40• Koleg
Sidoreli u sigurua, që nuk e kishte Anilën pranë dhe iu afrua skajit të oborrit të kompanisë, për t'i telefonuar vëllait të tij të madh.
- Alo! - Leonardi nuk vonoi, t'i përgjigjej.
- Tani mbaroi eventi. Alketa dëshiron të regjistrohet në kompani.
- Çfarë problemi ka?
- Motra e Amarildo Idrizajt punon aty.
- Cila?
- E para.
- Nga e di ti?
- U takuam.
- Çfarë?!
- Nuk më njohu, - tha menjëherë Sidoreli, për ta qetësuar.
- Thuaji Alketës të gjejë ndonjë kompani tjetër!
- I thashë, por nuk pranon. Një shoqe e saj është e regjistruar aty dhe kjo dëshiron të punojë me të.
E kuptoi arsyen e heshtjes nga ana tjetër e linjës.
- Kësaj i bie, që të regjistrohesh edhe ti në kompani. Nuk mund ta lëmë Alketën vetëm. Kushedi çfarë bën Anila!
- Në rregull, - pranoi Sidoreli.
- Edhe ki shumë kujdes! - paralajmëroi Leonardi. - Mbase ajo e ka zbuluar për ty dhe vëllanë e saj, edhe po bën ndonjë plan.
••••
Kur shikonte Visarën, tek studionte me pasion për degën, që pëlqente, Anila motivohej, që së shpejti e motra do ia vlerësonte mundin e bërë për familjen dhe do i vinte edhe ajo në ndihmë për punë. Kishte shumë besim, që do shpërblehej, siç priste prej saj në të ardhmen.
- Mirëmëngjes, shëmtirë e fjetur!
Ose jo.
Ngadalë e vonë, kuptoi se do e merrte atë shpërblim, kur kjo e fundit hapi derën me vrundull dhe hyri hareshëm pa leje në dhomën e Anilës.
Paskësh harruar përsëri, për ta kyçur!
- Ah, dritë! - u ankua Anila nga hapja e perdeve dhe u mbulua me çarçaf.
- Ah, dritë! - psherëtiu e ngazëllyer prej asaj Visara. - Ania! Dita jote e parë e punës si një nivel më lart në detyrë! - thirri tejet e gëzuar ajo, ndërsa hapte gardërobën dhe u hidhte një sy rrobave të saj, megjithëse e dinte se çfarë do vishte Anila.
Ajo nuk lëvizi fare nga krevati, por mbajti shikimin e zbrazët të fiksuar tutje qiellit blu me nuanca floriri prej rrezeve të diellit nga ana e perëndimit.
- Më pëlqen, që je kaq e entuziazmuar edhe ti. - vërejti e motra me ironi dhe iu afrua krevatit, të ulej pranë saj. - Zgjohu! Kemi tërë ato punë. Do shohim për modele flokësh në internet, do zgjedhim rrobat... apo të shkojmë në ndonjë parukeri për flokët? Duhet të dukesh shumë bukur ditën e parë, që edhe të tjerët ta marrin energjinë e një shefeje në praninë e tyre.
Në çaste të tilla, kur Visara nuk pushonte së foluri, Anila mendonte bindshëm, se vajza ishte shpagimi për veten e vet dikur. As nuk i ankohej, që të heshtte dhe pse kishte kaq shumë energji, sepse kishte qenë edhe vetë e tillë në moshën e saj dhe tani po e kuptonte se sa kishte hequr Brunilda me të.
Kushërira tani me siguri kishte gjetur rrethin e vet të ngjashëm të miqësisë dhe e kishte harruar me kohë. Malli për ish-shoqen e ngushtë ia dilte, t'ia ulte kokën nga agonia, që nuk e kishte më dhe nuk kishte pasur më mike aq të afërt, sa ajo.
Nuk ndiente askënd pranë, siç kishte ndierë Brunildën. Po mbytej në guaskën, me të cilën e kishte izoluar veten dhe tani nuk merrte dot as frymë.
U ngrit pa fjalë, duke shpërfillur energjinë e tepërt të Visarës dhe shkoi në tualet. E kishte thyer pasqyrën aty dhe blerë gardërobë të re pa pasqyrë për tek dhoma e saj, kishte tërhequr zvarrë premtimin se do e blinte një tjetër së shpejti për në tualet dhe më pas kishte thënë, që s'kishin nevojë të shpenzonin para më kot, pasi kishin pasqyra mjaftueshëm në dhomat e tyre përkatëse edhe prindërve dhe Visarës u ishte dukur humbje kohe, të kundërshtonin.
Krahët mezi iu bindën Anilës, që të ndihmonin duart, për të larë fytyrën dhe shkoi në kuzhinë, të hante mëngjes.
Sikur të mos e kishte përgjegjësinë ndaj familjes, do kishte jetuar vetëm dhe do mund ta kishte shprehur dhimbjen, kur të kishte dashur në shtëpinë e saj, do kishte qarë, sa herë ta kishte ndierë nevojën, për të treguar me anë të atij veprimi, se sa të padurueshme po i bëheshin plagët në shpirt nga dhimbja. Me prindërit dhe motrën pranë çdo sekondë, pesha e mbajtjes së gjithçkaje vetëm po e vriste çdo ditë e më shumë.
E kishte menduar, të shkonte te një psikologe, por frika, se mos ajo do t'i tregonte ndokujt, do përfitonte nga e shkuara e saj dhe do t'i bënte keq, e bindte, që të mos rrezikonte.
Më e sigurt do ishte të rrinte gjithë jetën me atë sasi plagësh të mëdha në shpirt. Mbase me kalimin edhe pak të kohës do mësohej me atë gjendje dhe vetja do i bëhej më e durueshme.
- Ania, e ke gati mëngjesin. - trokiti vazhdimisht në derë Visara dhe Anila psherëtiu thellë e rraskapitur me kokën e ngritur lart dhe mallin e ndierë dhimbshëm për kohët kur zgjohej pa pasur njeri nëpër këmbë, duke e bërë me dhimbje koke nga e folura rishtazi.
E kuptonte Visarën, që kishte vazhdimisht dëshirë, të rrinte me të dhe të organizonin aktivitete së bashku, por nuk mundej t'i përshtatej energjisë së saj, e cila nuk dinte të mbaronte, kur Anila vetëm donte të rrinte e mbyllur në një dhomë në heshtje dhe të mos dilte kurrë më nga shtëpia e saj e sigurt. Sikur ta kishin pasur një motër tjetër me diferencë të vogël moshe dhe ajo të ishte marrë me Visarën, do kishte qenë shkëlqyeshëm.
Ama duhej ta mbante afër motrën, që kjo e fundit të mos e kërkonte dashurinë e mosmarrë prej saj fshehurazi te dikush tjetër dhe rrezik të lëndohej prej atij personi.
- Ke ngrënë mëngjes? - pyeti Visarën, e cila kishte qenë duke e pritur në korridor, megjithëse e merrte me mend përgjigjen.
- Po, me kohë. - ajo ishte zgjuar si zakonisht në orën gjashtë të mëngjesit, kishte bërë të gjitha punët e shtëpisë dhe, pasi kishte ngrënë mëngjes, kishte ndezur televizorin, për të parë ndonjë film.
- Mami dhe babi ku janë? - Anila hyri në kuzhinë dhe u ul te tavolina e ngrënies.
- Kanë dalë, - Visara vendosi tostin e përgatitur për të, bashkë me një gotë qumësht dhe për vete mori një mollë, për të shoqëruar të motrën. - Çfarë fruti do ti?
- Kivi.
Visara i solli edhe thikën, ta përdorte për të qëruar kivin dhe u ul përballë saj.
- Të bëftë mirë! - i buzëqeshi me dashuri dhe Anila e shikoi, sikur lumturia e tjetrës në një kohë të tillë të ishte e pazakontë, megjithëse e dinte se, po të mos kishte qenë Visara me forcën e vet, nuk ia merrte mendja, se ajo dhe prindërit do kishin jetuar aq gjatë. Për hir të saj, ata mundoheshin të vazhdonin sa më pak të depresionuar përpara në jetë, që të mos e mërzisnin atë.
Dy orë më vonë mbërriti përballë kompanisë jashtë oborrit të saj të rrethuar me kangjella të verdha të mbyllura dhe ndenji, pa lëvizur, që të mblidhte veten.
Nuk do t'i bënte keq njeri, po të rrinte e distancuar. Do merrte pjesë në mbledhje, do bënte një bisedë të shkurtër me eproren e saj dhe do kthehej në shtëpi. Mund t'ia dilte. Mjaftonte të mbante kokën ulur, të vëzhgonte në kohë përreth, që të shmangte çdo pasqyrë, të cilën mund ta kishin vendosur në ndonjë mur dhe do ishte në rregull.
Anila hoqi rripin e sigurimit dhe doli nga makina e vet. Eci me hapa të shpejtë drejt oborrit të kompanisë dhe iu drejtua hyrjes. Për fat të saj, ndërtesa nuk kishte mure prej xhami, që t'i reflektonin veten, sapo t'i afrohej.
Dridhja e telefonit në xhep i ngadalësoi hapat dhe ndaloi tërësisht, kur lexoi mesazhin e sapoardhur nga Visara, e cila po interesohej, nëse kishte mbërritur akoma në punë dhe ishte mirë.
"Mbërrita, - shkroi me shpejtësi. - Jam mirë."
- Përshëndetje!
Anila u zmbraps menjëherë pas e panikosur dhe shikoi furishëm me vrazhdësi vajzën pak më të vogël në gjatësi trupi se ajo, e veshur me xhinse të gjera të bardha dhe një bluzë të shkurtër të verdhë së bashku me atlete të po asaj ngjyre, që i ishte afruar prapa shpine. Kishte qenë edhe para një muaji në kompani me Sidorel Nurën.
- Quhem Alketa Nura. Jam regjistruar kohët e fundit këtu dhe mendova, t'ju uroj për vendin e ri të punës. Shumë suksese! - e panjohura i buzëqeshi miqësisht e pandikuar në dukje nga vështrimi i rreptë i gruas përballë, se si kishte guxuar t'i fliste Anilës pa miratimin e saj.
Anila e dëgjoi arsyen e të huajës, duke shikuar Sidorelin të sapohyrë në territorin e kompanisë.
Ai e shprehu me vështrim, që e mbante mend gjithashtu nga para një muaji në urban, shikoi vajzën përballë saj, e mori me mend se ajo e kishte trazuar Anilën dhe i kërkoi kësaj të fundit me shikim në formë kërcënimi, që të sillej mirë me të.
- Faleminderit! - Anila shikoi akullt sytë kafe të lehtë të Alketës, ashtu si ngjyra e flokëve të saj të ndarë në mes dhe të lidhur tub pas shpine, edhe disa fije të lëna nga të dy anët mbi fytyrë, puliti sytë qartazi e bezdisur dhe shikoi sfidueshëm Sidorelin, po të kishte guxim, që t'i bënte vërejtje për mënyrën e të reaguarit.
- Asgjë, - Alketa i buzëqeshi me mirësjellje, aspak e ndikuar nga ftohtësia e ashpër e Anilës dhe u kthye nga Sidoreli. - Shkojmë?
Ai vëzhgoi fytyrën e Alketës për lëndim nga reagimi i Anilës dhe i hodhi krahun pas qafe, që ta largonte nga ajo.
- Po, - Sidoreli e afroi më pranë vetes dhe iu drejtuan hyrjes.
I kishte thënë disa herë, që nuk duhej të pëpiqej të hynte në bisedë me çdo njeri të mundshëm, që takonte, por Alketa i ishte justifikuar se një fjalë e mirë dhe bisedë pozitive nuk i bënte keq askujt. Ndoshta ai njeri pikërisht për diçka të tillë kishte nevojë, por nuk e shprehte dot. Argumentin e tij, se njerëzit mund të përfitonin nga një situatë e tillë dhe të kishin qëllime negative, ajo e kishte hedhur poshtë, duke thënë se atëherë do ta kuptonte, që duhej të largohej nga ai person dhe nuk do ta rrezikonte veten.
Anila iu afrua fundit të oborrit dhe mori frymë thellë në mënyrë të parregullt. Duhej të kontrollonte veten, të ndiqte rrjedhën e momentit dhe të mos binte shumë në sy, që të mos armiqësohej me njeri dhe të futej në telashe.
Nga njëra anë kishte një dëshirë të çuditshme për posaçërisht raste të tilla. Donte të çlironte të gjithë mllefin dhe urrejtjen e pashprehur kundrejt të shkuarës ndaj dikujt, që më pas të ndihej më e qetë dhe mendonte se, përveçse të ruante veten, duke u dukur njeri i distancuar dhe i vrazhdë, për t'u lënë e qetë në punën e saj, i gjente krijimet e debateve si shkak, për të shpëtuar nga ato ndjenja të mbledhura prej vitesh.
Të kontrollonte frymëmarrjen, ishte çelësi. Po ta bindte veten, që nuk kishte asgjë, për t'u shqetësuar, do ta kishte më të lehtë.
Sapo hyri në kompani, kontrolloi menjëherë me vështrim për pasqyra përreth.
Pa Sidorelin, duke folur me disa të rinj të tjerë pranë produkteve të vendosura në vitrina ngjitur mureve të bardha, vërejti Alketën në bisedë me administratoren e kompanisë dhe disa punonjëse të tjera, ku ndodhej edhe eprorja e Anilës, që ajo do takonte.
Iu afrua grupit me buzëqeshje të shtirur dhe ndieu panikun t'i mbërthente fytin nga frika se do thoshte ndonjë fjalë të gabuar, apo bënte veprim të tillë, të gjithë të pranishmit do krijonin përshtypje negative për të dhe shumë do ta mbanin mend prej asaj ndodhie.
Frikë, të cilës Anila nuk e kishte marrë kurrë me mend se do t'i dorëzohej ndonjëherë. Kishte qenë gjithmonë në modalitetin luftues kundër kësaj të fundit, kur ajo burgoste Brunildën por tani frika ishte duke marrë hak ndaj Anilës dhe sulmi i saj me anë të mendimit se nuk kishte asgjë, për tu alarmuar, ngaqë kështu në ankth ndiheshin të gjithë ndonjëherë, kur kishin të bënin me njerëz të tjerë jo shumë të afërt me ta, nuk po vlente për gjë.
Anila nuk e kishte më bukurinë e gjashtë viteve më parë të vënë në pah nga shpirti estatik i asaj kohe, që t'i përdorte të dyja në avantazhin e saj. Ishte vetëm një copë rrënoje në formën e një trupi pa asnjë të metë në dukje, i cili nuk i hynte më në punë askujt, madje as vetë asaj. Dhe të tregonte se ç'problem e shqetësonte, kishte frikë se do dukej sikur po bënte viktimën, e jo që ndihej vërtet, në mënyrën, që do shpjegonte se ndihej.
- Përshëndetje! - tha me zë të ndrojtur dhe në trazim druajtjeje, se do merrte shikime antipatie, që kishte guxuar t'i dukej vetja në nivelin e duhur, për të hyrë në bisedë me to.
Doza e motivimit të dikurshëm, që ajo ishte shumë e zgjuar, kujdesej për veten, ishte përherë optimiste dhe shihte punët e saj, edhe prandaj në të vërtetë ishte shumë më lart, se ai lloj niveli, kishte mbaruar. Anila nuk ndihej më e denjë, as për t'u shikuar prej tyre.
Alketa e pa mikpritëse, ashtu si koleget e tjera.
- Si je, Anila? - administratorja i zgjati dorën dhe ajo mori frymë thellë e lehtësuar nga përzemërsia e saj.
- Shumë mirë, - tha e buzëqeshur.
- Ora po shkon dy, - vërejti Ilirjana. - Mblidhemi dhe fillojmë? Po e lëmë derën hapur. Ndoshta janë duke ardhur akoma të tjerë.
- Po, - ra dakord Majlinda, e cila do fliste vetëm ajo në atë trajnim.
- Eja! - eprorja e drejtoi Anilën nga rreshti i dytë i karrigeve në të majtë të kreut të sallës. - Ulemi këtu bashkë!
Ajo ndoqi për një çast me vështrim Alketën, tek shkonte pranë Sidorelit dhe u kthye nga Ilirjana. U ul në karrigen majtas saj dhe u rehatua të dëgjonte Majlindën, tek përshëndeste njerëzit e ardhur për mbledhjen.
Nxori nga xhepi telefonin, për të shënuar ndonjë gjë dhe vështroi rastësisht Sidorelin në rreshtin përballë saj, çoi sytë te duart e tij dhe mungesa e ndonjë unaze e bëri të kujtonte traditën e përmendur nga Blerta Mino për martesën e burrave në familjen e tij në moshën njëzet e katër vjeçare. Ndoshta ishte martuar, por nuk vendoste dot unaza, ose ndarë, ose nuk ishte martuar fare.
Shikoi më pas krahët e tij të zbuluar pa asnjë tatuazh dhe e krahasoi me tatuistë të tjerë, që kishte ndeshur, të cilët kishin bërë gjithë ato tatuazhe në trup. Vështroi pastaj vetë atë dhe ngriu, sikur ta kishin hedhur në oqean të akullt me zemrën e ndierë të kyçur në një shishe pa ajër, kur u ndesh me shikimin e ngurtë të Sidorelit mbi të, qartazi i vetëdijshëm nga pikëpamja e tij, se ajo kishte qenë duke i soditur trupin.
Anila ktheu kokën fill nga Majlinda dhe u pendua, që kishte reaguar në atë mënyrë. Më mirë ta kishte shikuar edhe për një sekondë me shpërfillje, pastaj të kishte vështruar të tjerët dhe ashtu do ishte dukur, sikur thjesht kishte qenë duke vëzhguar përciptazi përreth. Kishte nxjerrë veten zbuluar, duke larguar vështrimin menjëherë dhe treguar se ia kishte ngulur sytë atij për një kohë të gjatë.
Nuk pati më tepër guxim, ta shikonte, për të zbuluar, nëse Sidoreli vërtet e kishte kuptuar se ajo kishte qenë duke e vështruar, apo jo. Nuk donte, që të keqkuptohej prej tij, sikur Anila kishte ndjenja për të, kur diçka e tillë nuk ishte aspak e vërtetë, prandaj gjatë trajnimit në vazhdim ajo mbajti sytë e përqendruar te skena, ku Majlinda po fliste dhe herë pas here te telefoni, sado që iu krijua shpesh ndjesia, se ndodhej nën vështrimin e tatuistit.
••••
- Si shkoi? - Visara e priti me atë pyetje, sapo i hapi derën e shtëpisë.
- Mirë, - tha Anila, ndërsa hynte brenda. - Kanë ardhur prindërit? - hoqi atletet e zeza, për të veshur pantoflat.
- Po, janë te dhoma e ndenjjes. Sapo u bëra një kafe. Do edhe ti? - e ndoqi motrën drejt dhomës së saj.
- Unë nuk e pi kafenë, Visara. - rikujtoi me monotoni Anila.
- Tani do të të duhet, se ke nevojë për më shumë energji. Jo të shkosh çdo ditë në punë, sikur sapo je kthyer nga lufta. "Mos ishe gjeneralja te ndonjë betejë?" do të të pyesin.
- "Ushtarja e rënë." do iu them. - Anila la çantën mbi krevat dhe u ul te kreu i këtij të fundit.
- Çfarë do veshësh? - Visara hapi gardërobën.
- Nxirr një palë tuta dhe bluzë!
- Tuta në fund të muajit korrik? Vish ndonjë fustan! Ka nevojë edhe trupi për pak lirshmëri, që e japin fustanet.
- Mos fol pa lidhje! - urdhëroi rreptë Anila e ngjethur e tëra nga përmendja e fjalës "trup" dhe çfarë momentesh e detyronte të kujtonte.
- Mirë, ti e di. - Visara la te fundi i krevatit një palë tuta të zeza dhe bluzë. - Dëshiron gjë tjetër?
- Një çaj boronice, ma përgatit dot?
- Po, sigurisht. E pimë bashkë dhe flasim. - tha e gëzuar Visara nga plani i sapobërë, për të kaluar kohë me të motrën dhe doli nga dhoma.
Anila solli menjëherë në mendje Sidorelin, vështrimin e tij në sallë në shenjë reagimi ndaj shikimit të saj dhe mbuloi fytyrën e sikletosur me duar, duke uruar sikur gjërat të kishin shkuar ndryshe dhe tani ai të mos ishte duke kujtuar se ndoshta ajo e pëlqente.
Nuk po e vinte dot nën kontroll ndjenjën kapluese të të gjithë qenies nga vetëdija e ekzistencës së atij njeriu dhe të gjitha takimet midis tyre te studioja mbi pesë vite më parë, në urban dhe te kompania.
U drodh, me të dëgjuar zilen e telefonit në çantë dhe mendimi, se i kishin sjellë videon e saj intime, e bëri të vinte duart në kokë dhe të shtrëngonte flokët e lëshuar nga stresi. Po çmendej.
Ajo hapi çantën dhe nxori telefonin, që të lexonte njoftimin e sapoardhur. Nuk e dinte, në duhej të ishte falendëruese, apo e shqetësuar, ndërsa lexonte dhe rilexonte e shastisur njoftimin nga aplikacioni Instagram.
sidorel_nura, who you might know, is on Instagram.
Largoi njoftimin nga ekrani kryesor, fiku telefonin dhe shikoi qiellin e kthjellët të butë tutje dritares.
Sikur të mos ishte krijuar njeri, por një luledielli në një ishull! Do ishte zgjuar nga lindja e diellit tej detit, do ta kishte ndjekur yllin e ngrohtë deri në perëndim, kur ai të ishte fshehur pas maleve dhe gjatë kthimit të saj tërësisht nga lindja përsëri, do kishte mundur të admironte netëve yjet në qiellin e errët ngjyrë marine.
Vështroi sërish nga telefoni dhe hipoteza e sapokrijuar në mendje e shtangu në vend, edhe frika mori sërish të gjithë kontrollin mbi të. Po sikur të kishin postuar videon e saj dhe të Blerimit, apo ndonjërën prej fotove në internet dhe të kishin etiketuar Sidorelin në ato postime? Përfytyrimi i reagimit të tij i neveritur ndaj saj ia tromaksi zemrën dhe e alarmuar ndezi telefonin, edhe hapi Instagramin. Preku ikonën e njoftimeve, por ato nuk u hapën menjëherë, për shkak të internetit të dobët kabllor.
- Oh! - thirri e dëshpëruar. - "Fiks momenti," - mendoi me ironi e xhindosur.
Anila përdori internetin e numrit të saj dhe klikoi menjëherë emrin e tij, me t'u shfaqur në krye të njoftimeve.
Llogaria e Sidorelit ishte publike, kishte një postim, 527 ndjekës dhe 682 llogari duke ndjekur. Fotoja e profilit tregonte atë të ulur pas tavolinës së punës, të cilën ajo e njohu menjëherë, që ndodhej në studion e tij të tatuazhit, veshur me një fanellë gri në të hapur dhe po vizatonte. Në bio kishte shkruar numrat 42358. Shkoi menjëherë te postimet, ku ai ishte etiketuar dhe mori frymë thellë e lehtësuar nga mungesa e tyre.
U kthye te postimi i tij i vetëm dhe klikoi mbi të. Fotoja ishte publikuar më 4 maj të atij viti dhe ai nuk kishte vendosur asnjë mbishkrim. Ishte fotografuar, duke dalë nga një makinë e zezë buzë detit dhe mbyllur derën e kësaj të fundit, me të shikuar indiferent kameran përballë tij, veshur i tëri me të zeza. Ajo lexoi me vëmendje komentin e theksuar nga aplikacioni midis shtatëdhjetë e tre komenteve të tjera në atë postim dhe përgjigjen e tij.
arbeta.gj12 Edhe 100 zmr 🥰🤗❤
sidorel_nura @arbeta.gj12 Flm
Nuk e ndaloi dot nënqeshjen nga ftohtësia e marrë prej komentit të tij, sikur të kishte shkruar vetë ajo "Flm" me atë ndjenjë të akullt.
Po kjo Arbeta kush ishte?
I kishte komentuar Sidorelit "zemër"... Me aq sa dinte ajo, "zmr" akoma kuptimin e asaj fjale kishte. Veç nëse ishte shprehje e koduar midis atyre të dyve. Të ishte e dashura? Përgjigja e tij "Flm" nuk kishte kuptimin "Faleminderit!" por "Fli me mua!"?
Afroi gishtin te profili i Arbetës dhe e largoi menjëherë, para se të prekte foton.
Çfarë po i duhej? Të ishte kush të ishte!
E kishte marrë malli për veprime të tilla normale në jetë, ku nuk mendonte se çdo njeri, që përfshinte në kujtimet e saj, donte t'i bënte keq, siç i kishte bërë Blerimi, por nuk duhej të shkonte aq larg.
Anila vendosi të dilte nga profili i tij. Rrëshqiti gishtin e lodhur nga koha e gjatë e kaluar me sytë në ekran mbi postimin e Sidorelit me pavëmendje dhe ngriu në vend, kur në mes të fotos së tij u shfaq një zemër e bardhë, e cila u zhduk brenda sekondës.
- Jo, jo, jo! - thirri me sytë e zgurdulluar dhe menjëherë fshiu zemrën e kuqe të pëlqimit ndaj fotos.
Në ç'katrahurë sapo e kishte përfshirë veten! Tani atij do t'i shkonte njoftimi, që ajo i kishte pëlqyer foton, gjë që nënkuptonte se ajo i kishte kontrolluar profilin dhe megjithëse llogaria, që po përdorte, nuk ishte në emrin e saj, por ajo e punës @anastore_iv , Sidoreli do dyshonte se Ana ishte emri i shkurtuar i saj, shkronja i për mbiemrin dhe v-ja për Visarën, adresën e kishte Anila Idrizaj dhe ajo po e përndiqte!
Pse po vihej vazhdimisht në situata të tilla keqkuptimi me të? Fillimisht vështrimi te kompania, tani Instagrami... as të mbyllte llogarinë, nuk do vlente, sepse atij do t'i kishte shkuar njoftimi tashmë dhe ai do kishte zbuluar gjithçka.
Kushedi sa parehatinë negative do ta kishte ndierë ai prej hamendjes se Anila e pëlqente dhe ndërkohë Sidoreli ishte i lidhur me dikë tjetër.
Ajo vrenjti fytyrën në shtrembërim nga përfytyrimi i sikletit të tij dhe u ndie edhe vetë në parehati nga emocionet e tilla, që mund t'i kishte shkaktuar.
Mendoi të largohej nga puna. Po sikur ai të fiksohej, për t'i bërë keq, me mendimin se Anila kishte ndjenja romantike ndaj tij? Do gjente një tjetër punë, vetëm që të rrinte sa më larg nga ai.
....vazhdon....
Pjesa i dedikohet @jeteza_05 🥰🥰
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top