36• Nuk Dua Yje.

"Can't you hear me?
I'm not comin' home."

My future
| Billie Eilish |
••••

    Heshtjes, përveç disa tingujve aparaturash në vendin, ku Leonora nuk e dinte se ndodhej, i erdhi fundi nga një zhurmë në formën e hapjes së një dere të largët, disa hapa, teksa i afroheshin dhe figura grash të veshura me të bardha.

    Një dritë e fortë në tavan iu qartësua më tepër dhe ajo u bë e vetëdijshme për gjërat, që i ishin vendosur në trup; një maskë oksigjeni mbi gojë, gjilpëra të ngulura në krahë dhe fustan të veshur. Për disa sekonda mendja e saj ishte si një dërrasë e pashkruar. Nuk i tregoi asgjë, se çfarë po bënte aty dhe në cilin moment kohe ndodhej.

    Ishte zëri i njërës prej mjekeve rreth dyzet vjeçe me flokë të gjatë e të zinj, dhe sytë e po asaj ngjyre, e cila po e thërriste në emër dhe pyeste, nëse e dëgjonte dot, ai që i solli Leonorës ndërmend Dianën, fjalët e saj për Blerimin, të gjitha momentet me të, vështrimet, puthjet, martesa, kërkimi falje për çfarë i kishte bërë Anilës, ndarja dhe krahët e tij rreth saj, kur ajo ishte plagosur nga dikush.

    Filloi të ndiente dhimbje në të majtë të barkut, zemra shtoi rrahjet prej panikut, që e drodhi të tërën dhe ajo hapi sytë më tepër nga frika dhe trishtimi, që nuk dinte asgjë, çfarë kishte ndodhur, pasi kishte mbyllur sytë.

    Ku ishte Blerimi? Mos vallë e kishin vrarë edhe atë, apo dikush e kishte ndaluar fajtorin për plagosjen në kohë?

    - Nora, mund t'i pulitësh një herë sytë, nëse mund të më dëgjosh?

    Pacientja iu bind menjëherë mjekes me flokët e zinj dhe tiparet e theksuara aziatike të fytyrës.

    - Në rregull, - tha kjo e fundit. - E mban mend, çfarë të ndodhi? Puliti sytë një herë, nëse po!

    Leonora miratoi me sytë e përlotur në të qarë, që i kujtohej.

    - Njofto të afërmit e pacientes! - iu drejtua mjekja koleges së saj dhe tjetra doli nga dhoma.

    Leonora dyshoi se bëhej fjalë për Denadën, por nuk e dinte se kush tjetër po e shoqëronte atë.

    - Nora! - Denada rendi drejt saj. - Oh, Norë! U zgjove! - i preku flokët e ngadhënjyer.

    Ajo mezi lëvizi kokën nga dera, për të shikuar Granitin, tek hynte brenda. Denada do t'i kishte treguar për të dhe prandaj ai ndodhej aty.

    Mjekja vërejti në aparaturë, se si rrahjet e zemrës së pacientes u shpeshtuan menjëherë dhe vëzhgoi dy të njohurit e saj.

    Leonora u përpoq ta pyeste Denadën për Blerimin, por zëri nuk ndihej gati, që t'i transmetonte fjalët akoma.

    - Do të thuash gjë? - Denada iu afrua më pranë, që ta dëgjonte. - Çfarë dëshiron?

    - Blerimi! - tha e lodhur e sapozgjuara, sikur të kishte folur për një kohë tepër të gjatë, pa marrë dot frymë.

    Denada u shty menjëherë pas nga pesha e rëndë e hedhur mbi të. Sytë nuk e mbajtën dot për shumë gjatë atë peshë dhe e shprehën me lotët në ta, se ç'kishte ngjarë.

    Leonora deshifroi kuptimin e atij vështrimi dhe mbylli sytë e goditur nga pikëllimi për humbjen e radhës, më katastrofikja për të, ngaqë kishte shpresuar se tashmë falë Blerimit nuk do shkruhej më fjala "humbje" në historinë e saj.

    Ajo i shpërfilli kërkesat e mjekeve, për t'u qetësuar dhe ngashëreu më tepër me vetëm supet dhe kokën në mundësi për të lëvizur, nga të kuptuarit, që vërtet po jetonte në një botë pa të, që nuk duhej të kishte përfunduar ashtu, që të paktën ai të ishte futur në burg, por jo të kishte vdekur.

    U mundua të ngrihej me qëllimin, për të shkuar drejt dritares dhe hedhur prej aty, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar përfundimisht nga vuajtja, por mjeket nuk e lejuan.

    Graniti nuk guxoi t'i afrohej, për ta qetësuar, duke e marrë me mend se Leonora veç sa do tërbohej më tepër nga prania e tij dhe do ta akuzonte, se ai ishte fajtori për gjithçka të keqe, që i kishte ndodhur asaj.

    Doli jashtë, pa kundërshtuar, kur iu kërkua diçka e tillë atij dhe Denadës nga mjeket.

    - Duhet t'i gjejmë një psikolog, - tha Denada. - S'e kalon dot ndryshe këtë situatë.

    - Foli ti naj fjalë pastaj, m'ja ngrit humorin, - kërkoi Graniti. - Se ty t'ngjon.

    - OK, - ravijëzoi buzët cekët ajo dhe pritën në heshtje për lejen e doktoreshës, që të hynin në dhomë.

    Denada i sugjeroi Leonorës, që ta merrte pak veten dhe më pas ajo do t'i shpjegonte, se ç'kishte ndodhur gjatë kohës, që kishte qenë në operacion dhe jo zgjuar akoma, por Leonora këmbënguli të dinte gjithçka sa më shpejt.

    - Kishin qenë duke e çuar në komisariat, kur dikush kishte përplasur makinën e policisë. - i rrëfeu, ndërsa i mbante dorën e majtë e ulur në karrigen majtas saj. - Detektivja dhe dy oficerët kishin shpëtuar; edhe Blerimi nga përplasja, por e kishin vrarë më pas. Thonë se gjithçka ishte planifikuar nga Marinela Huba për hakmarrje ndaj vdekjes së Agustinit. Marinelën e gjetën të vrarë gjithashtu disa ditë pas atij aksidenti këtu në Los Anxhelos. Me siguri ajo të ka plagosur edhe ty.

    Graniti po qëndronte më këmbë përballë të motrës me krahët e kryqëzuar përpara kraharorit dhe vështrimin e ngulur mbi fytyrën e saj, reagimin e hidhur të së cilës me sytë në përlotje pa të qarë me zë, e lexoi menjëherë, që e motra kishte kaluar në modalitetin e të mbijetuarës; me mendimin se nuk ishte e drejtë, çfarë i kishte ngjarë, por e pranonte një fat të tillë nga jeta dhe do vazhdonte përpara me dhimbjen e shkaktuar nga ajo goditje.

    Lotët e burgosur në sytë e Leonorës po i përgjëroheshin asaj, që ajo t'i lironte nga kapakët e syve, por nuk mund të qante dot në sy të Granitit dhe atij t'i dilte fjala, që i kishte thënë vazhdimisht se ajo ishte njeri i dobët dhe naiv.

    Edhe dukej se ai kishte pasur të drejtë. Po të mos kishte qenë e tillë dhe të kishte kthyer fjalë, në vend që të kishte heshtur edhe pritur, që Graniti ta kuptonte vetë se ishte gabim, me siguri nuk do ishte ndodhur në atë gjendje. Nuk do kishte përdorur mundësinë e parë të ofruar nga Blerimi, për të shpëtuar nga mungesa agonizuese e dashurisë në jetën e saj. Do kishte mësuar ta donte vetë veten dhe nuk do kishte pasur nevojë, të priste ndihmën e askujt.

    Jetës nuk i hynte në punë për gjë ekzistenca e njerëzve si ajo.

    - Nora, askush nuk të fajëson, se pse gjërat të shkuan në këtë mënyrë. - i shtrëngoi dorën Denada. - Të erdhi vetë jeta e tillë. Njerëzit e këqij, që të ranë për pjesë, të kesh si familje, të çuan në këtë gjendje.

    - Hej! - Graniti ktheu menjëherë kokën nga Denada me vetullat e mbledhura dhe vështrimin rrepësisht gozhdues mbi të. I kishte thënë, t'i ngrinte moralin Leonorës, jo t'i frynte më tepër zjarrit.

    Denada ngriti dorën në shenjë kërkese për qetësi nga ana e tij, që gjithçka po shkonte siç donte ai, megjithëse dukej totalisht e kundërta dhe u përqendrua sërish tek e gjysmëngritura mbi krevat me kokën e përulur, dhe shikimin e pajetë mbi këmbët e saj.

    - Por tani ka ndryshuar gjithçka, - vuri në dukje Denada. - Babai yt dhe Zana po të presin në Shqipëri, vëllai yt është këtu për ty...

    Leonora nuk u duk se i mori fare në konsideratë ato fjalë.

    - Ndoshta edhe po të mos kishe qenë martuar aq shpejt me Blerimin dhe të kishe pritur, pasi ta kishe njohur më mirë, nuk do e kishe zbuluar për të dhe Anilën. - hamendësoi Denada. - Mbase ishte provë nga jeta për ty, dilemë, nëse do zgjidhje Blerimin, duke marrë parasysh, se sa të ka dashur, se mund të jetë penduar vërtet dhe Anila do ta ketë falur, edhe ti do ia jepje një mundësi atij, apo do zgjidhje Anilën, që nuk e njeh fare dhe ndoshta ajo, po të kishte qenë në vendin tënd, nuk do të të kishte zgjedhur ty, ose nesër, pasnesër, po të njiheni, ajo nuk do ta vlerësojë atë, që bëre ti për të. Fajin mbi të gjithë e ka Amarildo Id...

    - Mos ia përmend emrin! - urdhëroi ashpër Leonora dhe Denada heshti.

    - Trupi i Blerimit ndodhet në morg. Po presin vendimin tënd. Unë e kam menduar, që të varroset në Shqipëri, te familja e vet. Mund të merrem vetë me të gjitha procedurat, nëse dëshiron.

    Nga bisedat e mbrëmjeve vonë me Blerimin në diskutimin e varrimit të tij, ngaqë ai kishte vdekur; jeta nuk mund të ishte më e parëndësishme, për t'u jetuar, sesa në ato momente. E gjithë lumturia ishte zhdukur sa hap e mbyll sytë, sikur Leonora të mos e kishte merituar kurrë përjetimin e një ndjesie të tillë.

    - Në rregull, - pranoi ajo ofrimin e ndihmës së Denadës.

    - Policia do të të marrë dëshminë për Marinelën dhe avokati dëshiron të flasë me ty për testamentin e Blerimit. Sapo të të nxjerrin nga spitali, nëse lejohesh nga policia, që të largohesh, do presim biletën edhe për ty, dhe do kthehemi në vendin tonë.

    - Jo, - kundërshtoi Leonora Denadën. - Unë do rri këtu. Do filloj jetën nga e para në Amerikë. Nuk dua të kthehem më në Shqipëri.

    Denada shikoi e hutuar nga Graniti, i cili ngjante sikur mezi po e mbante veten, për të mos u përpjekur t'i rrëzonte vendimin të motrës, por nuk fliste dot i penguar nga e drejta e saj, për të bërë çfarë të donte me jetën e vet.

    - Mirë, xhan. Si të ndihesh më mirë ti. - i buzëqeshi Denada. - Unë edhe një javë mund të qëndroj këtu dhe më pas do shkoj në Tiranë. Nëse ndryshon mendje, vetëm më thuaj dhe pres biletën edhe për ty.

    Leonora ngriti vështrimin e sertë mbi të vëllanë.

    - Kur ke me ik ti? - e shprehu dukshëm në ashpërsinë e zërit të mprehtë si murlan i akullt gjithashtu dëshirën, për ta hequr qafe sa më parë të ishte e mundur.

    - Nji javë mbas Denad's, - gënjeu ai. Nuk kishte lajthitur, që ta linte atë vetëm në atë gjendje. Do priste pak, sa të qetësohej situata dhe do shihte se ç'mund të bënte, për t'i ndryshuar qëndrim asaj.

    - Dua të pushoj pak vetëm, - urdhëroi me nënkuptim Leonora, që ata të dilnin jashtë dhe të dy iu bindën, pa bërë fjalë.

    - Unë po shkoj të blej diçka, për të pirë. - tha Denada në korridor. - Dëshiron ti?

    - Jo, - Graniti u ul në një nga karriget përballë dhomës, ku ndodhej e motra dhe priti në heshtje me kyçin e këmbës së djathtë të vendosur mbi gjurin e majtë, njërën dorë mbi karrige dhe tjetrën mbi këmbën e majtë.

    Shikoi orën në telefon dhe llogariti se sa do ishte ajo në Shqipëri, për të njoftuar prindërit e tij për gjendjen e Leonorës.

    Nguli vështrimin mbi derën ngjyrë lajthie, sapo dëgjoi një zhurmë nga brenda dhomës së saj, mbajti vesh, pa lëvizur, nëse do dëgjonte më tepër dhe u ngrit, që të shkonte dhe kontrollonte.

    Hapi derën pa zhurmë, pa që krevati ishte bosh dhe i ngriu gjaku, kur e gjeti Leonorën pranë dritares së hapur, me duart e vendosura mbi parvaz, për t'u ngjitur në të dhe...

    - Norë! - ai mundi ta ndalonte me zërin e tronditur nga ç'po tentonte ajo, që të bënte.

    Leonora ktheu vetëm kokën pas, i miratoi me shikim të hidhur Granitit, se ai kishte të drejtë në dyshimin e tij, që ajo kishte dashur të vriste veten dhe u largua nga dritarja.

    Graniti iu afrua akoma i ngujuar nga shokimi, për ta ndihmuar, që të shtrihej mbi krevat.

    - Mos m'prek! - e shtyu tutje ajo dhe me dorën e vendosur te plaga e qepur pranë stomakut, hapat e ngadalë dhe shtrembërimin e fytyrës nga dhimbja iu afrua krevatit.

    Ai forcoi gishtërinjtë e distancuar të duarve nga njëri-tjetri, për të mos humbur toruan dhe bërtitur asaj, që të mos e përsëriste më një veprim të tillë.

    - Mos t'shof mâ, te e hap qët dritare! - e kërcënoi Leonorën, që të fshihte frikën e humbjes së saj nën atë ton zëri autoritar dhe shkoi te dritarja, për ta mbyllur me mendimin, që t'u kërkonte mjekëve ndërrimin e dhomës dhe qëndruar diku, ku s'kishte dritare fare.

    - E hap, kur t'du. S'py't kush ty! - refuzoi t'i bindej ajo.

    - Kur t'mos jesh motra eme, s'ke për t'py't. - specifikoi Graniti.

    - E di vetë unë, se kur py's, - qëndrimit kokëfortë Leonora i shtoi edhe vështrimin përçmues, që ia nxori durimin jashtë kontrollit atij.

    - Ej! - iu afrua i xhindosur ai. - Mos ma jep mue qat lloj vështrimi, se u stërpike për murt sot!

    - Bane provë! - forcoi sytë sfidues aspak e lëkundur ajo nga shantazi i tij.

    Denada hapi derën dhe i gjeti në gatishmëri të plotë, për t'iu hedhur në fyt njëri-tjetrit.

    - O Zot! Thû' se jeni fëmijë moshatarë, veproni! - u ankua ajo nga zënka e tyre. - A doni me na bâ lajmin e dit's n'Amerikë? "Kaliforni, rrëfehet tridhjetë e tre vjeçari nga Shqipëria: Motra filloi vetë e para."

    Leonora u tërhoq nga debati dhe u ul me vështirësi mbi krevat.

    - Pse u ngrite, Nora? - Denada iu afrua ta ndihmonte.

    - Kot, - u përgjigj thatë pacientja me shpresën e pakët, se Graniti nuk do tregonte gjë dhe i vëllai ndenji në heshtje për hatër të saj.

    - Jam t'u dal pak unë, - i tha ai Denadës. - Rri ti me Norën, mos e le vetëm!

    - OK, - pranoi ajo dhe Graniti u largua, që t'u tregonte prindërve të tij për gjendjen e Leonorës.

    Kur u kthye paniku e mbërtheu me lehtësi, sapo vuri re Denadën në korridor, duke folur me një infermiere dhe ai mendoi Leonorën të vetme në dhomë.

    Sa kohë kishte qenë ashtu?

    - Ku asht Nora? - iu afrua Denadës me hapa të vrullshëm i alarmuar.

    - Te dhoma e vet, po fle. - tha e hutuar ajo nga gjendja e panikosur e tij.

    - E lâ vetëm? - ai ngriti zërin me sytë e xhindosur dhe rendi me sa forcë i patën këmbët drejt dhomës së Leonorës, pa pranuar të humbiste asnjë moment, për të dëgjuar përgjigjen e Denadës.

    "Jo! Jo! Jo! Jo!" mendja vetëm kaq mund të jepte në shenjë reagimi, përveç fytit tepër të ngushtuar, zemrës në të ndaluar nga shokimi dhe shkundte kokën revoltues, të besonte se e motra ishte treguar aq e pamëshirshme ndaj tij, sa nuk kishte menduar për asnjë çast të vetëm, se sa do vuante ai nga humbja e saj dhe kishte kryer vetëvrasje edhe veç për të ndëshkuar atë.

    Ai ndaloi përpara derës në momentin, që afroi gishtërinjtë rreth dorezës dhe qëndroi, pa bërë asnjë lëvizje. Në ato çaste, në padijeni, se ç'ishte bërë me Leonorën edhe kishte shpresa, që ajo ishte gjallë, por, pasi ta hapte atë derë dhe të zbulonte se si ishte e vërteta, nuk do kthehej më kurrë pas në injorancën se e kishte akoma një motër.

    Shtrëngoi dorezën e akullt dhe i drobitur të jetonte më gjatë nën atë torturë, duke e ditur se herët, apo vonë ajo flluskë ngushëllimi iluzionar do plaste, shtyu derën përpara.

    Mbylli sytë dhe psherëtiu thellë me gjakun e ngrirë, kur e pa Leonora të flinte e qetë dhe i ndierë falendërues, që ajo ishte gjallë, u afrua të ulej në fund të krevatit me shikimin gati në thyerje tutje dritares. Si do ia dilte, ta mbante në jetë? Ajo dukej e vendosur, që nuk donte të vazhdonte më gjatë, por ai nuk e linte dot të shkonte.

    E kishte lënë të qetë pas divorcit me Albionin dhe vrasjes së tij dhe Agustinit, që e motra të përjetonte lirinë e të jetuarit sipas dëshirës së saj, pa frikën nga ndjesia se dikush e kishte nën vëzhgim, duke përballuar torturën gjatë tërë asaj kohe, që vetëm të interesohej se si ishte ajo dhe asgjë më shumë, por nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të tillë, me shpresën se Leonora, do kërkonte vetë ta takonte, por tani nuk do e përsëriste më atë gabim. Do t'i tregonte se ishte i gatshëm, t'i rrinte pranë, sado që ajo do përpiqej ta largonte.

••••
    Leonora priti, që Denada të largohej për në Shqipëri dhe më pas të vepronte. Të nesërmend do dilte nga spitali dhe vetëm ajo natë i kishte mbetur në avantazh.

    Graniti rrallë e linte më vetëm, prej frikës se ajo mund të tentonte vetëvrasje sërish. Atë mbrëmje, para se largoheshin, ishte ulur te karrigia në fund të dhomës dhe po i rezistonte dëshirës, për të fjetur.

    Leonorën e kishte zënë gjumi pak më parë. Ndoshta, po të mbyllte sytë për çerek ore, nuk do ndodhte gjë. Më pas ai do zgjohej dhe do mund të flinte sërish, pasi të sigurohej, që gjjthçka ishte në rregull. Kapakët e rëndë të syve iu mbyllën dhe Graniti më në fund gjeti çlodhje.

    Leonora hapi sytë dhe e shikoi, pa lëvizur kokën në fund të dhomës, ndërsa ai flinte pa zhurmë me kokën paksa të ulur, dorën e majtë të vendosur mbi po atë këmbë, kyçin e këmbës së djathtë mbi gjurin e majtë dhe dorën e djathtë mbi karrige. Ajo vendosi pëllëmbët e shtrira mbi krevat, për t'u ngritur, por u shtir menjëherë, sikur po flinte, kur ai hapi sytë fill i vëmendshëm dhe hetoi ambientin përreth.

    Bluja e syve iu çel më tepër dhe tiparet e mprehta të fytyrës iu zbutën, kur pa të motrën, ndërsa flinte e pashqetësuar. Lëshoi një frymëmarrje më të thellë se zakonisht dhe mbylli sytë përsëri.

    Leonora lëvizi aq ngadalë sa mundi, për të mos e zgjuar, e shikoi më gjatë se zakonisht, e vetëdijshme, që ato ishin momentet e fundit midis tyre në të njëjtën jetë, ndieu keqardhje për çfarë do i shkaktonte, vendosi veten në vendin e tij, se sa traumë do i mbetej, nëse vëllai apo motra, që ajo donte dhe për të cilën ishte e gatshme, të jepte jetën, do kryente vetëvrasje, e parandaloi menjëherë krijimin e pendimit, kur mendoi se çfarë i kishte shkaktuar ai dhe se Graniti do shpëtonte prej saj, po të vetëvritej edhe doli nga dhoma. Në korridor nxitoi hapat, për të shkuar tek ashensori dhe mbërritur sa më shpejt në tarracë.

    Qielli ishte kufiri dhe mendja e saj ishte e vetmja, që mund ta ndalonte, por tani Leonora ia kishte mbështjen më shumë se kurrë, që të mos hiqte dorë. Ishte vetëm një moment jete larg shpëtimit përfundimtar. Nuk do kishte më vuajtje, as urrejtje ndaj vetes për gabimet, që kishte bërë, as pendim torturues për të shkuarën e jetuar në atë lloj mënyre dhe as rrezik se çfarë e priste në të ardhmen.

    Ajo iu afrua skajit të tarracës dhe shikoi tutje. Era i kaloi disa fije flokësh të lëshuar pas dhe Leonora buzëqeshi e lumtur.

    Fundi nuk i ishte dukur asnjëherë më i bukur, sesa në ato çaste. Nuk ndieu aspak mall për yjet, të cilat nuk do mund t'i shikonte më, hënën dhe lulet petalebuta; që nuk do ushtronte profesionin e dëshiruar, nuk do zgjohej nga rrezet e diellit në mëngjes dhe as do shikonte kometa, ndërsa digjeshin në atmosterën e Tokës në mbrëmje. Asgjë nuk iu duk më e rëndësishme në ato momente, sesa rënia në hapësirën e lirë prej asaj ndërtese dhe çlirimi i shpirtit nga trupi i vet.

    - Më në fund! - thirri e ngazëllyer Leonora për të shkruarit me vullnetin e vet të plotë përfundimin e historisë së saj dhe u mat, që të hidhej nga tarraca mbi katin e dymbëdhjetë të spitalit.

....vazhdon....

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top