41• Po Mendon Gabim.

    - Ania!

    - Hyr! - ia ktheu ajo me nervat qartazi, se ishin copash dhe Visara e hapi derën ngadalë me ngurrim.

    - Nuk qenke ndërruar akoma? - Visara e pa e habitur dhe në mëdyshje nga shikimi i saj i mprehtë, edhe i hidhur, që do ishte mirë, të mos e trazonte shumë, pasi Anila ishte e zemëruar. - Është gati çaji.

    - Erdha tani.

    - A mund të ta kërkoj diçka?

    Vështrimi i paduruar i Anilës i kërkoi të fliste shpejt.

    - Doja të vija me ty te kompania herën tjetër, që do keni event. Jam shumë kurioze, ta shoh ambientin e ri.

    - OK.

    Visara u largua me shpejtësi nga dhoma, para se e motra të ndryshonte mendje.

    Anila mori telefonin me kasë të zezë nga krevati dhe e ndezi me duart duke iu dridhur nga frika e ndonjë njoftimi prej Sidorelit.

    Deri në ato momente asgjë.

    Hyri menjëherë në Instagram, që të çaktivizonte llogarinë për atë ditë. Kështu, kur të kërkonte ai për emrin e saj, faqja nuk do dilte. Të nesërmen do ndryshonte emrin e adresës dhe jeta do vijonte pa problem.

    Gishti i preku padashje ikonën e njoftimeve në vend të profilit dhe ajo lexoi njoftimin, që i kishte ardhur nga Instagrami për adresën e Sidorelit. Intuita i tha të shkonte në profilin e tij edhe, pa pyetur më gjatë, ashtu bëri dhe shtangu, kur pa, që ai kishte fshirë postimin e pëlqyer pak më parë dhe kishte bërë llogarinë private.

    Prej saj? Mos e kishte zbuluar vërtet, që Anila i kishte vizituar profilin dhe, për ta mbajtur sa më larg, kishte vepruar në atë mënyrë?

    Demoralizimi ndaj vetes arriti një tjetër nivel dhe Anila menjëherë filloi të hartonte planin, se si të mos dilte kurrë nga shtëpia, për të mos ndikuar më negativisht te njerëzit.

    Më parë duhej të largohej nga ajo kompani.

    U ngrit nga krevati dhe hoqi këmishën e zezë, për të veshur bluzën e gjerë dhe tutat sportive prej pambuku.

    Ndoshta çështja e Instagramit nuk ishte aq për t'u ekzagjeruar, sa mendonte ajo dhe prandaj filloi ta merrte në konsideratë qëndrimin në punën aktuale edhe për disa kohë, që të mund ta gjykonte situatën më saktë. Mbase kishte një shpjegim tjetër për ndryshimet e llogarisë së Sidorelit në Instagram.

    Veshi shapkat e zeza dhe doli nga dhoma. Qetësia në shtëpi, përveç zhurmës së televizorit të ndezur e zhyti më në trishtim. Përfytyrimi i dëgjimit të zërit të një foshnjeje dhe gëzimit të brishtë, të paktën për disa momente gjatë ditës, ia doli ta joshte, për të imagjinuar më tepër, se sa bukur do ishte prania e një bebeje në mesin e tyre. Prindërit e saj do ta donin shumë dhe shprehnin dashurinë atij, i cili kishte të drejtë, ta kërkonte, pa u kritikuar se donte të llastohej, duke e ditur gjendjen e tyre dhe ata ndoshta kështu do mund të jetonin me më pak dhimbje nga e shkuara falë asaj krijese të pafajshme.

    Martesa. Kjo ishte zgjidhja. Do gjente dikë, që ajo nuk e donte, por do kishte mjaftueshëm respekt për të, do shtirej, që ai të mos e ndiente mungesën e dashurisë prej saj dhe do krijonte familje me të. Fëmija i tyre do sillte gjallërinë e munguar dhe shërimin në shtëpi për të tërë.

    Kompania iu duk vendi i përshtatshëm, për t'u njohur me dikë, ngaqë shumica e punonjësve vinin dhe punonin në barin e ndërtesës, në katin e parë, prandaj ajo vendosi, që në mbledhjen e radhës të mos vishej me të zeza, por ngjyra të tjera për hir të misionit të saj. Kur të kishte foshnjen në krah, do bindej se ia kishte vlejtur ai veprim.

••••
    Visara mbeti e shokuar, sikur të kishte parë një anije kozmike jashtëtokësorësh, kur Anila doli nga dhoma ditën, që do kishte eventin e radhës në kompani, e veshur me pantallona kafe karameleje dhe këmishë të bardhë, çantën ngjyrë bezhë në krahun e majtë, flokët e kapur pas me një kapëse kafe dhe disa fije anash fytyrës, edhe zgjodhi të vishte takat e larta të bardha.

    - Do na vonosh më tepër? - pyeti me njërën vetull të ngritur Visarën ajo dhe nxori telefonin, që të shikonte orën.

    - Në fakt vonesën e shkaktove ti, por... kjo justifikon mjaftueshëm. - Visara bëri me shenjë të gjithë trupin e saj dhe dolën nga shtëpia.

    Anilës i pëlqeu komplimenti i marrë dhe mendoi se edhe të tjerëve do t'u binte lehtë më sy.

    Dhe ai Sidoreli... po qe se vërtet kishte menduar, që ajo kishte pëlqim për të, nëse do vinte në kompani atë ditë dhe ta shikonte, do ta kuptonte se duhej të ndihej me fat, që ia kishte dalë të fitonte vëmendjen e saj.

    Po përpiqej të kapej fort pas asaj mendësie vetëvlerësimi, që të mos zhytej në të mbimenduarit e ngjarjeve negative, që mund t'i kanoseshin, po të tërhiqte vëmendjen e ndonjë njeriu të gabuar.

    Ai po fliste me disa nga punonjësit, kur ajo hyri brenda në sallë bashkë me Visarën dhe eprorja e saj ndodhej ngjitur Sidorelit, duke folur me tre kolegë të tjerë.

    - Mirëdita! - Anila dhe Visara iu afruan grupit të Ilirjanës dhe punonjëset bënë vend për dy të sapoardhurat.

    Anila shikoi, pa pasur nevojën, të kthente plotësisht kokën në të djathtë Sidorelin ngjitur saj dhe e dëgjoi, kur ai i tha motrës së tij, se po largohej edhe do ta priste atë te bari i kompanisë, pasi të mbaronte mbledhja.

    - Sidorel, ajo po sheh punën e saj. Nuk ka lidhje fare me ty. - dha mendimin e vet Alketa. - Më duket, se ti e di dhe vetë, që po e keqkupton, por qëllimisht e keqkupton.

    Anila priti e paduruar, të dinte përgjigjen e tij sqaruese për dyshimet e zjarrta, që ishin duke folur për të, por ai e trallisi më tepër, duke iu shmangur Alketës dhe vetëm thënë prerazi, që ajo t'i shkruante, kur të dilte nga mbledhja.

    E dalldisur, sikur ta kishin lënë pa mburojë para diellit të flaktë të mesditës, për të mos qenë në gjendje, të mendonte gjë, po rrinte në heshtje pranë Visarës dhe po mendonte për reagimin e Sidorelit ndaj pranisë së saj. Aq ulët ishte ndierë ai, sa menjëherë kishte dashur të largohej nga dyshimi se, po të qëndronte, Anila do e kuptonte sikur ai kishte dëshirë të rrinte pranë saj dhe me atë largim po tregonte se nuk ishte e vërtetë diçka e tillë.

    Tani po ndihej edhe ajo më në siklet me veten, që Sidoreli ndihej ashtu për shkak të saj dhe vrau mendjen, se si ta bindte, që po gabohej në dyshimin, se Anila e pëlqente. Thjesht e kishte vështruar rastësisht, pa pasur asnjëfarë ndjenje për të.

    Ose ndoshta po ta linte me kaq dhe situata do rregullohej vetiu, do ishte më në favor të saj. Kur ajo të lidhej me dikë tjetër, Sidoreli do ta kuptonte se e kishte keqkuptuar.

    Shfryu lehtë e ndierë në agoni nga inferioriteti mundës, që ishte përfshirë në një situatë të tillë dhe nuk po e shkundte dot ndjesinë, se i bënte përshtypje, që ai donte të rrinte sa më larg saj, ngaqë mendonte se ajo ishte e fiksuar me të dhe kishte dëshirë ta sqaronte atë keqkuptim, por dyshimi se mbase ishte ajo, që po keqkuptohej dhe Sidoreli as që e kishte fare në mendime atë në asnjë lloj kuptimi, e ndaloi dhe e bindi të rrinte pa bërë asgjë, që situata të sqarohej vetiu.

    - Mendova ta sjell Monikën këtu javën tjetër, kur të kthehet në Shqipëri. - tregoi Visara pas mbarimit të eventit, ndërsa zbrisnin shkallët për në katin e parë.

    - Të shkroi ty? - Anila po e mbante vështrimin te shkallët.

    - Po. Tha, që e kishte prerë biletën dje në Romë dhe do vinte në Shqipëri për ditëlindjen e vet. Po mendoj t'i bëj dhuratë një set produktesh nga këtu. Çfarë do t'i bësh ti? - pyeti për vajzën e hallës së tyre.

    - Nuk e di.

    Dy motrat po i afroheshin hyrjes së lokalit, ku Sidoreli ndodhej bashkë me disa punonjës të kompanisë.

    - Bëji një tatuazh! Më tha, që do kishte dëshirë ta bënte një, kur të vinte në Shqipëri.

    - Mos fol! - Anila urdhëroi rigoroze me zë të ulët, ndërsa kalonin ngjitur tatuistit.

    - Pse? Oh! - thirri me zë të lartë Visara. - Harrova, që ti i ke inat njerëzit, që bëjnë tatuazhe.

    Anila ndieu ta linin rrahjet e zemrës nga shastisja dhe ktheu kokën nga e motra, për të parë tutje Sidorelin me shikimin gjykues të sertë mbi të.

    Visara, pa ditur gjë, e kishte ndërlikuar edhe më tepër situatën e saj. Ajo ishte duke u përpjekur të tregonte me shpërfillje, që nuk kishte interes për tatuistin, tjetra i vërtetonte Sidorelit pikërisht të kundërtën. Tani ai do mendonte se Anila i kishte thënë qëllimisht të motrës, të thoshte ashtu, kur t'i afroheshin, për të tërhequr vëmendjen e tij.

    - A të thashë "Mos fol!"? - Anila kërkoi llogari e xhindosur, sapo dolën në oborr. - Pse nuk dëgjove?

    - Po çfarë problemi shkaktova? - Visara e shikoi e konfuzuar. - Anila, je bërë fiks si gjermane naziste. Nuk guxon njeriu, të ta thotë qoftë edhe një fjalë, se direkt i hidhesh në fyt. - iu ankua me durimin e sosur ajo.

    - Zonjusha, po largoheni?

    Të dyja formuan menjëherë buzëqeshje mirësjelljeje ndaj shefes së Anilës.

    - Po, - tha miqësisht Visara.

    - Ejani dhe pimë diçka! - i ftoi eprorja, t'i bashkoheshin. - Po vijnë edhe koleget e tjera.

    - Jo, faleminderit! - Anila mori stafetën e përgjigjes nga e motra, në çastin kur kjo e fundit do pranonte ftesën. - Duhet të ikim. - shtoi thatë.

    - Veç nëse do takohesh me të dashurin, ndryshe nuk të lë. - tha seriozisht me ton humoristik Ilirjana dhe ajo mendoi se kishte rast të favorshëm, për të vendosur kufijtë me Sidorelin, cilido prej të dyve të ishte duke u keqkuptuar në atë histori, sapo e vërejti atë, t'i afrohej, për të dalë nga kompania bashkë me Alketën.

    - Epo, e paskam lejen në xhep, atëherë! - tha me të qeshur Anila. - Të dashurin tim do takoj. - tregoi me zë të ngritur dhe pa me bisht të syrit atë, tek përqendronte vështrimin ngultazi tek ajo, duke u lutur, që Visara të mos linte skenën e radhës, duke e parë çuditshëm dhe nxjerrë zbuluar, se po gënjente.

    - Pranoj të heq dorë. - Ilirjana ngriti duart në shenjë dorëzimi. - Një herë tjetër, pra.

    - Mirupafshim! - të dyja i buzëqeshën eprores, e cila i përshëndeti dhe më pas shkoi drejt barit.

    Anila e kapi për krahu Visarën, sapo ajo iu drejtua daljes nga oborri.

    - Prit! Të mos ikim tani.

    - Zot i madh! Ç'po ndodh me ty? - Visara nuk po e kuptonte dot sjelljen e saj.

    - Nuk rri dot dy sekonda? Pse duhet të bësh dramë për gjithçka? - iu kthye hakërryese Anila.

    - Po ti pse gënjeve?

    - Nga e di, që gënjeva?

    - Oh, paske të dashur?! - Visara bëri të habiturën dhe më pas rrotulloi sytë mosbesuese. - Ania, nuk ke një të huaj përpara teje. Veç nëse je duke folur me ndonjërin në internet dhe prandaj rri tërë kohën në dhomë.

    Anila nuk i dha asnjë sqarim. Pa, që Sidoreli dhe motra e tij ishin larguar dhe u nis drejt makinës së saj.

    Mori frymë e çliruar, sikur të kishte hequr goxha peshë nga supet dhe hamendësoi se ç'do ishte duke menduar ai për të. Nëse vërtet kishte pasur dyshime, që ajo e pëlqente, tani do i ishte vërtetuar, se e kishte kuptuar gabim shikimin e saj. Nëse nuk ishte keqkuptuar, ai informacion i rremë rreth jetës personale të Anilës, le t'i shërbente si provë, që nuk kishte pse të mendonte për asnjë çast, për të pasur ndjenja dashurie romantike rreth saj, po qe se do arrinte deri në atë pikë, sepse Anila donte dikë tjetër.

    Që Sidoreli e kishte dalluar gënjeshtrën e saj dhe ajo ndodhej sërish në fillim me zero përpjekje të arrira, Anila as nuk donte ta çonte nëpër mend.

....vazhdon....

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top