47• Përgjithmonë Sekret
- Mos po të shqetëson ky personi? - ai u ul në mbështetësen e krahut të divanit nga ana e djathtë e saj dhe Anila ia doli ta ndalonte veten në kohë, para se ta vështronte. - Mund ta bëj diçka për ty, nëse dëshiron.
- Princi i kalit i gatshëm për shpëtim heroik, - vërejti me tallje e pyetura dhe Sidoreli nuk e mbajti dot të qeshurën prej atij komenti. - S'është nevoja. Jam në një takim. - ajo sqaroi vrazhdë, pa e shikuar.
- Anila!
Mënyra se si ai ia tha emrin me mosbesim nga çfarë sapo kishte zbuluar dhe sikur çdo shkronjë të ishte pjesë e një teli, që u përkul lehtë në formën, që deshi zëri i tij, e gjeti Anilën të papërgatitur nga të dridhurat, të cilat i mbërthyen vertebrat e shtyllës kurrizore dhe ajo uli vështrimin e kapluar papritmas nga ndikimi intensiv i tij aq pranë saj.
- Mos më thuaj, që kisha të drejtë në lidhje me të dashurin tënd! - shtoi Sidoreli. - Cili nga dyshimet e mia doli i vërtetë? I pari apo i dyti? Apo ishte i treti gjatë gjithë kësaj kohe? Ti...
- A ka mundësi, të largohesh? - mori veten mjaftueshëm ajo, sa për t'i kthyer ashpër me shpejtësi përgjigje, edhe pse pa anuar kokën, që ta vështronte në sy. - Nuk të kërkoi njeri diskutim për jetën time private.
- Kuptohet se pse. E paske gjetur personin për një temë të tillë! Në fakt, prisja, të kishe standarte më të larta...
Anila shqeu sytë e shastisur nga thumbimi i tij përqeshës dhe forcoi dhëmbët, që të mos kthehej nga ai e t'i jepte ndonjë pëllëmbë fytyrës. Nuk donte të binte më tepër pre e provokimit të tij.
- Të paktën një nivel më poshtë se unë, - vërejti Sidoreli me zë të zhgënjyer. - Meqë në të njëjtin nivel, e di dhe vetë ti, se nuk gjen dot dhe më lart nuk diskutohet, që jo. - specifikoi me të qeshur krenarie nga një fakt i tillë dhe në humor nga situata, që kishte shkaktuar.
"Kaq ishte! - durimi i saj arriti fundin. - Nuk mban më ujë pilafi me këtë person!"
- Unë jam në anën tënde, Anila. Nëse ai vjen dhe më kërkon t'i bëj një tatuazh, menjëherë do të të lajmëroj. Dhe ta dish, që jam njeri shumë besnik.
- Sidorel, zhduku! - Anila u xhindos më tepër, që zëri nuk i doli aq kërcënues, sa kishte dashur, por vetëm si tregues, që mezi po e mbante të qeshurën nga emocionet prej tij.
Nuk e kuptonte se pse nuk kishte të njëjtën ndjesi moshonepsjeje ndaj flirtimit të Sidorelit, sikur kishte pasur ndaj të tjerëve, pse nuk mendonte se ai po luante, por që tatuisti kishte interes vërtet për të dhe prandaj po e zgjaste bisedën, që nuk hamendësonte se, nëse ai do e dinte të shkuarën e saj, kurrë nuk do ia hidhte sytë, por kishte bindjen, se Sidoreli nuk do e merrte vesh kurrë dhe ajo s'kishte pse ta sillte në sipërfaqe, edhe të shkatërronte momentet e tilla midis tyre.
- Në rregull, - pranoi i dorëzuar ai në dukje. - Po qe se ndryshon mendim, vetëm kthe kokën nga tavolina ime! Do jem duke të parë.
- Do jesh me shpatullat e thërrmuara në copash, po nuk m'u hoqe qafe brenda dy sekondave!
- Për të mirën tënde, Anila, dy sekondat kalojnë shpejt, kështu që nuk ke pse pret shumë. - Sidoreli u largua pas atyre fjalëve ngacmuese për të në tavolinën, ku kishte qenë ulur dhe ajo mori frymë thellë më e rënduar me emocione të pashpjegueshme, se e lehtësuar.
Danieli dhe Visara u kthyen në kohë, për ta shpërqendruar dhe Anila vuri re, që e motra kishte qarë. E merrte me mend se për humbjen e Amarildos dhe pezmatohej më tepër, që derdhej lot për atë kriminel. Nuk e dinte dhe sa do duronte, pa u bërtitur të afërmve, që të mos qanin për të, sepse ai nuk e meritonte. Ata duhej të qanin për njerëzit, të cilëve u ishte shkatërruar jeta për faj të tij.
Duke parë Visarën të qeshur dhe kokë e këmbë të dashuruar me Danielin, mënyrën se si e vështronte në të njëjtën mënyrë ai, po kuptonte se falë tij ajo kishte mundur të mos binte aq në depresion, sa prindërit për Amarildon dhe Anila për të kaluarën e saj. Të paktën Visara ishte në kohë, për të jetuar. Për Anilën kishte mbetur vetëm ekzistenca.
Ajo shikoi tutje tavolinave te Sidoreli, i cili kishte qenë duke pritur vështrimin e saj. E kishte vënë re Anilën duke qëndruar me turinjtë e varur dhe kishte vendosur duart në tavolinë në shenjë ngritjeje, për t'i kërkuar llogari Danielit, nëse ajo do t'i kërkonte ndihmë.
Gatishmëria e tij, për ta ndihmuar, e zuri në befasi. Pse ai do zihej me dikë, që nuk e njihte dhe do rrezikonte jetën për të? Çfarë vlere kishte ajo? U ndie po aq delikate dhe e butë nga gjesti i tij, sa edhe mirënjohëse dhe në nevojë, për ta falënderuar, që ai po i jepte emocionin e një rëndësie të tillë qoftë edhe për një moment, se ajo ia vlente, për t'u mbrojtur.
Anila e urdhëroi me shikim të rreptë, që të mos lëvizte nga vendi dhe Sidoreli buzëqeshi miratues prej reagimit të saj.
Loja me të po i dukej e tepërt Anilës. Sikur nuk i mjaftonte, që i duhej të duronte ekzistencën e vetes, duhej t'u bënte vend edhe hamendësimeve, që ndoshta ai vërtet e konsideronte tërheqëse, siç dukej se e vështronte, dhe nuk po tallej, për të kaluar kohën.
Shikimi i tij mbi të, kur ajo e vështroi përsëri, ia doli që për një moment, t'ia shuante të tëra dyshimet asaj dhe ta bënte, të kuptonte vetëm që Sidoreli po mendonte në mënyrë intime, se ajo ishte shumë joshëse dhe Anila ktheu kokën menjëherë nga tavolina e vet, me betimin në mendje, që të mos e vështronte më atë dhe kraharorin e përfshirë në flakë nga reagimi i çuditshëm i trupit të ndierë në rehati dhe që i kishte pëlqyer ai shikim.
Sidoreli ravijëzoi buzët cekët i grishur nga ndjeshmëria e saj prej vështrimit të tij, se si dukej tepër e ëmbël dhe delikate, edhe, po ta zbulonte se ai donte ta lëndonte, do thyhej nga brishtësia.
Vetëm po ta dinte të vërtetën për vëllanë e saj, do shkatërrohej ajo, por edhe për atë gjë Sidoreli po punonte, që Anila të mos e merrte vesh kurrë dhe gjithçka do ishte në rregull.
••••
Anila mbajti vështrimin e ngulur mbi telefonin e saj në tavolinë, kur kamarieri solli porositë dhe i vendosi filxhanin me çaj boronice përpara mbi tavolinën e verdhë.
Afroi duart, të merrte filxhanin, por menjëherë i vendosi mbi divan, sapo pa kyçet dhe kujtoi duart mbërthyese të Blerimit në to. Ndjesia e forcës së tij mbi të i shtrëngoi nofullat dhe ajo puliti sytë me forcë, që të mos qante në sy të Visarës dhe Danielit.
Ndieu veten, të binte. Nuk po e ndalonte dot mendjen nga të kujtuarit britmat e saj çjerrëse atë natë, dorën e tij mbi gojë, vështrimin e tij...
"Ndalo!" - e urdhëroi trurin, po ai nuk iu bind. Këmbënguli se asgjë në jetë nuk mund t'a kthente lumturinë, që kishte pasur para njohjes me Blerimin dhe kurrë nuk do ta gjente dikë, që do ta donte me atë të kaluar mbi shpinë, siç donte Danieli Visarën. Edhe sikur ta gjente, Anila nuk do mund ta mbante dot për shumë gjatë në jetën e saj.
Nuk e dinte se çfarë i kishte thënë mendja, kur kishte vendosur të martohej me Eltonin. Ajo, as t'i afrohej nuk do ta kishte lejuar atë, nga frika, se do pësonte të njëjtën traumë si prej Blerimit, e jo më të pranonte, që të flinin së bashku.
Ishte e sigurt, që dhe Sidoreli vetëm sa i kishte komplimentuar me shikim pamjen fizike për një moment, edhe më pas nuk do kishte fare interes për të. Dhe sikur ai të vazhdonte, të kishte të njëjtën ndjenjë ndaj saj, ajo kishte besimin e plotë, që, pasi t'i zbulonte të shkuarën, Sidoreli do hiqte menjëherë dorë.
Sikur të mund ta ndërronte atë trup, që kishte, me një tjetër të ri! E gjithë dhimbja do merrte fund.
- Nuk të pëlqen çaji, Ania? - Visara e pa e shqetësuar dhe Danieli i merakosur gjithashtu. - Porosit diçka tjetër, nëse dëshiron.
- Është mirë, - ajo përqendroi vështrimin tutje saj, për të mos parë duart, kur të merrte filxhanin, dhe të reagonte çuditshëm, duke bërë, që ata të dy të mendonin se ishte e çmendur.
Shikimi i ndaloi te Sidoreli, ndërsa ai po vështronte burrin e ulur majtas tij në tavolinë me të dhe dëgjonte me vëmendje, dhe herë pas here shkundte kokën në mirëkuptim.
Sidoreli ngriti vështrimin drejt saj, pikërisht kur ajo shikoi vajzën e ulur përballë.
Kishte besuar se ndjesia e tërheqjes prej Anilës, mendimi, se sa e bukur dhe personalitet interesant dukej, që kishte ajo, do t'i venitej shpejt dhe dy-tri fjalë ngacmuese do ia largonin dëshirën, për të flirtuar sërish me të, por ajo përshtypje në lidhje me Anilën, vetëm sa po i forcohej, ndërsa vështronte me detaje sytë e saj hetues të picërruar, si të ishin duke investiguar një ngjarje, pa lënë mënjanë asnjë detaj dhe Sidoreli dëshironte sërish, të fliste me të, por këtë herë jo duke pritur, që të takoheshin rastësisht diku dhe biseda të ishte e shpejtë, pasi ajo, ose ai duhej të largoheshin për shkak të planeve, që kishin bërë.
Donte të dilte një herë me Anilën. Ndoshta pas atij takimi do mund ta nxirrte nga mendimet dhe jeta e tij.
••••
Danieli i dha dorën asaj në fillim, kur dolën nga bari dhe ishin në fund të takimit.
- Gëzohem shumë, që u takuam!
Anila kuptoi vështrimin e tij të ngazëllyer, sikur ai po i jepte dorën motrës së vet të madhe dhe lejoi ndjesinë e familjaritetit me të, që të strehohej në mendjen e saj.
- Gjithashtu, - pohoi ajo.
- Ndoshta takohemi dhe në Durrës ndonjëherë. Po fillove ta pëlqesh, sigurisht. - shtoi thumbues ai dhe Anila buzëqeshi. - Visara më ka thënë, kur ka folur për ty, që nuk të pëlqen si qytet.
- E vërtetë, - pranoi Anila dhe ktheu kokën në të majtë, pikërisht kur Sidoreli po i kalonte pranë me dy miqtë e tij dhe nga vështrimi serioz, që ai i hodhi, dukej se e kishte dëgjuar atë të dhënë për të.
Kraharori iu rëndua Anilës përsëri dhe bashkoi buzët e vrenjtur, që ai po zbulonte vetëm se çfarë ajo nuk pëlqente dhe kjo po e bënte Anilën, të dukej si person shumë tekanjoz.
U distancua prej Visarës dhe Danielit, që ata të kishin pak kohë vetëm dhe të përshëndeteshin, e më pas u kthye me të motrën në shtëpi.
- Si t'u duk? - e pyeti Visara, ndërsa të dyja hynin në dhomën e Anilës.
- Njeri, - komentoi shkurt Anila, ndërsa merrte laptopin dhe ulej te kreu i krevatit.
- Ania, ta dish se të vjen radha edhe ty. Do jap të njëjtin reagim, kur të takoj të dashurin tënd. Kështu që mendohu mirë, para se të flasësh!
- Interesante, që mendon se mund të më kërcënosh mua. Edhe ëndërrimi e ka një kufi, Visara. Bën mirë, ta respektosh, nëse nuk dëshiron të thyhesh nga realiteti, pastaj.
- Po flet nga eksperienca jote? - Visara u ul përballë saj mbi krevat, ndërsa Anila merrte laptopin nga komodina. - Prandaj nuk e ke më gjallërinë e dikurshme, Ania? Të ka thyer realiteti?
Anila fiksoi sytë mbi ekranin e ndezur, duke u shtirur sikur nuk e kishte dëgjuar të motrën, ngaqë kishte qenë e përqendruar në punë dhe Visara e kuptoi shmangien.
- Pse nuk tregon? - e pyeti e prekur ajo. - Prandaj më the atë ditë, që u ngrite në detyrë, se je ushtarja e rënë? Kush të ka bërë keq? Për faj të kujt e humbe betejën?
- Ishte shprehje. Mos merr seriozisht çdo gjë, që them unë! - kërkoi Anila në formë urdhërore, pa i shkëputur sytë nga laptopi.
- Jo, ti gënjen. - Visara nuk mundej më, që ta anashkalonte depresionin e Anilës, të cilin kishte filluar ta kuptonte, se nuk ishte vetëm për shkak të vdekjes së Amarildos. - Fol me mua! - ajo i vendosi dorën e djathtë mbi gjurin e majtë. - Nuk do doje, që unë të të tregoja, nëse kam ndonjë problem?
- Kjo është ndryshe, - Anila e vështroi drejt e në sy, për ta bindur me shikim, se çdo gjë në jetën e saj ishte në rregull dhe ajo nuk kishte pse të shqetësohej, por u lëndua më tepër nga sytë e përlotur të Visarës dhe dhimbja në to nga gjendja e saj.
Dy alternativat e parashtruara në ato çaste nuk e lanë, t'u shmangej zgjedhjes detyrimisht të njërës prej tyre: ose do shtirej sikur ishte e lumtur në sy të familjes, për të mos i mërzitur më shumë, ose do largohej nga shtëpia, që të jetonte më vete. Atëherë mund të shprehte lirshëm çfarëdo ndjenje, të donte.
- Nuk kam gjë, Visara. - Anila i preku dorën e djathtë mbi gjurin e saj. - Thjesht jam rritur dhe bëj pjesë me vullnetin tim në grupin e njerëzve, që nuk ia shprehin çdokujt entuziazmin ndaj jetës, por rrinë të distancuar dhe në qetësinë e tyre. Kaq.
Visara fërkoi syrin e majtë dhe vari buzët e pabindur, se po i thuhej e vërteta.
- Oh, tani! Mos bëj kështu! - iu lut Anila. - Ti, më duket se qëllimisht po këmbëngul, që unë kam probleme, vetëm për të pasur vërtet probleme më pas.
- Jo! - kundërshtoi menjëherë Visara dhe i buzëqeshi, duke u kthyer sërish në njeriun e ëmbël pozitiv, që ishte zakonisht. - Të dua!
- Edhe unë ty, - Anila i shtrëngoi dorën dhe mbajti buzët e harkuara, deri kur Visara doli nga dhoma. Më pas psherëtiu tmerrësisht e lodhur, që të vijonte në të njëjtin stad.
Visara do vazhdonte universitetin në tetor dhe duhej të ishte sa më e qetë edhe pa shqetësime, për t'u fokusuar në studime. Nuk i detyrohej asgjë Anilës, që nuk përpiqej, të shprehte pozitivitet, për të mbajtur familjen në nivelin e qetësisë, por e tërhiqte edhe atë drejt depresionit.
Largimi nga shtëpia iu duk opsion më i lehtë, për t'u vënë në zbatim, sesa të mundohej, për t'u sjellë e gjallëruar për jetën. Ishte me shumë rrezik, që të jetonte vetëm, por ndoshta distanca do iu bënte mirë të dyjave.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top