53• Nuk Jam Fajtore.
Sidoreli ktheu me shpejtësi përmbys mbi tavolinën e punës bllokun me kopertinë bojëqielli dhe fletë të bardha A4, ku kishte qenë duke vizatuar, sapo Anila trokiti lehtë në derën prej xhami të studios së tij dhe u ngrit në këmbë.
- Tatuist? - ajo hyri brenda së bashku me buzëqeshjen e zakonshme të pozitivitetit, që përhapte. - Po vizatoni kryeveprën e radhës?
- Ti do e vendosësh.
Vlerësimi aq i thellë i tij për të, ia doli ta shtonte ndriçimin në buzëqeshjen e saj.
- Shumë e bukur studioja e re, - Anila përfshiu të gjithë hapësirën me vështrim të shpejtë detajues, që, në krahasim me studion e vjetër e gjitha me ngjyra të mbyllura, Sidoreli tek e reja kishte zgjedhur vetëm ngjyrën e bardhë për muret, tavanin, pllakat e dyshemesë dhe tavolinën e punës me katër sirtarë në të djathtë, atë gri për kolltuçet përreth tavolinës dhe divanin djathtas saj, si dhe të zezën për karriget e artistit, atë, ku uleshin njerëzit, për të bërë tatuazhin dhe raftet në krye të studios për mjetet e punës.
- Tani doemos, që është e bukur, - ai theksoi rëndësinë e pranisë së saj aty pronari.
- Faleminderit! - u skuq lehtë nga komplimenti Anila. - Çfarë po vizatoje? - tkurri kapakët e syve të ngulur dyshimtazi mbi punimin e fshehur dhe i buzëqeshi hetueshëm atij.
- Nuk e them dot, pa e përfunduar. - Sidoreli priti, që Anila të ulej në kolltukun djathtas tavolinës dhe më pas u ul vetë në karrigen përpara saj. - Nuk tregoj asnjë projekt zakonisht, pa e mbaruar të gjithin. Kjo është drejt përfundimit, në fakt.
- Oh, më erdhi keq, që të ndërpreva tani. Të iku dhe frymëzimi.
- Përkundrazi, e shtove. - ai ia hoqi trishtimin nga fytyra, mori bllokun dhe e ktheu me vizatimin nga vetja, ndërsa e mbante mbështetur mbi skajin e tavolinës, që Anila të mos e shikonte punimin.
- U vendos tituj vizatimeve?
- Jo, - Sidoreli mori lapsin B1 mbi tavolinë dhe vazhdoi të vizatonte mbi veprën.
Ajo vështroi në soditje e buzëqeshur tiparet e tij të qeta të fytyrës, ndërsa ai vizatonte i patrazuar dhe lejoi emocionet e admirimit, ta tërhiqnin më tepër prej tij, mënyrës se si lëvizte duart mbi fletë, ndërsa vizatonte, si vështronte punimin, të qëndruarit e tij dhe ndalimi disa herë, për të menduar. Po i ngjallej dëshira, që të fillonte dhe ajo vizatimin e të dukej, dhe ndihej po aq mirë, sa ai, kur vizatonte.
- Vazhdo të flasësh, nëse dëshiron! Nuk shpërqendrohem aspak. - bëri me dije Sidoreli. - Po deshe, mund t'i vendosësh ti titull këtij vizatimi.
- OK. Sa kurioze u bëra tani! - Anila bashkoi duart në shkrirje të fytyrës së buzëqeshur dhe sytë e rrëzëllitur, edhe atij i pëlqeu entuziazmi lozonjar i saj.
Po mësonte, që ajo anë ekstrovertizmi, humori dhe shakash ishte vetja e saj e vërtetë, të cilën ishte duke e zbuluar dalëngadalë, ndërsa Anila ndërtonte gjithnjë e më tepër besim ndaj tij.
Mundohej të mos e shprehte në sy pyetjen, se çfarë e kishte ndryshuar atë nga gjashtë vite më parë, kur ajo i kishte lënë përshtypjen e një personi të lëvizshëm dhe aventurier: vetëm vdekja e Amarildos, apo ndonjë ngjarje tjetër e rëndë?
U kthye pas në kohë, kur e kishte takuar në qershor, në urban, e kishte ndihmuar, të mos rrëzohej dhe i kishte ofruar të mbahej aty ku kishte qenë ai, por Anila, me të vënë re dy burrat e ulur pranë tij, ishte stepur menjëherë e sikletosur dhe e frikësuar, duke pranuar, që, më përpara të rrezikonte rrëzimin sërish nga të qëndruarit në këmbë, pa u mbajtur askund, sesa të rrinte pranë dy të panjohurve.
Kishte qenë thjesht marrje mase nga ana e saj, për të mos tërhequr vëmendje të padëshiruar, apo diçka më tepër? Mos e kishte lënduar njeri kriminalisht?
- Dhe pak kam, - Sidoreli kërkoi mbi tavolinë gomën.
- Urdhëro! - Anila e mori në dorë, sapo e vuri re pranë tehut ngjitur saj dhe e shtyu mbi tavolinë drejt tij.
- Faleminderit! - ai e vështroi thellë në sy dhe ajo burgosi frymën poshtë fytit të ngushtuar për një çast nga ai shikim.
- Asgjë, - Anila iu përgjigj me zë të butë mirënjohjes së tij me ton të qetë flirtues dhe shikoi tutje mureve të xhamta njerëzit, tek kalonin ngjitur studios.
- Shumë mirë, mbaroi. - Sidoreli vendosi gomën mbi tavolinë.
Ai sikur i hodhi ujë të akullt në fytyrë Anilës me atë konstatim. Mos...
Përsëritja e historisë me Blerimin iu duk më reale se kurrë asaj. Po tani ku kishte gabuar? E kishte tepruar me të folurit? Ishte bërë e bezdisshme me humorin e vet, të cilin Sidoreli nuk e kishte konsideruar asnjëherë të tillë, por ishte shtirur sikur, apo ai thjesht e kishte kuptuar se nuk kishte ndjenja të vërteta për të dhe donte t'j jepte duart? Vallë kishte pasur vërtet qëllim, ta përdorte, për të bërë xheloze atë Arbetën dhe tani, që ia kishte dalë, edhe Arbeta i kishte kërkuar, të ktheheshin bashkë, ai po e hiqte qafe Anilën?
- Çfarë mbaroi? - ngjyra e fytyrës i kishte ikur tërësisht asaj dhe asnjë fjalë shtesë, për t'u dukur sikur nuk i bënte përshtypje, që ishte vënë në lojë, pasi e kishte ditur prej kohësh, ama dhe ajo kishte pasur planin e saj, nuk po i vinte në mendje.
Do thyhej. Do ta shprehte haptazi, se sa e lënduar ishte prej asaj thike pas shpine nga ana e tij. Pse nuk kishte këmbëngulur, për të mos rrezikuar aq shumë, por e kishte bërë me vetëdije Sidorelin pjesë të jetës së vet?
- Vizatimi, - ai i zgjati bllokun.
- Oh!
Anilës i erdhi gjaku në fytyrë sërish dhe mori punimin në dorë.
- Prit! - ajo ngrysi vetullat e paqartë nga njohja menjëherë e portretit në letër. - Kjo jam unë!
Anila shikoi me vëmendje veten të vizatuar me profil në të djathtë, flokët e kaluar pas veshit, sytë e trishtë të ngulur mbi duart e vendosura në xhamin e një dere dhe dora e dikujt tjetër e vendosur mbi supin e saj të djathtë. Iu kujtua menjëherë se cili moment në jetën e saj ishte hedhur në letër.
- Nga e di ti këtë? Të ka treguar njeri?
- Është hera e parë, që u takuam në një urban. Nuk e dëgjove faturinon, kur të pyeti për biletën, sepse dukeshe e përhumbur në mendime me shpinën nga ai dhe unë të tërhoqa vëmendjen, duke të vendosur dorën mbi sup.
- Ke qenë ti?! - ajo riluajti në mendime çdo çast të atij fragmenti në shokim, nga ç'po dëgjonte.
- Po. Kujtova se më kishe vënë re, por më shpërfille, prej mënyrës se si ishim ndarë atë ditë në studio, kur erdhe me Blertën.
- Jo, nuk të kisha parë fare. E mendova, ta ktheja kokën, për të ditur se kush më kishte prekur, por dyshimi, se mos do keqkuptoje vështrimin tim, më ndaloi. - shkundi kokën e habitur. - Prandaj më the se për cilën herë e kisha fjalën, kur të pyeta, nëse më njohe atë ditë, që u takuam në urban. - Anila shikoi dorën e tij të vizatuar mbi supin e saj dhe më pas vetë atë.
- Të njoha dhe atë herë vitin e kaluar, - Sidoreli e vështroi me po të njëjtin intensitet. - "Ajo vajza." thashë.
Kjo po e kalonte sinorin. Ishin të dy në dijeni se nuk bëhej më fjalë për t'u takuar, thjesht ngaqë thjesht pëlqenin njëri-tjetrin, por sepse ajo ndjenjë po thellohej dhe po kërkohej të merrej më tepër seriozisht, të konsiderohej pjesë e jetës së tyre për një kohë goxha të gjatë.
Anila shkëputi kontaktin e syve e para, ngaqë përvëlimi i zemrës po e kalonte nivelin e përballimit dhe ajo vështroi me detaje punimin.
- I vizatoke sytë vërtet të trishtë! - ajo përjetoi edhe një herë, ç'kishte ndierë atë ditë, që ishte ndeshur me Leonora Vitorin. - Megjithëse kam bindjen, se ky rast nuk ka qenë fare i vështirë.
Sidoreli buzëqeshi lehtazi pohueshëm.
- A mund t'i bësh një kopje për mua? - kërkoi Anila.
- Merr origjinalen! Për ty e vizatova.
- Faleminderit!
Nuk rrezikoi ta shikonte në sy, ngaqë e dinte se do shprehte më tepër, sesa mirënjohje në vështrim dhe në ato momente kishte frikë se do ndihej më tepër në siklet, po ta kuptonte ai, gjë që nuk kishte dyshime, se do ta kuptonte me një shikim, që do t'i hidhte asaj, se si po ndihej në ato momente Anila në lidhje me të dhe u mundua t'i shmangej vazhdimisht gjatë bisedës në vazhdim, veprim, që i dha rezultatin e të rënit më tepër atij në sy.
- Unë duhet të iki, - u ngrit me peshë më të rëndë të oksigjenit në mushkëri, ngase mbante mend, të kishte pasur, kur kishte shkuar në studio. - E kam lënë, të dal me Visarën nga mbrëmja... - faqet iu bënë prush nga harkimi i buzëve të tij prej gënjeshtrës së dukshme të saj. - Mirupafshim! - preu shkurt dhe iu drejtua daljes.
- Harrove vizatimin, - Sidoreli hoqi fletën nga blloku, e mbajti në duar dhe priti Anilën, t'i afrohej.
- Oh! - ajo reagoi me pasthirrmën ves të sajën, sa herë që habitej, apo dilte nga përhumbja, mbajti sytë e ngulur mbi punimin, kur i shkoi pranë dhe vendosi duart në cep të fletës nga ana tjetër e gishtërinjve të tij. - Po, vizatimi.
Sidoreli shtrëngoi qëllimisht fletën, kur Anila e tërhoqi, për ta nxitur atë, që ta shikonte në sy dhe vënë edhe më tepër në siklet me vështrimin e tij ngacmues, dhe qëllimi iu realizua.
- Faleminderit! - Anila buzëqeshi cekët në shenjë përshëndetjeje dhe u largua.
Atij iu stampua një e qeshur vesh më vesh në fytyrë përgjatë kohës së mbetur në studio atë ditë dhe, ndërsa vizatonte skica për punimet e radhës me në mendje fytyrën e saj tejet të lezetshme, shikimin e turpshëm bashkë me të folurën dhe mendonte i sigurt, që ajo kishte filluar të kishte ndjenja dashurie për të.
Ishte gati ta donte. Nuk i bëhej fare vonë nëse kishte vërtet ndonjë ngjarje traumatike nga e shkuara, që akoma ndikonte në gjendjen e saj, sepse kishte lënë plagë të pashërueshme. Do ta ndihmonte, si të donte ajo, mjaft që t'i ishte pranë dhe të kishte dashurinë e saj.
Për ta njohur plotësisht dikë, rrezik nuk mjaftojnë as vite, ama shpesh intuita na vjen në ndihmë dhe na tregon brenda një kohe shumë më të shkurtër, se çfarë personi është dikush.
Kjo e fundit këmbëngulte në mendimin e vet për Anilën, që ai nuk duhej të hiqte dorë prej saj dhe Sidoreli nuk kishte aspak qëllim, të vepronte ndryshe.
••••
Ajo e shikoi vizatimin me detaje për minuta të tëra, e mbyllur në dhomën e vet, siç mbante mend veten dikur, duke qëndruar me orë të tëra para pasqyrës edhe admiruar pamjen fizike, që kishte. Punimi i vetes përpara syve ishte i shoqëruar nga fytyra e tij, që nuk po i shqitej nga mendja dhe u vinte flakën rrahjeve të zemrës, kur kujtonte çdo moment me të.
Rënia në dashuri iu duk e qartë si qielli i kthjellët atë mbrëmje dhe ai veprim po i dhuronte veç ndjesinë e të qenit e lirë, edhe që vetëm lumturi e priste në të ardhmen prej Sidorelit.
Visara u dalldis, sikur t'i kishin thënë, që do banonte me një alien në shtëpi, kur Anila iu shfaq të nesërmen në pragun e dhomës së saj me një palë xhinse ngjyrë bezhë kremi një fanellë të bardhë me pala të distancuara nga njëra-tjetra dhe supe të zbukuruara, që po mbante mbi parakrahun e djathtë edhe këmishë të trashë sateni ngjyrë rozmarine të çelët së bashku me pantallona kafe të mbyllur të mbajtura në krahun e majtë. Me justifikimin, që kishte një mbledhje të rëndësishme në kompani, i kërkoi mendim, se çfarë të vishte.
- Mos do ta ekzagjeroj te supet, po të vesh këtë fanellën? - Anila tregoi me shikim rrobën e varur në parakrahun e djathtë.
- Mm, - mblodhi fytyrën Visara. - Kjo duket sikur i përshtatet më tepër stinës së verës. Unë them, të marrësh këmishën dhe pantallonat.
- OK, - ajo nuk u zgjat më tepër dhe e la motrën te dera e hapur e dhomës akoma të hutuar nga sjellja e saj e gëzuar përnjëherësh.
Sikur të mund t'i vazhdonte ajo gjendje dhe t'i hiqej qafe ai depresion, do organizonte festë për të!
Anila e lajmëroi Sidorelin, që do shkonte në kompani atë pasdite, për të ditur, se si do vepronte ai dhe me emocionet e ngritura peshë, ngaqë do takoheshin edhe do vështroheshin më ndryshe, dhe më thellë se zakonisht, (e ndiente, që ishin thelluar ndjenjat midis tyre) arriti më herët, se ç'kishte thënë në kompani, parkoi makinën e saj afër ndërtesës dhe iu drejtua tërë shend kësaj të fundit.
Ndjesi, që i ngeci në fyt, sapo njohu gruan më këmbë të ngujuar pranë portës kryesore, e veshur me shall ngjyrë mjalti, pallto, xhinse dhe atlete të zeza. Flokët e kuq ajo i kishte kapur pas koke me kapëse të bardhë dhe kishte lënë disa fije të drejta anash fytyrës në të djathtë.
Jo! S'mund ta merrte një goditje aq rrënuese tani, që kishte menduar se po i shpërblehej mundësia e dhënë vetes, për ta lënë të shkuarën pas. Nuk ishte e drejtë! Leonora Vitori nuk duhej të ishte aty. Nuk duhej të dukej fare në jetën e saj. Pse po i ndodhte kjo gjë? Mos kishte ëndërruar më kot, se një ditë do mund të linte gjithçka pas dhe të përqendrohej vetëm në të lumturuarit veten?
Leonora kishte vendosur gishtërinjë e mbledhur tok mbi buzën e poshtme dhe po shikonte hyrjen e kompanisë, sikur ishte gati në të qarë prej frike.
Mbase nuk kishte ardhur për të? Mohimi iu dha menjëherë si përgjigje në mendje. Për të kishte ardhur. E ndiente në shpirt, që Leonora donte të flisnin.
Të kthehej. Nuk e shikonte dot në sy. As nuk mund t'i afrohej, pa menduar Blerimin dhe ç'kishte ndodhur midis tyre. Bashkë me frikën dhe dobësinë e pashpjegueshme ndaj saj, Anilës iu krijua ndjesia e të vjellit nga pështirosja prej mendimit, që Leonora kishte fjetur me të, duke qenë në dijeni, se ç'krim kishte bërë ai.
Ajo hipotezë e tërboi. Ku e gjente guximin ajo, që t'i vinte në ambientin e punës? Çfarë? Se ishte paksa e bukur, mendonte se mund të konkurronte me të dhe t'i shiste mend, që Blerimi kishte zgjedhur atë, sepse në krahasim me Anilën ishte shumë më e mirë?
Shfryu tërë mllef dhe helm nga urrejtja për armiken, me të cilën nuk kishte folur kurrë më parë dhe bëri qëllimisht zhurmë me takat e saj të zeza, që t'i tërhiqte vëmendjen.
Iu rrit energjia e forcës, kur Leonora ngriu, si të kishte parë njeriun, që do ta vriste, sapo ktheu kokën në drejtim të saj dhe u gozhdua nga shikimi i athët dhe gjykues i Anilës, që dukej sikur thoshte: "Ty të paska zgjedhur Blerimi në vendin tim? Debili! Flaku xhevahirin, për një copë guri të rëndomtë!"
- Përshën... - fjala e thënë me zë të trembur iu pre në mes nga dora e Anilës e vendosur në krahun e saj të majtë dhe tërheqja e saj dhunshëm përgjatë rrugës ngjitur kangjellave të zeza të kompanisë.
Leonora nuk bëri asnjë rezistencë. Ishte dakord, që të flisnin diku, ku nuk do t'i dëgjonte njeri.
Anila mori kthesën në të majtë, vazhdoi edhe disa hapa dhe e vendosi atë përballë vetes. Leonora ishte më shtatshkurtër se ajo deri poshtë syve.
- Çfarë të duket vetja, se po bën këtu? - ajo i kërkoi llogari, sikur Leonora ishte nënshtresa e saj dhe e kishte me detyrim, t'i përgjigjej. - Si e gjete këtë vend?
E pyetura u gëlltit e ndierë nën presion psikologjik nga shikimi i hidhur përçmues i Anilës, para se t'i tregonte.
- Në Instagram. Kompania ka publikuar në faqen e saj një video të një prej eventeve, që organizoni ju, dhe të kishte filmuar edhe ty, duke marrë një çmim për rritjen në detyrë. - zëri i dridhur nuk po e ndihmonte aspak, që të mos dukej e intimiduar nga Anila.
I ngjante sikur nga momenti në moment do merrte shuplaka në fytyrë prej saj dhe s'kishte dyshime, që do t'i digjnin, si t'i kishin vënë një thëngjill në formë pllake në faqe.
- Nuk të vjen turp! - ishte reagimi, që Leonora kishte pritur të merrte nga ajo. - Si guxon dhe më del përpara?
- Blerimi e ka fshirë videon.
Ato fjalë të thëna me shpejtësi e shushatën Anilën në vend dhe nënvlerësimi në sytë e saj ndaj Leonorës u zëvendësua nga frika.
Ajo e dinte për videon?! O Zot! Do ta kërcënonte me të!
- Këtë desha të të thoja, prandaj erdha. Ka fshirë gjithçka dhe askush nuk di gjë për to. Blerimi më ka treguar vetë, para... - Leonora uli kokën dhe forcoi nofullat, që të mos përlotej më shumë.
- Sa e pafytyrë! - përçmimi ia doli ta rrëzonte frikën nga froni në sytë e Anilës. - Edhe qan për të.
Leonora e shikoi në nevojë për dhembshuri ndaj saj. Sado, që përpiqej, nuk ishte aq e lehtë, t'u kthente shpinën të gjitha kujtimeve me personin, që e kishte shpëtuar, kur askush tjetër nuk e kishte bërë dhe, megjithëse nuk lëkundej nga vendimi i marrë, për ta nxjerrë Blerimin nga jeta e saj edhe kurrsesi nuk do ndryshonte mendje, dhe sikur qindra jetë t'i ofroheshin me të, ajo vazhdonte të zgjohej me shpresën, që gjithçka kishte qenë makth, Blerimi nuk e kishte bërë një krim aq të lig ndaj Anilës dhe, kur Leonora të kthente kokën pas, ai do ishte në krevat pranë saj, duke fjetur.
- Më fal! - ajo kërkoi ndjesë e penduar me kokën të ulur. - Duhej të kisha ardhur më përpara dhe të të tregoja për videon, edhe fotot, jo të të kisha lënë të burgosur në frikën, se dikush mund t'i publikojë, por...
Anila u tërbua më tepër nga xhindosja.
- Çfarë po thua, moj? - nuk mundi të mos ia ngrinte zërin Leonorës. - Mos më bëj mua rolin e njeriut të dhembshur, se veç kur ta shohësh veten te Spitali i Traumës! - shtoi kërcënimin në vështrimin e ngulur asaj. - Vërtet kujton, që nuk e shoh unë, se çfarë gjarpri je ti? Më duket se po pretendon edhe që të bëhesh shoqja ime.
- Anilë, nuk dua të të bëj keq. - zmadhoi sytë lutëse për kompromis Leonora.
- Ti, të më bësh keq? - Anila nënqeshi me tallje. - E sheh ndonjëherë veten në paqyrë, apo jo? - dijenia, që ajo vetë nuk shikohej dot, ia shtoi urrejtjen ndaj saj, ngaqë Leonora e kishte një mundësi të tillë. - Je zero për këtë punë! Zero! E ke parasysh kuptimin e fjalës "mosekzistencë"? Ja! Kështu je ti.
Mirëkuptimi i Leonorës ndaj faktit se Anila po sillej aq vrazhdë, vetëm për të mos u dukur se sa e traumatizuar ishte nga e shkuara dhe, pyetja, që i lexoi në sytë e trishtë, e indinjoi më tepër.
"Oh, Anilë! - thoshte e kafta e çelët e atyre syve të përvuajtur. - Kështu e shihke veten ti?!"
Tani ishte vetë Anila, ajo, që donte t'i bënte keq, vetëm që edhe Leonora të vuante gjithashtu. Kush kujtonte se ishte ajo, që të ndiente keqardhje për të?
- Por unë...
- Leonora! - Anila e ndërpreu sërish në mënyrë kategorike, që ajo të mos guxonte t'i priste fjalën në mes. - M'u hiq sysh, sa nuk më je neveritur më tepër dhe vetëm e vdekur i shkon familjes tënde në shtëpi sot! Zhduku!
Leonora iu bind menjëherë dhe e la të vetme në atë rrugicë.
Anilës iu shpeshtua frymëmarja e parregullt nga lemeria sikur kishte takuar edhe Blerimin pak më parë dhe iu drejtua nxitimthi kompanisë, për të shkuar dhe larë dorën, me të cilën kishte prekur krahun e Leonorës.
Lëshoi flokët e ndarë në mes para fytyrës, që të mos e vinte re njeri, se ishte gati në t'ia krisur të qarës, shpërfilli shikimet kurioze të kolegëve, se pse dukej e nevrikosur dhe rendi drejt tualeteve pa pasqyra.
Mbylli derën kryesore, u sigurua, që nuk kishte njeri aty, veç saj dhe hapi rubinetin e lavamanit në mes të të tjerëve.
Përshkoi disa herë me forcë thonjtë nëpër lëkurën e bërë me vija rozë në gjakosje të dorës, që kishte dashur të lante dhe lëshoi veten në ngashërimë, duke dihatur me lotët çurg nëpër fytyrë.
E urrente Leonorën, e urrente me gjithë shpirt Blerimin, veten, që kishte qenë aq e verbër ndaj kurthit të ngritur për të gjashtë vite më parë dhe faktin, që më kot po përpiqej.
Anila do ishte gjithmonë një rrënojë e pavlefshme e të shkuarës së vet të skalitur në çdo qelizë të mundur nga lufta, dhe ajo pjesë e jetës do ta shoqëronte çdo çast deri në fund të saj.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top