61• Manipulues

•Disa ditë para prologut•


    Ndonjëherë, armiqtë, të cilët mundohen të na ulin, janë pikërisht motivimi i duhur, nëse dimë se si ta përdorim urrejtjen e tyre ndaj nesh, për të na ardhur në ndihmë, që të ngrihemi gjithnjë e më lart nga niveli i tyre.

    Anila vendosi nxitimthi vizatimin e portretit të vet nga Sidoreli mbi tastierën e hapur të laptopit dhe e mbylli atë, para se t'i jepte lejen Visarës, që sapo kishte trokitur në derën e dhomës së saj, për të hyrë brenda.

    Ajo i tregoi marshmallow-t, që kishte blerë për të dhe kokoshkat.

    - Priti! - Visara hodhi dy pakot drejt saj dhe Anila zgjati duart.

    - Faleminderit!

    - I ke parë zbukurimet, që kanë vënë për 1 marsin nëpër Tiranë?

    - Po, i vura re dje.

    - Sa të bukura! Më dhanë energji shumë të mirë. - buzëqeshi Visara. - Mezi e kam pritur pranverën këtë vit. Ke nevojë për gjë tjetër?

    - Jo, faleminderit! - Anila hapi fillimisht pakon e marshmallow-ve dhe laptopin gjithashtu, pasi Visara doli nga dhoma.

    Mori fletën e bardhë dhe shikoi çdo detaj të hedhur me laps mbi të; dorën e Sidorelit mbi supin e saj, fytyrën dhe flokët e vet të gjatë; vështrimin e ndaloi tek sytë e vizatuar fiks si forma, që kishte vërtet.

    Po e shikonte veten, sikur gruaja në fletë të ishte dikush tjetër por e njëjta esencë me të. Trishtimi nga dhimbja e shprehur i krijoi keqardhje dëshpëruese dhe empati për veten atë ditë, që paskësh ngjarë aq vetëm, e pambrojtur dhe në agoni nga vuajtja.

    Sikur të kishte mundur, t'i jepte një përqafim të fortë, ta kishte strehuar në kraharorin e saj, ta kishte puthur në ballë dhe thënë se ishte shumë e bukur, shumë e dashur, meritonte vetëm pozitivitet në jetë, që do e kalonte dhe atë sfidë, që në të ardhmen versioni i vetes, i cili kishte qenë duke pritur, të vinte në jetë, e mirëkuptonte situatën e saj, nuk i vinte aspak faj, që pse gjërat kishin shkuar në atë mënyrë në të kaluarën dhe tashmë kishte takuar njerëz, të cilët e donin vërtet dhe e vlerësonin tej mase praninë e saj në jetën e tyre.

    Ajo grua në vizatim kishte arritur të kishte qetësinë psikologjike, që kishte në ato çaste falë Sidorelit në të tashmen e saj. Midis alternativave, për t'u shëruar vetëm falë dashurisë për veten, ose asaj të dikujt tjetër, Anilës i ishte vënë në zbatim e dyta. Tatuisti i kishte sugjeruar me ndjenjat e tij dhe si i shprehte ato, një mënyrë se si ajo mund ta donte veten sërish dhe Anilës i kishte pëlqyer shumë.

    Në muzeun e kujtimeve midis tyre deri në ato momente iu kujtua termi "sirenë", që përdorte ai për të, pa shiun të vizatuar në xhamin e urbanit dhe ideja e titullit për veprën i shtoi entuziazmin brenda vetes, që menjëherë t'i tregonte Sidorelit, se çfarë kishte menduar.

    Gjeti emrin e tij te kontaktet në telefon dhe i ra ziles. Ai nuk vonoi, që të përgjigjej.

    - Alo?

    - Ke kohë, të flasësh? - e pyeti e qetë, për të mos i ngjallur shqetësim.

    - Po.

    - E gjeta titullin për vizatimin, - tha hareshëm në zë.

    - Ashtu? - ia ktheu me të njëjtën energji ai. - Çfarë mendove?

    - "Sirena në stuhi".

    - "Sirena në stuhi", - përsëri me të vogël Sidoreli. - Çfarë po bën kjo sirenë në stuhi? Mos po planifikon të manipulojë ndokënd?

    - Jo, - u përgjigj Anila e emocionuar nga thumbimi i tij flirtues. - Kjo sirenë është shumë e mirë.

    - Nuk të kuptova, çfarë the. Mund të ma përsërisësh në takimin e radhës?

    - Po, - ajo mbështeti kokën në kreun e krevatit dhe qeshi me zë. - Edhe ta argumentoj me prova, nëse dëshiron. - u bë pjesë e lojës së tij të flirtit dhe e përfytyroi ngërdheshjen e tij të lehtë nga e qeshura e butë, që dëgjoi nga ana tjetër e telefonit.

    - Meqë po këmbëngul... - shfajësoi veten Sidoreli. - Sot nga ora gjashtë do jem te studioja. Eja dhe vizatojmë bashkë!

    - Oh, shkëlqyeshëm! - ra dakord menjëherë ajo.

    - E kam fjalën për vizatime të vërteta, jo shkarravina.

    - Çfarë the? - ajo bëri sikur u revoltua nga sarkazma e tij dhe ai qeshi. - Në rregull, atëherë! Do të të mësoj unë ty sot, se ç'është vizatimi i vërtetë.

    Sidoreli qeshi më me zë.

    - Mezi po pres!

    - Ç'ke ti! Do ia vlejë shumë ajo pritje! Po e mbyll tani, mos të të shpërqendroj më tepër.

    - Sa mirë e di, që nuk përqendrohem dot, kur mendoj për ty, Anila!

    Ajo harkoi buzët nga mënyra e përkëdheljes së shkronjave të emrit prej zërit të tij.

    - Mirupafshim!

    - Shihemi! - e përshëndeti ai.

    Anila mbylli telefonin, hëngri një marshmallow dhe preku me dashuri në vështrim fytyrën e saj në fletë, e ndierë më optimiste, që jeta po i merrte vetëm rrjedhë të mirë edhe forcë, për të rimëkëmbur veten shumë më lart, se ç'kishte qenë.

    Nuk do ta lejonte ekzistencën e Blerimit dhe as krimin e Amarildos, që t'ia shkatërronin jetën. Do përmbushte qëllimin, për të bërë jetën e fundit dhe nuk do ndalej më para asgjëje.

    Hapi i parë iu formua menjëherë në mendje, se si të fillonte në realizimin e atij planit: të jetuarit vetëm. Të kishte hapësirën e vet në formën e një shtëpie. Gjetja e saj kishte pengesë vetëm çështjen e pasqyrave, të cilën nuk e dinte njeri tjetër, përveç Sidorelit dhe duhej t'i kërkonte ndihmë atij, për t'ia dalë mbanë.

••••
    Ai po kontrollonte për ndonjë shprehje interesante në internet, kur Anila hyri brenda në studio, pasi trokiti në derën prej xhami.

    - Profesionistja e vërtetë sapo erdhi, - krenaria në zërin e saj, e bëri Sidorelin të qeshte. - I rremi le të ngrihet në këmbë!

    Sidoreli mbështeti trupin pas karriges dhe e shikoi sfidueshëm Anilën.

    - Është në këmbë tashmë, - nënqeshi ai dhe e pa gojëhapur.

    - Si shumë keq të ka mësuar kjo puna e shefit te kompania ty! - vërejti ngacmuese Anila. - Dëshiron të dominosh kudo tani.

    Sidoreli u ngrit i qeshur në këmbë dhe shkoi, të mbyllte grilat.

    - Mos e vrit mendjen! - iu afrua më pas asaj. - Do të të lë edhe ty ndonjëherë në krye. - i shkeli syrin dhe Anila vendosi buzën e poshtme të harkuar nga e qeshura midis dhëmbëve të sipërm në qendër dhe atyre të poshtëm, prej flirtimit midis tyre.

    Vuri në pauzë të gjitha mendimet, kur ai e puthi dhe iu dorëzua e ndierë në siguri prekjeve të tij.

    - Ku dëshiron të ulesh? - Sidoreli e mbajti në përqafim, derisa rregulluan plotësisht frymëmarrjen.

    - Ku të më thoni ju, shef. - u tregua e bindur Anila.

    - Këtu, - ai i tregoi karrigen e tij. - Më pëlqen të të shoh në krye.

    - Aty nuk mundem, - ra në kundërshtim me veten ajo. - Më duket sikur vetëm të përket ty.

    - Nuk e kam problem, Anila, vërtet. - u përpoq ta bindte edhe me vështrim Sidoreli.

    - Ulu ti! Edhe mua më pëlqen shumë, kur të shoh në krye. - ngriu nga kuptimi që lexoi në sytë e tij. - Të tavolinës, - shtoi menjëherë dhe u pendua, pasi kështu kishte nxjerrë veten zbuluar, që kishte qenë duke menduar atë, që ai dyshonte se ajo kishte qenë duke menduar.

    - Në rregull, si të manipulosh ti, Anila.

    - Po që edhe ti manipulon, do e pranosh ndonjëherë?

    - Unë e di, që vetëm sirenat me sytë e bukur ngjyrë kafe manipulojnë. - tha i habitur ai. - Bëkemi gjë dhe ne njerëzit me sytë e jeshiltë?

    - Ti bën, - specifikoi ajo. - Ta vërtetoj?

    - Pa hë!

    - Për shembull, a ke dëshirë ti, që të më puthësh mua tani?

    - ... Po... - Sidoreli ishte i paqartë nga drejtimi, që po merrte biseda dhe u hutua i tëri, kur Anila e puthi.

    - Ja! Më manipulove me vështrim dhe t'u plotësua dëshira.

    Vërtetimi i saj i vuri buzën në gaz.

    - Nuk funksionon kështu, - qeshi më tepër ai. - Je shumë e lezetshme, - admiroi sytë e saj tërë dritë nga gëzimi dhe iu drejtua buzagaz karriges në krye të tavolinës së punës. Anila u ul në të majtë të tij.

    - Çfarë do vizatojmë? - pyeti e tensionuar ajo, se kur të gjente kohën e duhur, për t'i thënë për shtëpinë.

    - Profesionistja e vërtetë e vendos.

    Anila qeshi me përgjigjen e tij dhe shmangu vështrimin në ankth, se mos ai do e keqkuptonte kërkesën e saj.

    - Dëshiron të më thuash gjë? - u bë serioz në fytyrë Sidoreli.

    - Po, - u ndie nën presion Anila.

    - Çfarë të duash, - u tregua menjëherë i gatshëm ai.

    - Dua... dua të jetoj vetëm në një shtëpi me qira, por nuk shkoj ta shoh dot për shkak të pasqyrave, që mund të ketë.

    - Do, që të shkoj unë?

    - Mundesh?

    - A mundem? - ngriti vetullat i habitur nga pyetja e saj e pakuptimtë.

    - Jo, e di, që mundesh, por... përveç teje nuk e di njeri tjetër për pasqyrat dhe nuk dua të mendosh se, ngaqë më ke bërë një nder shumë të madh te kompania, unë po përfitoj dhe po e bëj të udhës, që të kërkoj ndere të tjera prej teje, sepse mendoj, që ti je i gatshëm gjithmonë, të më nënshtrohesh mua dhe të plotësosh çdo dëshirë timen. Nuk mendoj fare ashtu, Sidorel. - sqaroi e panikosur ajo, që po linte përshtypjen e një njeriu të ligë. - Vetëm se... - sa e vështirë ishte, të rrëfehej se nuk mund ta bënte diçka dhe t'u kërkonte ndihmë të tjerëve. Kishte qenë gjithmonë ajo ofruesja e ndihmës. - Do e vlerësoja shumë ndihmën tënde.

    - Ke për detyrë vetëm të më thuash se cilën shtëpi dëshiron, - caktoi kategorik dhe me vështrim të fortë Sidoreli. - Të tjerat i rregulloj unë. Do shoh, nëse ka pasqyra, që hiqen. Pastaj e filmoj ambientin dhe ta dërgoj video.

    - Faleminderit shumë, Sidorel! - tha me zë të brishtë e prekur ajo nga gjesti i tij.

    - Nuk kam asnjë fije dyshimi te fjalët e tua, - e siguroi ai. - E di, sa njeri i drejtë je.

    - Edhe ti je njeri shumë i mirë.

    Sidoreli nuk mundi të ndiente sikur e meritonte atë kompliment.

    - Më pas festojmë për shtëpinë tënde të re, - ndërroi temë ai. - Si thua?

    - OK, dalim ndonjë mbrëmje këtë javë. Je dakord?

    Sidoreli i dha reagimin e pritur nga ana e saj; habi, që Anila po sugjeronte, të dilnin natën.

    A ishte dakord? Më se! Për të mos u ndierë e pasigurt ajo, ai kishte sugjeruar gjithmonë kohën e ditës, por tani po kuptonte, që Anila kishte hedhur një hap më tepër drejt besimit ndaj tij. Kjo do të thoshte se kishte premisa, që, kur t'i tregonte për Amarildon, ajo të reagonte me mirëkuptim.

    - Po, - tha ai. - Do e zgjedhësh ti vendin, apo të ta bëj unë surprizë?

    - Më surprizo! - bashkoi duart estatike ajo dhe Sidoreli pranoi gëzimin, për t'i ngritur më tepër moralin nga gjendja e lumturisë së saj.

    Të nesërmen gjeti një shtëpi, që mendonte se do ishte e përshtatshme për të, me problemin e vetëm për Anilën, që ashensori ishte me pasqyrë, por ajo e anashkaloi, meqë shtëpia ndodhej në katin e parë dhe nuk do t'i duhej, ta përdorte fare ashensorin.

••••
    - Jo! - Visara largoi më tepër valixhen ngjyrë gri të mbyllur pas shpine. - Nuk pranoj.

    - Do ta kem shtëpinë vetëm dhjetë minuta larg. - Anila shtriu dorën përpara.

    - Me makinë. Në këmbë i bie më tepër. - u ankua Visara.

    - Po cili është problemi yt? Eja dhe rri nga unë ndonjëherë!

    - Ai Sidoreli! - Visara ia ktheu e indinjuar të motrës valixhen e rrobave. - Prej tij dëshiron, të jetosh vetëm, e di unë. Të takoheni bashkë natën.

    - Visarë! - Anila ashpërsoi vështrimin e turpëruar, nga ç'kishte nënkuptuar ajo dhe e qortuara u zgërdhi prej të skuqurës në fytyrën e saj. - Do ta marrësh keq ndonjë pesëshe prej meje këto ditë, - Anila i tregoi dorën e majtë me gishtat e shtrirë të distancuar nga njëri-tjetri.

    - Po ç'do bëj unë tani vetëm këtu? Nuk do më bëhet as të ngrihem nga krevati.

    Visara ishte në situatën, ku nuk e pëlqente fare të qenit e rritur. Sa mirë në të shkuarën, kur kishin qenë të tre në një shtëpi, Amarildo, Anila dhe ajo! Tani nuk mund të zgjohej, kur të donte, prej shkollës, të shikonte televizor, pa pasur asnjë shqetësim në mendje nga mësimet dhe të vështronte yjet, pa menduar se dikush i dashur për të nuk do mundej kurrë më, që t'i kundronte në paqe ata.

    Kishte diskutuar me Anilën për vrasësin e Amarildos, të cilin policia nuk kishte mundur akoma, ta identifikonte dhe që ndoshta donte t'u bënte keq edhe atyre.

    E motra i kishte thënë me vështrimin e shmangur dhe zërin e athët, që për disa kohë nuk do dilnin nga shtëpia në Elbasan, veç në rast urgjence, ajo kohë kishte zgjatur tre vjet dhe do kishte vazhduar, nëse Visara nuk do kishte ndierë asfiksim nga ambienti i njëjtë prej kohësh, kishte bërë histeriken dhe justifikuar, që mbase krimineli do kishte vdekur me kohë, apo nuk kishte fare punë me to dhe ata po e izolonin veten më kot.

    Anila kishte pranuar, që Visara të vazhdonte shkollën e lënë përgjysmë, vetë kishte hequr dorë nga masteri dhe kishte filluar të dilte veç për shkak të punës edhe Visarës. E kishte shoqëruar çdo mëngjes në shkollë dhe pritur, kur kishte dalë nga mësimi.

    Pse ua kishin vrarë vëllanë? Kishte bërë gjë të gabuar Amarildo, apo kishin qenë koha dhe vendi i gabuar për të? Dy-tri herë, që e kishte hedhur si temë me familjen, Anila ishte helmuar në fytyrë, sytë i ishin pushtuar nga urrejtja dhe nuk kishte folur fare për të.

    Që ajo dinte diçka më tepër, nuk kishte dyshime, por se çfarë, Anila nuk tregonte dhe Visara nuk ia thoshte dot hipotezat e saj. Mos i kishte bërë keq ndonjë vajze ai? Mos... mos vallë i kishte bërë keq Anilës? Nuk ishte e sigurt, se do zbulonte të vërtetën, nëse do ta pyeste dhe nuk donte t'i kujtonte motrës ndonjë ngjarje të keqe, që i kishte ndodhur, por ajo nuk tregonte dhe për pasojë edhe ta mërziste.

    - Më fal! - Visara iu afrua e penduar për kapriçot e bëra pak më parë.

    Nëse të jetuarit vetëm, do ta gëzonte Anilën më në fund, Visara duhej ta mbështeste. Lidhja me Sidorelit po i bënte shumë mirë të motrës dhe ishte e lumtur, që ajo po dilte nga depresioni. Ndoshta e kishte më të lehtë, t'i shprehej Sidorelit, sesa asaj dhe Visara e mbështeste, për çfarëdo të vendoste.

    - E marr unë valixhen deri te makina.

    Anila u përpoq të kuptonte se çne ai ndryshim i papritur në sjelljen e saj, por nuk ia doli.

    - OK, - hoqi dorë, ta vriste mendjen më tepër.

    Visara hapi derën dhe doli në korridor.

    - Mama! Po ikën Ania.

    Të dy prindërit e tyre dolën nga kuzhina.

    - Po shkon edhe ti? - e pyeti Etleva.

    - Po e ndihmoj me valixhen, por nëse do Anila... - Visara shikoi nga e motra për konfirmim.

    - S'është nevoja, - Anila iu afrua të ëmës, për ta përqafuar.

    - Më shkruaj, kur të mbërrish. - e ëma e shtrëngoi fort e përmallur, që nuk do ta kishte më në shtëpi, për ta zgjuar dhe me dëshirën, që të mos e linte, të largohej.

    E kuptonte, që e bija kishte nevojë të ndërtonte jetën e saj prej të rriture dhe për këtë i duhej të fillonte vetëm, por përpara se të shikonte një grua shumë të bukur tek Anila, përballë kishte gjithmonë fëmijën e saj të dytë, shtatzania me të cilën kishte qenë shumë e lehtë dhe lindja e saj gjithashtu, vajzën e sjellshme, energjike dhe të bindur ndaj rregullave, që i thuheshin, për t'i zbatuar edhe donte ta kishte gjithmonë pranë vetes, që të sigurohej me sytë e saj, se ajo ishte vërtet mirë.

    - Në rregull.

    Anila vetëm i dha dorën e nervozuar të atit, të cilit ajo i kishte ngjarë nga pamja fizike, se mos ai do e kuptonte arsyen se pse rrinte kaq e distancuar prej tij dhe Xhelili i shprehu mirëkuptim në sytë e vet neutral ngjyrë kafe në lidhje me largimin e saj.

    S'mund të bënte gjë tjetër për të bijën, veçse ta linte të shkonte. Distanca do ua bënte mbijetesën më pak të dhimbshme të katërve.

••••
    Visara rregulloi valixhen në bagazh dhe u kthye nga e motra.

    - Për çdo problem, që të kesh, do më shkruash. - porositi Anila, akoma me fije mëdyshjeje se ndoshta po bënte gabim, që po shpërngulej, ama e ndiente të nevojshme, për të rindërtuar jetën e vet personale, duke filluar me të pasurit një shtëpi më vete. E kishte marrë malli për atë lloj jetese dhe nuk donte ta humbiste si mundësi, sa e kishte ndarë mendjen, që ishte gati për hedhjen e atij hapi.

    - Po, - Visara e përqafoi fort.

    Anila i ishte bërë rutinë ato gjashtë vite. Sa herë që zgjohej, shkonte tek ajo me pretekstin, që të kontrollonte, në ishte mirë, i kërkonte të gatuanin bashkë, bënin punët e shtëpisë, ajo studionte, ndërsa Anila punonte dhe shikonin filma së bashku, kjo e fundit rrallë e për mall.

    Në ato momente, ndërsa e ndiqte me shikim makinën e zezë të Anilës, duke dalë nga parkingu, Visara po kuptonte e ndierë e dobët, për të ndryshuar rrjedhë, që duhej të mësohej me mungesën e asaj rutine, pasi ajo nuk do të kthehej më.

    Kishte ndjesinë e pakundërshtueshme, sikur Anila ishte larguar përgjithnjë nga shtëpia dhe Visara nuk do mund ta zgjonte më herët mëngjeseve, veç për ta vënë në lojë, duke i kërkuar, që të ngrihej nga gjumi dhe t'i gjente kapësen e bardhë të flokëve, që ajo kishte humbur, të shihte reagimin e saj të konfuzuar, sikur dikush ta kishte transportuar gjatë kohës, që kishte qenë në gjumë në një tjetër kohë me po ata personazhe në jetën e saj dhe të shkrihej së qeshuri, ndërsa dilte nga dhoma pas urdhrit "Dil jashtë!" gjithë nerva të Anilës.

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @ArlindaTahiri 🤗🤗🥰❤

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top