43• Për Pak


    - Ania! - Visara e tërhoqi për krahu brenda shtëpisë, sapo i hapi derën kryesore.

    - Ç'është?

    Asaj iu ngrit zemra peshë nga frika e të nxituarit të Visarës. Mos kishte parë videon, që i kishin publikuar në internet, por vetë nuk e kishte marrë vesh akoma? Zbuluar vrasësin e Amarildos dhe tani ai donte t'u bënte keq edhe atyre? Mos vallë babai i tyre kishte tentuar të prekte Visarën?

    - Sikur edhe pak më herët të kishe ardhur, do ishe shkrirë së qeshuri.

    Anila kuptoi nga entuziazmi i saj, që dyshimet e veta kishin qenë të gabuara dhe nuk kishte probleme.

    - Visara, mos më dil më kaq e alarmuar përpara! - ajo mbylli sytë, që të mblidhte veten dhe iu drejtua dhomës së saj. - Më ngrive gjakun! - qortoi akoma e trandur.

    - Mirë, tani të them se çfarë ndodhi. - Visara hyri në dhomë gjithashtu.

    - Po ndërrohem. Më thuaj pastaj! - i bëri me shenjë derën e hapur Anila.

    - Nuk kam kohë unë pastaj. Do dal.

    - Ku? - u vrenjt menjëherë Anila.

    - Xhiro me gocat.

    - Visarë...

    Anila e ndaloi veten në sekondën e fundit, që të mos i përgjërohej, për të qëndruar në shtëpi, sepse kishte frikë se mund ta humbiste dhe atëherë nuk do kishte gjë, që do ta mbante në jetë; t'i thoshte se sa herë ajo kishte dalë, Anila kishte ndenjur si mbi gjemba nga ankthi, se mos do merrte lajm të keq për të dhe në ato çaste po e kuptonte se sa të stresuar do kishin qenë prindërit, kur kishte jetuar vetëm në Tiranë, megjithëse nuk ia kishin shprehur asnjëherë shqetësimet e tilla të tyre.

    - Çfarë? - Visara nuk e kuptoi se pse ajo u përlot.

    - Telefonin gjithmonë ndezur dhe me vete kudo, - rëndoi vështrimin urdhërues Anila. - Jo në çantë dhe në dridhje.

    - OK, - pranoi menjëherë Visara.

    - Edhe do përgjigjesh, sapo të të shkruaj, apo çoj zile.

    - Edhe nëse jam në ndonjë moment të papërshtatshëm, për t'u përgjigjur? - harkoi buzët shpotitëse ajo.

    - Çfarë ndodhi, kur nuk isha unë? - ndërroi temë Anila.

    Visara qeshi, me të kujtuar atë ngjarje.

    - Erdhi Flutura, një nga shoqet e mamit dhe tha për një burrë për ty, - Visara u gajas më tepër nga reagimi i shtangur i Anilës. - "Jeton në Amerikë," tha. "Quhet Elton. Ka tri motra, dy binjake njëzet e shtatë vjeçe dhe një njëet e tre vjeçe. Vetë është tridhjetë e shtatë vjeç, po duket si tridhjetë." Flutura kishte fqinje prindërit e tyre. E di pse ra si bisedë? Pyeti, se ku punon ti dhe mamaja i tregoi, te kompania "Brus & Ashton". Veç kur tha Flutura se dhe njëra nga motrat e Eltonit do niste punë aty. Kishte ardhur bashkë me të në Shqipëri para një jave.

    - Çfarë ka, për të qeshur këtu? - pyeti zymtë Anila.

    - E pyeti mamaja Fluturën, nëse i kishte thënë Eltoni, për ta njohur me ndonjërën. Flutura tha: "Jo. Mamaja e tij vetëm tregoi se ai nuk është i martuar, por unë e kapa muhabetin larg e larg, që ajo po më thoshte mua, për t'i gjetur nuse, ama vetë nuk ma bënte dot kërkesën me zë, se i vinte zor." Mezi e mbajta veten, të mos qeshja. Po i jepja edhe kafenë në ato çaste. - qeshi Visara. - Mami i tha: "Nuk na takon neve, të ndërhyjmë, pa thënë gjë fëmijët." Veç kur iu kthye Flutura: "Çfarë thua, moj? T'i lëmë njerëzit, pa martuar? Jo, jo. Unë jam njeri i drejtë. Mendoj, t'u bëj mirë të gjithëve." Imagjino, po e mori vesh ai Eltoni, se çfarë bisede është bërë për të!

    - Ku e ka shtëpinë Flutura? E di mamaja?

    - Pse? - Visarës iu duk e pazakontë, që Anila të ishte duke menduar seriozisht, për të dalë me Eltonin.

    - T'i shkojmë për vizitë. Pyesim pak dhe për atë burrin.

    - Ania, ai është tridhjetë e shtatë vjeç dhe ti njëzet e tetë, - hapi sytë e çuditur Visara.

    - Nëntë vite diferencë. Çfarë problemi ka? - ngriti supet Anila dhe e motra qeshi mosbesuese, nga ç'po mendonte. - Ndoshta ai është njeri i denjë për mua.

    - OK, ti e di, po... s'e di. Ndihem shumë çuditshëm, kur e mendoj të martohesh ti me shkuesi.

    - S'ka asgjë të çuditshme. Dil tani!

••••
    Adriana përfshiu të gjithë ndërtesën e re shtatëkatëshe të degës së kompanisë "Brus & Ashton" në Tiranë me vështrim detajues nga muret deri në tarracën e saj dhe më pas shikoi të pranishmit në oborr.

    U kishte treguar dy shoqeve të veta moshatare, që do merrte pjesë në eventin e radhës në atë kompani, pasi kishte plan, të punonte aty dhe kishte ardhur me të dyja atë ditë, për të dëgjuar prezantimin e administratores për një tjetër produkt të ri të sapohyrë në treg nga kompania dhe punën, që ofrohej si distributor.

    Klejana i kishte thënë se e dinte, për cilën kompani bëhej fjalë dhe nuk i dukej gjë ajo lloj pune, por, për të shoqëruar atë, do shkonte, ndërsa Megiona kishte kërkuar, që t'u bashkohej, për të kaluar kohën.

    - Këtë gruan e njoh, - tregoi Klejana dhe bëri me shenjë nga hyrja e portës së hapur. - Punon këtu në nivelin Emerald Manager si distributore.

    Adriana shikoi pa ndonjë interes të veçantë personin në fjalë të veshur me xhinse, këmishë dhe atlete të zeza, flokët kafe të errët të ndarë në mes dhe të lëshuara, teksa ecte drejt derës kryesore të ndërtesës edhe ktheu kokën shpërfillëse nga Megiona, e cila po përdorte telefonin e saj.

    - Quhet Anila Idrizaj, - shtoi Klejana, ndërsa kalonte pas shpine flokët e verdhë të çelët e të kapur bisht në kryes të kokës, shikoi se në dukeshin në rregull pantallonat e gjera rozë bebeje bashkë me gjysmëkëmishën me mëngë të shkurtra në të njëjtën ngjyrë dhe Adriana u shokua, sikur sapo të kishte marrë një shuplakë në fytyrë.

    Vështroi menjëherë përsëri Anilën dhe kujtoi fjalët e Marinela Hubës dy vite më parë për njëfarë Anila Idrizaj, që ishte lidhur me Blerim Agollin, kishte zbuluar, që ai kishte dashur ta mashtronte dhe ishte ndarë prej tij. Kishte bërë edhe kërkime për të dhe kishte gjetur vetëm një adresë Instagrami në emrin e saj. Vajza, që kishte parë aty, i ishte dukur person energjik me bukuri të lezetshme, pozitiv dhe i shoqërueshëm, ndërsa tani po ai njeri, që po kalonte ngjitur saj, kishte një vështrim të mprehtë me sytë e picërruar vigjilentë si tehu i një shpate, ecte drejt dhe e pandikuar nga prania e të tjerëve përreth.

    Shmangu fill vështrimin, sapo sytë e Anilës u ngulën mbi të, u përqendrua te Megiona, e cila po lexonte me zë një tjetër barcaletë në telefon dhe e shikoi sërish Anilën pranë hyrjes në ndërtesë, kur po fliste me disa gra të tjera.

    Nuk punonte dot aty, nëse ishte vërtet edhe ajo e punësuar. Po sikur Anila ta zbulonte se çfarë u kishte thënë Adriana Blerimit dhe Leonorës për të? Duhej të largohej menjëherë nga aty.

    - Qenka një lajm "Pas pesëdhjetë vitesh do vijë fundi i botës"! - lexoi Megiona në telefonin e saj. - Edhe dikush ka komentuar: "Le të vijë! Shqiptarët s'e kanë problem. Ne jemi njëqind vite pas."

    Klejana qeshi lehtë, ndërsa Megiona me zë të lartë, sikur donte të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve pranë dhe ia doli.

    Adriana pa, që edhe Anila shikoi grupin e tyre dhe gjykoi me vështrim kritikues sjelljen e patakt të Megionës, bluzën e shkurtër të kuqe të errët vetëm me rripa dhe dekolte tepër të hapur, që ajo kishte veshur bashkë me xhinset e bardha shumë të shkurtra dhe atletet e po asaj ngjyre.

    - Meg, ule zërin! - i kërkoi butë Adriana. - Po u ndërpret bisedat njerëzve. Vjen ndokush dhe na kërkon të largohemi pastaj.

    - Pse të ikim, mi? Nuk po vrasim njeri. - tha histerikisht ajo. - Thjesht po kalojmë bukur dhe kaq. Nuk na kanë thirrur, për të qarë, besoj.

    Adriana vërejti, që Anila po rrinte të gatishmëri, për t'i bërë vërejtje Megionës.

    - Aman, dëgjojeni dhe këtë barcaletë! - kërkoi ajo dhe qeshi me zë të lartë sërish, duke kaluar dorën nëpër flokët ngjyrë mjalti kaçurrele.

    Adrianës iu ngushtua fyti, kur pa Anilën duke ecur në drejtim të tyre me shikimin e vrazhdë qortues, si ta kishte bërë plan, që ta thyente Megionën në mes dhe nuk kishte fare dyshime në veten e saj, në kishte mjaftueshëm fuqi për një veprim të tillë.

    - Meg! - Adriana u nxitua, që të paralajmëronte shoqen.

    - Çfarë? - pyeti e bezdisur Megiona, por, sapo do dëgjonte përgjigjen, u ndërpre nga dora e Anilës e vendosur në krahun e djathtë të saj.

    - Vajza, çfarë ke? Je e sëmurë? - i kërkoi llogari rreptë Anila.

    - Jo... - tha Megiona e hutuar nga shikimi i saj i rëndë gozhdues.

    - Po i bezdis shumë të pranishmit me sjelljen tënde të zhurmshme, - bëri me dijeni Anila me ton të ashpër zëri. - Nëse nuk e respekton dot etikën, duke marrë parasysh ndjesitë e të tjerëve përreth, je e lirë, të largohesh. Më kupton? - priti, të merrte përgjigjen e saj, por e përqendroi vështrimin e ashpër tek një i ri më tutje, i cili nuk dukej më tepër se njëzet e pesë vjeç, kishte veshur xhinse të zeza, një bluzë dhe atlete të bardha, kishte flokë të shkurtër, të zinj dhe sy ngjyrë gështenjë, edhe po sodiste të gjithë trupin e Megionës, duke shprehur qartazi në mendime me anë të një të ngërdheshure tinëzare dhe shikimit intim mbi të, se kishte ethshëm dëshirë, që të kalonin një natë së bashku dhe s'kishte shumë rëndësi, nëse ajo nuk e dëshironte diçka të tillë.

    Anila mbajti sytë të fiksuar mbi të huajin, që të tërhiqte vëmendjen e tij dhe, kur ia doli mbanë, i dha një vështrim të egër pyetës, se ç'kishte, që e shikonte Megionën ashtu.

    Ai u tërhoq pas, duke u përqendruar në bisedën te grupi i miqve të vet dhe Anila puliti sytë e bezdisur nga energjia negative e marrë prej tij.

    Vështroi shpërfillëse majtas saj dhe ngriu, me të ndeshur shikimin e Sidorel Nurës mbi të, kuptimin e të cilit e diti menjëherë, se atij i kishte pëlqyer mënyra se si ajo ishte sjellë pak më parë me Megionën dhe atë burrin, ishte tërhequr nga energjia e saj e të fortës, cilësi, që e kishte bërë atë, të dukej edhe më e bukur, sesa ishte.

    Shkëputi menjëherë vështrimin midis tyre dhe u nis drejt Ilirjanës dhe Sonildës. Nuk ishte ndierë aspak në rehati me veten, që i ishte dashur të tregohej aq e vrazhdë dhe kishte lënë ndjesi të hidhur te Megiona, edhe dy vajzat e tjera me të, por komplimenti pa fjalë i Sidorelit ia doli ta bënte, të ndihej pozitive me tipin, që ishte.

    Megiona mblodhi vetullat e indinjuar nga qortimi me arrogancë i Anilës pak më parë dhe e vështroi gjykuese.

    - Çfarë mendjemadhësie paskan punonjësit këtu! - vërejti ajo. - Diana, as për të qenë kliente, mos e mendo! - këshilloi nga inati miken së saj, e cila kaloi flokët e zinj të gjatë dhe të drejtë pas shpine. - Sugjerimi im, ti bëj si të duash!

    - Ke të drejtë. As mua nuk po më pëlqen. - Adriana mendoi të përfitonte nga rasti, që të mos dyshonte njeri, se pse nuk donte të punonte në të njëjtin ambient me Anila Idrizajn.

    - Ikim, pra, nëse dëshironi. Unë vetëm prej jush erdha. - tha Klejana dhe të trija u nisën drejt daljes.

    Megiona shikoi edhe një herë Anilën, që të dinte, nëse ajo e kishte vënë re largimin e saj dhe ishte ndierë keq, që po i ikte një kliente e mundshme në të ardhmen, që kushedi sa negativisht do fliste ajo për kompaninë dhe kjo gjë do ndikonte për keq në imazhin e saj, por Anila dukej totalisht e patrazuar, nga ç'kishte ndodhur pak më parë, teksa qëndronte e vetme në skaj të oborrit me shikimin tutje nga perëndimi.

    Anila pa orën në dorën e majtë dhe llogariti se kur do mbaronte eventi, për t'u kthyer sa më shpejt në shtëpi.

    - Deri tani po mendoja se e kishe personale me mua këtë inatin ndaj tatuazheve.

    Zëri i Sidorelit prapa saj mundi ta kthente me fytyrë pas dhe të shikonte kolegun tashmë, ndërsa i afrohej.

    - Por, kur të pashë duke qortuar atë vajzën, që kishte një tatuazh pas krahut të majtë, e kuptova se është urrejtje e përgjithshme. - Sidoreli e mbajti buzëqeshjen ngacmuese në fytyrë, pavarësisht shikimit të saj jomikpritës. - Nuk e vura re tatuazhin e saj, ngaqë po shikoja atë dhe po mendoja gjëra të papërshtatshme. - sqaroi fill ai. - Por ngaqë iu afrove ti, prandaj tërhoqi vëmendje dhe ajo.

    Anila nënqeshi.

    - Çudi si të duket vetja aq i rëndësishëm, sa të më bëjë mua përshtypje, se çfarë mendon ti.

    Sidoreli ravijëzoi buzët në ngërdheshje nga ironia e saj.

    - E pranoj, që më është rritur pak mendja, qëkur më ke quajtur diell.

    - Kur të kam quajtur? - u hodh menjëherë në sulm ajo. - Kam thënë, që ti mendon se je diell dhe kujton se edhe ne të tjerët duhet të mendojmë patjetër të njëjtën gjë.

    - Nuk e di, për çfarë e ke fjalën. Unë vetëm dikë përballë meje shoh, që është kaq yll. - e komplimentoi ai dhe Anila e shikoi mistershëm, për të zbuluar se pse ai kishte zgjedhur atë, për të bërë xheloze Arbetën.

    Zakonisht arsyeja, se pse një burrë ngacmon një grua, është, ose ngaqë më në fund ka marrë guximin t'i flasë, pasi ka dyshuar mirë e mirë te vlera e vetes, në a është aq interesant, sa për t'i tërhequr vëmendjen asaj, ose ngaqë gruaja i ka lënë përshtypjen, se është naive dhe manipulohet lehtë me anë të sjelljes, që kishte, apo pamjes fizike prej një njeriu të urtë edhe që nënshtrohet pa ndonjë vështirësi lodhëse.

    Mos vallë i kishte krijuar ndjesi të tilla atij në lidhje me të? Sidoreli mendonte se mund ta bënte për vete me dy-tri fjalë ngacmuese dhe më pas ta flakte shumë lehtë tutje nga jeta e vet?

    Ndoshta do ta kishte nxitur pamja fizike e saj Sidorelin, për të menduar ashtu, megjithëse Visara e porosiste shpesh Anilën, që të mos i terrorrizonte njerëzit me vështrimin e rëndë të ashpër, që hidhte, sikur të gjithë ishin të ligj, se për sjellje, ai do ta kishte kuptuar pak më parë, kur ajo kishte qenë duke folur me Megionën, se çfarë tipi dukej, që ishte; dikush, i cili zgjidhte debatin, në vend të komunikimit të qetë, për t'u sqaruar dhe nuk e kalonte aspak nëpër mendje marrëveshjen për paqe, kur vendosej midis kësaj të fundit dhe luftës.

    - Kurse unë përballë meje shoh një person shumë të bezdisshëm dhe prandaj po largohem. - tha prerazi Anila.

    - Jo, iki unë. - e ndaloi Sidoreli dhe u kthye te miqtë e tij.

    Ajo e ndoqi me vështrim totalisht e hutuar nga biseda e sapopërfunduar dhe ndjesitë e turbullta të shkaktuara nga kjo e fundit.

    I bënte përshtypje, që ndaj Sidorelit nuk ndiente fare frikë, se ai mund t'i bënte keq, siç kishte ndjesinë ndaj shumë të tjerëve. Mund të rrinte me orë të tëra pranë tij dhe nuk kishte aspak mendimin, që të ikte menjëherë sa më larg nga ai.

    Por, t'i qëndronte larg, ishte veprimi i duhur, për t'u bërë. Nuk mund të rrezikonte, që të bënte ndokënd zonë rehatie, për t'iu rrënuar pastaj shpirti shumë më tepër, sesa ishte i tillë, nga humbja e atij njeriu.

....vazhdon....

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top