33• Po të Gënjej
- Ç'kemi, Leonora?
Ajo ngrysi vetullat nga buzëqeshja e ekzagjeruar e mirësjelljes së të panjohurës dhe iu afrua ngadalë bashkëshortit të saj, i cili e vështroi tejet i tensionuar.
- Sapo i tregova Blerimit, që jam shoqja e Anila Idrizajt dhe ai e kuptoi menjëherë, se për kë e kam fjalën.
- Çfarë po ndodh? - Leonora nuk po e honepste aspak ironinë e Dianës, nga e cila po merrte vetëm energji negative. - Kush je ti?
- Zemër, ti duhet të bësh pyetjen, se kush është Anila Idrizaj, nëse nuk e di akoma të vërtetën, sigurisht. - Diana shtoi dyshuese, që mbase kishte të drejtë në atë hamendësim. Qetësia dhe tiparet stoike të fytyrës së Leonorës nuk shpjegoheshin ndryshe.
- Ke ngatërruar adresë, - tha prerë Leonora. - Nuk e dimë se për çfarë e ke fjalën.
- Jo, ti e di shumë mirë, por shtiresh sikur nuk e di. Ama, nëse është e vërtetë, që nuk ke dijeni, atëherë të tregoj unë.
- Nuk më intereson, të di asgjë prej teje! - ia ktheu Leonora me zë të vrazhdë, pa dashur të rrezikonte, që e huaja t'i thoshte gënjeshtra dhe ajo të rrezikonte rënien pre të lojës së saj. Blerimi do t'i tregonte, kur të ishin vetëm, se si qëndronte puna. Ai nuk do ta gënjente. - Zhduku nga këtu, përndryshe do lajmëroj policinë!
- Tani unë po bëhem konfuze, - tha Diana. - Nuk e kuptoj dot, nëse ti je në dijeni, apo jo. Epo, është e lehtë, të zbulohet. Anila Idrizaj është gruaja, që burri yt ka përdhunuar mbi tri vite më parë.
Ajo shikoi për reagimin e Leonorës dhe u habit nga moslëvizja e asnjë muskuli në fytyrën e saj. Mos vallë e kishte kuptuar se kush ishte Diana në të vërtetë dhe çfarë qëllimi të fshehur kishte ndaj tyre?
- Anila është përpjekur gjithë ato herë, që ta vrasë veten për fajin tënd! - Diana u kthye nga Blerimi, për t'i hedhur më tepër benzinë zjarrit. - Dhe ti këtë gjë ke dashur gjithmonë, apo jo? T'ia nxish jetën dhe ta heqësh qafe më pas. Pse e vrave vëllanë e saj, Amarildon? Mos vallë ngaqë ajo të kërcënoi, se do shkonte në polici?
- Nuk është e vërtetë, - Blerimi shikoi nga gruaja e tij, e cila i hodhi vetëm një shikim të shpejtë dhe Diana e kuptoi se Leonora ra në kurthin e besimit të plotë ndaj të shoqit.
- Ti e paske ditur! - ajo e vështroi mosbesuese Leonorën dhe e zhgënjyer nga reagimi i saj. - Pavarësisht tërë atyre provave, që të janë treguar, vazhdon dhe i rri në krah? S'të vjen turp! Je edhe grua vetë! - hodhi tërë vrer neverie në shikimin mbi të. - Jam e sigurt, që ti i ke thënë, ta filmojë atë natë, kur e ka përdhun...
- Mjaft! - ndërpreu ashpër me zë të lartë Leonora. Drama histerike e atij njeriu negativ po ia acaronte nervat së tepërmi. Si nuk ditën t'i hiqeshin qafe personat e tillë në jetë? - Ti vetëm po gënjen, që të krijosh përçarje midis nesh. Nëse nuk ikën nga këtu brenda tre sekondave, do të të bëj unë ty, ta njohësh atë Anila Idrizajn, e cila nuk ekziston fare, por e ke shpikur vetë këtë emër. Na u zhduk nga sytë! - e paralajmëroi Dianën me vështrim errësisht kërcënues, që kishte shumë pak kohë në dispozicion, para se Leonora të mos e përmbante dot veten dhe t'i bënte keq.
- Ju paskeni nevojë për psikiatri! - Diana shkundi kokën e trandur në dukje dhe ngriti duart në shenjë dorëzimi, edhe u largua.
Leonora e ndoqi me vështrim, kur hipi në taksi dhe vetëm pasi automjeti iu venit nga pikëpamja, hyri brenda në oborr, mbylli portën dhe u kthye akoma e shastisur nga Blerimi në po të njëjtën gjendje.
Ai e mori në përqafim shtrëngues dhe u përpoq të qetësohej me frymëmarrje të heshtura. Kishte qenë kaq pranë humbjes përgjithmonë të saj dhe akoma po i dukej e pabesueshme, që kishte shpëtuar. Nuk e kishte pritur reagimin e tillë të Leonorës për të.
Diana i kishte tronditur të dy nga themelet. Kishte qenë vërtet shoqja e Anilës? Blerimi po pendohej, që e kishte lënë gjallë këtë të fundit. Duhej të kishte rrezikuar dhe ta kishte hequr qafe, sapo të kishte dalë nga burgu vitin e kaluar, por ndoshta Diana do e kishte zbuluar ndodhinë e tri viteve më parë në një tjetër mënyrë dhe ajo përballje midis të treve do ishte zhvilluar, gjithsesi.
Si e kishte zbuluar? Anila i kishte thënë, apo e kishte marrë vesh ndryshe? E mori me mend, se ajo dinte goxha, kur përmendi filmimet. Anila duhej t'i kishte treguar me shumë siguri.
Ai u shkëput nga e shoqja dhe i mori fytyrën ende të shokuar në duart e veta.
- Nora, më vjen shumë keq, për çfarë ndodhi!
- Nuk është faji yt - Leonora nuk po çlirohej dot nga ngurtësia, që i ishte pllakosur në kraharor dhe nuk po e linte të merrte frymë lirisht, për të ardhur në vete. - Hyjmë në shtëpi. - kërkoi e lodhur, që të rrinte më gjatë në këmbë.
Blerimi e mori në krahë dhe u futën brenda. Ajo mbështeti kokën poshtë supit të tij dhe e kapërthyer në përsiatje u ul në karrigen e tavolinës së ngrënies në kuzhinë. Nuk ndieu fare oreks, për të ngrënë ëmbëlsirat mbi të.
Kishte arritur të depërtonte në maskën e vënë nga Diana, ta kuptonte se ajo po shtirej dhe vërtet kishte qëllim, të krijonte përçarje midis tyre. Mohimi dhe përpjekja, për ta bërë Leonorën, të dyshonte në qëndrimin e saj, e kishin bindur se dyshimet ndaj të panjohurës kishin qenë të sakta. Megjithatë kishte tërë ato pikëpyetje në kokë, të cilat donin të parashtroheshin për diskutim me Blerimin.
E kishte dërguar njeri, apo kishte planifikuar gjithçka vetë? Nëse ishte dikush, që fshihej pas saj, kush? Vetëm Marinela Huba po i vinte ne mendje. Mos vallë ajo e kishte zbuluar për martesën e saj me Blerimin, kishte dyshuar se ata të dy kishin vrarë Albionin dhe Agustinin, për të qenë më pas së bashku dhe tani donte të merrte hak?
Por ish-bashkëshorti dhe vëllai i tij kishin ndërruar jetë rastësisht në një aksident. Leonora kurrë nuk e kishte kaluar nëpër mend, se Blerimi mund të kishte gisht në vdekjen e tyre. Ai nuk ishte vrasës. Nuk mendoi më gjatë se aq, sepse e dinte se do dyshonte në mos po gabohej dhe, duke mos pasur prova për dyshimet e lindura, do çmendej nga të mbimenduarit.
- Ha pak ëmbëlsirë! - Blerimi i afroi pjatën më ngjitur dhe u ul pranë Leonorës në të majtë. - Ndoshta të sjell në vete më shpejt. - i preku duart i frikësuar se ajo do ta largonte të vetën dhe do t'i bënte ndonjë pyetje për Anilën.
- Nuk mund të ha, - psherëtiu Leonora dhe i mbajti duart të prekura nga të tijat. - Jam akoma e shokuar dhe s'po e marr dot veten menjëherë. E kuptova se ishte dikush, që na e do të keqen dhe prandaj tha tërë ato gënjeshtra. - iu referua Dianës. - Por shqetësohem, kur mendoj se mund të përpiqet sërish, të na e prishë qetësinë. Ndoshta e ka paguar njeri, për t'u ngatërruar me ne.
- Nëse dëshiron, mund të punësoj roje sigurimi për shtëpinë dhe nuk lëvizim pa truproja për disa kohë.
- Nuk e di, - shfryu e stresuar ajo. - Do më duket sikur jam në burg. Nuk dua të jetoj tërë kohën me frikën se kur do sulmohem.
Blerimi i përkëdheli flokët dhe u kredh në mendime për një zgjidhje.
- Po shkoj të pushoj pak, - tha ajo. - Kam shumë nevojë.
- OK, unë po rregulloj drekën. Bisedojmë, pasi të qetësohemi.
Leonora u ngrit në këmbë, pranoi puthjen prej tij dhe iu drejtua dhomës së gjumit.
••••
Marinela doli nga makina e saj, me të vërejtur taksinë, t'i afrohej.
Diana zbriti nga automjeti, shikoi përreth dhe u drejtua nga ajo.
- Si shkoi? - e pyeti Marinela.
- Sikur the ti, që do ndodhte; u zunë. Ai tha se nuk ishte e vërtetë, por Leonora nuk e besoi. Tani do jenë ndarë, me shumë siguri.
Në mos përballë saj, do ishin zënë më pas. Marinela nuk kishte pse ta dinte atë detaj. Pse Diana të rrezikonte më kot dhe të mos e merrte pjesën tjetër të parave?
- Shumë mirë, - ish-kunata e Leonorës nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës së zezë një zarf të bardhë. - Paratë e tjera.
Diana mori paratë dhe u kthye të largohej.
- A mund të ta bëj një pyetje tjetër, përveç kësaj, që po bëj tani? - kurioziteti ia doli ta joshte, për të rrezikuar.
- Vazhdo! - dha lejen Marinela.
- Ti më ke thënë të vërtetën, që Anila Idrizaj është ndarë vetë nga Blerimi dhe tani është e martuar me dikë tjetër, apo jo? Që Blerimi e ka përdhunuar dhe i ka vrarë të vëllanë, kjo është gënjeshtër.
- Po, - Marinela e vështroi drejt e në sy dhe Diana nuk gjeti arsye, të dyshonte. - Gënjeshtër.
- OK, - e paguara u largua më e qetë se më parë dhe Marinela hipi në makinë, për të vijuar me pjesën e mbetur të planit.
- Do më duhet një armë, - tha me të vogël ajo.
....vazhdon....
Pjesa i dedikohet @denisa9505 🤗🤗❤
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top