm duke qenë vetvetja.
Anila ishte aq dritë, sa atij nuk i shkonte fare ndërmend, që në të kaluarën para saj kishte qenë dikush tjetër në jetën e tij. E vetmja, që kishte shumë rëndësi për të, ishte ajo dhe ai nuk donte të humbiste asnjë sekondë, duke mos iu përkushtuar romantikisht vetëm asaj.
- Arbeta! - Sidoreli i tërhoqi vëmendjen, sapo kjo e fundit fiku telefonin dhe i buzëqeshi miqësisht atij. - Ti i the organizuesit, që ta nxirrte Anilën jashtë te eventi para disa ditësh?
Buzët e saj formuan një vijë të drejtë nga kërkesa llogari me fytyrë rigoroze e tij.
- Të qenka ankuar ty?! - shfryu me tallje.
- Nuk më tha asgjë. E zbulova vetë.
- Kjo është midis meje dhe asaj atëherë. Nuk ka lidhje me ty.
- Atë e vendos unë, nëse ka, apo jo. - korrigjoi prerazi Sidoreli. - Tani e tutje do qëndrosh larg Anilës. As nuk do ta mendosh të ekzistuarit afër saj.
- Ose? - ngriti vetullën e majtë sfiduese Arbeta.
- Rrezikon të mosekzistuarit vërtet.
Ajo u zbeh në fytyrë nga përkushtimi dhe besnikëria e tij e verbër ndaj Anilës.
Dikur e kishte pasur përkushtimin e tij vetëm për vete dhe nga mënyra se si ai e kishte trajtuar, i ishte dukur sikur Sidoreli nuk do ta harronte kurrë.
Kur ishte ndarë nga ai, Arbeta nuk kishte pasur asnjë dyshim se kishte marrë vendimin e duhur. Nuk kishte ndierë aq shumë për Sidorelin, sa t'i kishte kërkuar, që ai të kishte shkuar me të dhe as të kishte menduar, për të hequr dorë nga mundësia, që të fillonte një jetë të re jashtë vendit, sepse nuk donte ta humbiste atë.
Tani nuk ishte e sigurt, nëse ndihej xheloze për Anilën, sepse ajo kishte mundur ta hiqte plotësisht nga jeta e Sidorelit me ekzistencën e saj dhe Arbeta nuk e kishte më të njëjtën rëndësi dhe autoritet mbi të, apo sepse të kuptuarit, që e paskësh marrë praninë e Sidorelit për të mirëqenë në jetën e saj, po e nxiste Arbetën, që të mendonte, për t'i kërkuar një tjetër shans atij, sepse ajo kishte filluar të ndiente përsëri për të.
- E kupton se çfarë po thua? - Arbeta i dha mundësinë atij, që të merrte mbrapsht kërcënimin e sapobërë. - Sidorel, ti nuk ke qenë kështu.
- Ç'të bën të mendosh se e ke ditur me saktësi, çfarë personi kam qenë?
Ai e la vetëm me ato dyshime, për t'iu drejtuar restorantit, ku po e prisnin disa nga kolegët e punës dhe dy të tjerë do bashkoheshin pastaj.
Plani për Anilën iu duk si drita në fund të tunelit, deri kur e pa atë, ndërsa hante mëngjes vetëm me një burrë të panjohur, afërsisht në të njëjtën moshë me të, i veshur me këmishë të bardhë, këpucë dhe pantallona të zeza, në një tavolinë pranë skajit të lokalit dhe ajo dritë u zhduk, duke e kredhur sërish në errësirë.
Nuk e besonte, të ishte vepër e saj, për të bërë atë xheloz, sepse Anila i urrente lojëra të tilla të pandershme, prandaj me siguri ajo kishte vendosur të njihej me dikë tjetër dhe të hiqte dorë plotësisht prej tij.
Ndoshta ai i kujtonte vërtet traumat e së kaluarës për shkak të përpjekjeve, që kishte bërë, për t'i shëruar, por nuk kishte mundur. Sidoreli ishte prova e humbjeve të saj dhe ajo nuk e shikonte dot, pa kujtuar ato humbje. Dje Anila kishte dështuar përfundimisht, duke iu dorëzuar toksicitetit nga e shkuara dhe kishte menduar të hapte një faqe të re me dikë tjetër.
- Sapo do telefononim, - Ilirjana i shkoi pranë atij bashkë me tre kolegët e tjerë. - Ne menduam, të shkonim diku tjetër. Jo të hanim në të njëjtin vend, meqë, sa po rrimë këtu? Le të eksplorojmë!
- Në rregull, - ai pranoi pa ndonjë interes për ndryshe dhe shikoi edhe një herë Anilën, për t'i lënë përshtypjen sikur e kishte zënë mat dhe ajo të ndihej fajtore, edhe mundi të merrte pikërisht atë reagim prej saj.
Anila e ndoqi me vështrim lutës, që ai ta priste, për t'i shpjeguar situatën, por
gjunjët e quajtën të humbur atë luftë dhe nuk u ngrit dot, për t'i shkuar pas.
Suela hyri me nxitim në restorant dhe u ul pranë Martinos.
- Ju bëftë mirë! - iu drejtua ajo në hare të dyve nga energjia e marrë prej një dite të re dhe të dy e falendëruan.
Anila hëngri me shpejtësi dhe u largua drejt dhomës së saj.
Ndeshi Arbetën të ulur në një nga kolltuqet e lobit, që, si dukej, po priste atë dhe detyrimisht do kalonte pranë saj, për të shkuar te ashensori.
- I kisha pak shpresat, që do gabohesha, por me çfarë më tha Sidoreli pak më përpara, u zhgënjeva tërësisht prej teje.
Anila e shikoi gjykueshëm, se mund të ishte çmendur dhe prandaj po fliste përçart, edhe vazhdoi rrugën drejt ashensorëve.
- Lëri tani ato sjellje, vajzë, se i kam bërë vetë përpara teje! - urdhëroi e bezdisur nga arroganca e saj Arbeta dhe Anila ndërroi drejtim. Forcoi vështrimin shkëmbthyes mbi të dhe me nurin e inteligjencës së mprehtë në fytyrë iu afrua asaj.
- Je askushi, për të më interesuar mua, se çfarë ke bërë. - ia ktheu gjykuese ndaj saj Anila.
Arbeta nuk e prishi gjakun prej atij sulmi, por në heshtje e pranoi se po ndihej pak inferiore nga ajo forcë e thellë e shprehur prej Anilës.
- Shumë ilete mund t'i kem pasur në jetë, - tha ajo. - Ama kurrë për t'iu dukur interesante të gjithë botës. Kam mbështetur gjithmonë parimin, që të jem heroinë për veten fillimisht dhe pastaj kë të më sjellë jeta përpara. Ka po aq vlerë, të jesh bota për një person, sa një i njohur për të gjithë botën.
- Pse po flet me mua? - pyeti me monotoni Anila.
- Kjo ishte ajo, që doje, apo jo? Prandaj i the Sidorelit, që prej meje të nxorrën nga eventi para disa ditësh, të tërhiqje vëmendjen time.
- S'është e vërtetë! - u revoltua Anila. - Të foli ty?
- Po, - Arbeta nuk e besoi. - Veprove gabim, kur më ndërpreve atë ditë dhe s'më le, ta përfundoja fjalinë.
- Ajo fjali ishte e përfunduar. Po thua kështu tani, sepse do, që të fitosh argumentin.
- Sulmo, nëse nuk do, që të fitoj.
- Për të sulmuar, i bie, që të mendoj se kundërshtari vlen aq, sa për të pasur praninë time përballë. Ti nuk vlen. - tha pa ngjyrim në të folur Anila dhe u largua drejt ashensorit.
Mori frymë thellë në çlirim, vetëm pasi hyri në kabinë dhe dyert e saj u mbyllën.
Ja çfarë e kishte detyruar Sidoreli, të përjetonte! Ajo shfryu tërë mllef nga veprimi i pamatur i tij, për t'i kërkuar llogari Arbetës për të.
Do t'i kishte kërkuar llogari Sidorelit që atë ditë, nëse ai nuk do ishte larguar për në Tiranë dhe mos marrë pjesë në festë atë mbrëmje, kështu që u detyrua t'i shkonte pas një dite në zyrën e kompanisë.
- Cili është problemi yt? - Anila hapi debatin midis tyre. - Pse i kërkove llogari Arbetës për mua?
- E dija, që do vije të më kritikoje dhe prandaj fola me të. - sqaroi i qetë ai me shpinën e mbështetur në karrigen e punës. - Nuk më erdhi në mend gjë tjetër, për të të bindur, të më takoje dhe ishte vonë, kur u pendova.
- E merr me mend, se sa keq u ndieva? Sikur unë nuk mbroj dot veten time.
- Të pashë vonë, kur ishe në takim me atë burrin, - Sidoreli u ngrit nga karrigia dhe iu afrua i indinjuar. - Ta dija, që po dilje me dikë tjetër, nuk do e kisha marrë mundimin aspak.
- Çfarë po thua? - ajo shtrembëroi fytyrën e bezdisur nga konfuziteti i krijuar prej fjalëtve të tij.
- Ah, tani fillove të bësh ti të pafajshmen. - ironizoi me shfryrje të lehtë Sidoreli.
- Ishte thjesht një koleg pune. - kuptoi ajo, se për kë bëhej fjalë. - Dhe nuk ishim vetëm, por edhe Suela me ne, një kolege pune gjithashtu, ama ajo kishte harruar telefonin te dhoma e saj dhe ishte larguar, ta merrte.
Sidoreli u qetësua fill prej atij sqarimi.
- Si është puna? - e pyeti thumbuese ajo. - Nuk po të duket vetja perfekt më?
- Të duket ty? - pyeti i zemëruar ai. - Mezi pret, që të lindin situata të tilla dhe t'i lajthitësh njerëzit.
- Mezi, - pranoi me tallje Anila. - Domethënë, sa herë, që zgjohem në mëngjes, gjëja e parë, që më vjen në mendje, për të bërë, është, si të krijoj sherr. Jo ti dhe nëse akoma më do, për t'u lidhur bashkë. As nuk vihet në diskutim, që të mendoj ndonjëherë për ty. - tregoi të vërtetën me nënkuptim dhe ai shkundi kokën me sytë e mbyllur fort nga manipulimi i saj.
- Duhet të të urrej unë ty me gjithë shpirt!
Anila u thye nga dëshira e tij, për ta arritur vërtet diçka të tillë.
- Më urrej! - ngriti zërin nga inati, që të mos dukej, se ishte lënduar. - Nuk dua t'ia di fare!
- Se mos dua t'ia di unë, a ndikohesh ti? - përshtati tonin e hidhur ai dhe Anila rrudhi pak buzët në shenjë pragformimi të lotëve.
- Nuk ke nevojë t'u flasësh për mua të tjerëve! - qortoi nga asgjëja. - E mbroj vetë veten time. S'mbeta të kërkoj ndihmë nga ti!
- Anila! - ai sikur mori një grusht në fytyrë nga lotët e saj dhe u kthjellua, se ç'po ndodhte midis tyre. - Nuk duhet të flas kështu me ty. - i vendosi duart në fytyrën e saj. - Unë të dua!
Ajo lëvizi buzët e prekur nga pendimi i tij dhe e vetëdijshme, gjithashtu, se në sa mënyrë të gabuar po komunikonin.
- Më fal! - uli vështrimin e përlotur. - Rashë shumë keq dhe nuk u ngrita dot.
- S'ke pse kërkon falje. Të kuptoj shumë mirë. - Sidoreli e puthi në ballë dhe e mori në përqafim.
Anila bashkoi e përmallur duart pas shpinës së tij dhe e shtrëngoi fort.
- Qëndrova pak i distancuar, ngaqë kërkove të ndaheshim, por asnjëherë nuk hoqa dorë plotësisht prej teje. - u shkëput dhe i fshiu lotët Sidoreli. - Prita, që të ngriheshe dhe të vije sërish.
- Nuk e meritoj këtë mundësi, - pranoi Anila.
- Por e do, apo jo? - e vështroi flirtues ai dhe ajo buzëqeshi e emocionuar.
- Po, - deshi të ulte kokën e turpshme, por buzët e tij mbi të sajat, nuk e lejuan dhe Anila ia ktheu menjëherë puthjen.
- Rëndësi ka, të duash, njëherë. - tha Sidoreli humorshëm. - Pjesa tjetër mendohet pastaj.
....vazhdon....
Pjesa shkon për @verand11 🤗🥰
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top