64• Premtomë!

    Anila zhyti më thellë gjymtyrët, të cilat po i përpëliteshin, për të dalë në sipërfaqe dhe mushkëritë po klithnin për oksigjen. Me sytë e mbyllur ushtroi më tepër forcë mbi trupin, për t'iu afruar dyshemesë së detit dhe fundit njëkohësisht, që po e priste aty.

    Shtrëngimi i diçkaje në bluzë sulmoi trysninë e ujit sipër saj dhe e nxori mbi sipërfaqen e detit.

    Ajo hapi sytë, me t'i rënë lëkura në kontakt me ajrin dhe vështroi mugët bluzën e zezë të lagur të Sidorelit.

    - Po notoja! - dihati, që të mbushej me frymë nën përqafimin e tij. - Po notoja.

    Ai e shtyu pak përpara, e studioi të tërën me zemrën në fyt, se mos ishte plagosur gjëkundi dhe i largoi flokët nga fytyra, për ta puthur. Buzët e saj të njoma mundën t'ia risillnin plotësisht shpirtin në jetë.

    Anila ndieu dashurinë për të, t'i rikujtonte, për ç'kishte tentuar, t'i bënte vetes. Përsëri ishte dorëzuar para një pengese dhe kishte hequr menjëherë dorë prej lidhjes së tyre. Duhej t'i kishte telefonuar atij, ose të kishte pritur, për të kaluar disa kohë, që të merrte veten, por lodhja e ripërsëritjes së historisë nuk e kishte lënë të pushonte.

    Po sikur të kishte vijuar tërë jetën kështu? Sa do kishte duruar Sidoreli? Do ishte ndarë nga ajo, në një kohë kur Anila me siguri do kishte filluar ta donte më tepër. Visara do kishte thënë, që nuk do e kishte pranuar kurrsesi sakrificën e të motrës për të, duke e ditur se Anila e kishte shikuar gjithmonë atë si pengesë midis vetes dhe lirisë së pafundme, duke hequr dorë nga jeta.

    Ai u shkëput prej saj dhe i mbajti fytyrën në duar.

    - Çfarë të ndodhi?

    Anila iu shmang syve të tij pyetës dhe nuk pati asnjë justifikim, se si të gënjente. Mundësia e shprehjes së ndjenjave të vërteta në ato momente gri si retë midis hapësirës së kaltër të qiellit dhe asaj blu të mbyllur të detit, iu duk mallkim në jetën e saj.

    Sidoreli i hoqi duart nga fytyra dhe paniku i përzierë me zemërimin e pushtoi sërish të tërin. Ajo i kërkoi falje me vështrim të përlotur.

    - Anila! - ai puliti sytë fort, që të mos e humbiste toruan. - Mos ma bëj më këtë gjë! - dështoi në mbajtjen e zërit ulur dhe një vetëtimë ndriçoi fill qiellin pas Sidorelit, forca e së cilës iu injektua në shikimin urdhërues të ashpër syve të tij.

    Anilës iu turbullua vështrimi më tepër nga e qara me zë dhe ai zeroi distancën midis tyre edhe nga shiu i dendur, duke e marrë në përqafim shtrëngues.

    Siguria, që tani ajo ishte jashtë rrezikut për jetën, u fsheh nga e ardhmja si dielli prej reve sipër tyre. Mos do tentonte vetëvrasje sërish? Pse e kishte bërë diçka të tillë pak më parë? Çfarë i kishte ngjarë midis kohës kur ai kishte dalë nga shtëpia e saj dhe momentit kur ishin ritakuar në kompani?

    Anila duke parë ashensorin në pallatin, ku banonte, ishte pista e parë, ku filloi kërkimin për zgjidhjen e misterit. Ngaqë kishte shikuar pasqyrën aty, ishte bindur t'i jepte fund jetës, apo njeriu, që i kishte shkaktuar frikën prej pasqyrave, e kishte gjetur dhe i kishte bërë keq përsëri?

    Gjatë gjithë jetës së qetë, që kishte bërë, deri kur kishte takuar Anilën, i dukej sikur ishte përgatitur, për të përballuar sfidat e saj bashkë me të. Po lodhej; jo nga ekzistenca e atyre pengesave, por fakti se ajo nuk po e ndihmonte në luftimin e tyre. Pse nuk i kishte telefonuar atij, kur kishte qenë në vështirësi?

    E mori në krahë, pa e pyetur, nëse mundej dhe e nxori nga deti. E lëshoi në tokë vetëm kur iu afruan makinës dhe u kthye të merrte buzë bregut, çantën dhe atletet e saj bashkë me çorapet. I la ato në tokë, përpara Anilën, hapi derën e bagazhit dhe mori çantën e zezë sportive të rrobave, që ajo kishte marrë me vete.

    - Ndërrohu! - e urdhëroi hidhur, hapi derën e pasme për të dhe hodhi çantën në sedilje. - Dhe mos guxo, të bësh ndonjë budallallëk si më parë!

    Anila u dridh më tepër nga frika dhe parehatia prej shikimi të tij të ashpër, sesa uji i akullt i detit dhe hipi në makinë.

    Ai u step tutje, që t'i linte privatësi dhe qëndroi më këmbë me fytyrën tërësisht nga deti i qetë, megjithëse po binte shi në të dhe të dy po i dukeshin po aq parehatues dhe negativë, sa udhëtimet.

    Versioni i kundërt i ngjarjeve të ndodhura pak më parë zuri vend, pa dhënë leje ai, në mendjen e tij. Po sikur të kishte hyrë me vonesë në det? Anilën ta kishte kafshuar ndonjë krijesë, apo të ishte mbytur, ngaqë ai nuk e kishte gjetur dhe nxjerrë në kohë nga uji?

    Gjysmëjetë; këtë parashikoi, që do bënte nga mungesa e saj. Çfarë ia revoltonte nervat më tepër, ishte se nuk ndihej fare i inatosur me të. E kuptonte. Ishte gati të uleshin diku dhe ta dëgjonte Anilën, ndërsa ajo sqaronte fije e për pe, se çfarë e kishte shtyrë ekzaktësisht, për të rënë në atë gjendje, sa të shkelte mbi përgjegjësitë dhe ndaj familjes së saj, duke i marrë jetën vetes.

    Se nga Zotin i lindte ajo ndjesi mirëkuptimi, kur në fakt duhej t'i kërkonte llogari, se pse nuk kishte folur me të fillimisht, por i kishte hequr vizën, sikur ai të mos kishte fare vlerë për të, nuk e merrte vesh.

    Çfarë kishte menduar ajo: që Sidoreli do ta linte, të vriste veten? Po sikur të kishin ndërruar jetë të dy? Si nuk kishte menduar fare Anila as për familjen e tij?

    Lëshoi një frymëmarrje të thellë i rraskapitur nga i gjithë ai kaos ngjarjesh. Do ta shkallonte keqazi nga trutë ndonjë ditë ajo grua; përfundimi i tillë e acaroi edhe më tepër, kur peshoi mundësinë, për të rrezikuar, që edhe t'i ndodhte kështu, pasi Anila do ndryshonte dhe ai me siguri nuk do e pësonte aq rëndë.

    Jo, kjo s'mund të ishte dashuri. Kjo ishte vetëm shpëlarje truri dhe Sidoreli duhej të mblidhte veten. Shkundi kokën mohues, për të vazhduar më gjatë atë lloj rruge. Nuk mund të bazohej më vetëm te ndjenjat e veta. Kishte një familje, e cila e donte dhe nuk e meritonte humbjen e tij për shkak të refuzimit të Sidorelit, për të pasur kujdes për veten, sepse nuk ishte vetëm jeta e tij në luftë, për t'u rrezikuar, por edhe jetët e tyre, jetët e të gjithë atyre, që e donin dhe kishin një pjesë të shpirtit të tyre tek ai, siç kishte Sidoreli një pjesë të shpirtit të vet tek ekzistenca e familjarëve në jetën e tij.

    Pjesën tjetër ia kishte dhënë asaj, pjesë, që për pak do ia kishte marrë deti bashkë me Anilën dhe rrezik gllabëruar edhe atë vetë.

    Çfarë do bënte? Si ta kalonte atë pengesë të papërshkueshme, e cila as nuk lëkundej nga fuqia e tij goditëse dhe jo më të shkatërrohej?

    Dy sekonda pasi dëgjoi hapjen e derës së makinës, u kthye pas dhe shikoi Anilën të veshur me kostum të zi sportiv, duke iu afruar.

    Eci drejt automjetit me vështrimin indiferent ndaj saj kur në të vërtetë, donte ta përqafonte sërish dhe t'i thoshte, që nuk i vinte aspak faj. E merrte me mend, se sa presionin do ta kishte ndierë dhe dëshpërimi kishte përfituar nga brishtësia e gjendjes së saj psikologjike, për ta bindur, që nuk ia vlente të luftonte më, për të qëndruar në jetë, pasi askujt nuk i bëhej vonë për të dhe askush nuk kishte asnjë interes, për ta ndihmuar.

    - Ulu përpara! - ruajti tonin e ashpër të zërit, kur i kaloi ngjitur dhe vetë hipi në sediljen e shoferit.

    Ajo shtrëngoi nofullat e intimiduar nga shpërfillja e tij dhe u fut pa zhurmë në makinë. I kishte shpërdoruar të gjitha mundësitë e ofruara nga Sidoreli. Ai nuk do ta falte më. Udhëtimi drejt Tiranës do ishte i fundit midis tyre dhe Anila nuk guxonte as të çonte nëpër mend kërkimin e tjetër shansi.

    E shikoi vetëm një herë, kur vendosi rripin e sigurimit dhe bezdisja e tij gjykuese, që i dalloi në sy nga prania e saj, sikur ajo të ishte një grindavece, që qurravitej ku e ku, për të tërhequr vëmendje, duke bërë rolin e të viktimizuarës, e theri më tepër se mungesa e oksigjenit, kur kishte qenë nën ujë.

    Vërtet kishte dashur, që Sidoreli të shpëtonte prej saj, por jo ashtu, që ajo të përballej me pasojat e veprimeve të kryera. Vdekja, supozohej, që ta kishte shpëtuar nga një gjyq i tillë. Tani jetës nuk po i dhimbsej fare, për ta falur Anilën, ngaqë kjo e fundit kishte zgjedhur vdekjen mbi të.

    Sidoreli nxori telefonin nga xhepi, i hodhi një sy dhe e flaku shkujdesur në sediljen pas. Me shumë mundësi do i duhej të blinte një të ri. Ai vështirë se do rregullohej.

    - Mund të ma japësh pak telefonin tënd? - kërkoi me shikimin e ngulur përpara dhe ajo mori menjëherë çantën, të nxirrte telefonin, formoi me të shpejtë kodin dhe ia dha atij.

    Sidoreli u kujdes, që të mos i haste gishtërinjtë me dorën e saj dhe shkroi numrin e Mateo Nurës, për t'i telefonuar.

    - Alo? - vëllai i katërt si zakonisht nuk vonoi t'i përgjigjej. Nëse kishin nevojë për ndonjë informacion urgjent, e gjithë familja mbështetej tek ai, i cili e mbante pothuajse gjithmonë telefonin afër.

    - Më ke telefonuar sot?

    - Po, - Mateo e njohu menjëherë zërin e tij. - Leonardi dhe mamaja të kanë shkruar dhe telefonuar gjithashtu, por nuk u je përgjigjur edhe më pyetën mua, nëse kam folur me ty sot. Pak më parë të telefonova.

    - Më është prishur telefoni, - Sidoreli ndaloi në kohë, para se të kthente kokën djathtas nga Anila dhe të kuptonte, nëse ajo e kishte dëgjuar Mateon edhe po ndihej fajtore. - Nesër do ta rregulloj, ose do blej një të ri. Lajmëroji edhe të tjerët! Mos të shqetësohen.

    - Pse? Ku je ti?

    - Vlorë. Po nisem tani për në Tiranë.

    - Në rregull.

    Ai fiku telefonin dhe ia zgjati asaj.

    Anila e mori me kokën ulur e mbajtur në burgun e trishtimit me akuzën se ishte faji i saj, që atij i ishte prishur telefoni dhe e pa e shqetësuar Sidorelin, kur ai ndezi makinën, me Tiranën destinacion në mendje. Po të mos i ndërronte rrobat e lagura, që kishte veshur, mund të sëmurej.

    - Nuk do veshësh rroba të tjera?

    Shikimi i tij terminues e bëri të kthente kthente menjëherë kokën përpara me të qarën e bllokuar në grykë prej vështrimit me vrer të tij. Të gjithë neverinë, që Anila kishte dyshuar, se Sidoreli do ta kishte pasur ndonjëherë ndaj saj, tani dukej sikur ai e kishte vërtet dhe shikimi pak më parë prej tij i vërtetoi pikërisht atë gjë.

    "Sikur nuk më mjafton prania jote neveritëse, u dashka të dëgjoj edhe zërin tënd si të gjinkallës!" - i ngjau sikur sytë e tij mezi kishin pritur t'i thonin ato fjalë dhe nuk guxoi ta shikonte më Sidorelin përgjatë tërë rrugës për në shtëpi, kohë, që Anila edhe donte të përfundonte, për të folur me të, edhe jo, për të mos qenë hera e fundit, që ishin bashkë.

••••
    Nuk nxori zë, për të kundërshtuar, as kur ai ndaloi përpara një pallati të panjohur në mes të natës.

    - Dil! - theu heshtjen midis tyre Sidoreli, pa e parë në sy dhe Anila iu bind.

    Eci një hap pas tij drej hyrjes, e ndoqi pa zhurmë nëpër shkallë dhe priti ngjitur, ndërsa ai hapte derën ngjyrë kafe të errët të një shtëpie në katin e parë. Priti për udhëzimin e tij, nëse duhej ta priste aty, apo të shkonte pas tij, kur ai shtyu derën nga ana e majtë dhe kaloi pragun.

    - Futu brenda! - komandoi vrazhdë Sidoreli.

    Ajo hyri me kokën ulur në shtëpi dhe një siguri intuitive, që nuk do gjente asnjë pasqyrë aty.

    Ai ndezi dritën e korridorit dhe Anila shikoi me vëmendje dy dyert e bardha përballë saj, një tjetër në të majtë, si dhe raftin e zi të rrobave dhe këpucëve të mbështetur pas murit ngjyrë gri me tonalitet të butë vjollce djathtas saj.

    Sidoreli hoqi bluzën e zezë, ndërsa i drejtohej derës ngjitur asaj të majtës dhe Anilës i shkoi menjëherë vështrimi në shpinën e tij të zbuluar pa asnjë tatuazh, shpatullat në të cilën, i kujtuan kërcënimin, që ajo i kishte bërë atij, rreth thërrmimit të tyre, nëse ai nuk do ta linte të qetë, por në ato momente, përveçse po kuptonte se kishte folur në ajër, pasi, as për të ushtruar forcë shtrëngimi mbi ato shpatulla, nuk besonte te vetja, se kishte aq fuqi; ajo pjesë e trupit po e përhumbte në të menduarit se ia shtonte Sidorelit bukurinë edhe më tepër dhe Anila e ndoqi, si të ishte e nënshtruar me dëshirën e saj prej tij drejt dhomës, ku ai po hynte.

    Nga mobiliet në atë dhomë kuptoi se ishte ajo e gjumit. Një krevat dopio me mbulesë blu mbretërore ndodhej në krye në të majtë, dy komodina ngjyrë gështenjë anash tyre dhe gardëroba e bardhë ishte vendosur përballë. Perdet e gjelbra shisheje ishin të mbyllura dhe muret me të njëjtën ngjyrë si ai në korridor ishin bosh.

    - Ti jeton këtu? - pyeti për siguri, e pashpresë, që do merrte përgjigje prej tij dhe Sidoreli e la në atë gjendje, me anë të shpërfilljes.

    Ai hapi shkujdesur dyert e gardërobës dhe nxori një bluzë të zezë, për ta veshur.

    - Shko dhe bëj një dush! - e folura e tij e athët po i dukej Anilës si e ecura mbi maja gozhdash. - Nuk ka asnjë pasqyrë në tualet.

    - Sidorel! - ajo nuk mund të merrte frymë nga të qenit e trajtuar në atë mënyrë prej tij.

    - Do flasim në mëngjes, - bëri me dije më pak i inatosur në zë ai.

    - Jo, tani. - këmbënguli Anila.

    - Nuk dua të flas asgjë me ty tani, - shpalli Sidoreli me mjekrën e ngritur pak më lart. - Largohu!

    - Ishte vetëm një moment, - iu referua ajo tentativës, për t'u mbytur në det disa orë më parë. - Nuk e kam më atë mendim.

    Ai e vështroi i shushatur nga pafajësia, me të cilën i kishte thënë Anila ato fjalë.

    - A ia ke idenë, se çfarë desh ndodhi sot, apo jo? - Sidoreli iu afrua me sytë picërrues dhe Anila u ndie më e dobët se ai. Vështrimi i tij i sertë nuk po i linte aspak hapësirë asaj, që të merrte veten dhe të mbrohej. - Do na vrisje të dyve! - ai rikujtoi i zemëruar me zërin e ngritur.

    - Pse erdhe, pra? - iu hakërrye Anila me po të njëjtin ton zëri dhe forcë shikimi. - Nuk të detyroi njeri!

    - Ashtu? - pyeti i indinjuar Sidoreli. - Domethënë, nga e gjithë ajo, që ndodhi, ti këtë kuptove? Që unë u ndieva i detyruar, të të ndihmoja; jo, ngaqë desha vetë, sepse bashkë me ty nën ujë po mbytesha dhe unë, edhe prandaj erdha, që të shpëtoja të dy ne.

    Anila psherëtiu e penduar, që i kishte folur në atë mënyrë dhe gishtat e forcuar deshën të përshkonin me forcë kokën e saj.

    - Pse veprove ashtu? - kërkoi llogari prerazi Sidoreli. - Çfarë ndodhi, pasi ika unë?

    Ajo uli kokën ngurruese, për t'i treguar. Këtë herë nuk kishte aq shumë besim, se do mirëkuptohej prej tij dhe dyshonte, se më tepër do konsiderohej, që po shkonte drejt çmendurisë edhe ai do kërkonte ndarjen prej saj; jo që do vazhdonin më së bashku, po të mos i thoshte, por të paktën nuk do merrte atë lloj shikimi ulës ndaj tij, sikur para syve kishte një grua të lajthitur.

    - Nuk dua të flas për këtë gjë. - tha me vështrimin mbi kraharorin e tij.

    - Për çfarë do të flasësh? Martesën, nga e cila paske hequr dorë, me ç'po kuptoj?! - Sidoreli ia doli ta fitonte shikimin e saj të habitur mbi të me pyetjen e fundit, që i bëri.

    - Për çfarë e ke fjalën?

    - Që e dëgjova shumë mirë Visarën, kur të pyeti atë ditë në kompani, nëse po luaje me mua dhe ti nuk i dhe asnjë përgjigje. - tha shkoqur ai.

    - Sidorel, unë nuk kam menduar kurrë, për të luajtur me ty. - u betua Anila dhe ai nënqeshi me ironi.

    - Nuk po e ndaj dot mendjen, se si të reagoj tani. - tregoi dilemën, ku ishte vendosur ai. - A të gëzohem, që s'ke luajtur, apo të bëj të kundërtën, ngaqë, mirë se për seriozisht, nuk diskutohet, të kesh menduar, për t'u martuar me mua, por as për formalitet, me mendimin se ndoshta më vonë mund të më duash, jo.

    Anila nuk pati justifikim, për të dhënë dhe Sidoreli nuk donte t'i thoshte, se e kuptonte, që ajo kishte bërë një jetë tejet të vështirë dhe akoma kishte nevojë për kohë, që të shërohej plotësisht. Ai kuptim gjer atë ditë ndaj saj i kishte kushtuar jetën pasditen e kaluar dhe druante se herën tjetër nuk do tregohej aq mëshirë për të.

    - Anila, faji është i gjithi i imi, që këmbëngula, të ishim bashkë.

    Ajo mohoi e panikosur nga rrjedha, që ai zgjodhi, për të zhvilluar bisedën.

    - Kur ti vazhdimisht po më paralajmëroje me refuzimet e tua, që për të mirën time duhej të hiqja dorë. - mbrojti konstatimin e tij Sidoreli, pavarësisht lotëve të saj përgjërues, që të mos fliste në atë mënyrë. - Në mëngjes do t'i rregullojmë të gjitha sikur duhet dhe nuk do ketë më shmangie të së vërtetës. - do ia thoshte të tërë historinë me Amarildon. Ishte vonuar tepër, madje. - Kemi nevojë, të pushojmë për disa orë! Ishte një ditë e lodhshme. - ai shpërfilli duart e saj të zgjatura drejt tij, për të mos u larguar nga ajo dhe iu drejtua daljes së dhomës. - Unë do fle në divan, te salloni. Ti do qëndrosh këtu.

    Sidoreli shkoi në tualet fillimisht, që të kontrollonte, nëse uji për dush ishte gati, hetoi dhe nëse kishte ndonjë gjë, që Anilës mund t'i shkrepej në mendje, për ta përdorur, që t'i bënte keq vetes dhe ngriu i tëri me shikimin nga korridori për një sekondë, kur dëgjoi një zhurmë rënieje në dhomën e gjumit, ku ndodhej ajo.

    - Anila!

    Ai vrapoi i alarmuar drejt dhomës me dorën e vendosur nëpër mur, që të mbërrinte sa më shpejt pranë saj dhe e ndieu shpirtin t'i binte në gjunjë, kur pa Anilën në atë po atë pozicion me shpinën të mbështetur te gardëroba dhe fytyrën të mbuluar nga duart, ndërsa qante.

    - Anila, çfarë ndodhi? - u ul në nivelin e saj.

    - Po më vrasin mendimet! - kërkoi ndihmë me sytë e shndritshëm nga lotët ajo dhe Sidoreli vetëm mundi t'i vendoste duart anash bërrylave të saj, i pafuqishëm për t'ia fshirë ato mendime. - Jam shumë e ligë! - Anila nguli gishtërinjtë e bërë grusht mbi kokë dhe ushtroi forcë urrejtëse mbi flokë, për t'i shkulur ato.

    - Jo, jo! - ai i kapi duart dhe me vështirësi i shpëtoi flokët e saj prej dhunës ndaj tyre. - Nuk je fare e ligë. Je njeri shumë i mirë. - i përkëdheli pjesët e kokës, ku ajo kishte dashur të shkulte flokët dhe Anila e konsideroi gënjeshtër me shkundje mohuese të kokës komplimentin e tij.

    Sidoreli i mbështolli trupin me krahët përreth shpinës, e ngriti në këmbë dhe e shtrëngoi në përqafim.

    Në atë dhomë ishte ai njeriu i ligë aty, jo Anila. Duke e ditur, se sa ngjarje të rënda i kishin ndodhur në të kaluarën, ishte sjellë vrazhdë me të, në vend që t'i shprehte mirëkuptim, t'i ofronte më tepër mbështetje dhe t'i jepte kohë, për të marrë veten, e më pas ta pyeste, se ç'kishte ngjarë me të.

    I largoi flokët nga fytyra e lagur prej lotëve, ndërsa Anila vazhdonte të qante. Ai nuk e meritonte atë.

    - Të dua! - Sidoreli nuk donte t'ia dinte. Do bënte çdo gjë, për ta merituar.

    Ajo e pa me sytë e ngrirë, sikur e tashmja të kishte mbetur nga asgjëja në vend dhe vetëm fjalët e tij po lëviznin rrëmujshëm nëpër kokën e saj.

    - Të dua! - përsëriti ai. - Më fal! Isha plotësisht gabim, që u solla aq hidhur me ty.

    Anila mohoi me kokë vërejtjen e tij ndaj vetes, i vendosi e mrekulluar duart në fytyrë nga e vërteta në sytë e tij te fjalët, që ai kishte thënë dhe e puthi. Buzët e Sidorelit pranuan menjëherë shijen e lotëve të kripur në të sajat dhe ai e afroi Anilën më ngjitur.

    - Ma jep fjalën, që nuk do ta përsëritësh më ngjarjen e sotme te deti! - nguli shikimin kërkues ndaj saj, për të mos e lëshuar, pa ia marrë atë fjalë.

    - Premtoj, - Anila dha fjalën e sigurt, që nuk do ta thyente atë premtim.

....vazhdon....

    Pjesa i dedikohet @jetezaaa🙂🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top