66• Thikë dhe Udhëtim

    "Dikush ka hyrë në dhomën tënde!"

    Me të marrë atë paralajmërim pa zë në mendje, Anila hapi menjëherë sytë dhe ngjyra kafe e tyre ngriu si sipërfaqja e kristaltë e një sfere, kur njohu fytyrën e burrit, që iu afrua krevatit të saj.

    Shtangu prej lemerisë, kur i ati i largoi me forcë batanijet, që po e mbulonin dhe nuk e la, të ngrihej nga krevati. Ai u pozicionua sipër trupit të saj dhe i vendosi dorën në kohë mbi gojë, para se ajo të klithte për ndihmë.

    Mungesa e forcës ia shoi Anilës shpresën, se do mund të shpëtonte dhe sytë iu mbyllën të pikëlluar, duke e pranuar përsëritjen e historisë.

    Kur u hapën sërish një sekondë më vonë, Anila nuk ndieu më peshë të rëndë trupi mbi të dhe menjëherë u gjysmëngrit e tmerruar nga krevati, mori thikën poshtë jastëkut në të djathtë, u shty me trupin duke iu dridhur, drejt kreut të tij dhe përdori si mburojë batanijen ngjyrë blu të zbehtë, që të mos i shikonte trupin ndokush, i cili mund t'i kishte hyrë në dhomë, megjithëse ajo ishte veshur me pizhama të zeza. Abazhuri i vogël i ndezur tregonte vetëm format e mobilieve dhe ngjyrën tejet të zbehtë të tyre. Në dhomën e saj me derën e kyçur nuk ndodhej njeri.

    Ëndrra e sapoparë e shoqëruar me ndjenjat e hidhura të shkaktuara i nxehu sytë në përlotje, pjesa e përparme e kokës filloi t'i dhimbte dhe ajo shtrëngoi fort gjunjët e bashkuara pranë kraharorit, ndërsa qante. Mos kishte qenë shenjë, se rrezikohej edhe nga Xhelili, dhe duhej të bënte kujdes?

    U shtri sërish nga dritarja me thikën e zezë në dorën e majtë, aspak gati për ta përdorur, po qe se do t'i duhej. Sidoreli do kishte ditur, si ta qetësonte, nëse ajo do e kishte pasur mundësinë, për t'i telefonuar, por për të mirën e tij, e kishte fshirë nga jeta e saj atë.

    Fytyra e panikosur në tmerrim e tatuistit te deti i ishte rrënjosur në mendje dhe bërë të mendonte se ai nuk e meritonte krijimin e kujtimeve negative në jetën e tij për faj të saj.

    Të vërtetën për Blerimin nuk ia thoshte dot, të shërohej plotësisht, e dinte, që nuk do mundej kurrë dhe kushedi sa rëndë do ishte në të ardhmen; ai do kishte vazhduar t'i qëndronte pranë, ngaqë e donte dhe prej asaj dashurie do kishte vuajtur më tepër. Nuk mund t'i kishte bërë padrejtësi, si Blerimi asaj. Sidoreli meritonte dikë ndryshe nga ajo, që nuk kishte një të shkuar të tillë mbi supe dhe që ishte më e fortë. Anila vetëm sa dukej e tillë.

    Kërciti shtrëngueshëm dhëmbët prej ngashërimave dhe dihatjeve të heshtura, që të mos zgjonte prindërit dhe të motrën nga e qara prej dëshpërimit, i cili e kishte marrë peng dhe po ia përplaste shpirtin nëpër muret e mbushura me kornizat e kujtimeve të hidhura prej gabimeve të bëra me vetëdije, mundësive të humbura qëllimisht dhe të tashmes së përgjakur nga zemra e plagosur gjer në gjendje kome të saj.

    Blerimi e kishte ndarë nga Sidoreli. Edhe i vdekur po ia nxinte shpirtin e thyer Anilës.

••••
    Sidoreli pa orën 02:34 në telefon dhe e rivendosi atë mbi komodinën ngjitur në të majtë. Ajo do ishte duke fjetur e qetë në ato momente, e lirë nga të mbimenduarit dhe pa asnjë peng në të shkuarën midis tyre.


    - Anila, çfarë ndodhi? - u ul në nivelin e saj.

    - Po më vrasin mendimet, - kërkoi ndihmë me sytë e shndritshëm nga lotët ajo dhe Sidoreli vetëm mundi t'i vendoste duart anash bërrylave të saj, i pafuqishëm për t'ia fshirë ato mendime. - Jam shumë e ligë. - Anila nguli gishtërinjtë e bërë grusht mbi kokë dhe ushtroi forcë urrejtëse mbi flokë, për t'i shkulur ato.


    Një sjellje e tillë i dukej e pamundur, të kishte qenë lojë. Ai kishte menduar se Anila kishte qenë duke u shtirur, vetëm nga indinjimi i çastit. Intuitia i këmbëngulte me të gjithë fuqinë, që zotëronte, se ajo nuk kishte luajtur me të, por kishte vendosur të shërohej, pa atë përkrah, që ai të mos vuante pasoja, nëse Anila nuk do ia dilte mbante.

    E respektonte zgjedhjen e bërë nga ajo, por nuk donte ta pranonte përfundimisht, prandaj nuk kishte hequr dorë nga puna në kompani, sepse thellë-thellë shpresonte, që Anila do t'i jepte fund internimit të tij nga jeta e saj, të dy do e vërtetonin se kishin plotësisht besim te njëri-tjetri, duke treguar secili kapitullin, që po fshihnin në të kaluarën e tyre dhe nuk do kishin më asnjë pengesë, për të qenë bashkë.

    Ajo thjesht kishte nevojë dhe për pak kohë, megjithëse po bëhej një muaj, që nuk kishte asnjë komunikim me të. Sapo të bëhej më mirë, do rikthehej. E ndiente detyrim, ta mirëkuptonte gjendjen e saj dhe më tepër i nxitur nga dëshira, për të mos hequr dorë, vazhdonte të mendonte, që Anila e donte akoma.

    Kjo e shqetësoi; përpjekja, për t'u kapur pas çdo argumenti në favorin e tij për të, i ngjau, sikur do i kthehej në fiksim dhe ajo, po ta merrte vesh, me siguri do trembej prej tij.

    Anila, ngaqë nuk kishte dashur të kishte asgjë midis tyre, sepse më tepër po ndihej keq, sesa mirë, i kishte dhënë duart dhe atij i mbetej vetëm të respektonte vërtet vendimin e saj.

••••
    Mbyllja e derës së gjelbër kryesore të shtëpisë së prindërve mundi, që t'ia largonte Anilën nga qendra e mendimeve dhe aty të vendosej pyetja e sapobërë nga mamaja e tij e ulur në të djathtë mbi divanin gri pasteli në bojëqielli të lehtë dhe dorën e vendosur në krahun e djathtë të Sidorelit.

    - ... mërzitur? Çfarë të shqetëson?

    Sytë e saj të merakosur ngjyrë kafe të butë e kishin pikasur menjëherë se diçka nuk shkonte me të, sapo ai kishte ardhur në shtëpi, për të kaluar fundjavën aty, i tendosur në fytyrë dhe me shikimin e rëndë shkëmb.

    - Asgjë, - Sidoreli ktheu kokën nga televizori i vendosur mbi një komodinë të bardhë. Pyetja e saj i kishte hedhur edhe vëmendjen e babait të tij mbi të. - Do më duhet të shkoj në Vjenë javën tjetër për punë. Atë po mendoja.

    - Ah! - Hygerta e besoi menjëherë, që prandaj dukej i tensionuar ai. Moshonepsja e tij ndaj udhëtimeve ishte diçka e njohur në familje.

    - Lëre! Mos shko! - ngriti supet babai i tij, Alfredi, i ulur në kolltukun djathtas të dyve, sikur ajo detyrë mund të shmangej lehtë. - Unë nuk e kuptoj, se pse je akoma në atë kompani. Emanueli të ka kërkuar gjithë ato herë, të ishe menaxher te palestra e tij dhe nuk ke pranuar, se s'doje të merreshe tërë jetën me llogari; edhe shkollën e ke bërë më tepër, për të pasur një mundësi tjetër për punë, se nuk e dihej, si vinte jeta. Tani e ke ngarkuar veten shumëfish më tepër.

    - Si jeni?

    Sidoreli shfrytësoi hyrjen e Mateos në sallon, duke luajtur me zinxhirin e fanellës së zezë me kapuç të kostumit sportiv të veshur, për t'iu shmangur dhënies së një sqarimi të dy prindërve.

    - Shumë mirë, - Hygertës iu rikthye buzëqeshja me të parë, që djali i vogël iu rikthye shëndoshë e mirë në shtëpi dhe dukej mjaft në humor.

    Tre fëmijët e fundit kishin marrë tiparet e fytyrës së saj të qeshur, dukshëm entuziaste, për të shijuar jetën dhe kishin të njëjtin ndriçim si dielli në prag perëndimi të ëmbël vere në sytë ngjyrë kafe, ndërsa tre djemtë e parë posedonin energjinë autoritare të burrit të saj dhe ngjyrën e syve gjithashtu. Dukeshin njerëz të shtruar dhe me këmbë në tokë. Fillimisht planifikonin me detaje dhe pastaj vepronin.

    - Si të shkoi dita? - ajo u ngrit në këmbë dhe i la hapësirë Mateos, që të ulej pranë të vëllait.

    - Super, - ky i fundit i gjuajti Sidorelit një shkelm të lehtë në këmbë. - Pse ke ardhur? - e pyeti vrazhdë, sikur po e bullizonte. - Ti nuk jeton këtu.

    - Ulu e rri si njeri! - ia ktheu ashpër me monotoni ai. - Mos u rrjep i gjallë sot!

    Mateo qeshi aspak i frikësuar.

    - Sa fuqinë e kanë disa persona vetëm në mendjen e tyre! - e përqeshi ai.

    - Teo, mos e trazo! - urdhëroi serioze e ëma.

    - Më fal! - ai iu afrua Hygertës, që ta përqafonte. - A më fale?

    - Po, të fala. - tha ajo nxitimthi. - Largohu tani, se do rregulloj darkën!

    - A më ke falur plotësisht? - këmbënguli Mateo.

    - Plotësisht, ec! - ajo e shtyu tutje.

    - Jo, nuk më duket, se më fale. - vazhdoi të luante ai.

    - Do të gatuash ti?

    Mateo bëri pas.

    - Nuk e di fare, se kush je në situata të tilla.

    - Si të duash, - ajo iu drejtua kuzhinës ngjitur, në të djathtë të televizorit, ndërsa ai u ul pranë Sidorelit.

    - Çfarë ke ti? Dukesh, thua se të ka lënë dashnorja. - filloi sërish t'i binte më qafë me pyetje. - Je zënë me njeri?

    - Jo, - ia ktheu prerazi Sidoreli, pa e hequr vështrimin nga televizori.

    - Mama, ke nevojë për ndihmë? - Mateo ngriti zërin me shikimin nga kuzhina. - Vjen direkt Sidoreli dhe të ndihmon. - hodhi të vëllanë poshtë autobusit.

    - Eja ti dhe më ndihmo! - kërkoi Hygerta.

    - Jo, unë për vete akoma nuk të njoh.

    - Eja, eja, se e zbulon këtu, se kush jam. - këmbënguli Hygerta, ndërsa priste disa domate.

    - Jo, faleminderit! - refuzoi Mateo. - Më pëlqen më tepër, kur je anonime.

    Sidoreli kishte shkuar më përpara me mendime në Vjenë me anë të fotove të shikuara në internet dhe ndjesia e parë, që kishte përjetuar, nuk kishte qenë ajo e parehatisë, por asfiksimit nga mungesa e oksigjenit, pasi Anila do ndodhej në Shqipëri, ndërkohë. Si do rrinte aq larg saj? Ishte i sigurt, që nuk do ta takonte dot gjatë asaj periudhe, kur do ishte në Austri.

    Trokitja e pikave të shiut jashtë ndërtesës së aeroportit "Nënë Tereza" një javë më vonë, kur u nis për në Vjenë, e çuan në detin Jon, aty ku Anila kishte tentuar vetëvrasje dhe ai kishte mundur, ta ndalonte në kohë.

    Pse nuk kishte bërë më tepër? Ku kishte gabuar, që nuk kishte qenë mjaftueshëm për të? Kur kishte vendosur të hiqte dorë prej tij ajo: kur ishte zgjuar natën, herën e fundit që kishte qenë në shtëpinë e tij dhe e kishte ndarë mendjen, të largohej në mëngjes, apo vetëm pasi ishte ngritur atëherë, e kishte marrë një vendim të tillë?

    Më kot kishte shitur mend, se ishte i fortë për të dy dhe nuk do ta linte kurrë, të rrëzohej. Ai vetë e kishte rrëzuar, duke mos i treguar të gjithë të vërtetën me justifikimin, se donte, që Anila ta njihte fillimisht dhe më pas të merrte një vendim për të në lidhje me Amarildon.

    Ajo kishte shpëtuar prej tij me anë të ndarjes dhe Sidoreli nuk kishte asnjë të drejtë, që të kërkonte, për t'u bërë përsëri pjesë e jetës së saj.

••••
    Anila mori nga sirtari i parë i komodinës kutinë e tabletave të gjumit dhe piu vetëm një. Ndoshta nuk do t'i bënte dëm veç një herë, se po pinte me stomakun esëll.

    Po e lajthisnin kujtimet dhe të penduarit, që kishte hequr dorë nga Sidoreli, skenaret, që ai tashmë do kishte gjetur dikë tjetër dhe ishte shumë i lumtur, edhe parashikimi se fundi i saj do ishte vetëm i hidhur, do vdiste humbëse në luftën, ku nuk kishte kërkuar të bëhej pjesë, ama ishte dënuar, sikur ta kishte filluar vetëm ajo, prandaj po pinte ilaç gjumi.

    Sidoreli e meritonte lumturinë. Kishte bërë tërë ato të mira për të, marrë nën drejtim një kompani, mirëkuptuar çdo moment depresioni të sajin, dashur. E kishte ndierë në shpirt dashurinë e tij, sigurinë e ofruar dhe shpresën e sigurt, se kishte vërtet një dritë në fund të tunelit.

    Dhe ajo e kishte dashur. Akoma e donte. Do t'i mbetej gjithmonë pikëllim ajo dashuri e pashprehur ndaj tij dhe gur mbi zemër, që nuk kishte luftuar mjaftueshëm për të.

    Por një ditë do shërohej dhe, nëse do takoheshin pas disa viteve, secili me rrugën e ndjekur ndryshe në jetë, do t'i kërkonte falje. S'kishte dyshime, që ai do ta falte dhe prej tij do merrte forcë edhe ajo, për të falur veten.

    Sikur të kishte ndodhur diçka midis tyre, kur ishin takuar për herë të parë në studion e tij! Një shenjë t'i ishte dhënë asaj, që nuk ishte hera e fundit, që do përballeshin dhe jo si të huaj, e as të afërm falë një të njohuri të përbashkët dhe do ishte bindur mjaftueshëm, për të hequr dorë nga Blerimi.

    Apo shenja i kishte qenë dhënë, por nuk e kishte vënë re ajo?

    Sa e pamatur, që kishte qenë në atë kohë! Sa pothuajse asgjë nuk kishte ditur!

    Efekti i gjumit nuk vonoi, t'i vinte në ndihmë, por ia mori shpirtin gjithashtu. Dëshpërimi dhe të mbimenduarit ia rënduan kokën plumb, edhe nuk fjeti dot plotësisht e qetë.

    Vetëm në mëngjes mundi ta ndalonte atë agoni, por as ajo periudhë nuk zgjati shumë, pasi zëri i Visarës në korridor arriti, që t'i depërtonte në pavetëdije.

    - ... do jetë në gjumë. Ka filluar përsëri, të marrë ilaçe, për të fjetur. ... Prit, sa të vendos tortën në frigorifer dhe më pas shkojmë bashkë te dhoma e saj.

    Do trokiste, që Anila t'i hapte derën dhe ajo, përveçse po përtonte, nuk kishte as forcë, për t'u ngritur. Megjithëse nuk përdorte shpesh tableta për gjumë, ato, që merrte, po ndikonin goxha negativisht në shterimin e energjisë fizike. Gjumi po i kushtonte shtrenjt.

    Puliti sytë me shpejtësi e drobitur dhe i mbylli, për të fjetur sërish. Visara do trokiste dy herë dhe do hiqte dorë.

    - Ania!

    Zëri i të motrës i erdhi nga brenda dhomës disa minuta më pas dhe u habit, kur ndieu dorën e saj mbi këmbë.

    - Anila, zgjohu! Ka ardhur dikush, të të takojë.

    Si kishte hyrë brenda?

    - Nuk dua të shoh njeri. - ajo i mbajti sytë e mbyllur. Do ta pyeste më vonë.

    - Por ky person është shumë i rëndësishëm.

    Tableta ia vuri përsëri në gjumë vetëdijen dhe Anila nuk foli më.

    Si tingull të fundit, para se të shkëputej nga realiteti, dëgjoi vetëm të qarën e Visarës dhe asgjë më tepër.

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @RejanaZeneli ❤🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top