54• Më Përdor!
Anila përshkoi gishtërinjtë nëpër flokët e lënë afër cepave të syve, aq sa mundi, për të fshehur skuqjen e tyre dhe shikoi edhe një herë veten në ekranin e fikur të telefonit. Megjithëse e kishte larë disa herë fytyrën, nga enët e gjakut të ekspozuara në iriset e syve dukej sikur kishte pirë drogë prej vitesh dhe trupi nuk mund ta përballonte më një substancë të tillë vrasëse.
Do ta kuptonin menjëherë, që kishte qarë. Ata, që e kishin vënë re, duke folur me Leonorën, do hidhnin dyshimet për shkak të saj, do bënin thashetheme për të dhe të gjithë në punë, edhe shoqëria e tyre, që do dëgjonin për të, do ta merrnin me sy të keq.
Nuk donte të dilte nga tualeti, pa e ngritur më këmbë shpirtin, i cili as që po e vriste mendjen, për ta rikuperuar forcën. Ai sikur ishte mësuar me depresionin dhe nuk i bënte më përshtypje asnjë goditje, që nuk e kishte merituar, për ta marrë; por edhe të hiqte dorë, ky i fundit nuk donte. Thjesht kishte nevojë për pak motivim.
Kushedi sa do gëzohej Leonora, po ta shihte në atë gjendje! Anila ishte plotësisht e bindur se veç për atë arsye i kishte ardhur ajo në punë, për t'i shkatërruar gjithçka, ngaqë e kishte inat dhe me të vërtetë ishte njeri i lig. Ndjesia e Blerimit, as që diskutohej, se do ishte ngazëllim në qiellin e shtatë prej nivelit, ku kishte rënë ajo.
Kaq mjaftoi, për ta nxitur Anilën, që vetëm prej inatit të tyre të ngrihej më e fuqishme se më parë.
Kishte qenë thjesht goditja e radhës në befasi. Herën tjetër do tregohej më e kujdesshme dhe, nëse do përballej sërish me Leonorën, do ta godiste gjithashtu.
Mesazhi i sapoardhur nga Sidoreli në WhatsApp, që i dridhi telefonin në dorën e djathtë, ia shumëzoi të gjithë motivimin me zero. Ai po i kërkonte, të takoheshin në zyrën e tij. Me siguri do kishte dëgjuar për debatin gjithashtu, do ta kishte parë dhe vetë atë, duke i folur rëndë Leonorës dhe kushedi sa ndjesinë negative të një personi narcist dhe arrogant i kishte lënë ajo. Edhe vetë ishte ndierë keq nga fjalët e ashpra, që i kishte thënë Leonorës, si të kishte pirë helm të përgatitur me duart e saj.
Ishte e sigurt, që këtë sjellje Sidoreli nuk do ta duronte dot dhe do ta qortonte se pse ajo kishte bërë skena para kompanisë, duke e kapur të huajën për krahu, sikur Leonora ishte një leckë edhe nëse kishte faj.
Anila kishte dashur luftë dhe tani po paguante pasojat e saj. Pse nuk ishte larguar, për të shkuar më vonë në kompani, pasi të ishte ikur Leonora? Përsëri kishte rënë pre e të nxituarit bazuar vetëm në ndjenja dhe aspak logjikë.
Sytë iu nxehën në përlotje sërish. Po humbiste përfundimisht vetëm për faj të saj dhe nuk bënte dot askënd përgjegjës. Leonora vërtet mund të kishte vepruar gabim, duke i dalë përpara, por nuk e kishte detyruar, që të ndikohej aq keq dhe të dilte nga vetja.
Apo kishte qenë pikërisht vetvetja në ato momente, dhe veç atëherë, që po e shqyrtonte me detaje atë fragment të së shkurës, Anila po e kuptonte se ishte dashur një debat i tillë, për të zbuluar se çfarë njeriu ishte?
Fragment i së shkuarës. Ai pak minuta më parë kishte ndodhur, ama asaj i bëhej sikur akoma po jetonte në të, por në një tjetër univers; Leonora ishte përballë saj dhe, sado që Anila po e ofendonte, për t'i ulur vetëbesimin edhe bindur, që të mos i dilte më përpara, sepse nuk e përballonte dot të kaluarën, që ajo sillte me vete, ngaqë kishte qenë e martuar me Blerimin, Leonora nuk tregonte aspak shenjë trazimi.
Të kishte thënë të vërtetën për filmimet, që Blerimi i kishte bërë asaj? Ai t'i kishte fshirë vërtet, pa ia treguar askujt dhe nuk kishte bërë asnjë kopje? Sa shumë do çlirohej, sikur të kishte ndodhur ashtu! Mbase kjo ishte shenjë, që gjërat po i shkonin për mirë dhe Anila duhej vetëm të mësohej, që të mos manipulohej nga e shkuara dhe të shkatërronte çdo mund.
Ai plan ia doli ta motivonte mjaftueshëm, sa për të dalë nga tualeti. Iu drejtua me kokën paksa të ulur ashensorëve, duke u lutur, që të mos i afrohej njeri dhe korridoret të ishin bosh, derisa të shkonte në zyrën e Sidorelit edhe nuk u vonua shumë, që të mbërrinte atje. Korridoret ishin bosh dhe në ashensore nuk pati njeri, përveç asaj në ato momente.
Sidoreli e priti më këmbë pranë murit prej xhami dhe ajo vendosi pallton ngjyrë rëre të çelët në varësen e rrobave ngjjtur derës, para se t'i shkonte e tensionuar pranë me mbajtjen peng të frymës në kraharor dhe shikimin shmangës nga ai kritik i tij, në fillim mbi jelekun e zi, që Sidoreli kishte veshur përmbi këmishën e bardhë, të kombinuar me pantallonat dhe këpucët e zeza gjithashtu, e më pas mbi pamjen tutje mureve.
- Pashë, që po flisje me një grua pak më parë. - hyri drejt e në temë ai. - A je mirë?
Anila u ndie më e qetë nga shikimi i tij i patrazuar dhe jokeqardhës mbi të, ngaqë mendonte se ajo ishte njeri i dobët.
- Po, - Anila barazoi tonin e saj të zërit me atë neutral të tijin. - Sqaruam disa gjëra.
Vështrimi e la në baltë nga shmangia, që i bëri syve të tij dhe nuk mundi ta mblidhte veten në kohë, me të kujtuar se për çfarë kishte folur me Leonorën. E shprehu të gjithë vrerin e ndierë në fytyrën e ngrysur dhe sytë e picërruar urrejtës ndaj saj.
- Mirë, - Sidoreli ruajti të njëjtin ton zëri. - Çfarë mund të bëj për ty? Nëse do, u them rojeve të sigurimit, që të mos e lejojmë të hyjë në kompani, po qe se vjen sërish. - iu referua Leonorës.
Anila deshi ta përqafonte. Forca e tij ishte pikërisht ajo, që po kuptonte se i duhej, për t'u ndierë e sigurt dhe jo vetëm, edhe nuk ishte fare nevoja, ta thoshte me zë. Ai sikur e dinte me saktësi, se çfarë i nevojitej asaj.
- Jo, faleminderit! - ajo i buzëqeshi me mirënjohje. - Nuk ka pse vjen më. I sqaruam të gjitha.
- OK. Nëse ndryshon mendim, më thuaj! - Sidoreli nuk ia shqiti sytë asaj, pa i marrë përgjigjen "po", të cilën Anila e dha me një të tundur të lehtë të kokës.
- Ju vijnë shpesh kërkesa të tilla të veçanta, shef? - harkoi buzët dhe e vështroi ngacmuese ajo. - Apo ky është shërbim vetëm për ndonjë person në veçanti?
Ai shfryu me nënqeshje i lumtur, që Anila u ringrit nga gjendja e zymtë e pak mëparshme.
- Ia kam dhënë detyrë Ilirjanës, që të pyesë vazhdimisht punonjësit, nëse kanë ndonjë shqetësim. Ty të kam zgjedhur qëllimisht vetë, për të të pyetur. - Sidoreli ndërmori rrezikun, t'i afrohej më ngjitur dhe përshkoi lehtë mollëzat e gishtërinjve nëpër flokët e saj të mëndafshtë, siç ai kishte menduar se do ishin.
Anilës iu grumbullua i tërë gjaku në zemër, duke i tentuar nxjerrjen jashtë kontrollit të saj. Në të gjitha takimet midis tyre, ajo kishte ruajtur gjithmonë distancë për shkak të ndjesisë, që nuk ishte gati për aq afrimitet me të, sa ta lejonte, ta prekte nga frika se mos do alarmohej prej të kujtuarit Blerimin dhe do reagonte çuditshëm sipas tij, por për habinë e saj e shkuara po fshihej nga Sidoreli dhe ajo nuk ndihej aspak e panikosur nga prekja e tij.
- Të kam thënë; kam personalitet shumë të thjeshtë. Nuk merrem me komplikime. - ai luajti ëmbëlsisht me fjalët e thëna, si me një onde të flokëve të saj deri poshtë gjoksit.
- Domethënë, nuk po më merr me të mira, që të zbuloj më pas, se sa detajist je? - Anila nuk donte, që siguria rehatuese prej prekjes së tij të merrte fund.
- Ajo po se po, - Sidoreli hodhi i buzëqeshur një hap më tej, me të kaluar një pjesë të flokëve të saj pas shpine në të majtë.
Ajo uli vështrimin e turpshme, që ta shikonte më gjatë në sy, pa menduar për më tepër intimitet midis tyre.
- Çfarë? - pyeti qëllimisht ai, për ta vënë më tepër në siklet dhe Anila, që të mos i jepte ndjesinë e fitores së dominimit mbi të, e vështroi përsëri, nguli sytë mbi buzët e tij dhe më pas sytë.
Sidoreli lexoi dëshirën e saj të njëjtë si të tijën, për t'u puthur, i vendosi dorën e djathtë pas qafe, për ta afruar më ngjitur, të majtën në shpinë, kur ndieu pëllëmbët e saj në kraharor dhe të dy mbyllën njëkohësisht sytë, që bota e jashtme të zhdukej për një çast prej puthjes midis tyre, por ajo nuk i lejoi të arratiseshin prej saj me anë të një trokitjeje të lehtë në derë, që i ndau menjëherë nga njëri-tjetri dhe iluzioni i qetësisë u mund nga kthimi në realitet, që ndodheshin në vendin e punës.
Sidoreli shkoi të ulej në karrigen e tij, ndërsa Anila u përpoq të vinte nën kontroll frymëmarrjen e thellë. Ai priti për miratimin e saj, që t'i jepte lejen personit prapa derës, për të hyrë brenda.
Ilirjana shikoi Sidorelin fillimisht, Anilën, e cila po i afrohej derës dhe më pas dyshimtazi shefin përsëri.
- Alberti sapo erdhi, - lajmëroi ajo. - Do e fillojmë mbledhjen tani? - i lëshoi rrugë Anilës, për të dalë nga zyra.
Anila iu drejtua me hapa të shpejtë ashensorit dhe, veç u mbyllën dyert e tij, qeshi me zemrën akoma si në elektroshok edhe ndjesinë e duarve të tij në qafë dhe shpinën e saj. Sikur të mos kishte ardhur Ilirjana... Dalldisja nga drogimi prej atij çasti të përjetuar e mbushi me më tepër dashuri për të tashmen, që po bënte.
Rregulloi posturën e trupit, para se të dilte nga ashensori dhe t'i drejtohej barit. Do të takohej me një vajzë njëzet e tre vjeçe aty, e cila kishte shprehur dëshirën, për të punuar në kompani.
Ajo kishte mbërritur dhe po e priste e ulur në skaj të barit. Anila e njohu nga flokët kapurrele ngjyrë mjalti të errët dhe kapur tub, edhe rrobat, që Keida i kishte thënë se do kishte veshur, për t'u njohur; golf të bardhë dhe xhinse bojëqielli bashkë me këpucë të bardha me qafa.
- Si je? - i tërhoqi vëmendjen asaj.
Keida u ngrit me vrull nga karrigia.
- Mirë, si je ti? - ajo i ktheu buzëqeshjen Anilës dhe i zgjati dorën.
- Mirë edhe unë, - të dyja u ulën përballë njëra-tjetrës. - Shikove përreth, si është ndërtesa?
- Jo, erdha menjëherë këtu. Mendova se mund të më shoqëroje ti, nëse ke kohë.
- Po, patjetër.
Sidoreli kërkoi qëllimisht, të ulej në një tavolinë përballë Anilës edhe të panjohurës, me të cilën ajo po bisedonte dhe Alberti bashkë me Ilirjanën ranë dakord.
Ai u ul me fytyrë nga ajo dhe buzëqeshi menjëherë, sapo fitoi vështrimin e saj mbi të. Shmangia e Anilës dhe skuqja në fytyrën e saj e bëri të qeshte më tepër.
- Kjo është kontrata, - Anila i dha një dosje të bardhë Keidës. - Janë rregullat e punës, që kemi diskutuar dhe në Instagram. Ti lexoji edhe një herë për sigurinë tënde dhe, nëse je e bindur, për të punuar këtu, firmos!
Ajri papritmas ishte rënduar dhe Anila nuk po merrte dot frymë lirshëm. Një nxehtësi e pazakontë po i kacavarej nëpër fyt dhe këmbët i kishin ngrirë. Shikoi vetëm për një çast Sidorelin, i cili kishte vëmendjen tek Alberti, iu përfshi e gjithë qenia në flakërimë, buzëqeshi e skuqur në fytyrë, kur ai i ktheu vështrimin edhe menjëherë u përqendrua te Keida, e cila po lexonte kontratën.
Ai po ia merrte veten nga kontroli dhe Anila për herë të parë, që mbante mend në jetën e saj, nuk dinte se si të vepronte, për të mos u nënshtruar nga një vrull aq i madh ndjenjash. I pëlqenin dhe donte të kishte më tepër, por jo në prani të të tjerëve, që të dukej si e trullosur dhe e verbuar nga dashuria, vetëm me atë.
Telefoni i saj tringëlliu nga ardhja e një mesazhi. Pa e vrarë mendjen fillimisht, se kush mund t'i kishte shkruar, ajo ndezi ekranin dhe lexoi njoftimin e ardhur në WhatsApp.
Sidoreli:
Kjo kompani nuk të paguan, vetëm që të qeshësh, Anila, por për të punuar. Fakti, që ke sy shumë, shumë të bukur ngjyrë kafe, nuk do të thotë asgjë fare për mua. Sillu me profesionalizëm!
Buzët iu harkuan më tepër në të qeshur dhe anoi kokën e zënë nga mendimet, se si të merrte hak ëmbëlsisht ndaj tij. Donte të luante tatusti? I pëlqente të kishte kontroll? Epo, nëse mund ta mbante atë pozitë, pse jo?
Sidoreli lexoi me fytyrë stoike dhe vështrim të akullt mesazhin e kthyer prej saj.
Anila:
Silent seen 😎
Ai shikoi zbrazët dërguesen në pritje të reagimit të tij, fiku telefonin i pandikuar dhe përqendroi vëmendjen tek Alberti, ndërsa menaxheri dyzet e tre vjeçar i veshur me kostum të zi klasik sugjeronte, që darkën e zakonshme të fundvitit të kompanisë ta organizonin në një restorant në Tiranë këtë herë.
E përfytyronte lehtë zhgënjimin pakëz të Anilës, që ai nuk ishte dorëzuar aq lehtë dhe dukej sikur nuk i bënte fare përshtypje prania e saj, kur ndërkohë qëllimisht vetëm për të kishte vendosur, që mbledhjen e radhës me dy menaxherët e shitjeve në nivelet më të larta ta zhvillonte në lokal, sepse ajo do ishte aty dhe ai donte të ishte afër saj.
- Qenka e lezetshme kjo!
Komenti i një burri në tavolinën pranë i tërhoqi vëmendjen dhe iu bë, sikur dikush e kishte goditur me tra kokës, kur pa bjondin, që kishte folur, të veshur me xhinse blu të hapur, bluzë të bardhë dhe xhup të hollë të gjelbër, ndërsa kishte ngulur sytë e bruztë mbi Anilën dhe një buzëqeshje ngacmuese nënkuptonte, se ai kishte dëshirë të fliste me të.
- Cila? - moshatari i tij në dukje në të majtë shikoi nga tavolinë, ku ai kishte vëmendjen.
- Kjo me flokët e lëshuar.
- Punon këtu.
- E di me siguri?
- O e di ky, o nuk e di njeri. - doli garant për të i treti në tavolinë. - Arbeni tërë kohën sikur vetëm parashikon se për çfarë do ta pyesin njerëzit dhe përgatit përgjigjet.
Arbeni qeshi cekët nga ai vlerësim prej Samuelit.
- Se mos po më nxjerr keq! - paralajmëroi bjondi. - A je i sigurt, që punon këtu?
- Po, Nikolin. E kam parë te një video e faqes së kompanisë në Instagram. Anila Idrizaj quhet.
- Qenkam duke i marrë numrin, pra! - mbështeti shpinën i sigurt pas kolltukut Nikolini.
Sidoreli e ndieu ekzistencën e tensionimit të xhelozisë, vetëm pasi i panjohuri, që dukej në një moshë me të, pushoi së foluri.
Ajo do ta refuzonte. S'kishte dyshime për atë gjë.
Apo...
Kishte dalë me Anilën disa herë, por akoma nuk ia kishte shprehur me detaje ndjenjat, që kishte me të, për të mos e vënë shumë nën presion edhe kishte zgjedhur flirtimin dhe komplimentet e fshehura pas tij, që t'i nënkuptonte se e pëlqente.
Momenti pak më parë me të në zyrën e tij, do ta kishte bërë Anilën të mendonte, që ai kishte dëshirë për më tepër se thjesht shoqërim me të, që dëshironte të lidheshin së bashku dhe nga reagimi i saj, kishte kuptuar se dhe ajo dëshironte të njëjtën gjë.
Mos ishte gabuar në atë gjykim? Ajo thjesht e kishte përdorur për një eksperiencë më tepër në jetë me dikë dhe do hiqte dorë prej tij, sapo të njihte Nikolinin?
As nuk mund ta ndalonte dot atë, që të mos e shikonte ashtu Anilën. Nuk ishte e dashura e tij akoma. I përkiste asaj e drejta, për të vendosur, nëse e dëshironte vëmendjen e Nikolinit, apo jo.
Shikoi Anilën, që të dinte mendimin e saj, ajo vërejti Nikolinin të parin, kuptoi vështrimin e tij ngacmues, shikoi Sidorelin, që tashmë kishte qenë duke e parë tejet serioz dhe në dijeni të bjondit në tavolinën pranë tij, edhe u kthye nga Keida.
- E lexova të gjithën, - tha vajza. - Jam gati, të firmos.
- OK, do firmosim dy. Njërën kopje e mban ti dhe tjetrën kompania. - sqaroi Anila.
Keida nxori një stilolaps blu nga çanta e vet e gjelbër dhe firmosi në fund dy dokumentet. Anila firmosi pas saj dhe i zgjati njërën kopje punonjëses së re.
- Shumë suksese!
- Faleminderit! - buzëqeshi e entuziazmuar Keida.
- Ngrihemi tani dhe shohim kompaninë përreth?
- Po.
Sidoreli luftoi kundër dëshirën, që t'i bëhej pengesë Nikolinit, kur ai u ngrit nga tavolina dhe shkoi drejt Anilës.
Dalloi se si ajo ashpërsoi vështrimin, sapo u përshëndet nga i panjohuri dhe refuzoi t'i jepte dorën atij, edhe Sidoreli buzëqeshi i gëzuar, por u ngrys fill, kur Keida i la vetëm ata të dy vetëm, që të flisnin dhe pezmatimi e pushtoi të tërin, kur Anila bëri një pohim me kokë dhe ai nxori telefonin e tij nga xhepi. Ajo i mori telefonin dhe preku vazhdimisht ekranin, si të ishte duke shënuar diçka.
Nuk mund të ishte duke i dhënë numrin! Sidoreli po vlonte nga brenda prej marazit kurioz, se për çfarë bëhej fjalë në të vërtetë.
- Kaq për sot, - ai nuk e vazhdonte dot mbledhjen më gjatë. - Do vazhdojmë herën tjetër. - i la Ilirjanën dhe Albertin të shtangur nga vendimi i tij i papritur dhe shkoi drejt Anilës.
Nikolini mbaroi bisedën me të dhe u rikthye në tavolinën e tij, duke e shpërfillur totalisht Sidorelin, që i kaloi ngjitur.
- Kush ishte ky? - ai pyeti Anilën me nevrikosjen e shpalosur në sy nga xhelozia.
- Tha se quhej Nikolin. - u përgjigj e qetë ajo. - Do të punojë këtu si distributor dhe kërkoi të takoheshim një ditë, që t'i shpjegoja se si funksionon puna.
- Çfarë i the ti?
- Pranova, sigurisht. I dhashë adresën time në Instagram dhe do t'i shkruaj aty, se cilën ditë kam kohë, për të dalë.
Anila, ose nuk po e vinte re xhindosjen e tij, ose po shtirej sikur jo; Sidoreli nuk e dallonte dot qartë, se cila nga alternativat ishte e sakta prej vështrimit të saj të pafajshëm, sikur ajo të mos kishte bërë aspak gabim, që kishte pranuar, të dilte me Nikolinin.
- Pra, kur ke një pasdite të lirë këtë javë?
- Për çfarë? - ai nuk e kuptoi pyetjen e saj.
- Majlinda të ka treguar, apo jo? Administratori i kompanisë del shpesh edhe në takime me ata, që duan të punojnë këtu. Ma thuaj një ditë dhe t'i them Nikolinit, se kur të takohemi të tre.
- Prandaj pranove? Ngaqë do vija dhe unë? - ai mori frymë më i qetë.
- Sigurisht, - qeshi Anila. - Mua nuk më pëlqen xhelozia, Sidorel. - tregoi prerazi ajo. - As të bëj dikë xheloz dhe as të më bëjnë xheloze. Unë nuk vendos asnjë grua më lart nivelit tim, nga të menduarit se ajo është më e mirë se unë, dhe të ndihem keq me veten time. As që më kalon nëpër mend një hipotezë e tillë, jo më të fiksohem. Nëse do, që të ta di vlerën, trego se ke vlerë! Dhe unë ofroj të njëjtën gjë, prandaj kërkoj aq. Çfarëdo hatërmbetjeje, që kam me ty, se nuk më vlerëson, ta them shkoqur. Nuk përfshij askënd tjetër. S'është e drejtë për asnjërin nga ne të dy dhe as atë person, që të përdoret. Ah, nëse bëhet fjalë, për të tërhequr vëmendjen tënde, pastaj, të përdor ty, për të arritur atë, që dua.
- Të më përdorësh mua, qenka e drejtë?!
- Po, sepse do përfitosh edhe ti. - argumentoi Anila. - Nëse dëshiron. - specifikoi me shikim intensiv ajo dhe Sidoreli qeshi lehtë i tërhequr prej saj. - Më duhet të iki tani. Kam një punonjëse të re dhe po i tregoj kompaninë.
- OK, - ai u detyrua ta linte, që atë herë Anila të largohej, pa e puthur, siç ai kishte dëshirë.
....vazhdon....
Pjesa e radhës titullohet "Mjaft, Sidorel!".
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top