45• Fshehurazi Teje
Anila vendosi laptopin mbi krevatin e saj pranë Visarës së ulur në fund të tij dhe mori telefonin, që të vazhdonte punën aty.
Ngriti sytë, me të ndierë shikimin e të motrës mbi të dhe u mundua të kuptonte se pse po vështrohej në atë mënyrë të mistershme prej saj.
- Çfarë? - u dorëzua, që Visara të tregonte vetë.
- Nuk po e konceptoj dot, që ka ndodhur vërtet, se ti i ke dhënë numrin tënd Fluturës, për t'u njohur me atë Eltonin.
- Aty të ka mbetur shiriti ende? - Anila u përqendrua te telefoni i saj.
- Jo, por ti as nuk e di as se çfarë pamje fizike ka.
- Kam gjetur një foto të tijën në Instagram, te adresa e njërës prej motrave të tij, Adrianës.
- Oh, po pse nuk tregon? - Visara nxori menjëherë telefonin e saj. - Si e ka emrin e përdoruesit kjo?
- @adriana__domi , llogari publike.
Visara gjeti foton në pak sekonda dhe studioi me vëmendje fytyrën e tij pakëz rrethore ngjyrë bezhë rëre të çelët, flokët e shkurtër të zinj dhe sytë kafe të pastër.
- Duket vërtet si tridhjetë, - pranoi ajo. - Edhe person shumë pozitiv. - shtoi e ndikuar nga e qeshura natyrale në dukje e Eltonit dhe më pas mohoi me kokë. - Jo, unë nuk besoj se do pranoja dot, të lidhesha me dikë kështu si ti. Ty duket sikur Flutura të ka bindur, që ta pranosh zyrtarisht, se je gati të flesh në mënyrë ligjore me Eltonin.
- Visarë! - Anila e shigjetoi me vështrim të egër kritikues. - Si flet kështu, moj?
Visara qeshi.
- Epo kështu është, - u shfajësua ajo.
- Jashtë! - urdhëroi prerë Anila. - Unë rashë dakord, që të rrije në dhomën time, ngaqë the se doje të kaloje kohë me mua, jo për të folur ashtu.
- Á edhe ti! - vari turinjtë ankueshëm Visara. - Një muhabet s'e pranon prej meje. Sikur jemi në gjak me njëra-tjetrën ne.
Anila e mbajti për vete arsyen se pse nuk ndihej aspak mirë, kur dëgjonte biseda të tilla për tema intime dhe pendimin, që i ishte kthyer në atë mënyrë të motrës.
Të dyja u shikuan në sy, kur ra zilja e derës kryesore, si për të gjetur përgjigjen nga njëra-tjetra, se kush po u vinte për vizitë.
- Ka lajmëruar njeri, që do vinte sot? - Anila u ngrit në këmbë.
- Di, që jo. - Visara e ndoqi drejt daljes së dhomës.
- Oh, eja, Flutura!
Zëri i mamasë së tyre u tregoi se kush ishte vizitorja.
Visara i qeshi të motrës, duke e ditur se pse kishte ardhur ajo, ndërsa Anila mbajti një çehre neutrale, sikur nuk i bënte përshtypje fare.
- Si jeni, goca? - Flutura u afrua me ton të hareshëm dhe u dha dorën.
- Shumë mirë, - i buzëqeshi Visara dhe hynë në dhomën e ndenjjes.
Anila nisi t'i përgatiste një kafe.
- Sa njeri i lezetshëm është! - tha Visara me bërrylat e mbështetur mbi banakun e kuzhinës, ndërsa e vështronte Fluturën të ulur në të djathtë të Etlevës, e veshur me pantallona të zeza dhe një këmishë lino ngjyrë bronzi. Ishte pesëdhjetë e nëntë vjeçe, kishte flokë të shkurtër bjondë deri poshtë nofullave dhe sy blu në jeshile të ëmbël. Nga fytyra e gjallëruar, dukej sikur ishte treguar mëshirë për shpirtin e saj dhe nuk kishte vuajtur shumë në jetë. - E rregulloj unë kafenë. Ti shko dhe jepi muhabet, se për ty ka ardhur.
- OK, - Anila shkoi të ulej pranë mamasë së saj.
Fluturës po i vinte keq, t'i thoshte Anilës, se çfarë përgjigje kishte thënë Eltoni për të. Habitej se si tjetri e kishte refuzuar një grua të tillë dhe as pranuar, që ta takonte një herë, të paktën. Ajo ishte shumë e bukur, vishej me klas, dukej njeri i përkohë, kishte një punë të mirë dhe ishte shumë e edukuar. Të kishte pasur një djalë të sajin, do e kishte marrë Anilën për të.
Vetëm pasi mbaroi kafenë e përgatitur nga vajza e dytë e Etlevës, mundi të fliste për arsyen se pse kishte ardhur.
- Ai djali tha se dëshiron ta gjejë vetë nusen andej në Amerikë. Kështu më tha mamaja e tij. - Flutura u mundua të mos e tregonte në fytyrë, që po ndiente keqardhje për Anilën, e cila nuk ia doli dot, ta fshihte zhgënjimin prej pritshmërive, që kishte pasur.
- Epo, mirë. Më mirë kur martohen vetë, se pastaj, po u zunë, na e vënë fajin neve, se pse ndërhymë në jetën e tyre. - pranoi situatën Etleva. - Secili ka fatin e tij. Disa gjëra në jetë nuk ndodhin, sepse nuk janë për të mirën tonë, por ne nuk e dimë akoma. - ajo i buzëqeshi të bijës, për ta bërë të ndihej më mirë me pozitivitetin e saj, por Anila e shprehu në vështrim se nuk i besonte më shprehjet e tilla klishe, që çdo gjë do rregullohej dhe me kalimin e kohës shërohet çdo plagë.
••••
- Po ti pse u ndikove kaq shumë? Nuk e kuptoj. - tha Visara, pasi Flutura u largua dhe Anila menjëherë ishte nisur drejt dhomës së saj. - Në dashuri me të nuk kishe rënë... ndoshta të është bërë nder, që nuk pranoi.
Anila mori telefonin nga krevati dhe menjëherë shkoi në aplikacionin WhatsApp, për të hequr foton e vendosur në profil. Kishte menduar se kishte dalë bukur, por tani po e shikonte foton me refuzimin e Eltonit në mendje dhe po i dukej se kishte tërë ato defekte.
Kishte marrë shpagimin e merituar, ngaqë kishte dashur ta përdorte, duke e ditur shumë mirë, se ai mund të binte në dashuri me të dhe nuk ishte e drejtë, që të jetonte me një grua, e cila nuk e donte. Si kishte mundur ta planifikonte një kurth të tillë për dikë, kur dhe vetë kishte rënë pre e një mashtrimi të ngjashëm, edhe ishte shkatërruar? Ajo, sidomos, nuk duhej të mendonte për qëllime të tilla.
Eltoni do kishte pasur të njëjtat dyshime si Anila për vrasësin e panjohur të Amarildos, që ndoshta mund të futej në telashe për shkak të martesës me të dhe prandaj nuk kishte rrezikuar; ose nuk i kishte pëlqyer në foto. E kishte parë Anilën, siç shikonte veten ajo; një iluzion i burgosur në një trup të skaduar dhe i mbërthyer nga depresioni. Askush nuk do donte, të përfshinte në jetën e tij një person të tillë, dikë, që nuk e kishte mbrojtur dot veten, kur ishte sulmuar dhe dhunuar, dikë tejet naiv, që nuk kishte dyshuar se mund ta filmonin, kur do kishte fjetur me partnerin e saj dhe do t'i turpëronte për tërë jetën familjarët e saj, nëse ajo video do publikohej.
Të ishte ajo arsyeja se pse Eltoni e kishte refuzuar? Dikush i kishte treguar videon e saj, ai e kishte njohur menjëherë, e, megjthatë, nuk i kishte thënë familjes së tij, se pse nuk donte në të vërtetë, që të njihej me të?
Ilaçet dhe thikat në kuzhinë dhe i erdhën menjëherë në mendje si alternativa, për t'i dhënë fund stresit mbingarkues, që ajo kishte.
- Mbase ka pasur ndonjë tatuazh, Ania. - Visara vazhdoi përpjekjet, për t'i ngritur noralin. - Imagjino, të kishe prekur atë pjesë trupi me bojë. Lléh! - bëri sikur do villte.
- Dil jashtë! - kërkoi thatë Anila dhe Visara iu bind në heshtje.
Anila u ul rëndshëm mbi krevat dhe mbuloi fytyrën me duar. Lëvizi kokën në mohim nga rraskapitja, për të vazhduar më gjatë, çoi dorën e djathtë në të majtë të kraharorit dhe ngulit thonjtë mbi lëkurë, si të desh të nxirrte zemrën nga aty, por nuk binte dot më në atë kurth edhe sikur të donte.
Tani e dinte se momenti, që njeriut i duket si fundi i çdo gjëje, është në të vërtetë vetëm vazhdimi klasik i historisë; ajo do bindte veten se po shqetësohej më kot, që videoja do ishte fshirë me kohë, pa e parë asnjeri më përpara, që nuk kishte pse të nxitohej, për t'u lidhur me dikë, që të shëronte familjen, do gjendej vetë një zgjidhje në kohën e duhur; që nëse do mendonte vetëm pozitivisht, ashtu do ndodhte.
Mori telefonin dhe hyri në Instagram. Në llogarinë personale, që kishte pasur, nuk kishte hyrë dot, që prej gjashtë vitesh, kur kishte dashur ta fshinte, pasi Instagrami nuk i kishte pranuar fjalëkalimin dhe akoma miratuar vërtetimin e dërguar me foto, që ajo llogari i përkiste asaj. Adresa kishte mbetur vetëm aktive me të gjitha fotot dhe kushedi sa mesazhe të ardhura në të.
Kërkoi për atë llogari dhe shikoi fotot e saj të postuara vite më parë. Kishte qenë kaq e lumtur dhe tërë gjallëri, edhe e kishte shkatërruar veten me vendimin, për të mos i parë gjërat, sikur kishin qenë vërtet. Puliti sytë e përlotur me fytyrën e shtrembëruar nga pikëllimi i vdekjes së atij versioni të vetes, që nuk do t'i kthehej kurrë më në jetë për faj të saj dhe fiku telefonin.
Mori frymë thellë dhe u ngrit në këmbë me shikimin e qetë, sikur kishte çdo gjë nën kontroll dhe asnjë stuhi jete nuk mund ta lëkundte. Kishte një motër, për të cilën kishte përgjegjësi, që të kalonte mirë me të dhe t'i mundësonte kujtime të bukura, prindërit, për t'u qëndruar pranë dhe një punë, ku nga përkushtimi i saj po fitonin të ardhura shumë njerëz.
Ndoshta po ta injoronte dhimbjen, ajo do shuhej vetiu.
Doli nga dhoma e vet dhe iu drejtua asaj të Visarës. Do ta ftonte, të dilnin atë pasdite. Kishte kohë, pa organizuar diçka me të.
- ... për sot nuk e di. S'jam shumë e sigurt.
Anila dëgjoi zërin e shqetësuar të saj nga ana tjetër e derës së mbyllur ngjyrë lajthie, sapo bëri të trokiste. - Doja të takoheshim, por kam motrën pa terezi. ... Jo, s'i kam treguar akoma.
Dyshimi, se ajo po fliste me një burrë, qëndroi në krye të listës së dyshimeve të tjera.
- Betohem, që nuk po e shmang përballjen tuaj! - tha Visara. - Por vërtet ka ndodhur diçka dhe Ania s'ka fare nerva, për të dalë këto kohë.
Anila hapi derën, pa lajmëruar me anë të trokitjes, siç e kishte zakon dhe Visara u kthye e trandur pas.
- Të marr më vonë, - ajo mbylli telefonin dhe kërkoi ruajtjen e qetësisë me vështrim nga e motra. - Ania!
- Fole gabim, - qortoi kategorikisht për moskundërshtim Anila. - Në raste të tilla i kam të gjitha nervat në dispozicion.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top