63• Sirena te Deti

•E tashme (përfshirë dhe skena e prologut)•


    Nuk iu deshën më tepër se pesë sekonda, për të kujtuar ëndrrën, që kishte parë mbrëmjen e shkuar; sikur Sidoreli e kishte pyetur, nëse ajo donte të qëndronte vetëm në shtëpi dhe Anila i kishte kërkuar të mos largohej. Ajo ishte ndërruar në pizhamat e saj; një bluzë ngjyrë gri dhe tuta të bardha, edhe kishin fjetur në të njëjtin krevat, në dhomën e saj të gjumit. Ishte zgjuar herë pas here, me mendimin se mos ai kishte ndërruar mendje dhe ishte larguar, për të mos u kthyer më tek ajo, por Sidoreli të gjitha herët kishte qenë duke fjetur pa zhurmë pranë saj.

    Mos kishte ndodhur vërtet? Hapja e një rubineti në kuzhinë, e bëri të dyshonte, që po. Anila u ngrit ngadalë dhe shkoi nga dëgjoi zhurmën.

    Sidoreli po vendoste një gotë në raftin përkatës, kur ajo hyri brenda. Ai ktheu kokën pas, e shikoi dhe shkundi kokën i çuditur.

    - Të jetë njeriu aq i pashpirt, sa të manipulojë me bukurinë e saj, sapo të zgjohet, ti qofsh!

    Ajo përvijoi buzët dhe fërkoi sytë akoma e përgjumur, ndërsa i shkonte pranë.

    - Mirëmëngjes, Anila! - Sidoreli i vendosi duart mbi supe, që ta afronte pranë vetes dhe e shtrëngoi fort midis krahëve në përqafim.

    - Mirëmëngjes! - Anila i mbështeti kokën në sup dhe me sytë mbyllur mori pak nga doza e tij e lumturisë.

    - Rregullova sanduiç dhe lëng frutash, - ai tregoi nga dy pjatat dhe gotat e gjata mbi banakun e drunjtë. - Nëse nuk i ha, më thuaj dhe gatuaj diçka tjetër.

    Ajo e vështroi dyshimtazi.

    - Nuk po kuptohet, se cili është manipuluesi i vërtetë këtu. - fshehu akuzën nën ironi Anila dhe ai harkoi cepat e buzëve lehtë, për të mos u dalluar, që po ndihej fajtor.

    Kur ajo të zbulonte në lidhje me të dhe Amarildon, do mendonte se gjithçka, që Sidoreli kishte bërë për të, kishte qenë, për t'i hedhur hi syve asaj dhe jo që kishte dashur vetë ai të vepronte në atë mënyrë.

    - Më parë të sugjeroj të pish një fotë ujë me dy pika limoni të hedhura në të. Të jep shumë energji. - ai u përpoq vërtet t'i hidhte hi syve Anilës me atë përpjekje, për të ndërruar temë. Nxori një shishe uji nga frigoriferi, limon, dy gota nga rafti, ku Anila i kishte vendosur dhe thikë nga sirtari përkatës i tyre, për të prerë limonin.

    - Ke pirë ti? - ajo i vendosi krahun e djathtë mbi shpinë dhe dorën e krahut tjetër përpara mbi supin e tij të majtë.

    - Tani do pi, - u përgjigj Sidoreli i buzëqeshur nga afrimiteti i tillë me të.

    - Në rregull, po shkoj të laj fytyrën dhe vij. - Anila u largua nga kuzhina dhe ndërkohë Sidoreli përgatiti ujin për të.

    Ajo u kthye pas disa minutash, duke lidhur flokët bisht me një fjongo të zezë flokësh.

    - Ku do të ulesh? - vuri gotat mbi tavolinë ai.

    - Këtu, - Anila iu afrua karriges nga muri përballë banakut të kuzhinës dhe ai largoi karrigen nga tavolina për të.

    - Faleminderit! - ajo pranoi gjestin e tij dhe u ul.

    Sidoreli vendosi mbi tavolinë edhe pjatën dhe gotën me lëng frutash për të fillimisht, e më pas të tijat dhe u ul në karrigen përballë saj.

    Shikoi ushqimin e përgatitur për të, mendoi falendërues për Zotin, pa Anilën me flokët e lidhur pas, disa fije të lëna të lira para fytyrës, i kushtoi vëmendje ndjesisë, sikur ishte duke jetuar në mënyrën e duhur, që nuk ishte e pazakontë, që po hante mëngjes me të, po përmbushte çfarë ishte shkruar për ta, mendoi për ditën e bukur me diell dhe që nuk donte të ndryshonte asgjë nga jeta e tij në ato momente; kishte dëshirë të vazhdonte me Anilën, të vizatonte dhe punonte në kompani, edhe lëshoi një frymëmarrje paqeje.

    - Të bëftë mirë, Anila!

    Ajo shikoi sytë e tij më të shndritshëm nga rrezet e florinjta të diellit të butë të hyra në dhomë nëpërmjet dritares dhe buzëqeshi e ndikuar pozitivisht nga ngjyra e bukur e tyre.

    - Faleminderit! Edhe ty!

    - Fjete qetë mbrëmë? - pyeti neutral ai dhe Anila picërroi sytë ngacmuese.

    - Ma thuaj ti! - kërkoi ajo, ndërsa mbështetej pas karriges. - Meqë ishe në të njëjtin krevat me mua. Si fjeta? Gërhita? Lëviza shumë?

    - Jo, nuk lëvize, sepse as unë nuk lëviza. - Sidoreli hyri me kënaqësi në vallen e të folurit me nënkuptime së saj dhe Anila mori gotën me lëng në dorë.

    - Ia ke marrë dorën goxha kësaj bisede, - komentoi me sytë e ulur ajo, buzët e pabindura, për të qëndruar drejt, që të mos qeshte dhe mollëzat e vëna më tepër në dukje nga skuqja e tyre, edhe piu ngadalë lëngun e përgatitur.

    Ai qeshi me zë dhe vendosi dy parakrahët mbi tavolinë.

    - Kam ditur me kohë, Anila. - tha me përkëdheli emrin e saj, sikur buzët e tij po puthnin intimisht çdo shkronjë të atij emri. - Thjesht kam pritur momentin e duhur, për të folur kështu dhe po pres për gjëra të tjera private, që ti nuk i mendon.

    Anila u shpërqendrua nga pirja e lëngut dhe u kollit prej kalimit keq të tij nëpër fyt. Nxehtësia i pushtoi të gjithë fytyrën dhe mori rrugën për në kraharor, kur ai i preku krahun.

    - Ngadalë. Nuk e shijon dot, po nxitove tepër.

    Zëri i butë dhe i thellë i tij i bllokoi rrugën oksigjenit, për të shkuar i plotë në mushkëri dhe zemrën nuk po e mbante vendi nga të imagjinuarit, sikur ai po nënkuptonte tjetër për tjetër. Asaj filloi t'i dukej ajri në dhomë t'i i pamjaftueshëm, kur ndieu këmbët e tij midis kyqeve të këmbëve të saj.

    - Kështu, - ai i shtrëngoi qëllimisht parakrahun, për t'i nxjerrë më tepër jashtë kontrollit imagjinatën e lehtë, për t'iu lexuar në fytyrë Anilës dhe e la të qetë më pas, duke u stepur tutje.

    Ajo po ngurronte, të hante sanduiç, ngaqë ai mund ta ngacmonte më tepër me fjalë, por Sidoreli nuk e trazoi më.

    - Meqë erdhi biseda te nxitimi, - vërejti ai. - Më duhet të shkoj patjetër në kompani këtë paradite. Po përgatisim një event për në datën 14 mars. Nisemi pas dreke për në jug? Të shkojmë në Vlorë sot dhe kthehemi nesër nga mbrëmja. Si thua?

    - Në rregull, - miratoi Anila. - Unë, ndërkohë, do punoj në shtëpi. Do vij te kompania në drekë.

    - Shumë mirë, - Sidoreli mbaroi mëngjes shpejt dhe u bë gati të dilte. - Më shkruaj, kur të nisesh, që të jem i lirë dhe të të pres te zyra.

    - OK.

    Ai kopjoi buzëqeshjen e saj, për të qeshur dhe vetë gjithashtu, dhe e puthi thellë në faqe.

    - Shihemi! - i shtrëngoi dorën dhe iu drejtua shkallëve, për të dalë nga pallati.

    Ndaloi te kreu i tyre nga i ftohti i ardhur prej katit më poshtë, mori frymë thellë, që të mos lëkundej nga ndikimi dobësues prej tij dhe ktheu kokën drejt Anilës.

    Ajo kishte ngulur shikimin e hutuar mbi ashensorin e mbyllur, pa Sidorelin, kur ndieu vështrimin e tij mbi të dhe lëvizi vetëm pak cepat e buzëve, për të shikuar pozitivisht dhe vetë gjithashtu.

••••
    Në punë nuk qëndroi dot plotësisht i përqendruar si herët e tjera, për të mos bërë gabime, të rrezikonte pushimin e vet nga puna dhe largimin e Anilës gjithashtu. I mbajti vazhdimisht sytë mbi ekranin e fikur të telefonit, se kur do t'i dërgonte mesazh ajo dhe kontrolloi telefonin herë pas here, se mos i kishte ardhur ndonjë njoftim prej saj, por nuk kishte funksionuar dridhja dhe tringëllima e telefonit, për ta lajmëruar.

    Kur Anila i shkroi, që ishte nisur nga shtëpia, e gjithë lodhja e punës iu shua dhe ai nxitoi, sa mundi, për të mbaruar mbledhjen e ditës, para se ajo të mbërrinte në punë.

    Do të kalonin nga shtëpia e tij, për të marrë disa rroba të tijat dhe më pas do niseshin drejt Vlorës.

    Anilën e gjeti të ulur në mbështetësen anash të kolltukut të zi, i drejtuar nga muri i xhamtë i zyrës së tij, me kufje të bardha, ashtu si ngjyra e atleteve të kombinuara me pantallona të gjera livandoje, që ajo kishte veshur dhe bluzë ngjyrë blu të errët. Telefonin e kishte në dorën e djathtë mbi këmbë dhe dorën e majtë mbi mbështetësen e shpinës të kolltukut. I kishte vendosur kufjet me tel në të dyja veshët dhe nga mimika e fytyrës si atëherë, kur e kishte takuar për herë të dytë në urban dhe kishte qenë duke rënë shi, e drobitur nga dhimbjet e përjetuara në jetë dhe gati, për të hequr dorë nga gjithçka, dukej sikur po dëgjonte diçka të trishtë në telefon.

    Sikur të mund ta kthente mbrëmjen e djeshme pas, nuk do kishte shkuar aq larg me të dhe shkaktuar tërë atë traumë, sikur asaj të mos i mjaftonin ato, që kishte tashmë.

    Deti do t'i bënte mirë. Kishte besim se pas atij udhëtimi Anila do kthehej sërish në gjendjen e hareshme dhe Sidoreli në të ardhmen do tregonte shumë kujdes, që të mos e trishtonte më.

    Ajo ktheu kokën nga ana e tij dhe u çel menjëherë në fytyrë.

    - Mos po të shqetëson ndokush, shef? - Anila hoqi kufjet dhe u ngrit nga mbështetësja e djathtë e krahut të divanit. - Mund ta bëj diçka për ty.

    Ai vuri buzën në gaz nga flirtimi i saj edhe me vështrim, dhe i shkoi pranë.

    - Sirena e vogël e gatshme për shpëtim heroik, - ia ktheu ironinë e ngjashme si ajo para disa kohësh në bar dhe Anila e qeshur nguli dhëmbët butë mbi buzën e poshtme.

    - E vlerësoj shumë, që nuk i harron disa momente kryesore me mua. - vështroi mirënjohëse sytë e tij kundrues.

    - Anila, unë nuk harroj asgjë në lidhje me ty. - ai e pa i habitur, që ajo çonte nëpër mend të kundërtën dhe e puthi. - Çfarë po dëgjoje në kufje? - i përshkoi dorën e majtë mbi flokët e lëshuar. - Mos të dërgoi njeri mesazh, që të mërziti? - tiparet e fytyrës iu tendosën menjëherë nga dyshimi i sapokrijuar.

    - Jo, po dëgjoja tinguj shiu në Youtube. Më ka marrë malli shumë, që të bjerë shi.

    Po t'i thoshte të vërtetën, që kishte qenë duke dëgjuar "Fourth of July" nga Sufjan Stevens, do pyetej se pse këngë të trishtë dhe Anila nuk ndiente aspak fuqi emocionale, për të treguar se ç'kishte ngjarë atë paradite me të, pasi ai ishte larguar nga shtëpia e saj.

    - Do kisha dëshirë, të binte sot. - vështroi me mall tutje dritares së zyrës.

    - Ndoshta bie për ty, - e puthi në ballë ai. - Shkojmë te deti?

    - Shkojmë, - sirena pranoi të kthehej në vendlindjen e saj.

••••
    E mbajti dritaren hapur gjatë rrugës dhe e lejoi erën, që t'i mbështillte ëmbëlsisht fytyrën.

    Sidorelit i kishte shkruar një letër, të cilën ai do ta gjente në shtëpinë e saj, ku i kishte shpjeguar gjithçka. Kishte dashur, ta merrte me vete, por prej frikës, se do ta humbiste, apo do t'i ndodhte diçka dhe nuk e rishkruante dot, e kishte lënë në dhomën e saj gjumit te sirtari i dytë poshtë te tavolina.

    Ai do ta kuptonte. Do revoltohej në fillim mbase, por pastaj do ta mirëkuptonte vendimin e saj dhe do kthente faqe për një kapitull të ri në jetë. Momentet me të do konsideroheshin një ëndërr e parehatshme, që shumë shpejt do harrohej me ndihmën e ndonjë gruaje tjetër në jetën e tij.

    Po ta kishte ditur, që Visara kishte qenë e lidhur me Danielin, do kishte kryer vetëvrasje me kohë. E motra e kishte dikë përkrah, prindërit e kishin dhe një fëmijë, Visara do ishte martuar dhe do ishin bërë me nipër edhe mbesa. Jeta do kishte ditur si t'i ngushëllonte.

    Vetëm prej Visarës e kishte mbajtur peshën rraskapitëse të të jetuarit mbi supe, por tani nuk mundej më. Po fillonte ta ndiente dhe veten barrë në jetët e të tjerëve me traumat e saj të pashëruara dhe duhej t'i shpëtonte dhe ata.

    Mbase nuk do ia dilte atë ditë. Nëse jo, do thoshte se kishte qenë duke notuar në det dhe asnjeri nuk do dyshonte, që kishte dashur të vriste veten.

    Sidoreli mund t'i binte në të, po të këmbëngulte dhe ajo duhej të gjente një justifikim të fortë ndaj tij, por meqë ndoshta nuk do i nevojitej fare, nuk e vrau mendjen, për ta krijuar në ato çaste.

    - Më duket se do bjerë shi. Po errësohen shumë retë. - tha ai.

    - Shkojmë te deti fillimisht? - Anila pyeti brishtazi për insistim dhe e dobët, për të dhënë arsye se pse.

    - Patjetër, - Sidoreli ndryshoi drejtim, për t'i plotësuar dëshirën asaj. - Di një vend të qetë, ku nuk do trazohemi nga njeri.

    - Faleminderit! - ajo mbylli me atë fjalë minibisedën midis tyre dhe i dha të gjithë vëmendjen pamjes nga dritarja e hapur.

    Sidoreli parkoi makinën buzë detit dhe doli pas saj nga automjeti.

    - E sigurt, që do bjerë shi. - ai shikoi retë gri të mbledhura mbi kokat e tyre.

    Anila përkuli cekët buzët dhe bashkë me të iu afrua detit. Pjesa përballë dukej më e thellë. Me siguri kishte dhe ndonjë krijesë, që po ta pickonte, apo kafshonte, e cila mund t'i sillte vdekjen e menjëhershme.

    Të vdiste në ujin e lirë, ndërkohë që po binte shi; i pëlqeu si skenë. Komforti nga përfytyrimi i momenteve të fundit e përqafoi lehtë dhe Anila mori frymë thellë e ndierë gati.

    Sidoreli vështroi përreth, në mos kishte njeri, dhe, kur pa që ishin vetëm, u kthye nga ajo. Era filloi të frynte më tepër e freskët, duke i trazuar Anilës flokët e lëshuar sa andej-këtej, herë zbuluar fytyrën e qetë me vështrimin e ëmbël dhe herë fshehur atë.

    Se sa seriozisht e kishte marrë ajo të manipuluarit, Sidoreli nuk e dinte me siguri, ama mund të betohej lehtë, se vetë ndihej i magjepsur prej saj. Anila ia vlente, që ai të rrezikonte, për t'i thënë të vërtetën rreth Amarildos, që të mos kishte asnjë pengesë midis tyre dhe të zgjohej çdo mëngjes pranë saj, si atë ditë, donte ta kishte të sigurt praninë e saj, të konsultohej për çdo gjë me të, të kërkonte mendimin e saj dhe ajo të ishte pjesë e të gjitha kujtimeve të tij.

    Do sakrifikonte. Le të ushtonte qielli nga vetëtimat dhe të bërtiturat e saj akuzuese! Ai do reagonte si deti në ato momente. Do duronte gjithçka me qetësi dhe do luftonte, për të mos e humbur Anilën.

    - An...

    Ajo la çantën e saj të bardhë mbi rërë dhe filloi të hiqte atletet.

    - Çfarë po bën? - Sidoreli ndoqi me sy i habitur lëvizjen e duarve të saj, ndërsa hiqte edhe çorapet e bardha.

    - Po prek pak ujin, - i buzëqeshi Anila. - Ti rri këtu! - porositi dhe iu drejtua detit. Ktheu kokën, për t'u siguruar, që ai po i bindej dhe u kthye sërish nga deti.

    Edhe pak.

    - Po shkon larg! - Sidorelit nuk po i pëlqente sjellja e saj.

    Anila kishte hyrë në ujë, i cili po i arrinte belin, por atij i ngjante sikur i ftohti i detit po ngrinte trupin e tij.

    - Dil tani! - ai kërkoi me zë të ulët, ndërkohë që në mendje po i bërtiste i indinjuar asaj.

    Një pikë uji i ra mbi fytyrë. Dhe një tjetër. Edhe një tjetër.

    - Po fillon edhe shiu, eja! - Sidoreli ruajti qetësinë, ndërsa i afrohej i alarmuar bregut. - Ulemi diku, të pimë diçka diku dhe e shohim nga dritarja.

    Anila shikoi detin e qetë përreth, mbajti duart nën të dhe i lëvizi ngadalë. Kishte kohë, pa notuar dhe tani malli po lundronte i lirë nën vijën ndarëse midis ujit dhe ajrit.

    - Dua të qëndroj gjithmonë këtu.

    Dëshira e saj i përçoi të dridhura nëpër kurriz atij dhe shiu nuk priti, derisa ai ta bindte të dashurën, për të dalë nga deti; filloi të binte si litarë të pareshtur.

    - Po zgjedh detin, në vend meje? - Sidoreli mendoi ta manipulonte me qesëndisje. - Mos bëj sikur nuk e di edhe ti, që kjo është zgjedhja e gabuar!

    Anila iu përgjigj të qeshurës së tij flirtuese me një vështrim pohues, se po zgjidhte detin dhe Sidorelit iu venit e qeshura.

    - Dil nga uji! - urdhëroi mprehtë ai, ashtu si tiparet e shndërruara në rigoroze të fytyrës.

    Ajo mbajti kokën ulur, pa lëvizur.

    - Anila! Po më bën të pendohem, që sugjerova të vinim këtu. - nuk kishte më nerva, të vazhdonte lojën e saj. - Dil!

    - OK, - mori frymë thellë ajo. - Mund të m'i afrosh pak atletet, të lutem?

    Sidoreli e pa me hatërmbetje prej sjelljes së saj dhe u kthye nga bregu. Duhej të kishte menduar diçka tjetër, për të bërë dhe jo të kishte pranuar afrimin buzë detit.

    Anoi kokën menjëherë nga ky i fundit, sapo dëgjoi një përplasje mbi të, ndieu mungesën e zemrës në të majtë të kraharorit, kur nuk e pa Anilën gjëkundi dhe mendoi fill, që ajo sapo kishte tentuar vetëvrasje.

    - Anila!

    Thirrjes së tij iu bashkua njëkohësisht bubullima shurdhuese në horizont dhe Sidoreli vrapoi nëpër dallgët penguese, që nuk donin t'u merrej mysafirja e tyre, i tmerruar se mund të ishte tepër vonë, për të shpëtuar veten dhe Anilën.

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @sindiiizz❤🥰

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top