62• Yll në Shuarje

•Një ditë para prologut•


    Anila rrotulloi çelësin e shtëpisë së saj dy herë në të djathtë dhe shtyu derën e zezë përpara. Ndjesia e brishtë e familjaritetit, që i ishte krijuar, sapo e kishte parë apartamentin në videon e dërguar nga Sidoreli, iu forcua fill, me të kaluar pragun dhe hyrë brenda. Ngjyrat e çelëta përreth e bënë, të ndihej si në zonën e vet të rehatisë.

    Hoqi takat e bardha, për t'i lënë në raftin prej druri bambuje të këpucëve nga ana e djathtë, më pas xhaketën bojë qielli të kombinuar me pantallonat e po atij tonaliteti ngjyre dhe këmishën e bardhë, edhe eci zbathur mbi parketin ngjyrë rëre shumë të hapur.

    Me justifikimin, për të kontrolluar, nëse çdo gjë ishte në rregull, siç e kishte lënë, para se të dilte nga shtëpia dy orë më parë, për të blerë fustanin dhe varësen, që kishte gjetur në internet, hodhi një sy përreth shtëpisë me çantën prej kartoni në dorën e majtë, ku kishte veshjen dhe bizhuterinë.

    Fillimisht hyri në sallonin e vogël, pa divanin e rregulluar ngjyrë floriri të pluhurt, tavolinën rrethore të bardhë midis tij dhe televizorit mbi një komodinë të bardhë gjithashtu dhe piktura lulesh të varura në murin ngjyrë kremi pasteli.

    Më pas eci në të majtë drejt korridorit, ku ndodhej kuzhina dhe dhoma e gjumit, hapi derën majtas, shikoi dritaren drejtkëndore të mbyllur, tavolinën e bardhë katrore të ngrënies me katër karrige ngjyrë lajthie në të djathtë përreth saj, mobiliet e pastruara përballë tavolinës dhe iu drejtua dhomës së gjumit, për të vendosur fustanin në gardërobë.

    U ul mbi krevatin dopio me mbulesë ngjyrë kanelle të tharë, la çantën djathtas vetes dhe vështroi tutje dritares së mbyllur në drejtim të jugut përballë, pa ndierë frikë, se nga momenti në moment do t'i vinte lajmi i publikimit të filmimeve të saj me Blerimin; ato ishin fshirë, Visara dhe prindërit e saj ishin të sigurt, edhe në mendje Anila kishte vetëm të tashmen, për ta shijuar. E shkuara ishte dëbuar nga vendimi i saj, për të zgjedhur versionin e vetvetes, që ishte duke e shoqëruar dhe të arrinte më të mirin e mundshëm, për të qenë.

    Askush nuk do t'i sulmonte, askush nuk do ta vriste Sidorelin, askush nuk do ta përdhunonte atë.

    E ripërsëriti vazhdimisht atë fjali gjatë tërë pasdites, që të bindte veten, se gjithçka do ishte në rregull. Do dilnin së bashku, do argëtoheshin dhe më pas do ktheheshin shëndoshë e mirë në shtëpi. Ajo e meritonte krijimin e kujtimeve të tilla në jetën e saj dhe ai e meritonte përpjekjen e Anilës, për të kaluar një mbrëmje normale midis tyre.

    Sidoreli ia doli, ta shpëtonte nga fillimi i të mbimenduarit me anë të mesazhit, që i dërgoi në telefon, se po e priste, përballë apartamentit.

    "Nuk vonohem." - ai lexoi përgjigjen e kthyer brenda një minute nga Anila, teksa rrotullonte çelësat e shtëpisë, makinës dhe studios nëpër gishtërinjtë e dorës së majtë dhe porosiste vazhdimisht veten, që të sillej sa më i matur, për të mos i shkaktuar ndjenja negative asaj.

    Ishte i lumtur, që ajo kishte menduar për të dhe e kishte ndërmarrë një hap të tillë, duke e ditur se sa rrezik mund të kishte. Kishte pasur dëshirë, që ta fikte totalisht telefonin, për të qenë vetëm i përqendruar tek ajo, por veç e kishte vënë në dridhje, meqë aq kishte mundësi, të kontrollonte. Mbase ndonjërit prej anëtarëve të familjes i duhej ndihma e tij dhe ai nuk shkëputej dot nga përgjegjësitë qoftë edhe për një sekondë.

    Zhurma e takave nëpër shkallët e hyrjes së pallatit i tërhoqën vëmendjen dhe ktheu kokën nga pragu i derës.

    Sytë e grishur prej Anilës e soditën me tërë përqendrimin dhe admirimin e mundshëm. Fustani i shkurtër ngjyrë rozë të ëmbël me rripa, i ngushtë në gjoks e bark, dekolte theksueshëm të hapur edhe që binte në pala të cekëta dhe të gjera nga beli deri një pëllëmbë sipër gjunjëve të zbuluar, takat e po asaj ngjyre dhe flokët e saj me onde të lëshuara, e të ndara në mes i mbërthyen kraharorin atij, sikur sapo të kishte pirë një koktejl tepër të fortë dhe Sidoreli nuk po ndihej aq i fuqishëm, sa të mund ta përballonte për një kohë të gjatë shikimin ndaj asaj bukurie të tepërt.

    Buzëqeshja e lehtë e Anilës dhe vështrimi joshës, që ai të nxitej, për të fituar vëmendjen e saj, ngaqë shpërblimi do ia vlente tërësisht më pas, ia kishin dalë ta dalldisnin dhe, po të donte ajo, mund ta mbante ashtu të mahnitur, për sa kohë të kishte dëshirë.

    Anila mbajti posturën e pandryshuar, ndërsa i afrohej e ndierë në pikun e bukurisë prej vështrimit të tij, i krijuan përshtypje pozitive xhinset gri, këmisha dhe atletet e bardha, që ai kishte zgjedhur dhe qëndroi vetëm disa centimetra e distancuar prej tij.

    - Kjo qenka ngjyra jote e preferuar! - Sidoreli mundi t'i formonte ato fjalë, pa u dalluar, që nuk dinte, ç'të fliste tjetër dhe vetëm kishte dëshirë të shikonte atë, pa folur edhe ajo pohoi në heshtje. - Të shkon goxha.

    - Faleminderit! - Anila preku varësen e vendosur. - Nuk rezistova dot. Sapo e pashë në një faqe Instagrami, e bleva. Më pëlqeu shumë.

    Ai shikoi lulediellin e florinjtë sipër gjoksit të saj dhe më pas Anilën, e cila po tregonte haptazi me vështrim, se kishte për qëllim ta bënte atë, të ndihej sa më i rëndësishëm dhe për pasojë edhe i varur nga ajo. Ç'manipuluese e bukur!

    - Dhe ti si shumë seriozisht e ke marrë këtë termin "sirenë". - vuri në dukje ai. - Apo ke qenë gjithmonë ashtu?

    - Jo! Unë kam qëllime shumë pozitive në jetë. - Anila zmadhoi sytë si e prekur prej asaj akuze dhe ai qeshi nga fytyra e saj e pafajshme. - Edhe jam njeri i urtë... - shtoi ajo me buzët e përvijuara lehtë dhe me pak ndrojë, që i skuqi mollëzat e faqeve dhe Sidoreli ngriti vetullat gjoja miratues. - ... Dhe nuk mendoj aspak për gjëra private, që nuk duhen menduar. - i buzëqeshi provokuese vështrimit të ndezur në sytë e tij, që u turbullua më tepër nga nënkuptimi i saj.

    - Le të ikim, para se të sugjeroj ndryshim plani! - tha seriozisht ai dhe Anila shfryu në të qeshur nga gjendja e tij.

    - E the, sikur unë të kisha kundërshtime për atë ndryshim. - vërejti flirtuese ajo, dhe, sapo Sidoreli do thoshte sugjerimin e tij, Anila iu drejtua sediljes së pasagjerit në të djathtë të shoferit. - Ikim!

    Ai i hapi menjëherë derën.

    - Faleminderit! - ajo nuk e shikoi qëllimisht në sy, për të treguar, se sa e emocionuar ishte nga prania e tij dhe hipi në automjet.

    E la Sidorelin, të ngiste makinën i patrazuar gjatë rrugës për në klub me tërë ato ide, se si të vazhdonte bisedën e lënë përgjysmë në po atë stad intimiteti.

    Ai lejoi atë, që të ecte një hap më përpara drejt hyrjes së klubit dhe, sikur po i afrohej një vullkani, shpërthimi i të cilit do ta digjte pa mëshirë, mori guximin prej një të lajthituri, siç mendoi, se ishte në ato çaste dhe vendosi dorën e majtë të shtrirë midis shpatullave të saj të zbuluara.

    Prekja e ndezi dhe e përcëlloi, si t'i ishte afruar diellit më shumë, se sa duhej, kthimi i kokës së saj nga ana e tij e ngriu, si të ishte zënë mat në faj dhe shikimi aprovues i Anilës, që nuk e kishte apsak problem prekjen e tij dhe madje po i pëlqente, i rikuperoi aftësinë, për të marrë frymë lirshëm sërish dhe shtoi dëshirën, për të mos e hequr dorën nga shpina e saj aq shpejt.

    Pasi u rehatua ajo fillimisht në karrigen e lartë të zezë, ai u ul përballë saj.

    Anila hodhi vështrimin kalimthi përreth, ndërsa kërcente lehtë, duke iu përshtatur fill ritmit të muzikës në sfond dhe lëshoi një psherëtimë të lehtë me frymëmarrje të thellë nga malli për një ambient të tillë, turma njerëzish, që kërcenin, gëzimi i tyre, që e lumturonte dhe atë, harmonia e muzikës së ndërthurur me vetëm dritat shumëngjyrëshe të ndezura të projektorëve.

    Ishte në një nga pjesët e zonës së saj të rehatisë, e rrethuar nga të huaj, secili me jetën e tij dhe në njëfarë mënyre edhe të lidhur me të sajën. Ajo, me praninë e vet aty, po shënohej në memorien e syve, që do ta vinin re atë natë, do zinte vend në kujtimet e të tjerëve, dikush do kishte një version të lumtur të vetes së saj; do jetonte, nuk do harrohej, për sa kohë të ishte në memorien qoftë edhe të vetëm një personi.

    Buzëqeshi me nostalgji për kthimin në origjinë, sa e rëndësishme ishte për të, që të bënte njerëzit e tjerë të lumtur dhe ktheu vëmendjen nga vetja e saj, qenia e paçmuar, që meritonte po të njëjtën sasi dashurie, ashtu si burri përballë, i cili si dukej, kishte përfituar nga rasti dhe nuk po ia ndante shikimin soditës.

    Ai ishte kaq art, mendonte Anila, ndërsa e kundronte adhurueshëm, art, që tundte themelet e shpirtit dhe, si të provohej pak nga ajo dozë, kërkohej me ngulm, që ta bënte pjesë thelbësore e arsyes, se pse jetohej.

    - Si është puna, tatuist? - Anila dha shikimin klasik flirtues të saj. - Po frymëzoheni për kryeveprën e radhës?

    - Nuk besoj se ka kryevepër, që të afrohet ty. - ia ktheu Sidoreli. - Dhe ai vizatim, që të kam bërë te urbani, tani po mendoj se ka gjithë ato defekte dhe të kam bërë padrejtësi.

    - Faleminderit shumë! - ajo harkoi buzët e ngazëllyer nga komplimentet e tij.

    Kamarieri erdhi, t'iu merrte porositë dhe nuk vonoi, t'u sillte pijet e kërkuara.

    Anila mori gotën me delikatesë, sikur ajo të ishte një kupë fitoreje dhe piu ngadalë. Me po atë kujdes, e vendosi gotën sërish mbi tavolinën e zezë rrethore dhe vështroi nga Sidoreli, gati për t'ia marrë mendjen sërish.

    - Kur...

    Ai e shikoi tejet i përqendruar.

    - ... vijnë njerëzit në studio, për të bërë tatuazhe, ku i bëjnë më së shumti? Në ç'pjesë të trupit? - deshi të dinte veçanërisht ajo.

    Shikimi i tij planifikues dhe dëshira në sytë e menduar, po i tregonin Anilës, që Sidoreli po hartonte një plan, se si t'ia kthente me të njëjtën monedhë të gjitha ndjenjat, që ai po i mbante me vështirësi nën komandë.

    - Krahë, - tha serioz ai, sikur pyetja e saj të mos ishte fare me nënkuptime.

    Anila mezi e mbajti veten, për të mos ia këputur të qeshurës nga serioziteti i tij.

    - Po... - ajo mendoi të nxehte bisedën. - Nëse vij unë, për të bërë një tatuazh, ku do më sugjeroje, ta bëja? - e qeshura me zë të lartë i ishte bllokuar në fyt bashkë me oksigjenin.

    - Për të dhënë një përgjigje sa më të saktë, fillimisht më duhet të shoh të gjitha pjesët e mundshme, ku mund të bëj punimin. - ai i ktheu goditjen me po aq forcë ndjenjash dhe Anila e shikoi e ngrirë për një fragment të shkurtër kohe, imagjinata përfitoi nga neglizhenca e saj, që të merrte tatëpjetën, duke përfytyruar Sidorelin në krye dhe jo të një tavoline, edhe me faqet si thëngjij piu nga koktejli i porositur.

    - Sa drejtpërdrejt ma the, - vuri buzën në gaz e turpshme dhe Sidoreli qeshi haptazi me reagimin e saj.

    - Jam saktë, apo jo? - i fryu më tepër zjarrit ai.

    Anila pa veç për një sekondë të qeshurën e tij fitimtare, që kishte mundur të merrte dominimin e ndjenjave në bisedë dhe uli shikimin e ndrojtur, për ta vështruar më gjatë, pa qeshur.

    - Këtë pyetjen po e konsideroj retorike dhe nuk po them gjë, - vendosi ajo, pa e shikuar në sy dhe Sidoreli qeshi me qesëndisje.

    - Në rregull, veç kujdes me pijen! - këshilloi ai. - Të prish tërë atë punë, nëse e tepron me sasinë. Nuk mban mend gjë, se çfarë të ndodh pastaj. - rikujtoi, që ishte në krye të bisedës dhe përkuli buzët më tepër, kur lexoi në vështrimin e saj të shpejtë, se Anila e kishte marrë me mend, për çfarë e kishte pasur fjalën Sidoreli.

    - Unë... - asaj iu duk koha e përshtatahme, që t'i tregonte hapin e radhës të planifikuar, për të vazhduar me rindërtimin e jetës, dhe edhe të përfitonte nga rasti, që të merrte veten falë ndryshimit të temës nga biseda e pak mëparshme me të. - Kam menduar të vazhdoj masterin në nëntor për anglisht, sikur kam dashur.

    Sidoreli buzëqeshi i lumtur nga habia.

    - Domethënë, nëse dëgjoj, që studentët te universiteti, ku do shkosh, janë manipuluar, të mos çuditem, pasi je ti aty dhe kuptohet, se pse iu ndodh diçka e tillë, kështu? - pyetja e tij për konfirmim i dha një buzëqeshje prej Anilës Sidorelit. - Gëzohem shumë! - tha i ngadhënjyer ai, si për veten e tij, që Anila po ndërmerrte hapa të tilla dhe po bëhej më mirë. - Shumë suksese!

    - Faleminderit, Sidorel! Mbështetja jote po më ndihmon tej mase.

    "Sapo kam filluar," - ai ndaloi veten në kohë, para se ato mendime të zbulonin ekzistencën e tyre me anë të të folurit, që të mos e vinte atë më tepër në siklet me nënkuptime dhe të rrezikonte teprimin, por të priste për ndonjë moment të përshtatshëm më vonë.

    E pyeti se ç'plane kishte bërë, për t'u regjistruar në universitet dhe koha kaloi me përgjigjet e veta ndaj pyetjeve të Anilës, se si kishte qenë jeta e tij studentore.

    Në kthimin për në shtëpi ndenjën të dy, pa folur, duke vrarë mendjen, se si të shpreheshin, pa u keqkuptuar, se nuk donin, që nata midis tyre të mbaronte me kaq.

    Sidoreli mendonte, që i takonte Anilës, të jepte një shenjë, nëse dëshironte, që të vazhdonin, por mbase ajo kishte frikë se ai do ta merrte për keq dhe do përfitonte veç në interesin e tij.

    Paqartësia po reduktonte oksigjenin në makinë dhe rriste temperaturat e trupave të tyre. Të dy merrnin vazhdimisht frymë thellë, pa rënë në sy, që të mblidhnin veten.

    Ajo e ndau mendjen, të rrezikonte. Po t'i dilnin gjërat jashtë parashikimit, atëherë do ta gjente një zgjidhje, për të dalë nga situata. Kur Sidoreli parkoi makinën para shtëpisë së saj, Anila hoqi rripin e sigurimit dhe doli nga automjeti, pa e përshëndetur.

    Ai e mendoi, se mund të ishte ajo, që dyshonte, se ishte, por nuk donte të zhgënjehej më pas. Ndoshta Anila kishte vendosur ta përshëndeste, pasi të dilnin të dy nga makina.

    Zbriti nga automjeti dhe shikoi Anilën, tek ecte drejt apartamentit, pa e kthyer fare kokën, që ta vështronte. Ajo do ishte shenja. Nëse ai do ta thërriste Anilën, atëherë do linte përshtypjen, sikur nuk donte të shkonte në shtëpinë e saj, por nëse do ta ndiqte, atëherë do linte, të kuptohej, që kishte dëshirë ta vazhdonin takimin më gjatë.

    Eci drejt hyrjes pranë saj dhe ndaloi, kur ajo qëndroi, pa lëvizur përballë shkallëve.

    Anila u kthye ngurruese nga ai.

    - E ke problem, nëse i heq takat? - pyeti e ndierë pakëz fajtore, që nuk po duronte dhe disa hapa deri në shtëpi, e ndoshta po prishte momentin.

    Sidoreli qeshi nën hundë, puliti sytë mosbesues, që ajo pyetje po i bëhej seriozisht dhe u ul në gjunjë përpara saj.

    Anila vendosi e trandur dorën në kraharorin e forcuar, sikur të donte të ndalonte zemrën nga dalja prej tij, pasi kjo e fundit donte ta shikonte vetë atë në gjunjë dhe Sidoreli filloi të zgjidhte rripin e hollë të takave, i rrethoi pjesën e këmbës së djathtë sipër kyçit me gishtërinjtë përvëlues nga nxehtësia në lëkurën e tyre dhe ngriti vështrimin e thellë drejt Anilës, i vetëdijshëm për shastisjen e saj nga vlerësimi i tij.

    Ai në gjunjë për të!

    Pra, kjo ishte të qenit njeri i rëndësishëm për dikë! Krijonte ndjesinë e ekzaltimit të shpirtit, kur merrej një vlerësim i tillë nga dikush, që e donte.

    Anila kishte pëlqyer gjithmonë, të shikonte të tjerët në atë piedestal dhe ishte përpjekur vazhdimisht, t'i bënte, të ndiheshin të tillë, edhe tani po i shpërblehej në jetë me një person, që kishte të njëjtin qëllim ndaj saj, i cili ndihej i plotë, kur ajo ishte e vlerësuar. Anila donte më tepër nga ai eliksir.

    Pranoi pa fjalë, që të ngrinte radhazi pak këmbët nga toka dhe ai të mund të hiqte takat. Sidoreli i mori ato në duar dhe u ngrit në këmbë përballë saj. Ajo nuk ia kishte idenë, se si po merrte frymë, kur i ngjante sikur mushkërive u kishte rënë të fikët me kohë.

    - Ecim tani? - pyeti ai me seriozitetin e zakonshëm, sikur nuk kishte kryer ndonjë veprim kushedi se çfarë dhe atë gjest e kishte për detyrë, që ta bënte ndaj saj.

    Do ta kishte marrë në krahë, po të mos ishte ndaluar nga hamendësimi, që do e kishte tepruar me aq intimitet midis tyre, ajo do e kuptonte, sikur ai po e çonte në krevat dhe vetëm për të arritur deri aty, ishte lidhur me të. Vërtet kishte thënë disa fjalë haptazi për atë moment, por veprimi konsiderohej me më tepër peshë në atë rast dhe kishte pasoja më të rënda, sesa fjalët. Nuk mund të rrezikonte dhe shkatërronte gjithçka. Si dukej, Anilës i kishte pëlqyer heqja e takave dhe ai kishte ndierë gatishmërinë, për t'ia hequr gjithmonë këpucët, nëse kjo do t'i jepte mundësinë, që të prekte këmbët e saj.

    - Po, - mundi të mërmëriste e trallisur ajo dhe iu drejtuan shkallëve.

    Anila shkyçi derën e shtëpisë, hoqi çelësin dhe të dy hynë brenda. Ajo iu drejtua në heshtje dhomës së gjumit dhe Sidoreli iu bashkua, me të lënë takat te rafti i këpucëve. E gjeti në qendër të dhomës, pranë krevatit duke e pritur me po të njëjtin shikim të zjarrtë, që kishte ai për të.

    - Më ndihmon dot, për ta hequr dhe varësen? - kamufloi Anila dëshirën, që kishte, se si ta vijonin mbrëmjen dhe ai kaloi pragun e derës, duke hyrë në dhomë.

    - Kthehu!

    Kërkesa, që ia drodhi gjunjët e brishtë tashmë asaj, i doli më tepër si urdhër Sidorelit dhe ajo iu bind fill.

    Kaloi flokët mbi supin e majtë përpara, duke zbuluar qafën pas dhe procesi i të marrurit frymë e humbi fillin, për të ruajtur ritmin, kur duart e tij i prekën lëkurën e qafës.

    Sidoreli i hoqi me ngadalë varësen, i rrethoi trupin me duart, që po i afroheshin njëra-tjetrës përpara, u bashkoi cepat e zinxhirit përballë barkut dhe, kur Anila mendoi se ai do ia jepte varësen asaj, Sidoreli e pushtoi në përqafim shtrëngues, duke i mbështetur shpinën te kraharori i tij, hodhi varësen mbi tavolinën djathtas tyre dhe vendosi dorën e djathtë poshtë gjoksit të saj.

    Anilës iu pre fryma për një çast dhe lëshoi të gjithë peshën e vet në krahët e tij.

    - Sidorel! - fyti iu tha nga nxehtësia e marrë prej pjesës tjetër të trupit, temperaturë, që u rrit më tepër, kur ai e puthi në të djathtë të qafës, mbi supin e zhveshur, ndërsa me njërën dorë i mbulonte fytin dhe i ngrinte kokën më tepër, edhe e ktheu me fytyrë nga vetja.

    Buzët e tij gjetën menjëherë të sajat dhe e shprehën të gjithë mallin e ndierë, për t'i prekur gjatë tërë asaj mbrëmjeje, nga mënyra se si po e puthnin thellë.

    Anila arriti lehtë ritmin e pasionit të tij, i hoqi këmishën dhe nguli vështrimin e mahnitur mbi kraharorin e tij të zbuluar, lëkurën pa asnjë tatuazh.

    - Ke thënë të vërtetën, - tha mes frymëmarrjeve të parregullta.

    - Të kthehem edhe pas, po pate dëshirë. - ofroi ai. - Shiko dhe shpinën, për t'u bindur!

    - Jo, dua të testoj veten.- Anila iu avit më ngjitur, kaloi duart midis krahëve të tij edhe brinjëve, dhe i vendosi mbi shpinë. - A mund ta dalloj me prekje, nëse ke tatuazh, apo jo.

    Ai zbuloi më tepër damarët në parakrahë, me anë të shtrëngimit të duarve në grushte, nga rezistimi i të shtyrit Anilën drejt krevatit dhe mosheqja e duarve prej trupit të saj të zhveshur, pa e bërë plotësisht të tijën.

    - Dua të të jap të njëjtën torturë të bukur, që po më jep ti mua me prekje. - tha mendimet e çastit me zë Sidoreli.

    - Çudi, - bëri të habiturën ajo. - Nuk dukesh tip torturues. - iu ngërdhesh me shpotitje dhe i përkëdheli barkun në të djathtë, para se të hiqte duart prej tij.

    Ai i vendosi dorën e majtë pas shpine, që t'i bashkonte kraharorin me të tijin edhe dorën e djathtë përreth fytit, gishtat e së cilës i ndienë pulsin me rrahjet e pazakonta të zemrës së saj.

    - Të kam marrë me të mira deri tani.

    Emocionet i kapërthyen më me vrull trupin Anilës nga zëri i tij fare pranë buzëve të saj, ndërsa vetë i kishte vendosur duart te krahët dhe shikimi i tij i thellë dominues mbi të ishte i vetëdijshëm, që ajo do bënte me dëshirë çfarëdo, që t'i kërkohej prej tij.

    Ajo e pranoi puthjen e gjatë, që ai i dha, mbajti veten në këmbë me anë të krahëve përreth qafës së tij dhe lejoi trupin të binte, vetëm kur Sidoreli e shtyu drejt krevatit dhe u shtrinë të dy mbi të.

    Frymëmarrja e çrregullt e tij, më e lehtë për t'u dëgjuar në ato çaste, i vinte flakën e padëmshme çdo pjesë të lëkurës përgjatë qafës dhe sipër kraharorit, ku përplasej.

    Ajo kaloi duart nëpër shpatullat e tij, që t'i përshkonte flokët dhe ngriu e tëra nga frika vërshuese papritmas në zemër, kur ai i kapi duart, për t'i kyçur ato mbi kokën e saj.


    Blerimi e tërhoqi drejt dhomës së saj të gjumit, e shtyu drejt krevatit dhe menjëherë ia bllokoi trupin me të tijin, që Anila të mos lëvizte.

    - Shsh! Nuk do të të dhembë. - ishte reagimi i vetëm i tij ndaj klithmave të mbytura të Anilës dhe përgjërimit të saj me sytë e përlotur nga trauma, të cilën ai ishte duke ia shkaktuar, që Blerimi të ndalonte.


    Do e bënte të njëjtën gjë dhe Sidoreli?

    Ajo kishte rënë sërish pre e naivitetit të saj dhe do pësonte po atë fatkeqësi, si para gjashtë viteve?

    - Më fal! - ai i liroi menjëherë duart, sapo dalloi përgjërimin në sytë e përlotur të Anilës, që të ndalonte. - Më fal! - i përkëdheli flokët. - Nuk të bëj keq.

    Anila i vendosi duart në kraharor, që ta shtynte tutje, por trupi e njohu menjëherë kafshimin e ëmbël në qafë prej dhëmbëve të tij e më pas puthjen e butë, dhe u qetësua.

    Ishte Sidoreli. Ai kishte ndjenja dashurie për të. Nuk do ta lëndonte. Shpirti i saj i besonte atij.

    Ai u shtri në të djathtë me fytyrë nga ajo, i stepur paksa, që të mos e prekte dhe ta frikësonte më tepër.

    Anila qëndroi pa lëvizur me shikimin e zymtë drejt tavanit, ndërsa priste e zemëruar me veten, ngaqë i ishte dorëzuar të shkuarës dhe kishte shkatërruar gjithçka, që Sidoreli të largohej. Tani ai do bindej me patjetër, për të hequr dorë prej saj. Ato trauma nuk do ndaleshin, pa ia shkatërruar jetën Anilës dhe, nëse Sidoreli do vazhdonte lidhjen me të, edhe ai do përshkonte të njëjtën udhë në jetë.

    - Sidorel! - u kthye e penduar me fytyrë përballë tij. - Nuk kam asnjë justifikim.

    - Po pse të kesh? Ti nuk gabove askund. - u habit ai.

    - Nuk vazhdojmë dot kështu, - Anila vendosi pëllëmbën e majtë mbi krevat dhe ushtroi forcë edhe mbi bërrylin e djathtë, që të ngrihej, por Sidoreli nuk e lejoi.

    - Anila! - ai kombinoi ashpërsimin e tonit të zërit, me ngurtësimin e tipareve të fytyrës. - Nuk jam lidhur me ty, vetëm që të flemë bashkë, kur të dua unë dhe as nuk po bëj ndonjë mrekulli, që po tregohem mirëkuptues ndaj teje tani. E kam për detyrë.

    Fjalët e tij e ftilluan, që ajo ishte nxituar në të marrurit vendime aq të rëndësishme.

    - Unë e kuptoj se pse reagove në atë mënyrë dhe nuk mendova fare keq për ty; as nuk mendoj. - sqaroi ai. - Vetëm se sa e bukur dhe njeri i mirë je, këto janë mendimet e mia; aq thellë më ke hipnotizuar, domethënë, sa nuk më shkon ndërmend, për të kërkuar, që të dal nga kjo gjendje. - i kaloi dorën nëpër flokët e butë.

    Anila iu afrua më tepër me vështrimin e brishtë dhe Sidoreli e mori në përqafim, i nxitur nga dëshira, për ta mbrojtur nga çdo gjë negative. Modaliteti mbrojtës ndaj saj i shfaqej instinktivisht dhe ai veç donte ta mbante të sigurt në krahët e tij.

    Do t'i duhej të fliste me të dhe ajo t'i tregonte, se kush e kishte lënduar në të shkuarën, që edhe Anila të çlirohej nga ajo nyje në jetë. Mos ndoshta ai, që kishte vrarë Amarildon, i kishte bërë keq dhe asaj?

    Sidoreli nuk donte ta humbiste Anilën. Do priste për disa kohë, që ajo të qetësohej dhe më pas do ta pyeste.

    E puthi në ballë dhe u step tutje, që t'i shikonte fytyrën e ëmbël. Anila dukej më e qetë dhe e gëzuar.

    - Si ka mundësi kaq yll ti? - ai shoqëroi pyetjen retorike me një buzëqeshje të lehtë ngacmuese dhe Anila mbështeti duart në kraharorin e tij, e lumtur, që po kalonte momente të tilla me të.

    Komplimentin "yll" nuk e kishte honepsur asnjëherë, pasi, kur shumë të tjerë mendonin ndriçimin në kulm të tij, ajo mendonte procesin më pas, shuarjen dhe të harruarit nga të tjerët.

    Por Sidoreli e shikonte, sikur ajo të ishte vetëm dritë, e cila nuk do reshtte kurrë së ndriçuari dhe Anila i besoi, prandaj e pëlqeu shumë termin "yll".

    - Si thua, të shkojmë nesër te deti? - sugjeroi ai. - Vizitojmë jugun e Shqipërisë.

    - Do më pëlqente, - ra dakord ajo. - Ikim!

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @xhenisakadrija 🙂🥰

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top