3• E Di të Vërtetën?
Blerimi priti, që Anila të rehatohej në karrigen e bardhë të zbehtë, e pyeti atë, nëse kishte dëshirë, që të ndërronin tavolinë, po qe se nuk ndihej rehat aty dhe, pasi i mori konfirmimin, që ishte shumë mirë, u ul në karrigen e bardhë përballë saj.
Ai bëri porosinë, me të ardhur kamarieri dhe shikoi lehtazi i buzëqeshur Anilën. E dinte, që në një një tjetër situatë do kishte ndjenja ndryshe për të, jo mllef dhe gjykim ndaj një fajtoreje për padrejtësinë fatale të bërë atij, por respektin e zakonshëm ndaj një të panjohuri, i cili kurrë nuk i kishte rënë më qafë kot dhe e meritonte ndihmën e tij, po t'i kërkohej.
E kishte pasur një përshtypje të tillë për Anilën atë ditë, kur ishin takuar në bar, por kjo e fundit ishte sulmuar menjëherë pas shpine nga urrejtja dhe mundur prej asaj ndjenje, sapo kishte zbuluar, që ajo ishte personi, të cilin po kërkonte. Vetëm kjo ishte arsyeja, pse Blerimi po ndiente sikur ishte duke u mbytur nga mungesa e oksigjenit për shkak të pranisë së saj dhe vetëm po t'i rrinte larg, do mund të merrte frymë lirisht.
Ajo zotëronte energjinë e një njeriu të afrueshëm në bisedë, aventurier dhe të pamposhtur nga ndikimi i kalimit të viteve në pamjen fizike tërheqëse, që kishte, por fakti, se njihej me Amarildon, ia zbehte totalisht bukurinë para syve të tij.
- Blerim, dua të të bëj diçka të qartë fillimisht. - kërkoi ngurruese Anila.
- Patjetër, - tha ai i përgatitur për çdo temë.
- Nëse marr vesh, që po del me dikë tjetër, ndërkohë që del me mua dhe po përpiqesh të luash me të dyja ne, do t'i tregoj menjëherë asaj dhe nuk do ta lë vetëm me kaq.
- Nuk po dal me askënd tjetër. Merr të gjithë kohën, që të duhet, për të zbuluar, nëse po gënjej, ose jo. - Blerimi u përgjigj tërësisht i patrazuar. I kishte marrë masat për gjithçka, që të mos i dilte asnjë problem.
- Në rregull, - ajo i buzëqeshi e lumtur, që nuk kishte asnjë pengesë midis tyre.
Dhe sikur të kishte, edhe ai sapo e kishte gënjyer, për Anilën kjo gjë nuk përbënte aspak problem; do e kthente lojën e tij në favorin e saj dhe do luante vetë me Blerimin.
Qëndruan në heshtje, ndërsa kamarierja vendoste pijet e porositura mbi tavolinë dhe, pasi u largua ajo, vështruan njëri-tjetrin.
- Pra, me çfarë na merresh, hakmarrëse?
Ajo buzëqeshi lehtë nga etiketimi i tij.
- Sapo jam diplomuar në Bachelor për Anglisht. Kam plane, të mbaroj edhe specializimin dhe do punoj si përkthyese librash. Tani për tani punoj në një kompani produktesh kozmetike.
- Ia kanë dalë akoma librat, të të bindin, për të besuar te fundi i lumtur? - pyeti shpotitës ai.
- Më kanë bindur, që të besoj te momentet e lumtura, - specifikoi Anila. - Çastet e së tashmes, që i kemi në dorë, për t'i shpenzuar, si të duam ne. Po u kujdesëm, për të përjetuar momente vërtet të lumtura, do fitojmë edhe fundin e lumtur. Domethënë, nuk do pendohemi për mënyrën, se si e kemi jetuar jetën. Ky do të thotë fund i lumtur për mua.
- Mirë, që nuk paske frikë! - vërejti Blerimi mistershëm. - Ose e fsheh shumë mirë këtë të fundit.
- Frikë për çfarë?
- Që dikush mund të përpiqet të ta shkatërrojë plotësisht të tashmen dhe për pasojë ti nuk do kesh as të ardhme, për shkak të depresionit, që do përjetosh, ama, nëse arrin ta kapërcesh atë, edhe mund të ëndërrosh për një të ardhme ndryshe nga ajo e tashmja, që të detyruan të jetosh.
- Aha! - ishte reagimi i vetëm i qetë i saj dhe vështrimi përreth, që e alarmoi së tepërmi Blerimin.
Mos kishte shkuar larg dhe ajo sapo kishte filluar të dyshonte, apo ashtu si ai edhe Anila ishte në dijeni të gjithçkaje për Amarildon, e kishte njohur Blerimin, që kur e kishte takuar dy muaj më parë dhe menjëherë kishte hartuar planin e saj gjithashtu?
Duke kujtuar, se kishte përgatitur kurth të pakapërcyeshëm, tani ai po mendonte i tensionuar, se mos kishte rënë vetë në kurth prej kohësh dhe nuk e kishte kuptuar dot deri në ato çaste.
- Me çfarë merresh ti? - ndërroi temë Anila dhe Blerimi nuk këmbënguli më gjatë, që të përpiqej, për të shuar dyshimet e tij ndaj saj. Po të ishte e vërtetë, se ajo po luante, do t'i duhej të ndryshonte të gjithë planin, sa nuk ishte tepër vonë.
- Punoj si menaxher në një kompani produktesh shëndeti, - tregoi i qetë në dukje, i vetëdijshëm se asaj po i rritej konsiderata pozitive ndaj tij, mënyrës se si ai fliste qartë, pa u nxituar, me ton të shtruar zëri dhe përfshirje të plotë në interesimin ndaj saj.
- Sa vjeç je?
- Njëzet e pesë. Ti? - ai pyeti, për të pasur justifikim, se nga e dinte moshën e saj.
- Njëzet e dy. Para tri ditësh, më 23 korrik kisha ditëlindjen. Nuk e di, pse m'u krijua përshtypja fillimisht, se je njëzet e gjashtë vjeç.
- Më 3 nëntor mbush njëzet e gjashtë, - Blerimi ndau një tjetër të dhënë, për të mos ngjallur dyshime, se pse po tregohej aq i fshehtë. Ndoshta Anila edhe i dinte të gjitha informacionet rreth tij dhe po shtirej sikur ai, por atij nuk i dukej veprim i zgjuar, që të linte gjë në dorë të hamendësimeve. - Jeton këtu në Tiranë, besoj... - la fjalinë në mes, që ta plotësonte ajo.
- Po, - tha Anila. - Jam nga Elbasani. Kam ardhur vetëm këtu me studime.
- Familja jote akoma atje.
Ajo miratoi në heshtje.
- Prindërit dhe motra, vëllai jeton në Francë. - shtoi Anila.
- Janë më të rritur se ti vëllai dhe motra?
- Vëllai. Motra është më e vogël. - sqaroi. - Ku banon?
- Në kryeqytet, gjithashtu. Nuk kam familjarë shumë të afërt si ti. Vetëm unë kam mbetur. - nënkuptoi, që kishin ndërruar jetë dhe shikoi me vëmendje fytyrën e saj për ndonjë reagim specifik, ndjesi faji, ngaqë e dinte se pse kishin ndërruar jetë, apo shtirje, që nuk kishte qenë në dijeni të një informacioni të tillë rreth jetës së tij.
- Kuptoj, - tha Anila me nota të trishta zëri dhe uli kokën e zymtë mbi pijen e porositur.
Ndieu dëshirën empatike, për ta pyetur Blerimin, nëse kishte dëshirë, që të fliste për njerëzit, të cilët i kishte humbur dhe ajo ishte e gatshme, për ta dëgjuar deri në fund, ama hoqi dorë e ndikuar nga mendimi se ndoshta kështu po nxitohej dhe duhej të priste pak, që ai ta njihte më mirë, për të krijuar besim tek Anila dhe më pas mund të diskutonin.
- Cila është stina jote e preferuar? - pyeti gjallërueshëm Blerimi. Kaq melankoli mjaftonte për disa kohë.
- Vera, - ajo iu përshtat menjëherë energjisë së tij të hareshme dhe buzëqeshi me pozitivitet e entuziazmuar si zakonisht. - Po e jotja?
- Vjeshta më pëlqen më shumë.
- Dhe ngjyra?
- E zeza.
- Të shkon, - komplimentoi e buzëqeshur dhe Blerimi ravijëzoi buzët lehtazi, për t'i krijuar idenë, se i kishte pëlqyer vlerësimi i saj. - Numri yt i fatit cili është?
- Nuk besoj te fati.
- Në çfarë beson?
- Asgjë supernatyrale, nëse e ke fjalën për këtë.
- Ah, kuptoj. Unë jam myslimane, e ke problem?
- Jo, fare. Je i njëjti person për mua, si para se ta dija, si tani.
Buzëqeshja e saj mirënjohëse ndaj qëndrimit të tij në lidhje me atë informacion rreth saj dhe vështrimi pozitiv i pashtirur, sikur ishte e lumtur, e bindën se ajo nuk kishte dyshuar gjë, që Blerimi kishte folur me nënkuptim.
- Çfarë planesh ke për këtë verë? - ndërroi temë ai.
- Të vazhdoj së bëri jetën e fundit! - shpalli ajo. - Do shkoj me pushime, që të jem gati për universitet në vjeshtë.
- Në Shqipëri, apo jashtë?
- Të dyja këtu.
- Paskam mundësi, të të takoj përsëri, atëherë! - tha flirtueshëm ai.
- Po, - Anila qeshi e emocionuar në shenjë pranimi të ftesës së tij. - Çfarë plani ke ti?
- Do flas me ty, - tha Blerimi dhe asaj i pëlqeu shumë ai plan.
••••
- Brunilda! - ajo hoqi atletet e bardha, duke shkundur fort këmbët, sapo hapi derën kryesore dhe hyri në shtëpi. - Shishe në ajër? - iu drejtua kushërirës së ulur në divan të sallonit, ndërsa kjo e fundit përdorte telefonin e saj. - Domethënë kam ardhur plot me bomba! - Anila lëvizi duart me gishtërinjtë e shtrënguar dhe të distancuar nga njëri-tjetri, në pamundësi për ta mbajtur brenda vetes harenë, që ndiente t'i shtonte gjithnjë e më tepër gëzimin.
- Hidhi! - dha lejen Brunilda, pa e ngritur vështrimin nga telefoni. - Veç kujdes kokën! - paralajmëroi e qetë.
- Gjeje, se kë kam takuar sot! - Anila la çantën me patinat ngjitur hyrjes së kuzhinës dhe u ul mbi divan në të majtë të saj.
Brunilda ktheu kokën nga televizori i fikur dhe u mendua në heshtje.
- Atë burrin, që i the para dy muajve, të mos fliste. - thirri pothuajse e sigurt, se ajo ishte përgjigjia e saktë. - Blerimin.
- Si e gjete? - ajo hapi sytë nga hamendësimi i vërtetë i saj.
- Ua! Ku u takuat? - Brunilda u përqendrua e surprizuar te çfarë do t'i thuhej.
- Te patinazhi. Erdhi aty dhe bisedoi me Rolandin. Edhe folëm! - i shndritën sytë më tepër Anilës nga lumturia, që e kishte përjetuar në realitet atë ngjarje me vetëm çaste të bukura. - Jeton vetëm këtu në Tiranë. Quhet Blerim Agolli.
- Me çfarë merret? Sa vjeç është?
- Njëzet e pesë dhe punon te një kompani produktesh shëndeti.
- Bukur.
- Do takohemi përsëri. I dhashë numrin tim të telefonit. Dhe ai mua numrin e tij, sigurisht.
- Numrin e telefonit, - Brunilda u hutua për një moment nga shqetësimi dhe frika se mos ai do e përdorte për qëllime negative një të dhënë private të tillë. - A nuk... po nxitohesh?
- Jo. Ku është nxitimi këtu? Mua më tërheq si person dhe kam interes, që ta njoh më mirë. Si do ta njoh, po nuk u takuam dhe komunikuam? Unë s'jam telepatike.
- Mund ta njohësh në Instagram, - sugjeroi ajo dhe ia dha të qeshurës bashkë me Anilën. - E fortë kjo. Duket, që të pëlqen, sepse ke marrë një nur totalisht tjetër në fytyrë.
Anila buzëqeshi e emocionuar.
- Epo, ç'të them unë? Uroj t'ia kalosh sa më mirë me të! - Brunilda ndezi telefonin e saj.
- Ç'është kjo? Ti do ta takosh.
- S'i dihet. Ndoshta nuk shkoni aq gjatë, sa të bëhet e përshtatshme për mua, që ta takoj si shoqja jote e ngushtë.
- Ku je ti, Ida! Unë rrezik sot do të të sillja ftesën e dasmës.
- Tani më duket sikur vërtet po nxiton. - qeshi ajo.
- Jo, jo. Për këtë kam një ndjesi shumë ndryshe.
- Ke folur vetëm një herë me të, - i rikujtoi Brunilda.
- Edhe? Disa gjëra janë të qarta që në fillim. Pse t'ia ndërlikojmë jetën vetes kot më kot? "Pun't e mira bohen shpejt e shpejt."
- Po, - ajo buzëqeshi lehtë dhe vendosi fjalëkalimin në telefon.
- Tani ngrihu dhe bëhu gati! - u çua Anila në këmbë fillimisht.
- Për çfarë? - Brunilda nuk lëvizi nga vendi.
- Do dalim, - tha e habitur, që ajo po pyeste për diçka, të cilën supozohej ta merrte me mend vetë.
- Po ti jashtë ishe.
- Kanë ndezur muzikën te sheshi Skënderbej. Shkojmë dhe shohim, se ç'bëhet.
- Anila, mjaft luajte rolin e patrullës policore dhe kontrollon çdo vend, ku ka muzikë të lartë! - qortimi i Brunildës e bëri atë të qeshte. - Nuk po ndodh asgjë e pazakontë. Thjesht ka muzikë dhe kaq. Lëre policinë, që të bëjë punën e saj!
- Në rregull, - Anila u ul sërish mbi divan. - Por në mbrëmje do dalim.
- Shohim.
Brunilda nuk e kaloi fare nëpër mend të dalurit atë mbrëmje, por takimin e mundshëm në të ardhmen me Blerimin. Po sikur të bënte ndonjë veprim të pasaktë, apo thoshte ndonjë fjalë gabim dhe ai të krijonte përshtypje negative në lidhje me të, edhe Anila të ndikohej keq gjithashtu?
Frika, se mos do humbiste miqësinë e saj ia shtoi të rrahurat alarmuese të zemrës dhe ajo lejoi trishtimin nga ankthi, për t'u mbërthyer në mbytje prej ndjesisë, që nuk po e prisnin aspak ngjarje të mira në të ardhmen.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top