6• Gënjeshtar

    Anila shikoi orën në telefonin e saj dhe psherëtiu thellë me zymtësi.

    - Nuk më besohet, që jemi në mesin e gushtit. Pak më përpara ishte korriku. Pse po ia mbath vrapit koha? - pyeti ankueshëm e trishtuar.

    - S'jam gati për universitet, - tha Brunilda në të djathtë të saj.

    Po shkonin te patinazhi.

    - As unë jo. Kam dy ditë, që mendoj ta lë Masterin për këtë vit dhe vazhdoj vitin tjetër me më tepër energji. S'është se e kam me nxitim medoemos. Më mirë kur të ndihem rehat vetë, sesa ta mbaroj "ngri e rrëzo". Unë dua ta shijoj atë periudhë.

    - Deri kur të vijë nëntori, do e kemi mbledhur veten. Edhe ky ka mbetur. Ta marrim e ta heqim qafe.

    - E di, e di, por... nuk e di, pse nuk po bindem, se është psikologjike edhe kjo situatë. Po mendova, që nuk do kem forcë, nuk do kem. Po mendova, që do kem, do kem. - tha Anila, ndërsa i afroheshin ashensorit.

    Dyert e këtij të fundit u hapën menjëherë dhe Brunilda u zbeh e tëra në fytyrë nga ankthi, kur pa dy gra rreth dyzet vjeçe në kabinë.

    - Presim tjetrin! - ndaloi Anilën, t'i afrohej ashensorit në dispozicion dhe e shtyu drejt tjetrit në të djathtë. - Kishte njerëz.

    Anila iu bind me pavetëdije e hutuar.

    - Po ç'prisje të kishte? Xixëllonja? - ajo qeshi me justifikimin e saj dhe u hutua më tepër, kur dyert e ashensorit u hapën edhe në atë kabinë ndodheshin katër burra në të dyzetat të veshur me kostume sportive. E tërhoqi përkrahu Brunildën dhe u futën brenda.

    - Nuk do shmangesh gjithë jetën, - e kritikoi me të vogël dhe ndenjën në heshtje. Katër burrat ndaluan në katin e tretë.

    - E sheh? - pyeti Anila, sapo dolën nga ashensori dhe iu drejtuan pistës së patinazhit. - Asgjë nuk ndodhi. I gjithë paniku, që ndien, është iluzion.

    Ajo u ndriçua e tëra në fytyrë dhe sytë iu hapën më tepër nga lumturia, kur shqoi Blerimin në këmbë pranë pistës, duke biseduar me Rolandin. Kishin folur atë paradite, që të takoheshin në mbrëmje. Iu drejtua menjëherë atij me hapa të shpejtë, pa e vrarë mendjen, nëse e kishte Brunildën pas, apo jo.

    Kjo e fundit qëndroi pa lëvizur me shikimin e ngulur mbi Blerimin, dhe mori të njëjtën energji prej tij, ai kur e kishte takuar në maj. Seç i krijohej një ndjesi paralajmërimi, që ai ishte i rrezikshëm. Rrobat e zeza, mënyra e qëndrimit dhe buzëqeshja iu dukën arsyeja kryesore pse komentoi në heshtje, që gjithashtu ishte shumë simpatik. Dinte se si ta shprehte bukurinë, që kishte dhe kjo i shtonte pikë.

    - Si je? - Rolandi i shkoi pranë dhe ia largoi vështrimin prej tyre.

    - Mirë, - Brunilda i dha biletën e patinazhit për dy persona dhe punonjësi iu afrua recepsionit, shënoi në biletë orën, se kur duhej të largoheshin dhe ia ktheu përsëri asaj.

    - Çfarë numri këpucët?

    - Tridhjetë e nënta të dyja palët.

    - Ida!

    Brunilda nuk u kthye menjëherë pas, sapo dëgjoi zërin e Anilës. Mendoi me shpejtësi, se si të shpëtonte nga takimi me Blerimin, por hoqi dorë, duke e ditur që në fillim, që nuk i shmangej dot. I urrente tej mase momente të tilla, kur ndiente bezdisje edhe nga të marrurit frymë në jetë.

    - Brunilda!

    Ajo lëshoi një frymëmarrje të thellë, u kthye me monotoni në dukje prapa me shikimin e sertë dhe vështroi ngultazi vetëm Anilën, e cila po i afrohej me buzëqeshjen vesh më vesh nga lumturia si zakonisht.

    - Ky është Blerimi, - ajo prezantoi personin në fjalë. - Shoqja ime e ngushtë, Brunilda. - Anila u kthye e lumtur nga kjo e fundit.

    - Si shkon? - ai i zgjati dorën Brunildës dhe ajo e pranoi.

    - Mirë, - Brunilda përkuli pakëz buzët dhe u kthye sërish nga recepsioni, që të merrte këpucët.

    - Dëgjo! - Anila e ndaloi. - Blerimi sa po largohej dhe unë mendova të dalim dhe pimë diçka të tre bashkë. Si thua? Vijmë sërish më vonë; i paguaj unë biletat.

    - Jo, nuk është problem, por... mos ndoshta ke punë. - Brunilda shikoi Blerimin.

    - S'kam plane për sot. - u përgjigj ai.

    - OK, atëherë. - tha Anila e lumtur. - Shkojmë.

    Blerimi u vendos midis të dyjave dhe Brunilda ndenji menjëherë pas. Nuk donte, që në të ardhmen të krijohej trekëndësh dashurie midis tyre. E peshoi faktin, se kjo ishte e gjitha supersticion dhe ashtu mund të ndodhte, veç nëse ajo do e mendonte vazhdimisht, por më mirë të mos rrezikonte.

    Ngadalësoi hapat, kur një tjetër dyshim e trandi fund e krye. Anila i kishte thënë, se ai quhej Blerim Agolli. Ishte siguruar për një informacion të tillë? Po sikur të ishte gënjyer prej tij? Jo, pse të kishte vepruar Blerimi ashtu? Ta pyeste Anilën, nëse e kishte parë kartën e identitetit të tij? Do merrte qortimin, se pse ishte kaq paranojake dhe mbase vërtet po tregohej e tillë. Blerimi e meritonte një mundësi, për të fituar besimin e saj.

    - Si jeni? - kamarieri u shkoi pranë, pak minuta pasi u ulën te një nga tavolinat ngjyrë mogani në skaj të barit.

    - Mirë, - tha Blerimi. - Një Red Bull.

    - Monster Energy, - shtoi Anila në të majtë të tij.

    - Njëjtë si ky, - ishte vendimi i Brunildës, ndërsa i referohej porosisë së Blerimit, që e vuri disi në gjendje alarmi Anilën.

    Mos kishte thënë ashtu qëllimisht, për t'i tërhequr vëmendjen Blerimit, ngaqë ajo kishte filluar ta pëlqente, sapo e kishte parë? Po sikur ai të hiqte dorë prej saj dhe të fillonte të interesohej për Brunildën?

    E vëzhgoi shoqen e ngushtë në një mënyrë ndryshe, nga si e kishte shikuar herët e tjera, duke u munduar të zbulonte, se ç'do pëlqente një burrë tek pamja e saj fizike. Tiparet e theksuara të errëta e nxirrnin në dukje si dikë, që pëlqente të ruante distancë nga grupet e mëdha të njerëzve, që ishte misterioze dhe nuk miqësohej shpejt me këdo. Pikërisht tipi i vështirë, për t'u impresionuar, që një mashkull do joshej së tepëmi, ta bënte për vete.

    Nëse në krahasim me të Anilës i dukej vetja një ushtare, që zbatonte urdhrat dhe më pas gjente kohë edhe për t'u argëtuar, Brunilda ishte komandante; nuk tundohej lehtë nga lojërat dhe vetë ishte sfidë, që nuk fitohej aq thjesht.

    Mos po i bënin sytë asaj, apo të dy kishin tipare të ngjashme fizike?

    Shprehja e dëgjuar, se shpirtrat binjakë zakonisht ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, vetëm sa i shtoi benzinë zjarrit më tepër dhe Anila ndieu plasaritje në shoqërinë me Brunildën nga thellimi i dyshimeve, se ajo po mundohej t'i tërhiqte vëmendjen Blerimit, për t'u lidhur vetë me të.

    Jo, Brunilda ishte njeri i drejtë. Asnjëherë nuk do ia ngulte një thikë të tillë pas shpine. Anila shkundi kokën lehtë, për t'i mposhtur ato mendime dhe u përqendrua te biseda e tyre.

    - Sa po flisnim me Anilën për shkollën. Më kanë ardhur librat në majë të hundës. Sado përpiqem t'i dua dhe të tregohem mirënjohëse, që kam shansin, për të studiuar, jam gati të shkoj me pushime në Maldive më mirë.

    - Pa dyshim, që do ishin më bukur pushimet. - tha ai.

    Një telefonatë për Anilën në telefonin e vet ia mori asaj vëmendjen nga biseda.

    - Më falni pak mua! - ajo kërkoi me aspak dëshirë, për t'u larguar prej tyre, por nuk e refuzonte dot telefonatën e shefes.

    Të dy ndenjën në heshtje për disa çaste.

    - Për çfarë studion? - pyeti Blerimi.

    - Kam mbaruar Bachelorin për Matematikë, - tha ajo.

    - E ke menduar profesionin akoma?

    - Pedagoge.

    - Do ta kuptosh, se ç'paskan hequr pedagogët me ty, domethënë! - vërejti ai dhe Blerimi qeshi.

    - Jo, jo. Atyre iu pati rënë njeri i mirë për pjesë. Nuk kam krim, për të shpaguar.

    - Do jesh tepër e zënë gjithsesi, duke u marrë me të rinjtë, që nuk vijnë në auditor me qëllimin, për të studiuar.

    - E kam menduar zgjidhjen edhe për ata. Do bëj strategjinë, që bëri një profesor me ne, kur isha në vit të parë, në gjimnaz. Na tha se nuk donte t'ia dinte fare a mësonim, apo bënim zhurmë, sepse në fund të muajit ai do e merrte pagën gjithsesi dhe do ishte rehat me jetën e tij, kurse ne do rrezikonim, që të mos përgatiteshim për të ardhmen dhe do ta paguanim bashkë me familjet tona jetën e vështirë dhe të rrezikshme, që parashikohej të bënim, ngaqë kishim zgjedhur ta neglizhonim mundësinë për ndryshe. Tha ashtu, për të na nxitur neve, që të mësonim nga inati i tij; të mos e linim, t'i merrte paratë, pa punuar dhe gjithashtu të studionim, që në të ardhmen të fitonim më shumë se ai.

    - Edhe ia doli, apo jo?

    - Po, - tha Brunilda me të qeshur. - U motivuam goxha.

    - Do gaboja, po të thoja se të qenit ekstroverte të ka ndihmuar, që ta kesh më të lehtë zgjedhjen e të punuarit si pedagoge?

    - Jam introverte.

    - Ah! - thirri Blerimi, sikur më në fund gjithçka po merrte kuptim. - Prandaj qenka ekstroverte Anila!

    - Si? - Brunilda ngrysi vetullat konfuze.

    - Merr zemër prej teje. E sheh, që ti ke frikë nga kontakti me botën e jashtme dhe ajo fiton më tepër fuqi, për t'u përshtatur lehtë me të. Sepse, nëse bëhet edhe ajo introverte, nuk ka njeri pranë, që ta motivojë, për të ndryshuar. Do mbeteshit rrëzuar të dyja pastaj, nëse mund ta quaj kështu; ose ti do merrje forcë prej frikës së saj dhe do bëheshe ekstroverte. Është si puna e të fortëve dhe njerëzve të dobët. Të fortit janë të tillë, sepse pjesa tjetër është e dobët. Po të mos ishte ashtu, të fortët nuk do kishin ndonjë veçanti nga pjesa tjetër po aq e fortë. Falë atyre, që janë të dobët dallohen.

    Ajo u mendua e turbulluar për fjalët e Blerimit. Sqarimi i tij e bëri të dyshonte vetëm, që ai po përpiqej ta përfshinte në ngatërresë me Anilën, jo që kishte ndonjë kuptim tjetër, të cilin ajo nuk donte as ta mendonte, që mund të ishte i vërtetë.

    - Anila ka qenë gjithmonë ekstroverte, - rrëfeu vrazhdë Brunilda. - Akoma pa filluar të shoqëroheshim bashkë tri vite më parë.

    - Po ti? Kur ke filluar të jesh introverte? - këmbënguli Blerimi në hamendjen e tij, i sigurt nga reagimi i saj, që Brunilda e shihte se ai kishte të drejtë, por nuk donte ta pranonte.

    - Erdha! - Anila u ul e lumtur në karrige.

    - Çdo gjë në rregull? - e pyeti ai me nota merakosjeje në zërin e tij.

    - Po.

    Brunilda shikoi përciptazi për një çast Blerimin, ndërsa ai dëgjonte me vëmendje në dukje Anilën dhe picërroi sytë dyshuese nga mimika e shprehjes së tij, e cila tregonte, se ai po ndihej në parehati aty, sikur mezi po i kontrollonte nervat, që të mos ngrihej fill e të fashitej nga sytë-këmbët. Ndoshta nuk kishte kujtime të bukura në atë bar të RING-ut, ose kishte parë rastësisht dikë atje, me të cilin nuk shkonte mirë. Dukej si ajo; një njeri introvert me durimin drejt fundit nga njerëzit përreth, të cilën nuk dinin të pushonin së foluri.

    Blerimi po e dëgjonte kushërirën e saj duke folur, për të mos u dukur i pasjellshëm, jo që kishte interes, për të biseduar me të. Brunilda nuk pa fare ndjenja romantike në sytë e tij për Anilën, por vetëm që ai po shtirej. Mos vallë vërtet ishte duke luajtur, siç po dyshonte intensivisht ajo?

    Ky i fundit shikoi nga Brunilda dhe e kuptoi se ajo kishte pikasur diçka, që nuk shkonte me të. I buzëqeshi lehtë në shenjë mirësjelljeje, ama Brunilda nuk ra pre e asaj shtirjeje. Dukej sikur tashmë e kishte marrë vendimin, për të besuar, që ai kishte vënë një maskë edhe po luante, dhe, megjithëse edhe Brunilda ia ktheu buzëqeshjen miqësisht, as Blerimi nuk u mashtrua nga ai gjest. E kishte kuptuar tashmë, se ajo kishte krijuar përshtypje negative për të dhe pas atij takimi edhe ai vetë filloi të mos e honepste.

    Vetëm po uronte, që Brunilda të mos i nxirrte ndonjë problem. Ndryshe do detyrohej të ndryshonte plan veçanërisht për shkak të saj.

....vazhdon....


    O Zot, o Zot! Kush personazh do më jetë mua në pjesën tjetër 😍😍🥺

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top