38• Të Mos Takohemi Kurrë!


    - Te cila dhomë asht Nora? - pyeti Ardiani.

    - Ajo, - Graniti bëri shenjë me vështrim nga dera në të majtë të tij dhe i ati ndoqi atë drejtim.

    Po t'i kishte shkuar jeta, sikur kishte bërë plan ai për të, me siguri nuk do ndodhej në atë shtëpi atë mbrëmje dhe Graniti me Leonorën nuk do kishin ekzistuar fare. Ardiani nuk i kishte pëlqyer fëmijët kurrë. Kishte vendosur, pasi kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, që vetëm kur të ishte tridhjetë, do mendonte për krijimin e një familjeje. Deri atëherë do bënte karrierë, do shëtiste nëpër botë dhe argëtohej me shoqërinë. Një lidhje romantike kërkonte goxha përgjegjësi, të cilat ai nuk kishte pse t'ia vinte vetes mbi shpinë kaq herët.

    Babai i tij i kishte kthyer gjithçka përmbys me urdhrin, për t'u martuar me vajzën e Agron Stefës, Zanën, sepse, sipas tij, kështu do t'i jepej fund mallkimit, që i ishte kanosur familjes prej asaj toke të marrë në mënyrë të padrejtë prej familjes së saj dhe rrezikohej jeta e të vetmit vëlla, që Ardiani kishte, Kastriotit.

    "Duhet nji jetë, - kishte argumentuar i ati. - T'ishte për lek, i kisha dhan me kohë. S'janë t'u m'u dhemb për fmijn tem, ato shkojnë e vijnë, po nuk vlejn gjâ. Veç fmija jot. Ai ka për t'i rregullu të tána. Apo do me vrá vllanë tan? Se kshu i bie, përderisa nuk do me pranue." - e kishte akuzuar Ardianin ai.

    Kishte pranuar; ishte martuar, Graniti kishte lindur, Ardiani nuk kishte përjetuar aspak ndjesi të veçantë për të, vëllai i tij, Kastrioti, nuk kishte vdekur dhe Ardiani dhe Zana kishin vijuar martesën të ndierë si në burg të përjetshëm.

    Teuta kishte qenë thjesht një opsion i ofruar atij, që të thyente monotoninë, e cila i ishte shumëfishuar me ardhjen e Leonorës në jetën e tij; nuk kishte bërë asnjë reagim, kur Zana nuk i kishte folur fare, pasi kishte zbuluar tradhtinë e tij, as kur ajo i kishte thënë se e kishte abortuar fëmijën e tyre të dytë. Ardiani veç kishte vazhduar jetën në modalitetin e mbijetesës në mugëtirë, pa dashur t'ia dinte, se ç'bëhej me familjen e tij dhe në vete nga ajo gjendje kishte ardhur vetëm pasi kishte zbuluar nga dëgjimi fshehurazi bisedën e Granitit me shokun e tij, Pavlin Danin, rreth aksidentit të shkaktuar nga Graniti ndaj  Agustin dhe Albion Hubës, për të mbrojtur Leonorën.

    Ai sekret kishte qenë si rrufeja, të cilës nuk i duhet shumë kohë, për të shkatërruar; brenda një sekonde me goditjen e saj, mund të rrënojë. Ajo e kishte shkundur, risjellë në mendje kohën kur Graniti kishte qenë fëmijë, kur Ardiani e kishte lënë gjithmonë të lirë dhe asnjëherë kërkuar llogari, në mënyrë që ai të jetonte pa kufizime, meqë vetë nuk kishte mundur ta bënte një jetë të tillë, ndërsa në ato çaste kishte kuptuar se sa pasoja të mëdha kishte pasur neglizhenca e tij ndaj familjes; fëmija i parë kishte qenë detyruar të vriste njerëz, vajzën, nuk e dinte se ku ndodhej dhe fëmija i tretë as që kishte mundur ta shikonte qoftë edhe për një moment botën. Nuk i kishte mbrojtur dot asnjërin prej tyre.

    - A mund i rregullut krejt pun't n'Amerikë?

    - Po, - tha Graniti. - Testamenti i burrit t'vet na hapi pak punë, se ia kishte lan krejt pasurinë asaj, po Nora do m'ia dhan' nji shoqate bamir'sie.

    - Mirë bën.

    Leonora u gëlltit me zemrën në grykë, sapo njohu zërin e të atit dhe iu afrua me hapa të heshtur derës. Duart po i dridheshin nga tensionimi, që e kishte mbërthyer të tërën dhe po luante me të si merimanga me prenë e zënë në rrjetën e saj.

    - A ia bane darkën? - dëgjoi Ardianin, të pyeste serioz dhe një lëmsh në fyt e ngriu të tërën.

    Në zonën, ku kishte jetuar në Pukë, ajo pyetje kishte edhe kuptimet e fshehura "A u gëzove, që vdiq?" dhe "A e vrave?".

    - Po, - Leonora njohu të folurën e Granitit me të njëjtin ton të shtruar zëri. - Nuk ka mâ punë me të.

    Do ta kishin fjalën për ndonjë, me të cilin nuk kishin shkuar mirë dhe ai kishte ndërruar jetë jo për faj të tyre. Por kush nuk kishte punë me kë?

    Nga kuzhina u dëgjua zhurma e rënies së një kapaku tenxhereje në dysheme.

    - Mam'! - thirri menjëherë paralajmërues Graniti.

    - Nuk jam t'u desht me gatue! - u betua Zana. - Po shoh supën.

    Malli, për të parë fytyrat e tyre gjithashtu, përveç dëgjimit të zërave, e nxiti Leonorën, që të hapte derën ngadalë dhe të hynte në dhomën e ndenjjes.

    Ardiani, i ulur në divanin në të djathtë majtas Granitit, ktheu kokën i pari nga ajo dhe zemra e saj ia shmangu një rrahje prej shikimit tërë mall dhe nevojë për të në jetën e tij, që i ati i dha.

    Flokët e tij të kuq të shkurtër kishin marrë nuancë më të errët të së kuqes së mbyllur, sytë blu elektrikë të zbehtë shprehnin po të njëjtën qetësi dhe seriozitet të palëkundur, siç e mbante mend ajo dhe ai kishte veshur pulovër blu të mbyllur në të gjelbër dhe xhinse të zeza.

    - Oh, po hajde, moj Norë! - Ardiani u ngrit në këmbë dhe priti, që e bija t'i kërkonte llogari për të kaluarën e rëndë të jetuar për faj të tij, por ajo vetëm dukej e frikësuar, se mos do sillej ai keq me të.

    Leonora shikoi Granitin të ngritur në këmbë gjithashtu për siguri të saj dhe ngadalësoi të ecurën drejt babait të tyre, që ishte po aq shtatlartë sa i biri dhe ajo i binte pak përmbi supe, kur Zana doli nga kuzhina.

    Ajo lejoi tronditjen, ta nënshtronte nga ankthi se do merrte po të njëjtin vështrim me urrejtje ndaj saj, si vite më parë.

    Nga të gjithë ata, që e kishin shikuar në atë mënyrë, nga Zana ishte ndikuar përherë më tepër, pasi nuk kishte qenë vetëm urrejtja e një gruaje, por edhe e një nëne, që ia kishte thyer gjithmonë zemrën, sa herë që e kishte goditur, ama tani ajo nënë po e shikonte e buzëqeshur me pozitivitetin klasik të dhënë prej saj, njerëzve, që donte dhe dukej sikur kishte dëshirë ta bënte edhe Leonorën pjesë të atij grupi.

    U bind se kishte marrë vendimin e duhur, për t'i falur, kur e pa me sytë e saj, se sa kishin vuajtur ata të dy në heshtje gabimet e kryera dhe fakti, që kishin dyshuar se ajo nuk do t'ua jepte një tjetër mundësi, për t'i kërkuar falje, i kishte dënuar mjaftueshëm, duke i mbajtur me frikë deri në ato momente.

    - Si jeni? - Leonora iu afrua Ardianit fillimisht, ta përshëndeste.

    - Tash se t'pamë ty, jena mir. - ai zgjati krahët rreth trupit të saj dhe e përqafoi.

    I mbajti trupin e brishtë të dobët, i ngadhënjyer, që vajza i ishte kthyer në shtëpi, i gatshëm për t'iu ulur në gjunjë në shenjë kërkese për falje dhe të bënte gjithçka, për ta merituar atë.

    - F'mija jem! - ishte fjalia e thënë me zë në ulët prej tij, që Leonorës gati sa nuk ia theu barrierat e të përmbajturit, për të mos qarë.

    Ajo shtrëngoi fort të atin dhe një tjetër bravë e kyçur u zhduk nga dera, që e mbante të burgosur prej dashurisë së marrë nga ai.

    Vështroi e mallëngjyer sytë e tij dhe u kthye nga Zana, e cila po priste, për ta përqafuar gjithashtu.

    Njerka kishte mbajtur inat ndaj familjes së saj, se pse nuk e kishin mbështetur, për t'u ndarë nga Ardiani, kur kishte zbuluar tradhtinë e tij dhe ishte detyruar të vazhdonte martesln me të, por kishte bërë dhe vetë të njëjtin gabim, duke mos e mbështetur Leonorën dhe flakur vajzën në mëshirë të fatit, kur ajo duhej të kishte qenë e para, që duhej të mos e kishte lënë, të rrëzohej.

    Kishte rënë pre e thashethemeve të shoqërisë. Kishte kopjuar ata dhe e kishte shikuar gjithmonë Leonorën si fëmijën e një gruaje të pamoralshme, që në të ardhmen do bëhej dhe vetë e tillë, pasi dardha bie gjithmonë nën dardhë, në vend që të kishte zbatuar këshillën e të motrës, për ta konsideruar Leonorën si fëmijën e saj, sepse gjaku nuk ishte përherë arsyeja se pse dy njerëz konsideroheshin familje dhe mund të ndodhte, që në të ardhmen ajo t'i dilte në krah më tepër, sesa Graniti. Jetës nuk i dihej asnjëherë.

    Leonora shtrëngoi fort trupin e saj, nuhati aromën e mirë të prindit dhe peshoi kokën me shpirtin e ndierë më në paqe se kurrë mbi supin e Zanës.

    Ardiani i përkëdheli flokët, kur ajo u ul pranë tij dhe e shoqja në të majtë të vajzës.

    - Si je ti?

    - Shumë mirë, bab'. - i buzëqeshi Leonora, që ai ta vërente në fytyrën e saj, se ishte vërtet mirë dhe të mos e ndiente veten më tepër fajtor, edhe pa nga Zana, e cila buzëqeshi dhe i preku krahun.

    - Granit, a fjete dhe ti, kur erdhe? - e pyeti ajo.

    - Jo, s'pata nevojë. - tha i biri, ndërsa përdorte telefonin e tij.

    - Ça do me pi naj gja? - Zana u kthye nga Leonora. - Blemë do çokollata rrug's, kur erdhëm, se ty t'pëlqejnë shumë.

    - Faleminers! - shprehu mirënjohjen ajo. - Si asht Anxhelina?

    - Shumë mirë. Do bahet gjyshe mbas tre mujsh. - e gjelbra e syve të Zanës shkëlqeu nga gëzimi.

    - Ça thue? - Leonora hapi sytë më tepër me po të njëjtën ndjenjë. - Prej Argitës apo Besianës? - pyeti për dy vajzat e saj.

    - Argita, fmija i parë. - theksoi rendin Zana, duke shikuar ngultazi Granitin dhe ai nuk dha shenja, se e kishte marrë me mend, që ai specifikim kishte qenë kambanë për të.

    Ardiani i thoshte asaj, të mos i bënte presion djalit për martesë, pa shtuar se nuk donte, që ai të detyrohej të ndiqte rrugë të padëshiruar si ata të dy, por Zana nuk rrinte dot për shumë gjatë në heshtje, kur vinte re se Graniti e merrte për të mirëqenë moshën e njohur të përshtatshme për martesë, sikur do ishte gjithmonë në të tridhjetat.

    Leonora qeshi dhe vështroi të atin, ndërsa ky i fundit po shikonte televizor. U ndie e sigurt nga qetësia e tij, sikur çdo ishte në rregull në jetën e tyre, sepse Ardiani kishte në gatishmëri zgjidhjen për gjithçka. I tërhoqi vëmendjen, duke i vendosur dorën mbi parakrah dhe i buzëqeshi, kur ai ktheu kokën, ta vështronte, mori dorën e saj dhe e puthi.

    Zana i fërkoi asaj shpinën, tek sodiste dashurinë në sytë e Ardianit për të bijën. Të dy kishin gabuar rëndë në mendimin se veç ata kishin qenë viktimat në gjithë atë fillim historie të tyren të përbashkët dhe kishin sakrifikuar, edhe i kishin neglizhuar ndjenjat e fëmijëve.

    Tani Graniti u kishte dhënë mundësinë me mbështetjen e tij dhe të sjellurit Leonorën në mesin e tyre, që pjesën e mbetur të jetës ta bënin të qetë dhe do mundoheshin t'i rikuperonin gabimet e së shkuarës, duke u qenë pranë të dyve edhe dhënë vetëm dashuri. Ajo do t'i shëronte të katërt.

    - Ke mendu, ça do me bâ, Norë? Shkollë, apo kurs për naj punë? - pyeti Ardiani.

    - Kurs, - tha ajo. - M'duhet me gjet nji punë fillimisht, për me pagujt shpinë me qira, ku do jetoj dhe pastaj do shoh për naj kurs për stiliste flokësh.

    - Shumë mirë, ti ban modele shumë t'bukra. - Zana e inkurajoi, kurse Ardiani e shikoi me seriozitet për disa momente.

    - Ti vetëm ke me gjet, se ku do me bâ kursin. Për shpi'në edhe pagesën mendojmë unë e Graniti. - tha i ati.

    - Si urdh'ron, Ardian! - pranoi ai.

    - Graniti ka pun't e veta, bab', - vërejti Leonora.

    - Punë? Çfar' pun'sh? - Ardiani pyeti i paqartë. - Ky s'ka asnji punë. A ke naj punë ti? - iu kthye të birit.

    - S'bahet fjalë, - u përgjigj me ironi ky i fundit.

    - Po... ndoshta do me kriju familjen e vet.

    Graniti vështroi menjëherë të motrën pas atij supozimi prej saj.

    - Sikur tha baba. Asnji diskutim ma tepër. - tha prerazi dhe u përqendrua sërish në telefon.

    - A ta shtroj tavolinën e hamë darkë? - pyeti Zana Ardianin. - Po shkon ora tetë.

    - Si t'thonë fmija, - u përgjigj ai.

    - OK, - pranoi Graniti.

    - A do me t'ndihmue? - ofroi Leonora.

    - Po, hajde! - tha e lumtur Zana dhe të dyja iu drejtuan kuzhinës. - Ardian, a t'u ra telefoni jot. - thirri ajo, sapo dëgjoi të dridhurën e tij në xhepin e xhupit të zi.

    Ai u ngrit në këmbë dhe mori telefonin, ndërsa dridhej nga dora e saj.

    Zana i kërkoi Leonorës, të nxirrte katër pjata nga rafti bashkë me lugët dhe gotat dhe vajza iu bind menjëherë.

    I zgjati pjatën e parë dhe u shqetësua, kur Zana hodhi supën mbi pjatë e përhumbur në mendime, që ndoshta ajo po mendonte për kohët, kur kishte pasur urrejtje për të dhe sërish po fillonte të kishte të njëjtën ndjesi ndaj saj.

    - A je mirë? - e pyeti e frikësuar nga vështrimi, që do merrte.

    - Duhet t'kisha mendu edhe për ty, - Zana vendosi pjatën me supë në të majtë të tavës dhe u kthye e përlotur drejt Leonorës. - Edhe ti kishe t'drejtën tane, me pas motër. T'kërkoj shumë falje, se t'lashë vetëm!

    - Oh, Zanë! - Leonora e përqafoi fort dhe sytë i dogjën nga përlotja.

    E kishte vuajtur intensivisht mungesën e një personi të tillë në jetën e saj dhe nuk kishte pasur ditë, që s'kishte menduar se si do kishte qenë kjo e fundit, nëse ajo vajzë do kishte lindur, por s'e imagjinonte dot vuajtjen e Zanës prej depresionit, ku kishte qenë; askush nuk i kishte ndenjur pranë dhe ajo ishte detyruar të merrte një vendim të tillë e nxitur nga dhimbja thërrmuese e shpirtit.

    Po sikur ta kishte vrarë veten? Nuk mund ta përfytyronte, se sa do ishin thyer më tepër Zana bashkë me Ardianin dhe Granitin. Leonora ishte shumë e lumtur, që kishte zgjedhur jetën.

    - Kena njana-tjetrën, - ajo u shkëput prej Zanës dhe i fshiu lotët.

    - Po, - Zana miratoi me kokë e buzëqeshur dhe e puthi në faqe.

    - Mam', a doni m'ju ndihmue? - pyeti Graniti nga dhoma e ndenjjes.

    - Jo, pa merak. - u përgjigj ajo dhe bashkë me Leonorën shtruan tavolinën në kuzhinë. - Ku do me vazhdu punë, Norë? K'tu n'Tiranë, apo n'Pukë?

    - Kam mendue...

    - Ça i thâ Nor's qtash? - Graniti hyri në kuzhinë.

    - "Ku do me punu?" i thashë. - përsëriti Zana.

    - Normal se n'Tiranë, mam'. Ç'punë ka me Pukën? Puka ka mbaru si vend. Nuk i duhet gjâ kujt mâ.

    - Puka asht n'ma t'mirën ditë. Asht rregullu shumë bukur, kto koh't e fundit.

    - Ti e di vetë, - i tha ai Leonorës. - Po unë me qan, zgjedh Tiranën.

    - Ti shih gabimet tua! - qortoi Zana. - Pse nuk ke hedh thjerr'za te supa? A e di se ke mungesë magnezi? Të duhen se s'ban thjerr'zat n'ushqim.

    - Kush t'tha ty për magnezin? - pyeti ai.

    - Televizori, - iu përgjigj seriozisht e ëma. - Një doktor tha: "Nëse ke çrregullime me gjumin," sikur ke ti, "do të thotë se ke mungesë magnezi dhe duhet të hash avokado, thjerrëza, ose çokollatë të zezë. Nëse nuk i ke këto, me meditue."

    - Ça me bâ? - Graniti hapi sytë më tepër i çuditur nga ç'po thoshte ajo.

    - Ti Granit me meditue! - Leonora nuk e mbajti dot të qeshurën.

    Ai shkundi kokën dhe vuri buzën në gaz gjithashtu prej atij hamendësimi absurd.

    - Po t'ndihmon shumë, tha doktori. - Zana nuk e kuptonte se pse s'po merrej seriozisht.

    - Mam', mos beso çdo gjâ se thonë njerzit n'televizor! - këshilloi Graniti. - Baba t'thotë, me ngju gjana t'tilla? - ngrysi vetullat i indinjuar ai. - Mirë se fol unë me të.

    - Granit!

    Toni i rreptë i zërit të Ardianit e breshnoi Leonorën në vend nga frika dhe ajo nuk ndieu se i kishte mbetur pikë gjaku në fytyrë, kur ai doli nga dhoma e gjumit, ku kishte qenë duke folur në telefon dhe shikoi tepër vrazhdë Granitin, i cili u imponua të mendonte se nuk duhej të kishte treguar aq shumë mungesë respekti, sa t'i dukej vetja mjaftueshëm në pozitë, për të kritikuar atë.

    - Mos e ban provë, me fol mâ qështu për Pukën! - urdhëroi Ardiani. - More vesh? T'jetë hera e parë, è fundit!

    - Bab', - Leonora u mbush me frymë dhe qeshi e lehtësuar. - Kujtova se t'mbet hatri, kur tha për televizorin.

    - Jo, për at' punë t'fole sa t'dojë. Nuk a tè ngju kush. - Ardiani i kaloi flokët asaj pas shpine dhe e bija mbështeti kokën në supin e tij. - Ku doni m'u ul?

    - Unë e Nora k'tu, - Graniti tregoi karriget nga ana e murit. - Ju përballë nesh.

    Të tre e pranuan menjëherë sugjerimin e tij dhe u ulën, të hanin darkë.

    Ajo natë shënoi fillimin e zhdukjes së bravave të mbetura në dyert e burgjeve të tyre, por megjithëse kaluan muaj, Leonorës i mbeti akoma edhe një bravë e fundit: Anila.

    Kishte parë vazhdimisht adresën e saj në Instagram, nëse ajo do postonte gjë, për ta ditur se mund ta gjente aty, nëse donte të komunikonte me të, por llogaria dukej sikur ishte braktisur nga pronarja. E kishte peng, t'i sqaronte Anilës, se nuk e kishte ditur për të dhe Blerimin, dhe, sapo e kishte zbuluar, që ishte e vërtetë se ai e kishte bërë atë krim ndaj saj, kishte kërkuar menjëherë, të ndahej prej tij.

    Ndoshta Anila do ndikohej sadopak pozitivisht, kur të dëgjonte se Leonora kishte zgjedhur atë, por me siguri që ajo nuk donte ta takonte fare, pasi mund t'i kujtohej se çfarë i kishte bërë Blerimi.

••••
    Disa muaj më vonë, në mes të shkurtit Leonora dyshoi se ishte ajo, kur pa një grua të veshur me të zeza, të kalonte pranë shtëpisë të saj, sapo doli nga pallati, ku banonte, por nuk ishte dhe aq e sigurt.

    Vetëm kur u afrua më tepër dhe e panjohura ndaloi, Leonora bëri të njëjtin veprim. Të rrahurat e zemrës iu theksuan, ndieu një përcëllim në kraharor dhe oksigjeni sikur u zhduk i tëri.

    - Anila! - tha me zë fjalën e parë, që mendoi dhe kuptoi nga shikimi i saj urryes, se dhe ajo e kishte njohur.

    Gruaja, që në fotot e postuara në Instagram ishte kudo e buzëqeshur, kishte sy plot entuziazëm për jetën nga gjallëria dhe energjia e shprehur në ndriçimin e tyre, tani e kishte gozhduar me vështrim rigorozisht të athët, e nxitur nga mendimi se Leonora kishte mbajtur anën e Blerimit dhe për këtë ishte po aq fajtore sa ai.

    Ajo lëvizi buzët e thata nga ngrirja, për t'i kërkuar, të priste, kur Anila i ktheu shpinën dhe u largua me nxitim, por nuk tha gjë.

    Po kuptonte se ajo bravë nuk do zhdukej kurrë dhe sikur Leonora të prishte derën, edhe të lirohej, bravën e kyçur do t'i duhej ta merrte kudo me vete.

    Anila lëshoi një frymëmarrje therëse për mushkëritë dhe, pa e menduar gjatë, hipi në urbanin, që pa të ndaluar në të majtë, vetëm për t'u larguar menjëherë nga aty. Do i duhej, ta pranonte turmën e njerëzve në të për disa minuta dhe do zbriste në stacionin më të afërt; turmën, që nuk e kishte pasur fare problem vite më parë, që i kishte konsideruar gjithmonë njerëzit zonën e saj të rehatisë, kurse tani kishte frikë se mos ndonjëri prej tyre, po mendonte ta zinte diku vetëm dhe t'i bënte keq, edhe prandaj dilte rrallë nga shtëpia.

    Blerimi ia kishte kthyer të gjithë botën kundër.

    E kishte parë në lajme plagosjen e Leonorës dhe vrasjen e Blerimit, edhe kishte menduar, se kishte shpëtuar përfundimisht prej tyre, por përballja me Leonorën e kishte rikthyer edhe një herë në të shkuarën dhe Anila uronte me shpirtin e dërrmuar, që të mos e ndeshte më askund.

    Leonora e kishte njohur! Anila e kishte kuptuar diçka të tillë në shikimin e saj.

    Ç'dinte për të ajo? Si kishte reaguar, kur e kishte zbuluar për ata të dy? Mos kishte mbrojtur burrin e vet? Do e kishte mbajtur sërish një qëndrim të tillë, nëse Anila do t'i kishte treguar, që nuk shikohej dot në pasqyrat e mëdha dhe mezi përmbahej, të mos qante, kur shikohej në pasqyrat e vogla prej mendimit se, çfarë shikonte ajo, kishte parë edhe Blerimi atë natë? Që, sa herë bënte dush, përfundonte duke qarë prej prekjes së trupit, sepse kujtonte me neveri prekjet e tij? Që vazhdimisht mbyllte derën e dhomës me çelës dhe kur flinte, gjithashtu, prej frikës se mos i ati mund t'i bënte të njëjtin krim? Që prej vitesh zgjohej me zemrën në duar nga ankthi se mos Blerimi kishte publikuar videon intime të tyren në internet?

    U kthye nga dyert e mbyllura të urbanit, që të mos e vinte re njeri dëshpërimin në fytyrën e saj dhe vendosi duart në xhamat e ftohtë. Kishte filluar të binte shi.

    Nuk do kishte qenë aty në ato momente, nëse do kishte menduar pak më gjatë për të gjitha herët, kur kishte dyshuar se kishte diçka, që nuk shkonte me Blerimin; do e kishte zbuluar në kohë planin e tij, do kishte shpëtuar dhe do ishte ndarë nga ai, do kishte mbaruar Masterin, do kishte qenë duke ushtruar profesionin e shumëndërruar; jo duke u ndierë si dështimi më i madh, që kishte njohur ndonjëherë në jetën e saj.

    Një dorë e vendosur lehtë në supin e djathtë, ia doli ta ndalonte në kohë, para se t'i dorëzohej urrejtjes më tepër për veten.

    - Zonja, biletën?

    Pyetja e faturinos në korridor pas shpine e bëri Anilën të anashkalonte me shikim personin më shtatlartë në të djathtë, që e kishte prekur dhe të vështronte menjëherë punonjësin përballë. Në vagullimë, kuptoi, që i panjohuri anash saj ishte burrë, por vendosi të mos rrezikonte, për ta shikuar se kush ishte, pasi ai edhe mund ta keqkuptonte vështrimin e saj dhe të donte ta lëndonte.

    Nxori nga xhepi i palltos së zezë një monedhë njëqind lekëshe të reja, mori kusurin bashkë me biletën dhe u kthye sërish nga dyert, edhe këtë herë duke e shmangur të vështruarit personin ngjitur, që i kishte tërhequr vëmendjen pak më parë, duke i vendosur dorën mbi sup.

    Ajo priti pa lëvizur, deri kur urbani ndaloi në stacion dhe zbriti vetë e para.

....vazhdon....




Pjesa i dedikohet @verand11 🥰🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top