52• Aeroportet
Trokëllitja e gishtërinjve të saj të hollë para fytyrës së tij ia riktheu Sidorelit të gjithë vëmendjen e përqendruar në fotografinë me përmasa të mëdha të varur në murin ngjyrë mogani, si të ishte një dritare e hapur dhe jashtë saj po binte dëborë në pyll, tek Anila.
- Po shikoje sërish në atë mënyrën, - qeshi ajo adhurueshëm me gjendjen e tij si prej një të dalldisuri nga arti dhe mori filxhanin e kuq përpara saj mbi tavolinën e zezë, për të pirë çajin e porositur me kujdes, që të mos i derdhej çaji mbi xhinset e ngushta ngjyrë bojëqielli, apo fanellën e gjelbër pylli dhe rrezik edhe atletet e bardha, që kishte veshur gjithashtu, të pësonin të njëjtin fat.
Anila e konsideronte diçka unike. I pëlqente veçantia e tillë, që kishin artistët. Ndërkohë, që shumë njerëz ndjekin rrjedhën e realitetit si të hipnotizuar skllavërisht prej tij, artistët shikonin më shumë, sesa lejonte syri; një dallëndyshe, që për dikë është thjesht duke fluturuar në ajër, për një shkrimtar bëhet frymëzim për shkrimin e një historie rreth vdekjes tragjike të një magjistari me flatra, të cilin njeriu i zemrës nuk mundi ta shpëtonte në kohë dhe prandaj zotohet të marrë hak për humbjen e tij, piktura e një mali frymëzon shkrimin e aventurave të dy armiqve në një luginë, të cilët më në fund kanë mbërritur në shtëpinë e shumëkërkuar dhe, teksa kundrojnë yjet gjatë pushimit në ballkon, dëgjojnë ujqërit duke ulëritur në kodrat tutje, shenjë paralajmëruese kjo, që rreziku nuk ka mbaruar akoma dhe ata të dy duhet të vazhdojnë bashkëpunimin; të tjera universe të krijuara, të tjera versione jetësh, iluzione, që mbërthejnë shpirtin e dikujt në pushtim estatizmi dhe pesha e atyre trillimeve artistike lehtëson rëndesën e asaj të realitetit.
- Cilën mënyrë? - Sidoreli kontrolloi me të shpejtë gjithashtu xhinset gri, që kishte veshur, pulovrën blu të çelët dhe atletet e bardha, nëse mos i kishte bërë padashje me njolla gjëkundi nga pija energjike, që kishte porositur dhe e pa Anilën i qetë, që nuk i kishte ndodhur një incident i tillë.
- I përhumbur nga frymëzimi, - Anila vendosi filxhanin mbi tavolinë. - Të erdhi ideja për ndonjë tjetër tatuazh?
Ai tundi kokën në pohim. Po mendonte, të vizatonte një simbol për dikë, që kishte lindur në dimër, mund t'i kishte ndodhur një ngjarje e pazakontë në atë stinë, ose ajo thjesht ishte e preferuara e tij.
- Më bëre ndonjë pyetje dhe s'e dëgjova?
- Po, - sytë e butë të Anilës shprehën mirëkuptim për neglizhencën e tij të paqëllimshme ndaj pranisë së saj. - Atë ditë, që u takuam në urban, më njohe se kush isha?
Sidoreli risolli dy ditë në mendje.
- Cilën herë?
Pyetja e tij së bashku me shikimin e paqartë e konfuzuan edhe atë.
- Në qershor. Vetëm atëherë jemi takuar. Pastaj në kompani po atë ditë. Nuk të kujtohet?
Habia prej trallisjes së Sidorelit iu shtua më tepër asaj nga e njëjta pyetje, që lexoi në sytë e tij: "Nuk të kujtohet?"
Ai ngriti pakëz kokën në shenjë kuptimi, se për cilën ditë e kishte fjalën ajo, bashkoi buzët në pranim të situatës dhe pyetja iu fshi edhe nga vështrimi.
- Vetëm për fytyrë, - përdori zërin tipik të qëndrueshëm dhe sigurues, që kishte, ashtu si energjia, që përhapte me praninë e vet.
Ishte hera e dytë, që po takoheshin dhe brenda Anilës kishin filluar, të binin më në sy ndjesitë e të qenit e sigurt me të, e vlerësuar prej besimit, që ai shprehte se kishte ndaj saj nga mënyra e të folurit me të, sikur ajo të ishte e familjes, e pëlqyer romantikisht prej tij, emocion, që e nxiste Anilën, t'i jepte Sidorelit një mundësi, për t'u shikuar ndryshe prej saj; jo vetëm si një i njohur me emër dhe fytyrë, por siç ai vështronte atë dhe mendimet, që i krijoheshin nga ai lloj shikimi i pashkëputur vazhdimisht për një kohë të gjatë prej tij, i krijonte përshtypjen se kishte të bënte me një njeri të fortë, të zgjuar dhe simpatik. Po t'i jepte pak kohë, Sidoreli do ta vërtetonte, se ato mendime, që ajo kishte në lidhje me të, ishin të sakta dhe Anila pranonte çdo herë e grishur gjithnjë e më tepër nga ai, që ta ofronte një shans të tillë për të dy ata.
- Më njohe ti?
Ajo pohoi me kokë.
- Po mua, çfarë tatuazhi mendon se do të më shkonte? - Anila vuri këmbën e djathtë mbi atë të majtën, pëllëmbën e shtrirë të dorës së majtë mbi divanin ngjyrë mjalti të mbyllur, ku ishte ulur dhe dorën e djathtë mbi gjurin e po asaj ane.
Ai gjeti rastin, ta kundronte i mbrojtur nga justifikimi, se vetëm po mendonte, për t'i bërë një tatuazh e jo që gjithashtu sepse i pëlqente shumë bukuria e saj, personaliteti, që kishte dhe forca e mprehtë, që tregonte shpesh, se zotëronte me anë të vështrimit të pathyeshëm dhe indiferent ndaj sulmeve të të tjerëve.
Ngjante sikur e dinte, që jepte përshtypjen e njeriut arrogant me atë qëndrim, ama nuk i bëhej vonë aspak, pasi e dinte mjaft mirë të vërtetën, që shumë njerëz nuk e pranonin me zë, se mendonin për të; që ajo dukej nivel shumë më i lartë, sesa ata ishin dhe nuk e arrinin dot me një lajkatim, që i bënin.
Nuk ishte kotele, e cila mund të zbutej lehtë me një përkëdhelje fjalësh, apo vështrimesh, por një luaneshë; duhej t'i fitohej besimi fillimisht, vetëm për t'iu afruar. Të merrej dashuri prej saj pastaj, ishte sfidë më vete.
- Dielli më vjen në mendje, kur të shoh ty. - tha Sidoreli. - Dhe natyra, toka. Ke sy, që ndrisin nga gjallëria, por edhe qëndrimin e një njeriu të shtruar gjithashtu.
Anila shprehu padurim në shikimin e saj të qeshur, që të dinte rezultatin përfundimtar.
- Luledielli, - sugjeroi tatuisti. - Këtë mendoj.
Ajo nënqeshi butë.
- Ja! Prandaj nuk i shoh postimet e tua në Instagram unë. Jam e sigurt, që do më bindje, për ta bërë një tatuazh.
Sidoreli e besoi më tepër, që vizatonte shumë bukur nga komplimenti i saj.
- Faleminderit! - ai piu pjesën e mbetur të pijes energjike të porositur dhe shikoi tutje dritares së madhe me korniza druri, që thyenin qiellin gri në drejtkëndësha të vegjël. - Ngrihemi? Ecim pak.
- Po, - ajo afroi çantën e bardhë me rrip të lënë majtas saj mbi divan dhe nxori portofolin, për të paguar çajin e porositur.
- Anila!
Gjëmimi i shtruar në zërin e tij mundi ta shungullonte të tërën, por ajo ia doli t'i mbante sytë nën kontroll, që të mos e shprehte lëkundshmërinë e ndierë nga shikimi rreptësisht i rëndë, që dinte, se kishte mbi veten prej Sidorelit për çështjen e pagesën.
- Nuk do rrish gjithë jetën me kokën ulur, - parashikoi përballjen e tyre shumë shpejt ai dhe Anila e vështroi e gatshme, për të mbrojtur argumentin e vet në diskutim.
- Si është puna? - përshtati tonin serioz me vështrimin gjithashtu dhe Sidoreli harkoi buzët i grishur më tepër prej saj nga forca e panënshtruar në shikim.
- Mund t'i futësh paratë në çantë? - kërkoi ai me mirësjellje.
- Pse? - Anila u duk sikur vërtet nuk e dinte, për çfarë po ia bënte ai një kërkesë të tillë.
- Ti e di, se pse. Mos të zgjatemi shumë!
Stafetën e mori ajo në dorë, për të ngulur shikimin mbi sytë e tij rigorozë dhe vënë buzën në gaz nga tërheqja prej fuqisë që ndodhej në jeshilen e ndërthurur cekët me të gjelbrën e butë.
- Sidorel! - vështrimi i qetë i saj u ndesh me atë kategorikun të tijin, i cili nuk lëshoi pe për asnjë moment, ndërsa mbante shpinën të mbështetur në divan, parakrahët të kryqëzuar përpara dhe shikonte Anilën me bërrylat e vendosur mbi tavolinë, e cila filloi të dyshonte në forcën e vet dhe të kishte bindjen, se në atë bisedë do ta thoshte ai fjalën e fundit. - Ky nuk është takimi ynë i parë, që të paguash ti, sepse e ke bërë ftesën ti. Është i dyti dhe unë do kisha shumë dëshirë, të mos ishte i fundit. Më pëlqen ti si person.
Fjalët iu lëshuan si shigjeta nga harku dhe Anila nuk mund t'i kthente më mbrapsht. Këtë gjë nuk e honepste aspak te vetja; që nuk tregohej pak e përmbajtur dhe e distancuar nga njerëzit e saponjohur, por e mbante bisedën mish e lëng me ta që në fillim. Nuk qëndronte dot e ftohtë me askënd. Ishte instinkt, që të fliste dhe të bënte shaka, për t'ia kaluar sa më bukur me atë person, që dhe ai të mos ndihej në siklet dhe të mendonte, se po e bezdiste Anilën me praninë e tij, apo mënyrën se si ai sillej. Ajo i trajtonte njerëzit, si t'i kishte familjarë; kjo ishte e meta, që e ndiente tepër të vështirë, për ta ndryshuar. Veç donte të kalonte sa më mirë me këdo, por njerëzit mund edhe të ndiheshin të asfiksuar nga shprehja aq intensivisht e dashurisë prej saj dhe shumë të tjerë të përfitonin nga ajo, duke e shikuar si pre të lehtë, për t'i bërë keq. Duhej urgjentisht të mësonte, për të mbajtur distancë.
Sidoreli e hoqi menjëherë armaturën e shikimit të rëndë mbi të.
- Është në dorën tënde, - Anila s'kishte ç'të bënte, duhej të vazhdonte rrugën e nisur. - Do e mirëkuptoj plotësisht, po the se kjo është hera e fundit, që dalim bashkë. Unë e vlerësoj shumë, që je treguar i sjellshëm me mua. Nuk jam njëqind për qind e sigurt, nëse më ke respektuar, sepse ke dashur, apo je shtirur, ama prej meje nuk do kesh asnjë shqetësim. Nuk humbas kohën kot, duke rënë në nivelin zero, ku ndodhen njerëzit negativë. Fundja, ti po jeton me veten tënde reale, sido të jetë kjo e fundit. Unë jam në rregull për vete. - iu duk e drejtë, të tregonte se nuk do t'i mbetej aspak peng, që ai nuk kishte të njëjtën dëshirë si ajo, megjithëse kjo gjë ishte gënjeshtër. - Prandaj më duket e përshtatshme, që tani të paguaj vetë për pijen time. Ne jemi njësoj. Ti punon dhe prandaj shpenzon, edhe unë kështu. Pse të shpenzosh vetëm ti? Nuk të kanë rënë paratë nga qielli. Je që nga mëngjesi deri afër mbrëmjes në punë. Dhe unë të përfitoj nga mundi yt? Nuk është e drejtë.
- Nuk po përfiton, - përdori ton më të qetë zëri ai, i mikluar prej saj, teksa kujtonte se ajo e pëlqente si person dhe donte të dilte sërish me të.
- Le të mos devijojmë nga parashikimi, që kam thënë se unë e ti do shkojmë shumë mirë bashkë! OK? - zmadhoi më shumë sytë lutës ajo.
Sidoreli shkundi kokën akoma mospranues dhe nxori portofolin e tij nga xhepi i xhinseve.
- Jo, nuk më bëhet, të dal nga lokali, duke e ditur se ke paguar ti. - ai mbylli portofolin.
- O Zot! Ne shqiptarët. - qeshi ajo me supet vazhdimisht në ngritje. - Si do ia bëjmë me njëri-tjetrin?
- Anila! - Sidoreli vendosi gjithashtu parakrahët e tij mbi tavolinë, për të qenë më afër saj. - Unë punoj në kompani prej teje. Më takon, të paguaj.
- Oh, tani! - ajo stepi kokën pas e lodhur. - Çfarë thashë unë pak më parë?
Ai thirri kamarierin.
- OK, - lëshoi rrugë në mëdyshje Anila. - As unë s'jam e sigurt, por...
Sidoreli pagoi faturën dhe dolën nga lokali.
Po ecte nga ana e rrugës së makinave me Anilën në të majtë të tij.
- Po ty çfarë ka ndonjë gjë, që nuk të pëlqen? - e pyeti tërë kërshëri ajo. - Sikur mua tatuazhet, përshembull.
- Udhëtimet nuk më pëlqejnë, - ai fiksoi shikimin prej njeriu të distancuar mbi rrugën këmbësore përpara tyre. - Aeroportet, sidomos.
- Seriozisht? Po si do ia bësh me punën? Unë mbaj mend Majlindën vazhdimisht në udhëtime, ngaqë ishte administratore. - kujtoi Anila.
- Do e gjej një mënyrë.
- S'kam dyshime.
Besimi në sytë e saj e ndaloi Sidorelin së ecuri.
- Të të shkruaj këtë të dielë, për të dalë sërish? - iu duk moment i përshtatshëm, për t'i shprehur asaj, se donte të vazhdonin së takuari.
- Po, kam kohë. - Anila e pranoi ftesën e tij për atë fundjavë dhe për ditët e tjera në vazhdim të nëntorit.
Kaptoi të gjitha paralajmërimet e nxjerra përpara nga e shkuara, që të kishte kujdes, për të mos krijuar shumë varësi ndaj Sidorelit dhe më pas të pësonte të njëjtën ripërsëritje ngjarjesh, edhe mbajti anën e intuitës, e cila këmbëngulte se ai ishte po aq njeri i drejtë, sa dukej dhe nuk po luante me të.
••••
Gjatë kthimit më këmbë për në shtëpi pas mbledhjes së zakonshme në fund të muajit të tretë të vjeshtës në punë, mori një mesazh nga dikush në Instagram, që ishte e interesuar, për të punuar në kompani si distributore.
Nuk iu duk, se do ishte problem, po t'i kthente përgjigje të interesuarës, kur të mbërrinte në shtëpi, por, e ndikuar nga të menduarit se kushedi sa emocionet i kishte e panjohura për punën e re, sa ëndrra kishte thurur dhe dëshira e prisnin, për t'iu realizuar sa më parë, nxori telefonin nga xhepi i palltos së zezë dhe i shkroi përgjigjen.
E shtrëngoi në çast telefonin, kur gishtërinjtë e një dore i mbërthyen krahun e djathtë dhe e tërhoqën pas, edhe me zemrën në fyt ktheu kokën prapa.
- Prit! - e qortoi hidhur Graniti dhe ajo shikoi e zbehur semaforin nga ana tjetër e rrugës me dritën e kuqe të ndezur për ndalimin e kalimit të këmbësorëve.
- Oh! - Anila u tërhoq pas me kokën e ulur nga sikleti i pakujdesit të treguar dhe vërejtjen e bërë nga i huaji, sytë blu të errët të të cilit e kishin vështruar po aq ashpër, sa fjalët e përdorura, për ta ndaluar. - Faleminderit! - shikoi fytyrën e tij në profil djathtas saj, flokët e shkurtër të kuq në të errët, shallin gri përreth qafës dhe pallton ngjyrë blu të mbyllur prusiane, që ai kishte veshur.
- S'ka gjá, - Graniti u përgjigj akullt me vështrimin e ngulur mbi rrugën përpara dhe të dy pritën në heshtje.
Ai kishte dyshuar menjëherë, se ishte Anila Idrizaj, sapo e kishte pikasur, t'i afrohej me kokën mbi telefon, ishte siguruar nga sytë e saj, se ishte ajo vajza, për të cilën i kishte folur Denada në lidhje me Blerim Agollin dhe kishte kërkuar edhe vetë në internet për të, që ta dinte, në mos ishte ndonjë e njohur për fytyrë.
Ishte hera e parë, që po e takonte dhe sapo i kishte shpëtuar jetën, nëse mund ta quante ashtu atë veprim. Anila, si dukej nuk e kishte njohur dhe as që ishte në dijeni, se sapo kishte takuar vëllanë e Leonora Vitorit.
Me t'u ndezur drita e gjelbër Graniti eci nëpër vijat e bardha, për të kaluar në anën tjetër dhe iu krijua përshtypja, se Anila nuk kishte lëvizur nga vendi. Të kthehej pas, për ta ditur, në ishte gabim në supozimin e tij, nuk mundej. Nuk donte t'i krijonte asaj idenë, se ishte i interesuar për të.
Dridhja e telefonit në xhepin e djathtë të xhinseve blu ia fshiu mendimet rreth saj.
Ai lexoi emrin e Leonorës në ekran, para se të përgjigjej dhe vendosi telefonin në veshin e majtë.
- Alo?
- Granit, pse nuk m'i ke bá "like" story-t tem n'Instagram?
- Nuk i baj "like" kurrkujt, - sqaroi ai.
- Po unë jam ndryshe. Ti, n'vend se me than: "Sa nder për mue, që mundem me pa story-t e tua!"
- Hëh! Unë edhe qat shikim ta dhashë padashje, se qeshë t'u pa nji story tjetër edhe m'doli fotoja jote pastaj.
- Uou! Si mor nuk mbështet motrën tane? Çfar' vllau qenke ti?!
Ai qeshi nga dramatizimi i saj.
- Mirë, mirë, mbaje mend! - tregoi se i kishte mbetur hatri Leonora. - As me Pavlinën nuk m'ke prezantu halá.
- Si nuk dite me e harru qta!
- Jo, unë për ksi temash nuk harroj gjá. - qeshi Leonora. - Bani 'like' atij story!
- Norë, ti thuj shyqyr se nuk t'baj bllok.
- Á? Mirë, pra. Prej inati ka me t'mbyll telefonin qtash e para. Mos e mbyll ti, OK? Du' me e fitu debatin unë.
- OK, - ai pranoi, t'i jepte fitoren të motrës dhe shfryu lehtë, ndërsa fikte telefonin i buzëqeshur, pasi ajo përfundoi telefonatën.
E dinte se humori i saj dhe të përshtaturit me realitetin me optimizëm, pavarësisht çfarë i kishte ndodhur ishte më tepër mekanizëm bashkëpunimi me jetën, që të krijonte sa më shpejt pafund kujtime të bukura, për t'i harruar ato negativet, sesa ajo vërtet e kishte lënë plotësisht të kaluarën pas krahëve dhe ai ishte i vendosur, për ta ndihmuar, që Leonorës t'i vinte një kohë, kur asaj nuk do t'i duhej të sforcohej aq, por krijimi i kujtimeve të bukura do t'i ndodhte natyrshëm.
....vazhdon....
Kur shkrova për Sidorelin, që nuk i pëlqen fare aeroportet, nuk e di pse më erdhi për të qeshur fillimisht; pastaj m'u kujtua pjesa, ku ai detyrohet të shkojë në aeroport edhe nuk qesha më.
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top