46• E Gjithë e Vërteta
Anila mbylli derën dhe u kthye nga Visara.
- Nuk po bëj asgjë të jashtëligjshme, - sqaroi menjëherë ajo.
- Dua të gjithë të vërtetën, - urdhëroi Anila.
- Në rregull, eja të ulemi!
Visara u ul e para te kreu i krevatit të saj me batanije të gjelbër pylli dhe Anila u ul përballë.
- Po dal me dikë. - rrëfeu e emocionuar.
- Që kur?
Visara nguli dhëmbët mbi buzën e poshtme, e ndierë në telashe.
- U bë një vit në korrik.
Anila tentoi të bërtiste të gjitha pyetjet e formuara njëherësh, por nuk nxori zë.
- Do të të thoja, por ti nuk dukeshe fare në gjendje dhe pata frikë se do më kërkoje, të mos e takoja më, sepse ai mund edhe të jetë duke luajtur, por nuk po luan. - theksoi pjesën e fundit të fjalisë Visara. - E kam kuptuar, që më do vërtet. Ai më tha, madje, që dëshiron të takohet me ty, të njihet me familjen.
- E njeh ti familjen e tij?
- Jo, nuk i kam takuar akoma. Ka prindërit në familjen bazë, një vëlla më të madh dhe dy motra më të vogla. Është njëzet e pesë vjeç dhe punon si programues në një kompani private në Tiranë.
- Nga është?
- ... Durrësi.
Anila ngriti sytë menjëherë në shenjë mosaprovimi.
- Por do ta pëlqesh shumë si person, - këmbënguli Visara. - Është tejet i edukuar. E ka shumë fiksim zbatimin e rregullave të etikës njësoj si ti.
- Do të takohet me mua?
- Po.
- Si e ka emrin?
- Daniel Hidri.
Visara po shikonte e paduruar Anilën, që të thoshte mendimin e saj.
- Në rregull, thuaji të takohemi! - pranoi Anila.
- Kur?
- Brenda kësaj jave.
- Nëse thotë sot?
- Prano!
Visara mori telefonin mbi krevat dhe i shkroi të dashurit të saj.
- Sot, thotë ai. - tregoi pas tre minutash.
- Mirë. Zgjidheni një vend dhe dalim! - u ngrit në këmbë dhe doli nga dhoma.
Mbase ai e donte vërtet Visarën, ama Anila e ndiente për detyrë, t'i tregonte, që, nëse do guxonte të bënte dhe gabimin më të vogël kundrejt saj, nuk do kishte falje për të. Kishte sakrifikuar shumë për atë vajzë. Një nga arsyet, se pse nuk e kishte denoncuar Blerimin në polici, kishte qenë frika se ajo do e paguante me Visarën. Kur nuk kishte kursyer veten për motrën e saj, dikë tjetër nuk e llogariste gjëkundi.
Xhinset e zeza i shoqëroi me këmishën e zezë dhe atletet gjithashtu. Flokët i ndau në mes dhe i la lirshëm, që, nëse do qante, do mund të mbulonte fytyrën me to. Visara veshi një fustan të shkurtër me mëngë të tilla ngjyrë kajsie në rozë të lehtë, me pala dhe trëndafila të bardhë, edhe një fjongo përgjatë belit, taka ngjyrë gurkali dhe i lidhi flokët topuz në krye të kokës.
- Mos e shiko, sikur dëshiron ta vrasësh! - i kërkoi Anilës, ndërsa e prisnin në hyrjen e një bari.
- Pse, çfarë i ndodh? I bie të fikët nga frika?
- Ania! - thirri e lodhur Visara. - Ja, prandaj kam ngurruar, të të tregoj për të. Ti flet sikur qëllimisht i provokon të tjerët, të nisin sherr, vetëm për t'u zënë më pas me ta.
Anila shfryu e bezdisur dhe u përpoq të mos krijonte mendime negative, se si do shkonte ai takim, se mos do bënte ndonjë veprim, që e do nxirrte keq Visarën para tij dhe do kthente të motrën kundër vetes.
- Ja, erdhi! - Visara shikoi tërë shend pas Anilës dhe ajo ktheu kokën prapa.
Hamendësoi, që Danieli ishte burri i veshur me xhinse të kaltra të zbehtë, këmishë ngjyrë tjegulle dhe atlete të bardha, i cili tregoi pak ngurrim, kur ndeshi vështrimin me të.
Shikoi ngultazi sytë e tij ngjyrë kobalti, vështroi përciptazi flokët e verdhë të errët pakëz të gjatë të kaluar sipër kokës dhe më pas përsëri sytë e tij.
- Si jeni? - ai i zgjati dorën fillimisht Anilës, dukshëm i ndierë si mbi gjemba nga mendimi, që po krijonte ajo për të.
- Mirë, - u përgjigj ajo me ton formal.
- Si je ti? - Danieli u kthye nga e dashura.
- Shumë mirë, - qeshi ajo, në pamundësi për t'i mbajtur më tepër emocionet, pa i shprehur.
- Hyjmë brenda? - ai kërkoi lejen e Anilës.
- Po, - Anila hyri e para dhe i udhëzoi drejt një tavoline rrethore druri.
Vetë u ul në divanin e kuq të errët nga muri i xhamtë i barit, ndërsa ata të dy përballë saj dhe nuk vonuan të porositnin, se ç'donin për të pirë.
- Nëse dëshiron, mund të takohemi një herë tjetër, Ania. - tha ai. - Më duket se nuk je në humor. Nuk e marr për keq.
- Jam mirë. Faleminderit! Si shkon ti? Puna? Familja?
- Puna shumë mirë. Siç të ka thënë dhe Visara, jam programues. Punoj dhe jetoj në Tiranë. Familja është në Durrës. Një pjesë e familjes. - ai pa Visarën dhe të dyja e kuptuan, se çfarë kishte dashur të thoshte.
Anila vështroi nga dera kryesore, për t'u lënë një moment, që të vështroheshin dhe sytë i mbetën të ngulur mbi hyrjen, kur pa Sidorel Nurën, të hynte brenda me tre burra të tjerë.
Vështroi, pa i pulitur qepallat, shikimin e tij të rëndë dhe serioz mbi ambientin përreth dhe ktheu menjëherë kokën nga Danieli dhe Visara, kur ai shikoi atë edhe iu duk sikur vështrimi iu rëndua më tepër.
- Ke dy motra dhe një vëlla, më ka thënë Visara. - Anilës filloi t'i merrej fryma. Shikoi si me pavëmendje nga Sidoreli dhe vërejti, që ai po buzëqeshte, ndërsa kalonte me miqtë e tij pranë tavolinës së saj.
Nuk ishte e sigurt, nëse i pëlqeu ajo rasti e të ndodhurit në të njëjtin ambient me të, ngaqë ishte e paparashikuar edhe Anila i kishte honepsur gjithnjë ndodhitë e tilla, të cila ndikonin pozitivisht tek ajo; në atë mënyrë do ishte ndierë dhe sikur të ishte gjendur rastësisht në të njëjtin vend me dikë tjetër të njohur, apo i pëlqeu, sepse ishte Sidoreli pjesë e asaj rastësie, prej tij pati atë ndjesi përshtypjeje të mirë ndaj rrjedhës, që po merrte atë ditë.
- Po, - u përgjigj Danieli. - Vëllai është dy vite më i rritur, se unë, ndërsa motrat më të vogla. Jorida është njëzet vjeçe, Melisa tetëmbëdhjetë.
- E di, besoj, që neve na ka ndërruar jetë një vëlla dhe vrasësi i tij nuk është gjetur akoma.
Dy të pranishmit në tavolinë e panë të ngrirë nga fjalët e thëna papritmas si vërshimi i ujit të akullt të një ujëvare.
- Apo nuk e dije? - Anila shikoi qortuese Visarën, të cilës i kishte ikur ngjyra e fytyrës dhe nga vështrimi i hutuar dukej se po uronte, që të mos e kishte njohur kurrë të motrën me Danielin.
- E di. - u përgjigj ai. - Visara më ka thënë.
Anila priti për më tepër shpjegim të detajuar.
- Unë shoh si pengesë, për të mos qenë me Visarën vetëm Zotin, nëse ka vendosur gjë tjetër për ne, veten time, nëse nuk e dua vërtet Visarën, dhe motrën tënde, nëse ajo nuk më do vërtet. - vijoi Danieli.
Sidoreli u ul disa tavolina më tutje në karrigen me fytyrë nga Anila.
- Tani, përderisa po takohem me një familjar të Visarës, motrën madje, që konsiderohet nënë e dytë, besoj se është e qartë, që ajo më do. - tha ai.
- Më falni pak! - Visara u ngrit nga tavolina.
- A je mirë? - e pyeti Danieli i shqetësuar, me të vënë re se ajo ishte gati në të qarë.
Visara nxori dorën përpara, që ai të mos këmbëngulte më tepër dhe shikoi vëngër Anilën, para se të shkonte drejt tualetit.
- Preket për Amarildon, - sqaroi Anila neutrale, sikur të ishte bezdisur nga një veprim i tillë dhe Danieli e shikoi, duke kujtuar fjalët e Visarës për të, se sa shumë kishte ndryshuar Anila pas vdekjes së Amarildos edhe e shprehte dhimbjen e humbjes së tij, duke u sjellë hidhur me të tjerët.
- Ania, shiko! - Danieli gjeti rastin, që më në fund të fliste haptazi. - Unë kam motra të vogla vetë dhe e di shumë mirë, se sa mbrojtëse je ti ndaj Visarës. Edhe unë, po të më thoshte njëra prej motrave, që po del me dikë, gjëja e parë, që do mendoja, do ishte, ta rrihja atë njeri, prej se ka guxuar, t'i hedhë sytë motrës sime; temë tjetër, nëse ka dashur të luajë, apo jo. Edhe nëse e ka për seriozisht, sërish do e kisha rrahur për paralajmërim, se çfarë e pret, po e mërziti motrën. Nuk e kam pasur problem, të të takoja edhe më përpara, por vetëm kam pritur, që dhe Visara të ketë të njëjtat synime. Unë e kam shumë seriozisht me të. Prandaj kam takuar shoqet e saj para teje. Nuk doja ta alarmoja, duke i thënë se doja të njihesha me familjen e saj, se ndoshta ajo nuk e kishte aq seriozisht sa unë, por tani e kam kuptuar, që po.
Anila kërkoi për arsye, pse të dyshonte se ai po shtirej, por në shikimin e tij të sinqertë nuk gjeti asnjë.
- Meqë the vetë, se e ke seriozisht, atëherë nuk do kesh asnjë justifikim para meje, nëse bën të kundërtën. - paralajmëroi shkoqur ajo. - Unë nuk jam nga ata tipat, që thonë se jetën e ka dhënë Zoti dhe vetëm Zoti mund ta marrë, edhe pastaj anashkalojnë vuajtjet e të pafajshmit dhe falin fajtorin. Për mua liria ka po aq rëndësi sa jeta. Edhe lirinë vetëm Zoti ka të drejtë, ta marrë. Mora vesh, se ke guxuar t'i marrësh lirinë motrës ime, për të bërë një jetë të lumtur, duke e mërzitur atë padrejtësisht, mos prit falje! E vetmja zgjidhje, që të jetoj, për mua do jetë vdekja jote dhe nuk do ndalem para asgjëje, për t'ia dalë mbanë. - Anila u përpoq ta fshihte pas shikimit kërcënues të vrazhdë, frikën lebetitëse, se mos Danieli e dinte për videon e saj dhe nga momenti në moment do ia plaste të qeshurit nga sjellja e saj prej guximtares.
"Ty të kanë mashtruar dhe marrë në video, moj! Vjen ti e më flet për moral këtu mua? - po priste, që të dëgjonte prej tij. - Ta kishe dashur aq shumë motrën tënde, sa krenohesh, nuk do i ishe futur në krevat tjetrit dhe turpëruar tërë familjen, se deshe të prekeshe për një natë."
- U kuptuam, - tha Danieli.
Sidoreli pa, që Anila zbuti shikimin ndaj të panjohurit dhe përvijoi buzët në të qeshur të lehtë, më e qetësuar, sesa ishte dukur në pezmatim më përpara.
Vështrimin e mbajti të pashkëputur mbi sytë e saj, si për të kuptuar, nëse kishin qenë ata, që ia kishin krijuar ndjesinë e të pëlqyerit bukurinë e Anilës, praninë dhe të biseduarit me të.
Nguli shikimin të përqendruar mbi burrin e ulur pak më parë në tavolinë me të, i cili u ngrit dhe u largua, edhe u pushtua nga dëshira, për të folur me Anilën.
Pastaj, ndoshta zonjusha kishte nevojë për ndihmë. Ja ku ajo ndodhej në situatë të parehatshme pranë të huajit dhe po priste, që dikush ta vinte re dhe ta shpëtonte? Të mos e kryente rolin e qytetarit të drejtë ai?
U ngrit nga tavolina dhe eci drejt fundit të barit, edhe divanit ku po qëndronte ulur Anila.
Ajo e shikoi veç për një moment dhe ktheu kokën menjëherë nga tavolina e vet. Ndoqi, pa lëvizur, zhurmën e ulët të hapave të tij, ndërsa Sidoreli i afrohej dhe mbajti frymën, kur ndieu këtë të fundit të ndalonte prapa shpine.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top