4• Shishe në Ajër


    Më në fund i erdhi radha edhe fustanit të shkurtër ngjyrë barbaroze me vetëm një mëngë dhe belin e zbuluar nga ana e majtë bashkë me një pjesë të vogël të barkut dhe shpinës, që të shkonte te një "party". Anila vendosi ta shoqëronte veshjen me një palë taka ngjyrë dorëzonje dhe një çantë të bardhë.

    Me të dëgjuar tingullin e lënë në telefon, kur t'i vinte ndonjë mesazh, e mori me mend se njoftimi ishte prej Blerimit. Nxori telefonin nga çanta në raft dhe lexoi tërë shend mesazhin e sapoardhur nga ai, që tregonte se kishte mbërritur poshtë pallatit, ku ajo banonte dhe po e priste. U shikua dhe njëherë në pasqyrën e raftit ngjitur derës kryesore të shtëpisë, u buzëqeshi syve të shndritshëm lozonjarë, miratoi në heshtje, që flokët e lidhur bisht pas shpine i shkonin goxha, mendoi e bindur, se dukej shkëlqyeshëm dhe doli nga shtëpia e saj.

    Nxehtësia e verës sa vinte dhe shtohej me kalimin e ditëve. Dukej, sikur e gjithë vapa e Shqipërisë ishte mbledhur në Tiranë atë natë.

    Ajo zbriti shkallët me kujdes dhe buzëqeshi, kur pa Blerimin të mbështetur te dera e makinës së zezë nga ana e pasagjerit në të djathtë të shoferit. E kishte pranuar menjëherë ftesën e tij, për të dalë atë mbrëmje një javë pasi ishin takuar te patinazhi dhe e pushtuar nga entuziazmi, që ndiente se vera premtonte ngjarje edhe më të pazakonta, në pritje për të ndodhur, nuk ishte çliruar dot nga ajo ndjesi, të cilën s'e kishte përjetuar më përpara se të takonte atë.

    - Edhe unë do isha veshur me të zeza, por mendova të fitosh pak vëmendje dhe ti. Më erdhi keq. - iu referua me shaka Anila ngjyrës së këmishës, pantallonave dhe atleteve, që ai kishte veshur.

    - Sa bujari nga ana jote! - ia ktheu ngacmues ironikisht Blerimi, ndërsa i jepte dorën.

    - Jam njeri shumë zemërgjerë, - ajo i dhuroi të qeshurën e saj gjithë pozitivitet, para se të hipte në makinë, pasi ai hapi derën për të dhe psherëtiu thellë e lumtur për të tashmen, në të cilën gjendej.

    Po jetonte, siç kishte dëshirë, pa qenë e detyruar nga askush tjetër. Ishte diçka, që ia kishte vendosur qëllim vetes, që kur kishte filluar ta kuptonte, se si funksiononte jeta; ta donte veten dhe të ishte gjithmonë e drejtë me të, dhe kështu do mund të ndihmonte edhe të tjerët, që nuk e kishin mundësinë, për ta pasur një liri të tillë në jetë, siç e kishte ajo.

    Tani ishte duke dalë me një burrë, për të cilin kishte ndjenja pëlqimi, i ishte ofruar një mënyrë, për ta njohur më tepër dhe ajo po e përdorte atë. Kishte besim që, nëse do ishte në rrezik, do t'i tregohej një shenjë, që Blerimi nuk ishte person, që e meritonte shoqërinë e saj dhe Anila do të largohej prej tij.

    Në ato çaste ajo ndiente se gjithçka ishte në rregull, nuk kishte pse të mendonte asgjë negative dhe të hamendësonte versionin e një të ardhmeje, e cila mund të mos ekzistonte, duke i prishur kështu mbrëmjen vetes.

    - Do, që të vendosim ndonjë muzikë? - ofroi Blerimi fare në terezi, për të dëgjuar gjë.

    - Jo, - u përgjigj Anila dhe nuk foli më, sepse nuk donte ta shpërqendronte.

    Ishte në dijeni të faktit, që aksidentet me automjet mund të ndodhnin brenda një çasti, nëse shoferi nuk do ta kishte vëmendjen sikur edhe për një sekondë, prandaj nuk rrezikoi dhe ai iu ndie falendërues. Mjaftueshëm po sakrifikonte qetësinë e tij, duke dalë me të. Sa më pak ta dëgjonte Anilën, duke folur, aq më mirë do ishte për nervat e tij.

    - Doja të rezervoja një tavolinë te bari, ku u takuam në maj. - tha Blerimi çerek ore më vonë, kur parkoi makinën pranë barit, ku kishte vendosur me miratimin e saj, që të kalonin mbrëmjen. - Por mendova të ndryshonim ambient dhe të shkonim një herë tjetër aty, nëse të pëlqen si vend.

    - Më pëlqeu, - tregoi e buzëqeshur Anila, ndërsa dilnin prej makinës. - A duhet të kuptoj nga kjo, që je person planifikues?

    - Po, - të dy iu drejtuan hyrjes së barit dhe u shoqëruan nga një kamariere për te tavolina e tyre ngjitur murit prej xhami.

    - E, megjithatë, disa gjëra të dalin jashtë kontrollit, jam e sigurt. - tha ajo me vendosmëri, që kishte të drejtë, ndërsa rehatohej në karrigen e lartë përballë tij. - Disa ndodhi rastësie. Këto janë më të bukurat, mendoj unë.

    Kamarierja me flokët e zinj të ndarë në mes dhe lidhur bisht pas shpine vendosi menutë në tavolinë dhe u largua.

    - Kam përshtypjen, se ti nuk je person planifikues. - supozoi ai.

    - Çfarë ka nevojë për patjetër planifikim, ama në përgjithësi të tjerat jo. Më duket sikur i vendos kufizime vetes dhe po burgosem. Ndihem shumë më e lirë, kur ndjek rrjedhën e pakontrolluar plotësisht të së tashmes dhe deri tani nuk kam pasur asnjë problem. Kjo është frika ime më e madhe, të humbas lirinë, që kam, të mos bëj do çfarë të dua dhe kur të dua vetë. Për fat kam një familje, që nuk m'i ka vendosur ndonjëherë ato kufizimet klasike, për të cilat dëgjojmë shpesh, ndalimi i shkollës prej frikës se mund të manipulohem nga ndokush dhe ta lë në mes, ose sepse dua të martohem, ose ngaqë mund të më rrëmbejë njeri; tani çfarë nuk po dëgjojmë. - tha trishtueshëm Anila. - Vetëm më kanë këshilluar dhe, për të më bindur, që t'i zbatoj rregullat edhe të mos them: "Ata më thonë, të mos e bëj diçka të tillë, por unë dua ta bëj, edhe pse e di dhe vetë, që është e gabuar.", më kanë dhënë të lexoj libra dhe u jam shumë mirënjohëse për atë mënyrë, që zgjodhën. Kam bërë një jetë pa fare stres në familje dhe vetë nuk u kam shkaktuar stres.

    - Mund të thuash, se i ke të gjitha. - do kishte ndier zili për të, sikur të mos përfytyronte një version jete në të ardhmen, që ai mendonte se po e priste Anilën, ku ajo nuk do t'i kishte më të gjitha; si do ndikonte e ardhmja, që Blerimi po planifikonte për të në përditshmërinë e saj dhe faktin, që Anila kurrë nuk do ishte më e njëjta, pasi të zbulonte të vërtetën.

    Nëse nuk e dinte akoma.

    - I kam, - pranoi ajo. - Nga këndvështrimi im, sigurisht. Familje, punë, para, miq, armiq...

    - Armiq? - au u zbeh menjëherë në fytyrë.

    Mos e kishte zbuluar për të dhe tani po hiqte maskën e shtirjes? Ndoshta i kishte treguar Amarildos, që po dilte me Blerim Agollin, i vëllai i kishte kërkuar menjëherë asaj, që të mos shoqërohej me të, i kishte thënë dhe ndonjë gënjeshtër për arsyen se pse duhej të rrinte sa më larg Blerimit dhe Anila tani po i jepte fund gjithçkaje?

    - Porosisim? - ajo mori menunë më pranë saj mbi tavolinë dhe Blerimi ra dakord.

    Nuk ishte, se do i prishte shumë punë atij, nëse do t'i duhej të shkëpuste çdo lloj komunikimi me të. Kishte menduar edhe për atë të papritur. Madje do i bëhej nder, sepse nuk do i duhej të harxhonte kohën, duke dalë në takime me Anilën dhe Amarildo mund të bindej, që t'i dilte përballë, ngaqë ndryshe nuk e hiqte Blerimin qafe dot.

    I dhanë menutë kamarieres bashkë me porositë dhe ai qëndroi i ngrirë në heshtje në pritje të përgjigjes së saj rreth armiqve.

    - E thashë në përgjithësi, - sqaroi Anila. - Nuk kam ndokënd kundër në dijeninë time, por nuk e mohoj dot ekzistencën e tyre. Mendoj se çdokush ka armiq, veçse nuk e di akoma.

    Blerimi miratoi në heshtje i lehtësuar me një pulitje të kapakëve të syve dhe ajo i buzëqeshi lehtë, ndërsa përqendrohej te ndjesia e harmonisë dehëse të krijuar nga ai, biseda e butë me të, vështrimi i thellë i tij dhe vëmendja, që ai i kushtonte. Edhe Blerimi dukej sikur e pëlqente kohën, që kalonte me të, po aq sa ajo.

    - Cila është frika jote më e madhe? - pyeti Anila.

    - Moszbulimi i një të vërtete, që po kërkoj. Vendosem totalisht në situatë të parehatshme, kur mendoj se mund të vdes, pa e zbuluar përgjigjen e pyetjes, që kam në mendje.

    Ajo zmadhoi sytë e tronditur nga përmendja e vdekjes. Peshoi praninë e Blerimit me mungesën e tij në botë dhe e para iu duk më e rëndë. Po e kuptonte se po fillonte të varej disi tepër nga ekzistenca e tij në jetën e saj dhe donte ta kishte për një kohë të gjatë pjesë të përditshmërisë së vet.

    Zilja në telefon, nuk ia doli, që ta shkëpuste totalisht nga dalldisja, ku ishte përhumbur dhe ajo lexoi ngadalë mesazhin e Brunildës, ndërsa kamarierja vendoste pijet mbi tavolinë bashkë me faturën.

    - Ka ndonjë problem? - i pyeti Blerimi me ton të shqetësuar, pasi ajo shkroi diçka, fiku telefonin dhe e vendosi atë mbi tavolinë.

    - Jo. I tregova shoqes sime, se jam mirë, që të mos merakoset. Jetoj bashkë me të dhe veprojmë shpesh kështu. Lajmërojmë njëra-tjetrën, se çdo gjë është në rregull.

    - Me siguri e njeh prej kohësh, përderisa nuk i keqkupton qëllmet e saj.

    Ja dhe mundësia tjetër, që ai kishte përfshirë në plan, për të arritur synimin e tij: mikja e ngushtë.

    - Çfarë qëllimesh? - ngrysi vetullat e konfuzuar Anila.

    - Negative, sigurisht. - shfryu lehtë Blerimi me pyetjen e pakuptimtë në dukje. - Mbase do, që të dijë çdo gjë rreth teje, sepse është xheloze për ty; është një nga armiqtë, që ti nuk e di, se ke.

    Ai supozim e ngriu Anilën, sikur dikush t'i kishte hedhur befas ujë të akullt në fytyrë. Nuk e kishte menduar kurrë diçka të tillë. Brunilda s'kishte dhënë ndonjëherë shkas për lindjen e atij dyshimi dhe Anila nuk e kishte sjellë fare ndërmend vetiu.

    - Ti e di, si janë njerëzit xhelozë, - vazhdoi i patrazuar Blerimi ndaj pamjes së saj të shastisur. - Ose shtiren sikur na duan, por në të vërtetë vlojnë nga zilia, se sa me fat kujtojnë, që jemi, ose bëjnë sikur na urrejnë, ama duan me çdo kusht, që të kenë vëmendjen tonë dhe të shoqërohen me ne.

    - Brunilda nuk është e tillë, - erdhi në vete Anila. - Kam vite, që e njoh, sepse kemi edhe lidhje gjaku dhe është njeri shumë i mirë, i drejtë dhe i respektueshëm. Me atë person, që shqërohet, rri, ngaqë ka dëshirë vetë, jo sepse është e detyruar prej ndonjë interesi negativ. I do dhe i pranon njerëzit ashtu siç janë vërtet. - tha me krenari për të.

    - Pse? - deshi të dinte ai. - Vetëm ngaqë është njeri i mirë, apo e di se ç'do të thotë për dikë, të mos pranohet sikur është nga shoqëria dhe prandaj u ofron të tjerëve ndjesinë, që askush nuk ia ka ofruar deri më tani asaj?

    - Sepse është njeri i mirë, - Anila e dha përgjigjen, pa e vështruar Blerimin në sy dhe mori gotën e vet mbi tavolinë, që të provonte pijen e porositur.

    Ai përkuli buzët lehtë i gëzuar nga gjendja, ku e kishte lëshuar atë dhe i vetëdijshëm, që Anila sapo e kishte gënjyer.

    - Më vjen mirë, - Blerimi vendosi ta linte me kaq për atë natë. - Unë mendoj për ty, - nënkuptoi dukshëm, që jo vetëm për atë temë dhe Anila buzëqeshi më tepër, me rrahjet e shtuara përnjëherësh të zemrës, me të kuptuar se për çfarë e kishte fjalën ai. - Prandaj thashë ashtu. - u justifikua Blerimi. - Ti e di, si është në ditët e sotme. Ai, që ke më afër, ta ngul thikën pas shpine.

    - Jo, nuk e mora për keq. - ia ktheu pa hatërmbetje ajo. - Ky është realiteti. Kam dëgjuar dhe lexuar goxha histori të tilla.

    - Me ato histori edhe do merresh, meqë ke zgjedhur profesionin e përkthyeses.

    Blerimi u mundua t'i shprehte me vështrim, se sa e bukur po mendonte, që ajo ishte dhe si dukej, Anila e mori mesazhin, pasi uli kokën tejet e emocionuar dhe lëvizi këmbën, duke hasur gjurin e saj të majtë me të tijin të djathtë. Mundi të ndiente në lëkurë ngrohtësinë e trupit të tij, e papenguar dot nga pantallonat dhe nuk e kontrolloi në kohë imagjinatën, që të mos hamendësonte në mos vallë edhe përqafimi i tij, ndërsa ai e puthte, do ishte po aq i ngrohtë.

    Blerimi nuk lëvizi, për të mos krijuar përshtypjen, se nuk donte të kishte aq afrimitet me të. U pëpoq theksueshëm, të mos mendonte asgjë tjetër për një çast rreth saj, përpos mendimit se ajo ishte një grua e bukur, e sjellshme dhe tepër e këndshme në bisedë, por ekzistenca e Amarildos dhe arsyeja, se pse Blerimi i njihte ata të dy, ia zeronte vlerën çdo karakteristike tjetër Anilës.

    Nuk pati fare rëndësi për Blerimin se sa humoriste dhe e gjallëruar ishte në bisedë ajo. Dëgjoi me vëmendje çdo fjalë të sajën, vetëm për ta vazhduar më gjatë njohjen midis tyre dhe mos ngjallur dyshime, se nuk i bëhej fare vonë, ta dëgjonte edhe thjesht po luante me të; jo që kishte vërtet interes.

••••
    Ai pranoi, që të largoheshin një orë pas mesnatës vetëm me miratimin e saj dhe e shoqëroi për në shtëpi.

    Të dy dolën nga automjeti, pasi Blerimi parkoi makinën para hyrjes së pallatit dhe ai ndaloi te pragu, që të kthehej nga Anila, e cila po e vështronte me admirim.

    - Besoj se nuk më ke gënjyer, kur ke thënë, që je e lirë dhe mund të të shkruaj, kur të dua. Dua të të ftoj sërish, të dalim. - Blerimi iu afrua më ngjitur dhe e grishi me vështrim të thellë dhe nënkuptues, që kishte dëshirë të ishte shumë më pranë saj, i bindur në shikimin e Anilës të hipnotizuar prej tij, që tashmë hapat e radhës të planit do të ishin shumë më të thjeshta për, që të realizoheshin.

    - Nëse nuk më beson, më vër në provë! - e sfidoi ajo.

    - Jam dakord me logjikën tënde, - Blerimi e puthi në faqen e djathtë. - Natën e mirë! - i pëshpëriti butësisht pranë veshit.

    - Natën! - mërmëriti Anila, pa mundur ta fshihte buzëqeshjen prej emocioneve, që ia kishin ngrirë trupin dhe një zjarr i kishte përpirë të tëra qelizat, edhe, pasi i dhuroi një tjetër shikim, hyri në pallat.

    Ngjiti me shpejtësi shkallët dhe, me të mbyllur me çelës derën kafe në të zezë të shtëpisë, mbështeti shpinën pas saj edhe lejoi veten, që të rrëmbehej e tëra nga emocionet e momentit; gëzimi dhe dashuria ia përkëdhelën zemrën, siç pati dëshirë ajo.

    - Brunilda! - thirri papritmas.

    - Jam në dhomën e gjumit, - i erdhi përgjigjia dhe u nis për nga dëgjoi zërin.

    Hapi derën me furi dhe e gjeti Brunildën të shtrirë në krevatin dopio, dhe mbuluar me një çarçaf blu të mbyllur, duke përdorur telefonin.

    Fragmenti i bisedës me Blerimin rreth saj iu shpalos theksueshëm, për t'u shqyrtuar edhe një herë. Nuk e besonte, që ndokush ta kishte bërë Idën, të ndihej keq me të qënit vetvetja dhe prandaj ajo i pranonte të tjerët, siç ishin, megjithëse nuk e kishte pyetur kurrë, se pse vepronte kështu. Thjesht ishte treguar mirënjohëse ndaj saj, duke ia kthyer me të njëjtin respekt dhe shoqëria me të i kishte dhuruar gjithmonë rehati dhe qetësi.

    - Ku është? - Anila iu drejtua gardërobës.

    - Kush? - pyeti e habitur Brunilda nga sjellja e saj.

    - Dashnori yt, që solle nga hoteli.

    - Pse, çfarë ndodhi? Nuk doli gjë ai i yti? - Brunilda qeshi me pyetjen thumbuese, që bëri dhe e qeshura iu shtua më tepër, kur Anila iu sul, ta guduliste. - Dorëzohem, dorëzohem! - thirri me atë pak frymë, që i kishte mbetur. - Me ç'po shoh, paska bërë goxha punë! - qeshi sërish.

    Anila hoqi takat dhe mori pizhamat nga gardëroba, që të bëhej gati, për të fjetur.

    - Si të shkoi? - e pyeti Brunilda, kur ajo hyri në dhomë me veshjen e ndërruar dhe makijazhin e hequr.

    - Shishe në ajër? - përplasi duart me entuziazëm e sapokthyera në shtëpi.

    - Shishe në ajër, - pranoi shoqja e ngushtë.

    - Edhe ai ka ndjenja pëlqimi për mua! E kuptova sot. - rrëfeu e ngazëllyer nga një fakt i tillë Anila.

....vazhdon....





Oh, Ania 🥺🥺😔

Pjesa i dedikohet @jetezaaa 🥰❤️

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top