35• Kundër Botës për Ty
"Një ditë do zgjohesh
dhe do kuptosh se duhej
të ishe përpjekur. Për mua
ia vlente lufta."
| anonim |
••••
Blerimi donte t'i vihej pas kriminelit për Leonorën, por druante se, ndërkohë që do ishte duke kërkuar për të, ky i fundit do shkonte në spital dhe do përfundonte punën e mbetur përgjysmë. Doktori kishte hedhur dyshimin, se ai ndoshta e kishte plagosur qëllimisht Leonorën në bark, për të mos e vrarë menjëherë, por vetëm plagosur, ngaqë kishte planin, të luante me të dhe Blerimin, para se t'i hiqte qafe të dy përfundimisht.
Po sikur të kishin paguar ndonjë punonjës aty, për të vrarë Leonorën?
Ai shikoi drejt dyerve të mbyllura të sallës së operacionit në të majtë, u ngrit në këmbë më i alarmuar se më parë, që mund të kishte të drejtë në hamendësimin e tij edhe nisi të vriste mendjen për një zgjidhje, se si të hynte brenda në sallë. Mungesa e fuqisë, për të mbrojtur dikë, që donte, e ritakoi më e fuqishme se më parë dhe ia doli pa shumë mundim, që ta bënte skllav të dëshpërimit.
E kishte menduar një kthesë të tillë në jetën e tij, por jo që do t'i sillte fundin. Të pasurit dashurinë e Leonorës i kishte dhënë shpresa, se gjithçka do rregullohej, e shkuara do mbetej në të shkuarën, ai nuk do dënohej, që kishte zgjedhur mënyrën e gabuar, për t'u hakmarrë ndaj Amarildo Idrizajt, sepse ishte penduar vërtet, që motra e tij, Anila, e kishte pësuar, pa pasur faj për shkak të të dyve dhe edhe ajo do merrte fundin e lumtur.
Sikur të kishte ndierë pak më intensivisht për të! Të kishte menduar më thellë se ajo ishte e pafajshme dhe nuk e meritonte atë krim, se ndoshta kishte pësuar të njëjtën vuajtje nga i vëllai, por nuk e kishte shprehur kurrë. Ose ndoshta motrës së saj, Visarës, i kishte ndodhur e njëjta gjë si Xhulianës nga Amarildo, por nuk kishte folur dot nga turpi dhe frika. Me vrasjen e tij, Blerimi do ta kishte shpëtuar.
E kishte shpëtuar, por ishte djegur Anila. Në vend që të këpuste zinxhirët, Blerimi kishte vazhduar historinë me po të njëjtën padrejtësi dhe tani ajo po i kthehej në formën e shpagimit. I kishte shkaktuar të njëjtën vuajtje Visarës, siç kishte pësuar ai në lidhje me Xhulianën. I kishte bërë realitet Anilës frikën e saj, për të humbur lirinë, që kishte në jetë dhe tani rrezikonte, që t'i realizohej Blerimit frika e tij; të mos zbuluarit kurrë të vërtetën, se kush e kishte qëlluar Leonorën dhe pse.
Fytyra e qeshur e Anilës, humori dhe vështrimi i ndritshëm, shprehja e dashurisë me anë të prekjes dhe komplimenteve flirtuese i mbizotëruan në mendime, por e fashiti fill nga kujtimet atë, para se t'i shfaqeshin imazhet e asaj nate të fundit midis tyre dhe e qeshura e saj të kthehej në të qarë, shikimi tërë gjallëri të shndërrohej në sy të përlotur prej dhimbjes dhe prekjet e saj në përpëlitje, për të shpëtuar nga tortura e tij.
Mund të kishte shkuar kaq ndryshe historia midis tyre. Edhe sikur megjithatë, të mos e kishte takuar Leonorën, po të kishte vendosur të zgjidhte Anilën, nuk do ishte aty në ato momente. Ndoshta as akoma i lidhur me të jo, por nuk do ishte duke vuajtur nga frika e humbjes përgjithmonë të Leonorës. As ajo vetë nuk do kishte hequr aq shumë për faj të tij.
Asnjë nuk do kishte hequr, nëse Amarildo nuk do kishte gabuar i pari dhe nuk do ishin aq në humnerë në ato çaste, nëse Blerimi nuk do kishte rënë në nivelin e armikut, që kishte vrarë para tre vitesh.
Albioni i kishte thënë se e njihte Amarildon, ngaqë kishte punuar për disa kohë me të në Francë dhe kishte pranuar t'i tregonte Blerimit, nëse do e takonte sërish. Blerimi i kishte thënë se kishte një bisedë urgjente, për të zhvilluar me Amarildon rreth një kurthi të ngritur nga vëllai i Anilës.
Disa minuta pas mesnatës së 3 nëntorit, Amarildo kishte mbërritur në Tiranë, kishte marrë taksi private për te një hotel dhe shoferi i taksisë për atë natë me një tjetër porosi të marrë përsipër, Albion Huba, kishte njoftuar fill më pas shokun e tij, se ku mund ta gjente klientin e pasur rastësisht pak më përpara, te adresa ku e kishte lënë.
Blerimi e kishte qartazi në mendje imazhin e pezmatimit shokues të Amarildos, kur ai kishte hapur derën e dhomës së prenotuar dhe ndeshur sytë e Blerimit, njohur menjëherë vëllanë e vogël të Xhulianës, kuptuar arsyen e vështrimit tërë urrejtje nga ai dhe tretur i tëri në fytyrë nga arma e drejtuar prej tij, para se të kishte thënë fjalinë "Çfarëdo, që i ke bërë motrës sime, unë i kam bërë të njëjtën asaj tëndes."
Blerimi i kishte lënë kohë vetëm disa sekonda Amarildos, që ky i fundit të fiksonte të ngërdheshurën e tij triumfatore, të xhindosej dhe kërkonte të hakmerrej për Anilën, edhe më pas e kishte vrarë.
Nën avantazhin e tij, se ai hotel ndodhej larg qendrës së kryeqytetit dhe ngjante si biznes rezervë i pronarit, i cili e kishte lënë disi pas dore ndërtesën dhe jo përshtatur plotësisht me kushtet moderne, Blerimi kishte shpëtuar, pa u vënë re nga njeri dhe nuk ishte zbuluar dot nga policia. Ia kishte dalë, të merrte hak, siç kishte dashur, duke marrë parasysh shpërfilljen e ndërgjegjjes, kur ishte paralajmëruar, që e kishte kaluar në mënyrë të pafalshme kufirin prej padrejtësisë së bërë Anilës dhe familjes së saj në lidhje me të.
Ndërgjegjja nuk ngurroi t'i kujtonte edhe një herë, ndërsa priste lajm për Leonorën, se Anila ishte ofruar të kishte qenë heroina në jetën e tij, por ai kishte vendosur të ishte vetëm i keqi në historinë e saj dhe për atë rol po dënohej në ato momente.
Ishte i gatshëm, që ta pranonte një jetë pa Leonorën, vetëm që ajo të shpëtonte. Edhe do duronte, ta shikonte me dikë tjetër, nëse ai ishte çmimi, që i kërkohej të paguante, për të qenë ajo gjallë. Nuk donte të testohej, se sa forcë posedonte, për të përballuar humbjen e saj. Ishte i sigurt, që nuk e kishte aspak gabim, kur mendonte se nuk kishte fuqi fare.
- Blerim Agolli?
Gruaja me flokët e shkurtër biondë të errët deri mbi supe dhe sytë blu të qetë, që i tërhoqi vëmendjen, kishte të veshur uniformë policore, ashtu si dy oficerë të tjerë në të tridhjetat si ajo përkrah saj.
- Jam detektive Viviana Ksander nga Departamenti Policor i Los Anxhelosit. Kam nën shqyrtim çështjen e gruas suaj, Leonorës. - ajo tregoi distinktivin dhe heshti për një çast nga nevoja, që të mblidhte veten prej mosbesimit akoma, që gjithçka, që po përjetonte, ishte realitet dhe jo më një pjesë e skenareve të trilluara prej vitesh në mendjen e saj. Sapo ishte rritur në detyrë dhe kishte marrë nën dorëzim rastin e parë, për ta zgjidhur. - Duhet t'ju bëjmë disa pyetje në komisariat. - Viviana puliti sytë, për të fshehur emocionet më në adrenalinë se zakonisht.
- Leonora nuk ka dalë akoma nga operacioni, - i rezistoi urdhrit Blerimi.
- Kemi angazhuar një njësi posaçërisht për ruajtjen e saj. Për çdo të re, gjatë kohës, që do jeni në rajon, do t'ju njoftojmë ne.
- Nuk mund të më pyesni këtu? - ai e shprehu më haptazi kundërshtimin, për të shkuar me ta dhe vërejti mbledhjen e vetullave nga oficeri në të djathtë, i cili po e vështronte urdhërues, që të zbatonte rregullat dhe të mos u hapte probleme.
- Do e vlerësonim shumë, sikur të mos na humbisnit më tepër kohë, pasi nuk do ishte në të mirën e asnjërit prej nesh një gabim fatal i tillë. - tha rigorozisht Viviana. - Është një kriminel aty jashtë, që ka vënë në rrezik jetën tuaj edhe të gruas suaj gjithashtu, dhe kushedi sa veta të tjerë janë në situatë të ngjashme për faj të tij. Sa më shpejt të mbyllet kjo çështje pa viktima, aq më mirë, them unë.
Blerimi shikoi nga dyert e sallës së operacionit, mendoi Leonorën në luftë për jetën dhe me shpresën se, kur të kthehej në spital, operacioni i saj do kishte përfunduar me sukses edhe ajo do ishte zgjuar, pranoi, që të shoqërohej për në komisariat.
U ul në sediljen e pasme të makinës në të majtë të oficerit, i cili e kishte gjykuar pak më parë për rezistencën e bërë, ndërsa Viviana djathtas oficerit tjetër përpara.
Rruga po i ngjante tepër e gjatë Blerimit, sa më shumë, që largohej nga spitali, ku ndodhej ajo. Denada do ishte shqetësuar për Leonorën, nëse do ta kishte telefonuar dhe s'kishte marrë lajm prej saj. Mbase edhe do kishte njoftuar Granitin dhe tashmë do ishin nisur për...
- Kujdes!
E bërtitura e papritur e detektives nuk mjaftoi, për ta paralajmëruar në kohë shoferin e fokusuar në rrugën përpara, që të vinte re një makinë të zezë, teksa vinte me shpejtësi të tejkaluar drejt tij dhe e nxirrte automjetin e policisë nga korsia.
••••
Marinela Huba mbylli derën e zezë pas vetes me çelës dhe ndezi dritën në korridor. E kishte gjetur atë apartament të vogël të distancuar nga turma, pikërisht për njerëzit si ajo, që kryenin punë në errësirë, për të cilat shoqëria i dëgjon si të jashtëligjshme nëpër edicionet informative dhe kishin nevojë për një vend të qetë larg syve kureshtarë të tepërt.
Po priste zgjimin e Leonorës, për të vazhduar me pjesën tjetër të planit. Të plagosurën e priste goxha surprizë, nëse do zgjohej. Po qe se jo, do shpëtonte me kaq dhe Marinela do mjaftohej me faktin se, meqë Agustini nuk jetonte, as Leonora nuk e meritonte të merrte frymë. Nëse do shpëtonte, atëherë shpagimi po e priste.
Kishte pasur goxha dyshime në krijimin e planit, për të ndarë Leonorën nga Blerimi. I kishte ardhur në ndihmë kujtimi i takimit midis saj, Blerimit dhe Anila Idrizajt para katër viteve, kishte kërkuar menjëherë në internet për këtë të fundit, kishte gjetur llogarinë e saj në Instagram, ku ajo nuk kishte postuar për mbi tre vite, kishte lexuar dhe një lajm në internet për vrasjen e Amarildo Idrizajt dhe kishte hartuar historinë, që Blerimi dhe Anila kishin qenë të lidhur, ajo kishte kërkuar ndarjen prej tij, kur kishte zbuluar se ai ishte lidhur me të për interes, ai e kishte përdhunuar, ajo kishte dashur ta denonconte, por Blerimi e kishte kërcënuar se do t'i bënte keq familjes së saj, Anila e kishte denoncuar, policia nuk e kishte besuar, media nuk e kishte bërë atë ngjarje publike, Blerimi i kishte vrarë të vëllanë, Amarildon, për të cilin Marinela nuk kishte asnjë informacion, se ai kishte qenë vërtet vëllai i Anilës, por do përfitonte, ngaqë kishin të njëjtin mbiemër dhe Anila ishte detyruar, të qëndronte në heshtje; Blerimi kishte vazhduar jetën më i lumtur se kurrë.
I ishte dukur tepër e rrezikshme, për t'ia thënë vetë atë histori Leonorës, pasi ajo do dyshonte në qëllimet e saj, do e zbulonte se ish-kunata donte ta fuste në kurth dhe po kërkonte t'i bënte keq, edhe do i rrinte në krah Blerimit, por dhe të gjente dikë, i ishte dukur edhe më tepër e vështirë, deri kur kishte takuar Dianën në një park.
Kishte qenë duke ecur prapa saj të ulur në një stol të drunjtë, kur e kishte dëgjuar Dianën duke folur me një shoqe të sajën në telefon dhe treguar se kishte nevojë urgjente për para, ngaqë i kishte shpenzuar të tëra në udhëtime dhe lojëra fati, ama nuk u kërkonte dot gjë as familjes dhe as miqve të tjerë nga krenaria.
Marinela kishte pritur në heshtje pas shpinës së saj, që Diana të përfundonte telefonatën, kishte përgatitur ndërkohë ofertën, për t'i ofruar dyfishin e shumës së parave, që ajo kërkonte dhe ishte shtirur sa më e pashpresë, që kishte mundur se kishte nevojë për ndihmë, që të shpëtonte motrën e saj, Leonorën, e cila ishte lidhur me një mashtrues, i cili e donte vetëm për paratë, që ajo kishte, por Leonora nuk i kishte besuar Marinelës, kur kjo e fundit i kishte thënë se ç'kishte zbuluar për Blerimin dhe Anilën dhe prandaj Marinela ishte e detyruar të përdorte gënjeshtra, për ta shpëtuar atë, deri kur të gjente prova për të vërtetën.
Diana kishte menduar si reagim të parë, vetëm që kishte një të çmendur para vetes, pastaj, që i nevojiteshin patjetër paratë, për t'u kthyer në shtëpi, pasi nuk kishte më mundësi, të qëndronte në hotel për pushime në Los Anxhelos dhe frika, se po ta neglizhonte atë mundësi të ofruar, rrezik do detyrohej vërtet, të punonte, pasi nuk do mund t'i gjente paratë ndryshe, kur ndërkohë ajo kishte plane të tjera për vjeshtën dhe nuk punonte dot, e bindi ta mbyllte njërin sy dhe të pranonte, që ta ndihmonte Marinelën kundrejt pagesës.
Për fatin e saj, Leonora e kishte besuar atë histori, Diana kishte marrë paratë dhe ishte kthyer në Nju Jork, dhe tani Marinela duhej vetëm të priste për zgjimin e armikes.
Ajo hoqi fanellën e zezë me kapuç dhe iu drejtua dhomës së gjumit. Uli dorezën e bronztë të derës së ngushtë, shikoi shpërfillëse nga dritarja në dhomën e ndenjjes dhe ndaloi së lëvizuri me shikimin e ngulur mbi siluetën e errët të dikujt në mugëtirën e plotë.
Shtriu dorën drejt çelësit aspak e frikësuar, duke e marrë me mend se kush i kishte ardhur pa ftesë dhe lajmërim, edhe ndezi llambën, për t'u ndeshur me sytë blu të errët të Granit Vitorit.
- Mos me t'pa njoft, do kisha mendu se je t'u pas frikë. - iu referua me ironi Marinela, pistoletës, që ai po mbante në dorën e djathtë.
Ai krahasoi veç për një çast kohën, kur kishin qenë bashkë në të njëjtën klasë, por në grupe shoqërore të ndryshme dhe prandaj rrallë kishin folur me njëri-tjetrit me atë moment, kur kishte ardhur, për ta vrarë. Nuk ishte aspak i lëkundur, që të kthehej pas.
- Do kishe mendu gabim edhe at'here, - Graniti ia ktheu me zë të mprehtë dhe nota force të theksuara në të.
- Unë jam n't'drejtën teme, - u justifikua Marinela. - Edhe ti, po t'kishe qan n'venin tem, t'njëjtën gjâ do kishe bâ. Ato t'dy vranë Agustinin.
- Nuk e kanë vra ato, - rrëfeu me vështrimin përgjegjës ai, duke i lënë asaj të kuptonte se kishte plagosur njeriun e gabuar.
Vrasësi real i ndodhej në shtëpi dhe ajo as nuk e nxirrte dot armën nga brezi, për ta vrarë, sepse Graniti do e hiqte qafe më përpara me një lëvizje.
- Ti! - iu hakërrye urryese, pa guxuar t'i afrohej.
- Albioni nuk do e kishte lan rehat Norën dhe Agustini do kishte mbajt anën e vllait t'vet.
- Agustinin e kam pa njoft unë, jo ti. Ai nuk do e kishte bâ diçka t'tillë.
- Boll, Marinelë, se nuk jena t'u fol për njerz, se i kena taku dje. E dimë shumë mirë të dy, se kush kan qan njani e kush tjetri. - ai shtrembëroi fytyrën i indinjuar nga mohimi i të vërtetës prej saj.
- Pse e martove, pra, Norën me Albionin, meqë e paske dit se kush janë?
- Nuk të duhet gjâ, se ça baj unë. Ti nuk qe m'u ngatrru me Norën.
- Qa ke për t'ba? Do me m'vra? - e sfidoi ajo. - Po sikur t'i dale krejt bota kundër? Të tân ke m'i vra për tà?
Graniti u ngrit në këmbë dhe e shikoi i pathyeshëm ndaj sfidës, që hamendësoi Marinela për motrën e tij.
- Ajo nuk ka për t'qan vetëm, - iu referua ai Leonorës dhe nuk i la më mundësi Marinelës, që të fliste.
Zhurma e pistoletës, kur e qëlloi, u hesht nga silencjatori i vendosur në tytën e saj dhe, para se të largohej nga aty, fshiu të gjitha gjurmët, që të mos futej në probleme.
Kishte dashur të shkonte menjëherë tek Leonora, sapo kishte mbërritur në Los Anxhelos, por në fillim i ishte dukur detyrim, t'i futej punës, për të gjetur se kush e kishte plagosur. Pa e marrë hakun e saj, nuk kishte mundur dot t'i dilte përballë. Kishte lënë Denadën, të qëndronte në spital, me të cilën kishte udhëtuar drejt Amerikës dhe tani po shkonte vetë aty.
Ish-shoqen e ngushtë e gjeti të ulur në korridorin përballë dhomës, ku ndodhej e motra. Denada i hodhi një shikim gjykues dhe e shpërfilli me arrogancë, pasi i shprehu në heshtje se për faj të tij ndodhej Leonora në atë gjendje.
- Tani e nxorrën në dhomën e saj. Doktorët thanë, që të presim, kur të zgjohet; nëse do zgjohet.
Graniti mendoi se Denada nuk shtoi ndonjë fjalë optimiste më pas, siç ishte në natyrën e saj, për të mos u dekurajuar plotësisht, vetëm që të mërziste atë.
Nga planifikimi me dy shoqet e ngushta të universitetit, Xhuliana Agollin dhe Redona Selimajn, që, pasi të mbaronin studimet do shëtisnin çdo një javë në muaj nëpër botë, ajo kishte përfunduar në një spital në Kaliforni me Xhulianën të mbetur vetëm në kujtimet e së shkuarës, zbulimin se çfarë kishte bërë vëllai i saj, për të marrë hak për të, një të njohur në rrezik për jetën dhe veten e dërrmuar nga përpjekja, për t'u ardhur në ndihmë njerëzve, që kalonin vështirësi në jetë. Po kalonte të gjitha rastet e tilla nëpër mendje; mbështetjen ndaj Leonorës dhe që akoma vihej në lëvizje për të, sepse i dukej veprimi më i drejtë, për t'u kryer, Blerimit gjithashtu, pas vdekjes së motrës së tij dhe dyshimit se ai mund ta kishte zbuluar për Amarildon dhe Xhulianën, ngaqë do kishte dëgjuar bisedën midis asaj dhe Redonës, kur kishte qenë për vizitë në shtëpinë e kushërirës.
Denada kishte kujtuar se ai kishte qenë në gjumë dhe në pamundësi, për të mbajtur gjjthçka përbrenda më gjatë, i kishte rrëfyer Redonës se ndihej fajtore, për çfarë i kishte ndodhur Xhulianës, pasi kishte qenë ajo, që e kishte prezantuar me Amarildon, megjjthëse nuk e kishte ditur se çfarë personi kishte qenë në të vërtetë ai, se do luante me shoqen e saj, që do ndahej prej Xhulianës dhe pas disa kohësh do kërkonte të ishin bashkë përsëri, e, kur Xhuliana e kishte refuzuar, ai nuk kishte hequr dorë nga ajo dhe ia kishte marrë asaj lirinë e të jetuarit. Xhuliana kishte ngecur në mbijetesë, për të dalë vetëm e vdekur nga ajo gjendje.
Ndjesia rënduese si një gur në zemër i përloti sytë e trishtë Denadës, me të vënë veten përsëri në vend të Xhulianës dhe imagjinuar gjendjen e saj pa e dotur njeri, pa mundur t'i kërkonte ndihmë askujt. Kishte qenë e vetme, me frikën se po ta merrte vesh njeri, do gjendeshin akuza edhe ndaj saj, se pse ishte ngatërruar me një kriminel të tillë dhe duhej ta kishte kuptuar se çfarë njeriu kishte qenë ai. Blerimi do ta pësonte për çështje turpi gjithashtu nga pakujdesia e së motrës se nuk do ia kishte falur kurrë asaj. Xhuliana do kishte menduar se me vdekjen e saj do mbaronte gjithçka, Blerimi nuk do ta zbulonte kurrë dhe ai do ishte i sigurt nga çdo paragjykim për faj të saj.
E kishte bërë ndonjëherë fajtore Blerimi kushërirën e tij? Kishte menduar t'i bënte keq edhe asaj? Denada ndiente mall për kohët, kur kishte pasur vetëm shqetësimet për shkollën dhe asnjë trazim tjetër, kur jeta ishte e bukur, ashtu siç ishte dhe nuk mendonte se mund të ishte edhe më tepër e bukur, sikur disa gjëra të kishin shkuar shumë ndryshe.
Graniti shikoi derën, pas së cilës ndodhej Leonora dhe iu afrua ngadalë. Nëse do ishte vetëm në atë korridor, nuk do kishte hyrë menjëherë në dhomë, por tani s'donte, që Denanda të mendonte se ai nuk kishte guxim, të hynte brenda dhe për pasojë uli dorezën, shtyu derën, edhe e afroi ngadalë prapa vetes, pasi u fut në dhomë.
E motra ishte e shtrirë mbi krevat me aparatura përreth saj më e dobët dhe e pambrojtur se kurrë. Ai u ndie shumë më thellë i dobët, ngaqë nuk e shpëtonte dot prej asaj gjendjeje dhe ajo mund të vdiste nga momenti në moment.
Po të ishte zgjuar, Leonora nuk do ta kishte lejuar as të hynte në dhomë. I ishte përgjëruar me ngulm Denadës, që të mos e njoftonte Granitin, pasi e dinte, që ai do shkonte në Amerikë për të. Lajmi i kishte ardhur atij, vetëm pasi ajo nuk ishte përgjigjur në telefon. Tani Graniti ngurronte, që t'i afrohej pa lejen e saj.
Mori karrigen pakëz të lartë blu në të majtë dhe u ul ngjitur krevatit. Mungesa e forcës, për t'i rregulluar gjërat, nuk e kishte vrarë kurrë më parë aq shumë sa në ato çaste. Si kishte lejuar, të përfundonin aq në dhimbje? Nuk kishin pasur njeri tjetër përveç njëri-tjetrit dhe prindërve, ku mund të ishin mbështetur verbërisht dhe ai i kishte kthyer shpinën, duke e lënë të vetme, për të luftuar e patrajnuar në ringun e jetës.
Leonora kishte pasur tërë ato probleme dhe Graniti nuk kishte ditur asgjë. Kushedi sa herë kishte tentuar ajo, t'i telefononte, për t'i kërkuar ndihmë, por kishte hequr dorë në momentin e fundit nga frika se ai do ta kthente pas dhe edhe qortonte, se vetë e kishte fajin, që ishte martuar me Blerimin dhe tani i meritonte pasojat.
Ku ishte Leonora në ato çaste me sytë e mbyllur? Thjesht në gjumë, apo diku e burgosur në ndonjë ëndërr? Vallë ishte duke pritur, që dikush ta thërriste, për ta shpëtuar nga ajo gjendje?
- Norë! - ai preku dorën e saj pakëz të ftohtë. - Norë! - thirri sërish me nota përgjërimi, që ajo të ngrihej, por Leonora nuk u zgjua.
Graniti hoqi dorën dhe vështroi motrën e tij i penduar tepër vonë. Kishte dështuar në detyrën si vëllai i madh dhe tani po rrezikonte, që ta humbiste përfundimisht. E dinte se nuk do e merrte veten kurrë tërësisht dhe do i mbetej gjithmonë një humnerë e zbrazët në shpirt nga vdekja e saj.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top