60• Dorezë Hekuri
Leonora mbeti si statujë në shkallët e hyrjes së sallonit, me të njohur vështrimin gjykues të syve të mprehtë të Anilës edhe ndaj faktit, që ajo ishte duke marrë frymë dhe eci drejt saj.
I qëndroi përballë me distancë të vogël midis tyre dhe kërkoi t'i prekte shpirtin me vështrim dashamirës, por Anila ia qepi shikimin e ngurtë, si të mos kishte shpirt fare.
Leonora uli kokën e mundur. Anila puliti sytë e lodhur nga forca e treguar pak më parë dhe e vështroi butësisht.
- S'pata guxim, të vija më përpara. - rrezikoi t'i shprehte dobësinë e ndierë dhe Leonora e shikoi mirëkuptuese.
- Faleminderit shumë, që erdhe! - sytë mirënjohës i shkëlqyen nga shtresa e cekët e lotëve.
- Ulemi diku dhe flasim?
Leonora pohoi me kokë dhe të dyja vazhduan rrugën përkrah njëra-tjetrës, akoma të ndierë si të huaja në realitetin, që po jetonin, sikur dikush t'i kishte futur me pahir brenda asaj skene historie dhe jo që kishin rënë dakord vetë pak më parë, për të biseduar.
Anila i priu drejt hyrjes së një lokali, me mure të gjelbra pishe, dysheme parket ngjyrë lajthie dhe tapete poshtë çdo tavoline katrore të verdhë, anash të cilave ishin vendosur divanë ngjyrë kafe çaji dhe tavoline rrethore gjithashtu me nuancë gështenje të çelët, edhe me karrige blu marine përreth tyre.
Sikur ta kishin bërë me fjalë, që do u duhej privatësi, për të qarë, vendosën të uleshin në një tavolinë rrethore të distancuar nga të tjerat dhe të fshehur në fund të lokalit nga një mur ndarës në rreshtin e drejtë të tavolinave pas tij.
Pritën, që kamarierja të merrte porosinë, para se njëra prej tyre të hapte bisedën. Leonora po shikonte tutje me zemrën buçitëse në kraharorin e brishtë, për ta mbajtur më gjatë luftëtaren nën mbërthim, ndërsa Anila kishte fiksuar sytë e zbrazët mbi telefonin e bardhë të Leonorës me kasë të verdhë floriri.
Ajo kuptoi shikimin e fikur të Anilës, që dikur e kishte pasur vetë dhe herë pas here vazhdonte ta kishte, kur nuk ishte me familjen edhe vizitohej nga e shkuara, dhe sytë iu nxehën në të qarë nga gjendja e saj. Donte ta përqafonte dhe ta ndihmonte, si t'i kërkonte ajo.
Kamarierja la faturën bashkë me pijet mbi tavolinë dhe u largua.
Asnjëra nga të dyja nuk foli akoma.
Anila mori filxhanin me duart, që i dridheshin, për të provuar çajin e porositur. Pse po shmangej? Më në fund ishte përballë saj. Të fliste dhe të mbaronte çdo gjë.
- Si e zbulove? - nuk mundi ta shikonte në sy, kur e pyeti, nga frika se do dorëzohej, do t'i thoshte, që nuk e shikonte dot, pa menduar për Blerimin dhe atë natë, edhe t'i zhdukej nga pamja.
- Një grua erdhi dhe më tregoi, kur po jetoja me Blerimin në Amerikë. Ai pastaj rrëfeu gjithçka; që të kishte përdorur, për të marrë hak për motrën e tij, që kishte fshirë filmimet tuaja dhe kishte vrarë vëllanë tënd.
Anila vazhdoi të mbante sytë mbi filxhanin e vendosur me kujdes në pjatën e tij.
Pra, ishte e vërtetë. Blerimi ia kishte kthyer Amarildos me të njëjtën monedhë në kuptimin e fjalës krimin e bërë nga vëllai i saj. Lufta kishte mbaruar atë natë për ata të dy dhe sapo kishte filluar për të.
- Kam folur edhe me Denada Gjozefin, - vazhdoi Leonora. - Ka qenë kushërira e Blerimit dhe Xhulianës, edhe njëkohësisht shoqja e ngushtë e saj.
Anila solli menjëherë në mendje fytyrën e Denadës, kur e kishte takuar gjashtë vite më parë në një lokal me Blerimin dhe Albion Hubën. Ajo e kishte ditur, që kishte qenë në rrezik dhe kishte heshtur.
- Më ka treguar se Xhuliana kishte jetuar disa muaj pas krimit të Amarildos ndaj saj dhe më pas... - Leonora mbuloi fytyrën me duar dhe Anila shtrëngoi dhëmbët, që të mos qante gjithashtu.
S'duhej të kishte përfunduar në atë mënyrë jeta e saj. Xhuliana duhej të ishte në mesin e tyre, për t'iu treguar se si ia kishte dalë mbanë, t'i motivonte dhe t'u jepte forcë, që të linin të kaluarën pas dhe lejonin veten, të shijonin të tashmen.
- Kishte hequr dorë nga jeta në shtëpinë e Denadës, - foli me zë të dridhur Leonora dhe vendosi duart mbi tavolinë. - Xhuliana kishte pritur, që Denada të shkonte në punë. Ajo e kishte gjetur vonë të vdekur në dhomën e gjumit. Ende qan prej atij kujtimi. E ka dashur si motrën e vet. Humbi po aq sa Blerimi. Prej frikës, se mos Amarildo do t'i bënte keq familjes së saj, nëse do t'i tregonte njeriu, nuk të tha dot gjë ty as atë ditë, kur kishit rastisur në të njëjtin lokal gjashtë vite më parë. Blerimi kishte qenë me Albion Hubën, kur ajo i kishte takuar rastësisht dhe përshëndetur. Albioni e njihte Denadën, ngaqë vëllai i tij, Agustini, ka qenë në një në klasë bashkë me të, por kishte pasur kohë, pa e takuar. Denada nuk e kishte ditur, që ai e njihte Blerimin.
Leonora fliste me shikim të devijuar dhe Anila mbante vesh në po atë mënyrë, duke kujtuar bisedën e dëgjuar midis atyre të treve.
- Denada u mundua të të mbante larg Blerimit dhe akoma ha veten me dhëmbë çdo ditë nga urrejtja për mënyrën e zgjedhur. Ai e kishte zbuluar gjithsesi dhe fshehurazi saj, kishte vendosur të merrte hak në mënyrën e tij. Blerimi më ka thënë, që ishte penduar më pas.
Anila ngriti vështrimin e rrufeshëm mbi të.
- I besove?
Pyetja prerëse e saj si tehu i shpatës, e drithëroi Leonorën nga frika, se, dhe po të thoshte "jo", Anila do ta shpallte fajtore dhe do ta urrente, ndjesi, që atë do e bënte, të ndiente, sikur do t'i mbetej peng në jetë, nëse nuk e fitonte respektin e saj.
- Nuk i peshova fare fjalët e tij, as për t'i kaluar nëpër mendje. I dëgjova dhe i shpërfilla. Sapo e mora vesh për ty, kërkova menjëherë divorcin. - tha Leonora.
- Si e kishte emrin ajo gruaja?
- Nuk e di. Isha tepër e shokuar dhe nuk u interesova fort për të. As Blerimin nuk e pyeta. Doja vetëm, të ikja prej tij. S'besoj se do më kishte thënë të vërtetën, po ta kisha pyetur.
Anila shoqëroi heshtjen me të stresuarit. Kush kishte qenë ajo vajzë? Nga e kishte marrë vesh? Përbënte kërcënim për të, apo nuk jetonte më?
- Nuk e dija për ju të dy! - u betua Leonora dhe me shkundje të kokës. - Po ta kisha ditur më përpara, kurrë, kurrë nuk do ta kisha zgjedhur atë mbi ty.
Anila përpiloi në heshtje vështrimin e saj të sinqertë dhe zemra i besoi. Ç'ironi! Gruaja përballë, që nuk e njihte fare, po i thoshte se do kishte zgjedhur atë mbi dashurinë e jetës së saj, ndërsa Blerimi, që e kishte pasur rastin, ta njihte, ia kishte hequr vizën, sikur të mos e kishte takuar kurrë. Një i huaj po i dilte, në vend të dikujt tjetër, që e kishte pasur për detyrë, ta kishte bërë një veprim të tillë.
- Më fal! - kërkoi ndjesë paraprakisht Leonora. - Mendoj ndonjëherë, sikur ai nuk e ka bërë atë krim, kujtoj momentet tona dhe ndiej se akoma kam një fije dashurie të mbetur nga e shkuara. Por do ta këpus edhe atë. - premtoi me sytë e përlotur. - Kjo është e duhura.
- Pata faj edhe unë, - pranoi Anila. - Nuk e pyeta kurrë Blerimin, nëse kishte ndonjë problem, apo jo. Sillesha si fëmijë naiv vere. Kam besuar gjithmonë se problemet zgjidhen me pozitivitet, ama jo çdo herë zgjidhen gjërat me shpërfillje të nxitur nga mendësia se, vetëm të qenit optimistë, mjafton. Duhej të isha realiste, ta pranoja se kishte diçka, që nuk shkonte dhe të përballesha me çdo të vërtetë. Paska pasur tërë atë vuajtje në shpirt! Do kisha shpëtuar atë dhe veten. Do ia kisha ditur më për nder, nëse vetëm do më kishte vrarë.
- Mos thuaj kështu! - Leonora iu përgjërua edhe me vështrim, për të hequr dorë nga mendime të tilla. - Po familja jote?
- Prej saj jam gjallë, në fakt. - nënqeshi Anila. - Ndryshe do i kisha dhënë fund me kohë çdo gjëje.
- Anila, ti ia pate dhënë Blerimit arsyet, për të hequr dorë nga rruga e gabuar, që kishte zgjedhur, por ai nuk pranoi dhe pagoi pasojat. Duhej të ishte treguar ai vetë më tepër realist si më i rrituri, që ishte dhe në dijeni, që kishte humbur më shumë. Ose... mbase nuk duhej ta thoja këtë pjesën e dytë të fjalisë. Nuk e di se çfarë jete ke bëre ti. - u pendua Leonora.
- Ishe saktë, - konfirmoi me nostalgji të dëshpëruar Anila, që ajo kohë, kur kishte qenë e bindur se kishte pasur çdo gjë, që kishte dashur dhe kishte qenë plotësisht e lumtur, nuk do përsëritej kurrë më.
- Mund edhe të të kishte dashur dhe do kishit qenë të lumtur, - shtoi Leonora.
Po të kishte ndodhur ashtu, ajo nuk do ishte takuar asnjëherë me Blerimin dhe ndoshta do kishte mbetur për tërë jetën e burgosur nga Albioni; ose do kishte pranuar ndihmën e Granitit dhe do kishte shpëtuar. Sa ndryshe do kishin vijuar historitë e tyre!
- Jo, do isha ndarë. - tha e sigurt Anila. - Nuk do kisha ndenjur as edhe një sekondë më tepër me të, duke e ditur se çfarë i kishte ndodhur Xhulianës për faj të Ildos. Nuk mund të kisha rrezikuar veten, duke menduar se kur do t'i tekej Blerimit, të merrte hak dhe as motrën time të vogël, Visarën. Ja që isha aq e ligë dhe rrezikova të dyja. E kap kriza ndonjëherë njeriun, kur nuk e di se ç'është humbja dhe i duhet ta mësojë në mënyrën më të dhimbshme të mundshme. - i bëri moral me ton të pamëshirshëm hidhësie zëri vetes.
- Nuk kishte humbur vetëm Blerimi, Anila, por edhe ti. Humbe të vëllanë shumë më përpara se ai të ndahej nga jeta. E humbe, kur i bëri keq Xhulianës. - Leonora nuk e përdorte dot fjalën "përdhunim", sepse e dinte, që do shkrehej në të qara, kur të kujtonte dhe të kaluarën e saj me Albionin, edhe do t'i ngulitej më tepër në mendje.
Ndjeshmëria e kishte bërë gjithmonë të dukej njeri delikat dhe i butë. Empatizmi e bënte, të ndiente shumë thellë historitë e dëgjuara dhe lexuara, edhe ngjarjet, që i ndodhnin vetë asaj.
- Blerimi duhej ta kishte menduar se dhe ti ishe po aq viktimë sa ai dhe motra e tij, edhe duhej të kishte vënë drejtësi edhe për ty, jo të të vriste në atë mënyrë.
Anila miratoi e pikëlluar fjalët e saj të revoltuara. Mirëkuptimi dhe përkrahja e Leonorës po i jepnin rehati, për të mos u ndierë plotësisht në faj, që gjërat kishin shkuar aq keq dhe që edhe Blerimi kishte qenë përgjegjës gjithashtu. Ai kishte pasur fjalën e fundit, meqë kishte ditur më tepër dhe kishte dështuar në vendimin e marrë.
- Ka mbaruar, - tha Leonora. - Jo sikur deshëm ne, por nuk kemi zgjidhje tjetër, veçse të pranojmë fundin e atij kapitulli dhe të fokusohemi në të tashmen. Kemi familjarë, që e meritojnë, të na shohin të lumtur. - një fije gëzimi iu soll përreth zemrës, kur kujtoi Granitin, të atin dhe Zanën. - Ke njerëz ti?
Anila pohoi e heshtur.
- Prindërit, motrën edhe... po dal me dikë. - mërmëriti në dilemë, nëse do ishte më mirë, që të mos e diskutonte atë aspekt të jetës me të.
- Anilë! - Leonorës i qeshën sytë e tharë prej lotëve nga lumturia. - Gëzohem jashtëzakonisht shumë! - i tha fjalët nga zemra. - Uroj me gjithë shpirt, të jeni vetëm të lumtur!
- Faleminderit! - Anila nuk po e ndiente më peshën e të kaluarës mbi shpinë. Kishte mbetur vetëm ndjesia e lënë prej mungesës së saj dhe buzëqeshja zuri vendin, që i takonte në buzët e mbyllura. - Ngrihemi?
- Po, - Leonora hapi çantën, për të nxjerrë portofolin.
- Çfarë po bën? - Anila shtriu dorën përpara, që ta ndalonte.
Rrudhja e vetullave dhe shikimi i rreptë i saj e nervozuan Leonorën, kur e kuptoi se për çfarë bëhej fjalë.
- Mendova... e di? Meqë...
- Jo, - Anila nxori paratë nga çanta dhe thirri kamarierin. - E vlerësoj shumë, por më takon mua.
Leonora heshti, për të mos krijuar debat midis tyre dhe të dyja dolën nga lokali.
- Nga do shkosh? - e pyeti Anila.
- Këtej, - Leonora bëri shenjë në të majtë të saj.
- Ah, unë jam në anën e kundërt!
U vendosën përballë njëra-tjetrës dhe fillimisht shkëmbyen vështrime ndarjeje.
- Pres lajm prej teje, që të është shtuar në listë edhe një person jo i gjakut, që e meriton të të shohë të lumtur. - Anila nënkuptoi, që dhe Leonora të lejonte dikë në jetën e saj romantike, nëse do i vinte mundësia.
- Jo, më duket se kam mbaruar punë nga ky aspekt. - buzëqeshi ajo, për t'iu dukur përgjigjia humoristike, por trishtimi i drejtoi buzët dhe i pushtoi sytë.
- Nora, çfarë folëm ne pak më parë? Si të përgatisim turshi, apo të ecim përpara, pa e kthyer kokën pas?
- Si të përgati... - shkundi kokën. -Si të ecim përpara, pa e khyer kokën pas. - u përgjigj e nervozuar ajo si fëmija para prindit të rreptë.
- Fiks. Ky është plani dhe nuk ka ndryshime. Po ndryshove gjë ti, atëherë do ndryshoj edhe unë.
- Jo! - protestoi me zë të brishtë dhe sytë e lotuar Leonora, edhe një furtunë kaosi ndjenjat të pashpjegueshme i vërshoi në të gjithë qelizat, kur Anila shtriu krahët drejt saj, për ta përqafuar.
Pranoi shtrëngimin e ngrohtë të saj dhe aromën e mirë të parfumit, që ajo kishte hedhur, duke i vendosur duart pas shpine dhe marrë frymë thellë. Sa me fat ishte motra e saj, Visara, që e kishte të familjes! Ta kishte pasur ajo, apo të kishte qenë vetë njeri me karakter të tillë, do kishte arritur në nivele më të larta shumë më herët në jetë.
Anila e kuptoi mundimin e ssj, për të mos dihatur me zë, kur i ndieu dridhjet e pakta të trupit dhe vetë u ndie në rrezik dobësimi, për të qarë e penduar, se pse nuk e kishte lënë Blerimin të lirë, kur Brunilda ia kishte nënkuptuar kryerjen e atij veprimi, që ajo të shpëtonte, por ishte treguar egoiste, duke menduar vetëm për lumturinë e saj, në vend të edhe të vajzës, që mund të kishte qenë duke pritur Blerimin ndërkohë.
T'i kërkonte falje Leonorës, i dukej e pamjaftueshme. Kishte dhënë kontribut, për t'i kthyer të gjithë jetën përmbys me egoizmin e saj, e, megjithatë, Leonora nuk e shikonte aspak si fajtore dhe madje ishte ajo, që i kërkonte falje, sikur gjithçka kishte ndodhur vetëm për fajin e vet.
Hoqi duart nga shpina e Leonorës dhe i rregulloi gërshetat pas shpine.
- Kush e di tjetër, përveç Denadës, historinë tonë? - e pyeti Anila.
- Askush, - Leonora nuk ia thoshte dot emrin e të vëllait, për të mos e trishtuar më tepër dhe frikësuar Anilën, që ai mund ta përdorte për qëllime të liga atë pjesë historie të sajën, që dinte.
Për Granitin kishte siguri të plotë, që nuk do t'i thoshte njeriu dhe as do t'i shpëtonte ndonjë fjalë në gjendje të dehur, pasi ai nuk e konsumonte fare as alkoolin, as substancat narkotike. Kur dilte me miqtë, vetëm blinte pije alkoolike, sa për të qenë në rresht me ta në dukje, ama nuk pinte.
- Secili pagoi për gabimet e veta dhe të të tjerëve. Nuk mund të kthejmë asnjë sekondë kohe pas, nga ajo që ka ndodhur. - përmblodhi e rraskapitur Anila, për t'i bërë më tepër gjyq të kaluarës. - Na ka mbetur edhe një detyrim, që do e kemi për tërë jetën: të mos i përsërisim më.
- E drejtë, - e mbështeti Leonora e motivuar, për ta përmbushur atë detyrë. - Ndonjëherë, nuk dënohemi, ngaqë kemi gabuar, por sepse nuk e falim dot veten për gabimet, që bëmë.
Anila tundi kokën në pohim, i buzëqeshi përshëndetëse, iu ktheu shpinën, që të largohej nga ajo dhe e shkuara gjithashtu, këtë herë duke ia dhënë vërtet duart asaj.
Leonora pa edhe bravën e fundit të derës së burgut, ku kishte qenë deri në takimin me Anilën, të prishej dhe u kthye e lirë në shtëpinë e vet, në Tiranë.
Padrejtësisht, apo ngaqë e kanë merituar, shumë njerëz thërrmohen në rrënoja dhe historitë u përfshihen nga pluhuri prej atyre rrënojave. Disa mbeten të harruar si të tillë, të tjerë rimëkëmben shumë më të fortë se më parë.
••••
Ajo kuptoi nga prania e atleteve ngjyrë gri të hapur të Granitit, në të majtë të takave të saj blu mesnate, që i vëllai ndodhej në shtëpi dhe hoqi atletet e veta me shpejtësi, për ta takuar. E kishin lënë, të shkonin së bashku në Pukë, për të festuar Vitin e Ri me Ardianin dhe Zanën.
- Granit!
Nuk mori asnjë përgjigje.
Në dhomën e ndenjjes me mure të bardha ashtu si dhomat e tjera, divanët ngjyrë kafe të lehtë pudër, disa piktura kotelesh pas tyre, një tavolinë rrethore ngjyrë gështenje në qendër dhe televizori i ngulitur në mur sipër një rafti të shkurtër dhe të gjatë mogani, ai nuk ndodhej e as në kuzhinën me materiale ngjyrë lajthie të çelët.
Asaj i mbeti të shikonte në dhomën e gjumit. Eci me hapa të ngadalë mbi laminatin kafe me tonalitet të errët dhe me po atë kujdes hapi derën e bardhë.
Ai po flinte në të djathtë të krevatit me fytyrën nga dritarja në jug, jorganin deri mbi stomak, krahët e përthyer dhe dorën e djathtë të fshehur poshtë jastëkut me këllëf sateni ngjyrë shampanje të bardhë.
Pse i kishte toleruar gabimet e Granitit, babait të tyre dhe Zanës ndaj saj, kurse Albionin dhe Blerimin jo, edhe atyre nuk u ishte dhënë mundësi e dytë, për të pasur një jetë të re?
Përgjigjja iu formulua Leonorës në mendje, akoma pa u përfunduar ajo pyetje. Albioni dhe Blerimi e kishin ditur që në fillim, se po gabonin. U ishin mësuar rregullat e të jetuarit si duhej për veten dhe të tjerët, ama i kishin neglizhuar me vetëdije të plotë ato rregulla dhe prandaj e kishin pësuar përfundimisht, kurse familjarëve të saj nuk ua kishte mësuar njeri dashurinë dhe ata kishin marrë vendime të gabuara, të nxitur nga gjendja e amullt e të jetuarit. Sapo kishin dalë nga ajo gjendje manipuluese, që kishte qenë duke i mbajtur skllevër të saj, ishin përpjekur, për t'i rregulluar gabimet e kryera.
Leonora iu afrua pa zhurmë fundit të krevatit, shikoi një kukull 'pikachu' të mbushur, që ajo e kishte blerë, për të luajtur me të, kur të ishte duke parë televizor, të lënë me siguri nga Graniti mbi komodinë dhe i erdhi për të qeshur nga plani i sapoformuluar në mendje.
Nxori telefonin nga xhepi i xhinseve, e mori kukullën ngadalë nga komodina, iu afrua Granitit pas shpine dhe mezi e mbajti të qeshurën, kur e vendosi kukullën me tepër kujdes, si të ishte një granatë, në krahët e tij, për të mos e zgjuar atë.
Kaloi nga ana tjetër e krevatit dhe shkoi te aplikacioni Kamera në telefon, për ta fotografuar.
Ai u zgjua dhe e kuptoi fill, me të parë telefonin në duart e saj edhe kukullën mbi krahun e tij, se çfarë qëllimi kishte Leonora.
- Mos e ban provë! - urdhëroi, tek mbyllte sytë dhe ajo shkrepi disa foto.
- E bana provë dhe doli super! - thirri e gëzuar edhe u ul përkrah tij. - A ke dal mir?
Graniti hapi sytë dhe shikoi veten në foto.
- Tre miliardë dollarë, ose kjo foto përfundon n'internet. - shantazhoi Leonora.
- Ose unë jam t'i bá "delete". - ai i mori telefonin nga dora.
- Jo, jo! - ajo u zgjat mbi brinjët e tij, për t'i arritur telefonin në dorën e shtrirë. - O Granit, se nuk kam foto tjetër, me t'kërcënue! - justifikoi në pikë të hallit e motra.
- Ah, mirë! S'po e fshi pra. - vendosi ironikisht ai dhe i ktheu telefonin.
Leonora u ul përsëri te kreu i krevatit në të majtë me shikimin e të vëllait mbi të.
Kishte vrarë njerëz për atë grua. Vite më parë as që do i kishte shkuar në mendje, për të rrezikuar humbjen e lirisë për shkak të saj. Tani ishte i gatshëm të pranonte çdo lloj torture, nëse kjo do të thoshte, që ajo do ishte gjithmonë e lumtur. Graniti ndiente forcën, për të rrënuar pa aspak mëshirë, çdokënd që do guxonte t'i prekte qoftë edhe një fije të brishtë floku Leonorës, për ta lënduar.
Mbajti vështrimin mbi fytyrën e qeshur të saj, kujtoi versionin e viteve më parë të së motrës, kur kjo e fundit jetonte në botën e kufizuar brenda disa kornizave me gjemba, ku ai kishte ndihmuar shoqërinë, që ta burgosnin, rrëzimet, që ajo kishte përjetuar, ngaqë ai, si vëllai i madh nuk e kishte mësuar si duhej, se si t'i shmangte, por i kishte kthyer shpinën dhe, kur e kishte parë, ajo kishte qenë tejet e plagosur edhe mori frymë i çliruar, që pothuajse gjithçka kishte mbetur në të shkuarën. Ajo ishte shëndoshë e mirë pranë familjes, ai ishte mirë, sepse motra e vogël ndihej ashtu dhe do ishte gjithmonë aty për të në çdo rrethanë. Leonora nuk do ishte më pa njeri.
Vetëm Anila Idrizaj e vendoste pak në parehati, kur çonte nëpër mend, se mund të takohej me Leonorën dhe t'i bënte keq prej urrejtjes ndaj Blerimit, por nuk besonte se ajo do rrezikonte, për të pësuar të njëjtën fatkeqësi. Nëse do kishte kërkuar për Leonorën, siç ai kishte kërkuar për Anilën dhe ajo kishte zbuluar ekzistencën e tij, do ishte stepur nga frika prej tij dhe Leonora ishte e sigurt.
- Norë, a e ke taku najherë ti kët Anila Idrizajn?
- Po, u takum sot. - ajo foli, pa i larguar sytë nga ekrani i telefonit.
- Kur? - Graniti u gjysmëgrit i merakosur.
- E hása n'rrugë, kur qeshë t'u ardh te shpia. - po t'i tregonte se Anila e kishte pritur para vendit të punës, ai do dyshonte se ajo donte t'i bënte keq dhe mund të ngatërrohej me të.
Leonora nuk donte të trazonte më tepër asnjërin.
- Ça tha?
- Pyti se si e mora vesh për të dhe Blerimin, edhe i tregova. U sqarum edhe secila n'punë t'vet.
Graniti largoi jorganin me dorën e djathtë dhe Leonora çapëleu sytë, kur pa fashot përreth kyçeve të tij.
- Granit! - ajo nuk mundi ta mbante zërin të shtruar. - Ça ndodhi? Me kë u zure?
- Asnji fjalë mam's e bab's. Ngjove? - u ngrit nga krevati ai.
- A s'pate dorezë boksi?
- Qe punë për shpejt.
- Ti ndoshta nuk e di me saktësi, ama kushedi sa sherret i ka bërë ai njeri për ty.
Zëri i Blerimit i jehoi mbi kujtimet e tjera me të në bisedën, që kishin bërë rreth Granitit, para se të niseshin për në Amerikë katër vite më parë.
- Po m'i çakordon nervat komplet, - ajo e humbi dhe atë pak durim, që i kishte mbetur. - Kur m'ke ndihmu ti mue?
Graniti ndenji në heshtje.
Pse? Ngaqë kishte kujtuar të gjitha herët, kur kishte rrezikuar jetën për të, prandaj nuk kishte thënë gjë, kur ishte pyetur prej Leonorës tri vite më parë, se kur e kishte ndihmuar ai? Dhe këtë herë për të ishte konfliktuar me njeri? Por ajo nuk ishte zënë me askënd.
- M'shkrujti Denada pak ma t'para. Tha se t'kanë ftu shoqet e pun's me dal, me pi diçka edhe ti nuk ke pranue.
- Ëh! - u ankua Leonora, ndërsa ngrihej më këmbë gjithashtu. - Unë thashë se nuk e pat për seriozisht, kur m'tha se ka me t'shkrujt ty, për me m'bind.
- Po pse nuk del?
- Thonë me dal n'11 t'nat's!
- Po n'party at'here shkohet. Nuk je t'u shku te shkolla.
Shfryrja e saj dhe tensionimi në fytyrë i dhanë dyshimin Granitit, se ajo kishte frikë.
- Norë, a ke bá fjalë me njeri? - iu afrua ai.
- Jo, - ajo u përgjigj menjëherë. - Thjesht nuk kam qejf vetë.
- A thu je t'u m'gënjy? - bluja e syve po i bëhej gjithnjë dhe më e errët atij. - Mos t'marr vesh t'kundërtën prej dikujt tjetër, se mjerë të dy ju, mrapa! - ai shkundi kokën kërcënues. - Ai se asht marrë me ty, edhe ti prej inatit, se nuk m'tregove, kur t'pyta.
- Faleminers për gatishmërinë, por jo! - këmbënguli e qetë Leonora. - Nuk kam asnji problem.
- Mirë, ngjo se ça kena me bá! - zbuti tonin e zërit edhe Graniti. - Ti ke me dal me shoqet e tua, kurse unë do vij edhe rri te nji lokal afër. Për çdo problem se t'kesh, pastaj, m'shkruj edhe vij direkt. OK?
- Granit, nuk du me t'kriju probleme. - e shikoi e nervozuar nga frika ajo.
- Ça? - i vëllai ngrysi vetyllat nga fjalët më të pakuptimta, që kishte dëgjuar ndonjëherë prej saj dhe Leonora uli kokën e stresuar. - Norë! - ai e thirri butësisht në emër. - Ti m'krijon probleme, vetëm kur nuk m'tregon se ke probleme. Asnjiherë tjetër. - u ndie më i fortë nga siguria, që pa në sytë e saj prej pranisë së tij. - Dil kajher me shoqet, se t'ban mir edhe ty ndryshimi i ambientit. - i përshkoi dorën në një nga gërshetat në të djathtë. - Ose dalim bashkë, si t'kesh qejf. - Graniti iu drejtua gardërobës së verdhë. - A kam naj bluzë temen unë qtu? - hapi dyert e saj, para se të dëgjonte përgjigjen.
- Po, janë dy t'bardha n'fund nga ana e majtë. - u përgjigj Leonora, ndërsa shikonte se sa veta kishin parë foton e postuar atë paradite në llogarinë e saj të Instagramit.
Graniti shtyu në të djathtë rrobat e vendosura në varëse dhe, akoma pa arritur tek veshjet e kërkuara, ndaloi para një bluze ngjyrë blu të mbyllur prusiane për burra.
Mos ishte e atij Blerimit dhe ajo e kishte mbajtur kujtim, apo Leonora kishte filluar të dilte me dikë?
Kishin rënë dakord, që t'i tregonin njëri-tjetrit, nëse kishte persona të tillë në jetët e tyre, për siguri. Pse nuk kishte treguar ajo?
Mos ishte ndonjë armik i tij, me të cilin e motra po shoqërohej? Ai ishte duke e përdorur?
"Po e çeli drita nesër at' person, do t'thotë se unë kam dek!" - gati sa nuk e prishi varësen, kur e nxori bluzën dhunshëm nga gardëroba prej urrejtjes helmuese, që i kishte pushtuar qenien me shpejtësinë e dritës ndaj njeriut, që kishte guxuar t'i afrohej Leonorës.
- Norë! - ai e tregoi menjëherë në tonin e ashpër të zërit, se harmonia midis tyre ishte në fije të perit dhe varej nga ajo, nëse nuk do rezistonte dot edhe do këputej. - E kujt asht kjo bluzë?
Leonorës i ngriu gjaku nga mbërthimi, që i bënë sytë e tij ngjyrë blu tepër, tepër të errët.
- E emja, - erdhi në vete ajo. - E bleva prej ngjyr's. - la telefonin mbi krevat dhe i shkoi Granitit pranë. - Nuk e gjeta dot për gra edhe m'mbet merak. Thashë, ta marr për me e vesh te shpia, deri kur t'gjej nja tjetër për mue. Sa e bukra asht, a?
- Se mos je t'u dal me dikë edhe nuk po m'tregon mue?
- Jo! Nuk jam t'u dal me kurrkan. Thjesht m'pëlqeu shumë ngjyra. - risqaroi ajo - Granit, normal se do t'tham, nëse do jetë naj person. Nuk jam ti, unë, se halá nuk m'ke prezantu me Pavlinën. - shtoi me ironi më pas.
- Domethan, qta e ke ble ti? - ai pyeti edhe një herë për siguri.
- Po, - Leonora mbrojti përgjigjen e dhënë në fillim.
- OK, meqë nuk t'pëlqen, po e marr unë. - Graniti e hodhi bluzën mbi krevat dhe mori njërën nga dy bluzat e bardha të tijat në gardërobë.
- Hej! - kundërshtoi për shaka ajo.
....vazhdon....
Pjesa i dedikohet @Beta0097 🥰🤗
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top