67• A më Përket Mua?
Përplasja e diçkaje në dritaren e dhomës së saj, e zgjoi të trembur Anilën me frymën e mbajtur nga frika dhe u ngrit, për të parë se çfarë kishte qenë.
Vendosi pëllëmbën e dorës së djathtë mbi krevat dhe shikoi tutje, por nuk dalloi asgjë të pazakontë, që mund t'i vinte në ndihmë, për të kuptuar. Do kishte qenë ndonjë shpend, hipotezoi më tepër, për të mos e vrarë mendjen më gjatë dhe anoi sytë shumë më e lodhur nga gjumi, sesa e çlodhur drejt derës së kyçur.
Në kokë i jehoi kërkesa e Visarës, për t'u zgjuar, pasi dikush shumë i rëndësishëm për të, sipas saj, kishte ardhur, për ta takuar dhe më pas e qara e të motrës.
Do kishte qenë ëndërr. Kush të kishte ardhur? Ajo, shumë të rëndësishëm, përveç prindërve dhe Visarës, konsideronte vetëm Sidorelin dhe Brunildën, edhe nuk e besonte se do kishte ardhur njëri prej tyre. Në historinë e jetës së të parit, e kishte mbyllur rolin e saj si ish-e dashura, që kishte luajtur me të, ndërsa të asaj të dytës, shoqja e rreme, që e kishte braktisur për një burrë.
Ëndërr do kishte qenë, ëndërr. Si të kishte hyrë Visara në dhomën e saj, kur të gjithë çelësat i kishte ajo?
Mori lidhësen e zezë të flokëve dhe i kapi ato shkujdesur tub pas koke, largoi batanijen dhe me peshën e trupit të dobësuar ndjeshëm, por që ajo e ndiente edhe më rënduese, veshi pantoflat e bardha, mori çelësin nën jastëk, la thikën aty dhe iu drejtua derës, për ta hapur. Në korridor dëgjoi Visarën duke kënduar brenda tualetit. Trokitja dy herë e Anilës e ndërpreu atë.
- Visara!
- Shko në sallon! - tha menjëherë ajo. - Tani po vij.
Anila psherëtiu dhe eci ngadalë drejt sallonit.
Personi i ulur në divan me flokët e shkurtër të zinj deri mbi supe, veshur me këmishë të bardhë dhe pantallona të zeza klasike, duke parë televizor, ia hapi sytë më tepër nga shastisja, që në ato momente nuk po shikonte ëndërr edhe hyri në po atë gjendje shoku në sallon.
Brunilda brofi menjëherë në këmbë, sikur dikush ta kishte shtyrë pas shpine, që të ngrihej dhe e frikësuar, që Anila do i hidhte ndonjë shishe në ajër drejt kokës, duke i bërtitur se ku e kishte gjetur guximin, t'i shkonte në shtëpi, vërejti ndryshimin e thellë të saj; e gjithë drita ndriçuese, që ajo pasqyronte dikur, tani ishte zbehur dhe Anila ngjante me një të mbijetuar nga depresioni.
Ajo la ngjyrën e syve të shkëlqente më tepër nga lotët, këta të fundit të shëtisnin të lirë nëpër fytyrën e saj, derisa të thaheshin si djegia e kometave të rëna në atmosferën e Tokës, këmbët të ecnin me hapa të shpejtë drejt Brunildës dhe krahët ta përqafonin pa lejen e saj atë.
- Ida! - qau më tepër, kur ajo i ktheu përqafimin, ndieu sërish rehatinë e ofruar vetëm nga shoqja më e ngushtë dhe e shtrëngoi fort, për të mos e lëshuar.
Brunilda peshoi kokën mbi supin e saj dhe mbylli sytë, të ndiente plotësisht të gjithë paqen e munguar në tërë ato vite nga prishja e miqësisë me të dhe që Anila akoma e donte.
- Ida, më vjen shumë keq! - Anila u shkëput nga ajo dhe përdori kurrizet e gishtërinjve të mëdhenj, për të fshirë lotët e pareshtur nëpër fytyrën e dobët me mollëzat e vëna më në pah. - Kujtoja, se po të ndihmoja për mirë, duke u përpjekur të të ndryshoja; nuk e vura re, që po ndodhte e kundërta.
- Edhe mua më vjen shumë keq. Isha gabim dhe vetë, - Brunilda i fshiu lotët. - Vazhdimisht ankohesha dhe shikoja anën negative të gjërave edhe asnjëherë nuk shprehja mirënjohje për përpjekjet e tua. Sado të drejtë, të kesh, po nuk dite ta përdorësh atë avantazh, je e humbur.
Anila e puthi në faqen e djathtë dhe e përqafoi sërish. Përballjen, që duhej ta kishte bërë prej kohësh dhe i ishte dashur të pësonte tërë atë vuajtje, për të kuptuar gabimin e kryer në lidhje me të, e kishte bërë Brunilda.
Visara psherëtiu thellë e çliruar, kur hyri në sallon dhe i pa të përqafuara, vendosi dorën në kraharor dhe ngriti kokën lart, si të desh, të thoshte: "Më në fund!"
Brunilda harko9i buzët nga mimika e fytyrës së saj dhe u step tutje nga Anila e buzëqeshur gjithashtu.
Visara mori tortën nga frigoriferi bashkë me dy pirunj edhe u shkoi pranë.
- Dhe tani, me fuqinë, që më është dhënë vetë, ju shpall shoqe të ngushta përjetë! - u zgjati ëmbëlsirën të dyjave dhe ato qeshën. - Mund të hani tortë dhe të mos e prishni më kurrë shoqërinë tuaj.
Anila mori e lumtur pirunin nga ana e saj dhe provoi tortën e blerë me fruta pylli.
- T'ju vendos nga një racion në pjatë dhe shohim ndonjë film? - ofroi Visara.
- Hamë te dhoma ime, - i kërkoi Anila Brunildës dhe ajo pranoi menjëherë.
- Në rregull, po ua sjell atje, pra. - Visara i ndoqi me vështrim, ndërsa dilnin krah përkrah me njëra-tjetrën nga salloni dhe shkonin te dhoma e Anilës.
Miqësia midis tyre i kishte ngjallur gjithmonë dëshirën, për të pasur vetë një të tillë, ama nuk e kishte arritur dot plotësisht as me të motrën. Anila e konsideronte Brunildën motrën e vet të madhe, ndihej e sigurt dhe e lumtur nga prania e saj.
- Kjo është dhoma ime, - Anila tregoi përreth si një vajzë kukullën e sapoblerë shoqes së saj të ngushtë. - E ke parë, kur erdhët para disa orësh. Mendova, se ishte ëndërr ajo. Se zakonisht e mbyll derën me çelës, kur fle dhe vetëm unë i kam çelësat.
- Visara më tha, se ka bërë dy kopje të tyre dhe të kontrollon shpesh, kur je në gjumë, që të sigurohet se je mirë.
Anila përkuli buzët lehtë e ndierë mirë nga rëndësia, që i jepte e motra dhe dashuria e saj, por dhe e breu ndërgjegjia, që e kishte shqetësuar së tepërmi dhe e kishte detyruar të merrte një masë të tillë.
- Shumë e bukur dhoma. Më pëlqejnë ngjyrat, - Brunilda buzëqeshi nga kombinimi i ngjyrës blu të mbyllur të butë të mureve me gardërobën e bardhë, tavolinën e punës bashkë me raftin e po asaj ngjyre anash krevatit, komodinën e zezë dhe ndjesia e ëmbël nga e ecura nëpër parketin e ngrohtë ngjyrë arre.
- Ku dëshiron, të ulemi?
- Ku të duash ti, - i buzëqeshi Brunilda.
- Më thuaj, sinqerisht! - kërkoi Anila. - Nuk e kam fare problem dhe as nuk mendoj, që po sugjeron vend të gabuar. - lexoi frikën në sytë e saj, që do gjykohej për diçka të tillë.
- Te krevati, - tha pak më e relaksuar Brunilda dhe Anila i priu, duke u ulur te kreu i tij.
- Urdhëroni, goca! - Visara iu solli dy pjatat mbi një tabaka druri.
- Faleminderit! - Brunilda priti, derisa ajo të mbyllte derën edhe të ishte vetëm me Anilën. - Visara më shkroi dje në Instagram. - tha ajo. - Më kërkoi, të takoheshim sot dhe folëm për ty. Tha se ishe shumë keq dhe nuk dinte, ç'të bënte.
- E kam mërzitur shumë, - Anila u ndie më tepër fajtore, ngaqë nuk ishte përpjekur mjaftueshëm, për ta rregulluar atë gabim.
- Anila, nuk ta përshkruaj dot, se sa jam trishtuar, kur e mora vesh për Amarildon.
Motra e tij ngurtësoi fytyrën dhe picërroi sytë gjykuese me urrejtje.
- Mos u trishto më! - urdhëroi pa mëshirë dhe Brunilda as që e kaloi nëpër mend, t'i dilte kundër me atë vështrim të thellë shpirtpërshkues mbi veten.
- OK, - e kuptoi se Anila e kishte një arsye, pse po thoshte ashtu dhe duhej t'i besonte vendimit të saj. - Visara më kërkoi të flisja me ty, se ndoshta do bëheshe më mirë. - ndërroi temë, për të shtensionuar sikletin në dhomë. - Kam dashur të vij me kohë vetë e të të kërkoja falje, por nuk m'u duk se e meritoja, pasi fola keq me pa të drejtë për Blerimin. Dhe vetë, kur shkova në shtëpi edhe mendova akuzat, që kisha hedhur, më ngjau vetja, se kisha lajthitur dhe po flisja pa logjikë; jo më duket kështu, jo kam këtë ndjesi, jo atë ndjesi. Pa lidhje fare; të ishin bazuar të gjithë njerëzit vetëm në ndjesi dhe jo racionalitet, bota rrezik s'do ishte aspak tani. Duhej t'i kisha dhënë një mundësi.
- Kishe të drejtë për të, - Anila nuk e shikoi dot në sy, kur e pranoi atë fakt dhe Brunilda e vështroi e trishtuar. - Edhe unë kam menduar tërë ato herë, të vija dhe të të takoja, por m'u duk e pavend pas gjithë atyre fjalëve, që të thashë. Më beso! I kam ndierë shumëfish mbi veten.
- Të besoj, - tha menjëherë Brunilda. - E di, që ishe e ndikuar nga Blerimi dhe unë të nxita gjithashtu, prandaj i the. E pashë në televizor lajmin e vdekjes së tij në Amerikë dhe plagosjen e të shoqes. Atë gruan e njihja. Kam jetuar në një shtëpi me të.
- Kur? - Anila nuk po arrinte të krijonte asnjë hipotezë se si kishin rrjedhur ngjarjet, për të arritur në atë pikë.
- Para katër viteve. Ajo sapo ishte ndarë nga burri i saj, Albion Huba, dhe po kërkonte një shtëpi me qira.
Albion...
- Ishte Albioni, - Blerimi vendosi telefonin e fikur mbi tavolinë dhe vështroi Anilën me maskën e lumturisë ndaj momenteve që po kalonin së bashku. - Ai, që ndodhej në tavolinë me mua atë ditë në maj. Jemi shokë.
...
- Armiku, që nuk e di, se mund të kesh? - pyeti thumbuese Anila dhe Blerimi qeshi.
- Ndoshta. Nuk jemi aq miq të afërt, sa ti dhe shoqja jote.
- Si e ka mbiemrin? Ndoshta e njoh.
- Huba.
Anila dyshonte, t'i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë nga shokimi. Ç'ishin ato shishe në ajër, që po dëgjonte? Leonora kishte qenë fillimisht e martuar me shokun e ngushtë të Blerimit dhe më pas me atë?
Kujtoi fytyrën e Granitit, vërejtjen e Visarës për martesat me shkuesi dhe detyrimi, për të prekur trupin e zbuluar të dikujt edhe iu krijua menjëherë përshtypje negative për vëllanë e Leonorës.
E imagjinoi lehtë reagimin e shokuar, që do kishte bërë Visara nga ai rrëfim për Granitin, me fjalët "Uou! Çfarë imorali! Si paska lejuar, që dikush t'i përdhunonte motrën?!"
- Leonora më foli pak nga jeta e vet private, - tha Brunilda. - Tregoi se ishte nga Puka, kishte një vëlla më të madh, babanë dhe njerkën. Këta e kishin martuar me detyrim me Albionin. Si jetë libri, domethënë. Vajza e mirë dhe e urtë, që torturohet nga familja toksike. Pastaj i vëllai kishte ndryshuar mendësi dhe i kishte ofruar mbështetje, nëse ajo donte të ndahej nga Albioni. Për Blerimin nuk më tha gjë. Veç më pati treguar se kishte një të dashur dhe nga lajmet e zbulova, që paska qenë martuar me atë!
- Flisni akoma?
- Jo, sigurisht që jo. Sapo mora vesh, që kishte pasur lidhje me Blerimin, ndërpreva çdo komunikim me të, prej tij. S'doja të futesha në telashe.
- Ke vepruar drejt, - e mbështeti Anila dhe hëngri tortë në heshtje.
Takimin midis saj dhe Leonorës e ruajti kujtim, që ta dinte vetëm ajo, për të mos u detyruar t'i tregonte Brunildës edhe se pse ishte ndarë nga Blerimi.
- Veriu i Shqipërisë, më duket se e ka vuajtur pak më tepër se pjesa tjetër mentalitetin e mbyllur të shoqërisë, ngaqë është lënë goxha pas dore te çështja e arsimit. Po flisja me disa kolege, kur po regjistroheshim në portal, për të filluar punë si mësuese dhe njëra tha, që në veri kurrsesi nuk do pranonte të shkonte. Aty është si të fillosh ndërtimin e një shtëpie nga themelet. Qendra dhe jugu janë pak më të zhvilluara, i kanë themelet gati. Tani edhe veriu ka ndryshuar ca, por do goxha punë akoma.
- Shqipëria do punë gati në të gjitha zonat, - shfryu Anila.
- E drejtë. Duhet ta rishohim arsimin me detaje, për të rregulluar shoqërinë. Kemi gjithë ato mundësi, që nuk i përdorim.
- Ç'thonë nxënësit e tu?
- Jap mësim në gjimnaz. E urrejnë matematikën në ekstrem. Shumë pak e pëlqejnë.
- Tipikja, - qeshi Anila. - Po... më flit pak për rininë. Si janë gocat? Çunat? Ke ndonjë, që bën gangsterin, apo gangsteren? Sa më shkrijnë tipa të tillë! Më ka pëlqyer gjithmonë, t'i vë në lojë.
- Po, është njëri në veçanti. E shpreh shumë, se i pëlqen vetja tepër, e, megjithatë nuk e quan mendjemadh njeri dhe e pëlqejnë shoqërinë e tij.
- Po ti? Ke njohur ndonjërin? - i shkeli syrin qesëndisëse.
- Kam njohur, - pranoi ajo. - Dola para disa kohësh me një shqiptar.
- Hidhe, moj, shishen! - Anila hëngri tortë me nxitim.
- Aman! - shpërfilli me pulitje të thellë të syve entuziazmin e saj Brunilda. - Sa nuk përfundova në burg për faj të tij.
- Pse? - Anila u tremb, se Brunilda mos desh kishte pësuar të njëjtin fat si ajo.
- Po ta anashkaloj këtë pjesën e njohjes dhe po dal direkt në temë. - tha Brunilda. - Më pyeti: "A je e grisur?".
Anila mundi të dëgjonte lehtë rrahjet e zemrës nga ngrirja e trupit.
- Çfarë?! - vendosi e shokuar dorën mbi gojë.
- Domethënë: "A ke kryer marrëdhënie intime?" - sqaroi Brunilda.
- Po, po, e kuptova. Uaa! Si të paska pyetur!
- Sa negativitetin e kam ndierë! - Brunilda shtrembëroi fytyrën me të kujtuar zërin e tij. - Kisha: gotën e verës së kuqe në dorën e djathtë edhe thikën ngjitur. Thashë me vete: "Pa e përdorur njërën kundër tij, unë nuk e mbaroj këtë takim."
Anila ia këputi të qeshurës.
- Sa gallatë paska qenë! Si iu përgjigje ti?
- Isha në dilemë fillimisht; të tregoja, se sa e inatosur isha, që më kishte pyetur aq pa etikë, apo të bëj, sikur nuk e kuptova dhe ta vendos në siklet, duke e detyruar, të më pyeste më troç edhe zgjodha të dytën. I thashë: "Nuk të kuptova."
Anila qeshi.
- Më fal! - kërkoi ndjesë për reagimin e saj. - Por më duket kaq tragji-komike.
- Kështu është, në fakt.
- Çfarë tha ai?
- Qeshi pak, se e kuptoi, që po shtiresha dhe pyeti, nëse kam qenë e lidhur më përpara. Unë i thashë, që jo. Atij iu shtua menjëherë respekti ndaj meje dhe pata ndjesinë, që më imagjinoi duke bërë punët e shtëpisë për të.
- Paska qenë lot ky takimi yt!
- Eh, tani, që ka kaluar kohë, e kujtoj dhe unë ndonjëherë, për të qeshur.
- Pastaj? Prit! A të besoi?
- Jo, - zmadhoi sytë Brunilda. - "S'ka mundësi," tha. "Gocat sot lidhen që dymbëdhjetë vjeçe. Ti je njëzet e gjashtë dhe nuk ke qenë e lidhur asnjëherë në jetën tënde?" "Nuk kam gjetur dikë të nivelit tim." ia ktheva. "Dhe nuk kam pasur nevojë, t'i ul standardet më poshtë për askënd."
- Mirë i paske thënë! - Anila ndieu krenari për të.
- Pastaj m'u ankua se vajzat janë vetëm materialiste. "Jo të gjitha," shtoi direkt.
- Epo, doemos; si t'i fiksosh një vajze mentalitetin, se ajo nuk ka pse të punojë, pasi e ka për detyrë vetëm burri dhe djemve u thonë, që të gjejnë një grua, e cila di të bëjë shumë mirë punët e shtëpisë dhe të rrisë fëmijët, edhe asgjë më tepër, materialistë do bëhen të dyja palët. Secili sheh interesin e vet dhe për t'i bërë qejfin familjes gjithashtu. Po deri diku ka të drejtë dhe ai, se ka shumë njerëz, që i kanë pasur të gjitha kushtet si duhet, e megjithatë kanë ndjekur atë mendësi; vetëm burri do punojë dhe sjellë para në shtëpi, gruaja do jetë shtëpiake dhe do harxhojë paratë e tij. Pastaj ajo ankohet, se pse bën atë lloj jete dhe ua nxjerr të gjithë mllefin fëmijëve, nëse kanë. Kur nuk bëjnë gjënë e drejtë ata, që e kanë një liri të tillë, ç'pritet nga pjesa tjetër?
- Të fluturojnë, pa pasur krahë. - tha Brunilda dhe Anila ia mbështeti mendimin.
- A e ke hequr qafe këtë, të paktën?
- Po, nuk e takova më pas asaj here. Të them të drejtën, e mendova, t'ia jap edhe një mundësi, me idenë se, kur ta kuptojë me ndihmën e këndvështrimit tim, se e ka gabim, do ndryshojë qëndrim. Tipikja e njeriut, kjo; e kemi në gjak të falim, pa na kërkuar kush falje: ama kur më tregoi opinionin e tij të gabuar dhe për një temë tjetër, aty thashë: "Nuk mban më ujë pilafi."
- Për çfarë folët?
- E pyeta për familjen e tij bazë, çfarë familjeje ka, si shkon me anëtarët... edhe nuk i pëlqeu. Tha: "Po del me mua, jo familjen time." "More!" thashë. "Ne ndoshta biem dakord, që të dalim përsëri bashkë, ndoshta lidhemi pas disa kohësh, fejohemi dhe martohemi. Me kë do rriten fëmijët tanë? Nuk lejoj njerëz toksikë në jetën e tyre unë. Se, do, s'do ti, do t'i njohin ata, janë i njëjti gjak. Edhe sikur të mos ishin fëmijët, ne të dy. Unë kam të drejtë, ta di se çfarë të thonë ata për mua dhe sa i lejon ti, që të ndërhyjnë në çështjet tona personale." Sikur e kanë zakon disa... meshkuj. Nuk iu them dot burra, gjallë në botë. Ka dhe femra në fakt, që gabojnë ashtu. Lejojnë familjarët, që të ndërhyjnë në jetën personale të tyre më tepër, sesa duhet.
- Ti e ke pësuar në kurrizin tënd, në fakt, këtë punën e ndërhyrjeve të fisit, nuk ke faj. Të lumtë, që ke mësuar dhe nuk ke përsëritur gabimin! - e përgëzoi Anila.
- Sa mirë e mbake mend, që të kam thënë! - Brunilda u ndie e vlerësuar, që ajo e kishte dëgjuar vërtet me vëmendje atëherë. - Por tani, që po e vras mendjen më tepër, a mos u nxitova shumë, që përfshiva familjen që në takimin e parë? Ai ndoshta vetëm ka qenë duke shtyrë kohën me mua dhe pas asaj darke nuk do më shkruante më.
Anila i buzëqeshi trishtë, që ashtu mendonte dhe Brunilda anoi kokën miratuese, që nuk duhej ta kishte hapur temë të tillë.
- Bëra gabim, - mërmëriti e penduar, që nuk ishte menduar pak më gjatë, para se të kishte folur.
- Jo qëllimisht, - sqaroi shoqja e saj. - E kaluara jote të ka krijuar mekanizma mbrojtës, që të mos përsëritet dhe prandaj të është dukur e rëndësishme, që të marrësh masa, sa ke qenë në kohë edhe e ke pyetur. Çdokush do kishte menduar të njëjtën gjë. Është e kuptueshme, që të përpiqesh, të ruash veten, kur merr parasysh se në çfarë ambienti je rritur.
- E drejtë. I ka dalë shpirti mamasë me familjen e babait. Vazhdimisht i thonin tre hallat dhe dy xhaxhallarët atij, që të ndahej prej saj, ngaqë ajo nuk po lindte dot një djalë dhe i kishte dhënë vetëm dy vajza.
- Duhet goxha fuqi, për të rritur goca. Shumë burra nuk janë aq të fortë dhe prandaj preferojnë djemtë. Rrezikohen më tepër vajzat, që të trafikohen, për t'iu shfrytëzuar trupin, sesa çunat. Pastaj bëhet çështje nderi; burrat ndihen të turpëruar, ngaqë nuk u kujdesën dot për to. - psherëtiu e drobitur Anila nga historia akoma e përsëritur në ditët e sotme për shumë femra. - Vazhdon të zihesh me prindërit e tu për këtë temë?
- Jo si dikur. Motra ime, Xhensila, më thotë ta harroj, por unë për vete nuk mundem. Jo kur kujtoj gjithë ato herë, që mamaja na shikonte mua dhe motrën, sikur ishte faji ynë, që kishim lindur goca dhe jo i asaj, që u martua me një njeri, i cili nuk vlerësonte aq sa duhej qenien njerëzore dhe kishte familjarë toksikë. Na hodhi si qengja para ujqërve.
- Dhe ajo s'ka pasur faj, - i doli në mbrojtje Anila. - Po të ishte ndarë, ku do kishte shkuar? Familja e vet nuk do ta kishte pranuar.
- Nuk e kam fajësuar plotësisht. Atë lloj peshe ia kam lënë gjithmonë babait, se ai ka pasur më tepër mundësi se mamaja. Por, që e bëj përgjegjëse, e bëj, se ka dashur vetë, të martohej me babanë. Nuk e diti se çfarë familjeje kishte? Çfarë personi ishte vetë ai? Te kjo situatë e ke me detyrim të mendosh për të ardhmen. Po sikur të mos ndryshojnë kurrë personat e tillë dhe të jenë po aq toksikë? Ashtu jete do t'i japësh ti fëmijës tënd? Vetëm toksicitet? Se njerëzit toksikë të tillë të bëjnë, po nuk more masa. Fëmijët nuk dinë aq shumë. E kanë prindërit për detyrë t'i mbrojnë. Ç'është kjo ligësi?
- Pilafi është djegur. Duhet të rregullojmë tjetrin. - konstatimi i Anilës e bëri Brunildën, të qeshte.
- Mirë, që të paktën dhe kam përfituar nga ai rast, se, sa herë kërkoja të dilja, për të luajtur me shoqet, apo të shkoja në ndonjë ekskursion dhe nuk më linin, u thoja: "Ju nuk keni dashur kurrë, t'ia dini për gjendjen time emocionale, se sa keq jam ndikuar unë nga ato fjalë! Ju nuk e meritoni të jeni prindërit e mi!" edhe babai thoshte: "Shko ku të duash!"
Anila pa dëshpërimin nën maskën e rehatisë së Brunildës, sikur nuk ishte lënduar dhe aq shumë në të shkuarën nga familjarët e saj, prej faktit se kishte lindur vajzë, sikur ta kishte bërë ajo vetë një zgjedhje fatale të tillë nga këndvështrimi i tyre dhe u ndie fajtore, që dikur habitej me të, se si i lejonte ato lloj fjalësh të pakuptimta ta mërzisnin, kur ajo kishte një pamje shumë të bukur fizike. Vetë Anila kishte pasur mendësinë, që njeriu, si të posedonte atë aset, të tjerat mund t'i arrinte shumë më lehtë.
Tani po e kuptonte se atëherë e kishte pasur një mendësi të tillë, ngaqë kishte marrë shembull veten, që, meqë asaj i ngrihej menjëherë humori, kur shihte veten në pasqyrë dhe e pëlqente shumë pamjen fizike, që kishte, edhe për Brunildën mund të funksiononte një metodë e tillë, por Anila nuk ishte sulmuar asnjëherë nga kritika, se pse nuk kishte lindur djalë, ngaqë e kishte pasur një vëlla përpara saj dhe e kishte motivuar gabim Brunildën.
- Jam shumë e lumtur, që ke lindur vajzë dhe je në jetën time. - shprehu mirënjohje Anila. - Unë asnjëherë nuk kam menduar: "Sikur Brunilda të kishte tjetër personalitet dhe të ishte djalë!" Vetëm më vinte keq, se më dukej sikur e izoloje veten, ngaqë nuk dilje si unë dhe për këtë e kam kuptuar se isha gabim, ama gjithmonë më ka pëlqyer tipi yt, për ta pasur shoqe të ngushtë edhe më vjen mirë, që nuk po bën të njëjtin gabim si prindërit e tu. Nuk pranon ta sakrifikosh veten dhe të ardhmen, duke u lidhur me dikë toksik. Jam shumë krenare për ty.
- Faleminderit! - Brunildës i ngjau vetja person më i mirë dhe i zgjuar falë vlerësimit të saj.
- Po ty çne, që t'u mbush mendja, për të dalë me dikë? E kishe pëlqyer më përpara atë burrin?
- Jo. Po kjo është çështje moshe, moj Anilë! Sa je në fillim të të njëzetave, të duket herët, për të krijuar familje, ngaqë nuk je e përgatitur financiarisht edhe psikologjikisht, sepse sapo e ke filluar jetën prej një të rriture. Po shijon vetminë. Sigurisht, varet gjithmonë dhe nga situata e njeriut, por më së shumti është kjo. Pastaj, pasi të gjesh një punë dhe të jesh sistemuar, ke dalë me shoqërinë dhe udhëtuar, të bëhet e natyrshme, që të kesh dëshirën, për të krijuar një familje tënden bazë. E di atë shprehjen e Bukovskit, besoj, "Kur askush nuk të zgjon në mëngjes dhe nuk të pret njeri në mbrëmje, e quan liri këtë, apo vetmi?"
Anila pohoi me kokë.
- Pak a shumë është kështu, nuk më kujtohet fjalë për fjalë me saktësi. Edhe përgjigja e kësaj shprehjes varet nga mosha; kur je në të njëzetat, është liria, që nuk e ke pasur deri atëherë dhe tani po e shijon; zgjohesh kur të duash, del kur të duash, shkon ku të duash. Pastaj në të tridhjetat fillon e të bëhet vetmi. Ndien dëshirën, për të pasur dikë tëndin, që ta fillosh ditën me të, siç e fillojnë të tjerët, të të presë në shtëpi dhe me praninë e tij, mos të të lërë të biesh në mbimendime, se si ia ke kaluar atë ditë. Shoqëria ka njerëzit e vet dhe nuk e kanë për detyrë, të të jenë pranë, apo të të përgjigjen përherë në telefon ty, kur të kesh nevojë, për të folur me ta; njëra do kujdeset për fëmijët, tjetra ka punën, tjetra ka dalë me burrin... as familjarët madje. Kurse partneri e ka për detyrë. Por tani, shpërqendrimi, duke u marrë me jetën time, mbaroi. Vazhdojmë me ty. Si është puna e këtij Sidorel Nurës?
Anila u rëndua në fytyrë dhe lektisja për tatuistin i rëndoi zemrën gjithashtu.
- Nuk paska lënë gjë pa folur ajo Visara! - shkundi kokën qortuese ndaj të motrës.
- Po plaste nga të mosshprehurit dot me dikë të besueshëm. Ishte shumë e frikësuar, se po të humbiste. - argumentoi Brunilda dhe Anila uli kokën e dëshpëruar.
Brunilda dalloi ekzistencën e lotëve në sytë e saj dhe e kuptoi, se Anila më në fund kishte takuar dikë, që vërtet e donte, i kishte treguar se si ishte, të duhej vërtet romantikisht nga dikush, por asaj i ishte dashur, që ta nxirrte nga jeta e vet.
- Edhe Sidorelin e njoh.
Anila ngriti kokën e panikosur.
- Nga e njeh?
- Veç për fytyrë dhe emër, jo që kam folur ndonjëherë me të, - sqaroi më parë Brunilda. - I kam dhënë mësim motrës së tij, Alketa Nurës. Vetëm një herë e pashë, kur erdhi një ditë në shkollë, për të marrë atë.
A duhej t'i thoshte se dikur kishte planifikuar, që t'i njihte ata të dy me njëri-tjetrin, por kishte hequr dorë për shkak të të menduarit, se nuk duhej të ndërhynte në jetën tejet personale të Brunildës pa lejen e saj?
Sidoreli nuk do ishte treguar aq i pasjellshëm me Brunildën, sa ai burri në takim dhe s'kishte dyshime, se do kishin rënë në dashuri me njëri-tjetrin. Ajo ishte person i qetë dhe jo aq i komplikuar, sa Anila. Sidoreli do kishte krijuar menjëherë përshtypje pozitive për të.
Mos kishte gabuar, që ia kishte lënë në dorë fatit takimin me njëri-tjetrin? Por ata ishin takuar dhe nuk paskësh ndodhur asgjë midis tyre! Ndoshta, ngaqë ai i përkiste asaj dhe jo Brunildës, edhe prandaj nuk kishte thënë gjë Anila gjashtë vite më parë, sepse kishte qenë shkruar të lidhej vetë me Sidorelin në të ardhmen?
- Anila, ke sakrifikuar lumturinë tënde për atë të dikujt tjetri? - hamendësoi e trishtuar Brunilda.
- Ashtu duhej, - preu hidhur Anila dhe vazhdoi të hante tortë me sytë e përlotur të ulur.
Ose lumturia e saj, ose e atij. Nëse nuk do ishte ai i lumtur, as ajo nuk do ishte dhe Anila kishte vendosur, pa e marrë në konsideratë mendimin e tij fillimisht, që vetëm ajo të mos ishte e lumtur.
....vazhdon....
Pjesa i dedikohet @lalaab1 🤗🥰
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top