29• Kurrë Mjaft


    Leonora hapi sytë ngadalë me fytyrën e përgjumur drejt dritares nga lindja e diellit, i cili nuk ishte ngritur akoma mbi horizont, prandaj ajo vendosi të flinte sërish dhe të zgjohej më vonë nga rrezet e tij.

    Siç kishte bërë planin, nuk i ndodhi, por asaj nuk iu duk aspak e nevojshme, të ankohej, që ishte zgjuar nga dora e Blerimit nëpër fytyrën e saj.

    - Si shtiret sikur po fle! - vërejti shpotitës ai.

    Leonora mbylli sytë, që të shijonte më tepër ndjesinë e paqes nga jeta, që po bënte me të dhe rrezet e diellit të ngritur tashmë, të cilat po u dhuronin një tis të florinjtë të butë faqeve të saj.

    - Mirëmëngjes! - e përshëndeti Blerimin me tonin e butë të zërit zakonisht në kohë agimi.

    - Mirëmëngjes, princeshë e ëmbël vjeshte, - ai e puthi në ballë dhe Leonora shikoi më pas tutje dritares.

    I ishte krijuar ndjesia, se ishte duke jetuar si duhej, qëkur ishte takuar me Blerimin një muaj pas divorcit të saj, kishin qenë bashkë që atëherë, kishin marrë jetët e tyre nën kontroll dhe tani po jetonin, siç dëshironin vetë, siç ndienin se do ishin vërtet të lumtur dhe një nga mënyrat, ishte të ecnin nëpër rrugën e jetës së bashku.

    Ajo këtë gjë kishte dashur gjithmonë, që, çfarëdo, që dëshironte, të mundej ta realizonte në moment dhe jo të vonohej nga rrethanat. Për çfarë ishte e sigurt, donte ta arrinte menjëherë edhe pa pasur ndonjë eksepriencë me vuajtje më parë, për t'ia ditur vlerën përmbushjes së qëllimit, ose që t'i ndodhte, siç kishte lexuar për jetët e personazheve të ndryshme nëpër shumë libra dhe parë filma, apo dëgjuar histori të ndodhura në jetën reale; të kalonte kohë, para se të bashkohej me dikë, që donte, apo plotësoheshin ëndrrat e saj. Mund të ishte mirënjohëse fare mirë, duke përdorur një metodë tjetër, pa fare trishtim dhe tani e kishte mundësinë, për të vepruar pikërisht në atë mënyrë.

    - Sa është ora? - pyeti ajo.

    - Sapo kaloi tetë. Mëngjesi është gati, - tregoi Blerimi. - Kam përgatitur tost dhe patate të pjekura.

    - Faleminderit! - Leonora e vështroi mirënjohëse. - Nuk e di, kur do vijë dita, që ta pëlqej zgjimin herët në mëngjes. Drekën e kam unë, për ta gatuar. - u ngrit nga krevati.

    - Zgjohu, kur të duash! S'është nevoja fare, ta detyrosh veten.

    - Po më llaston shumë, - buzëqeshi e ndierë përgjegjëse për ndryshim ajo.

    - Këtë gjë meritojnë princeshat, - Blerimi e mori në përqafim dhe e puthi në qafë. - Çfarë ke dëshirë, të bëjmë sot?

    - Nuk po më vjen gjë ndërmend tani për tani, - të dy iu drejtuan kuzhinës. - Shohim ndonjë film këtë paradite në shtëpi dhe nga pasditja dalim, sugjeroj unë. - Leonora mbushi një gotë me ujë dhe hodhi dy pika limoni në të.

    - Në rregull, - pranoi menjëherë Blerimi dhe qetësia në fytyrë iu zëvendësua nga shqetësimi, kur pa se si ajo hapi sytë më tepër në gjendje paniku. - Çfarë? - e pyeti, pasi Leonora vendosi gotën mbi banak afër frigoriferit majtas tij.

    - Desha të të pyes diçka, por nuk dua të të prish humorin.

    - Jo, ç'thua? - u habit nga druajtja e saj. - Mund të pyesësh, për çfarë të duash.

    - OK, - Leonora mori frymë më e lehtësuar nga vështrimi i tij sigurues. - Për çështjen tënde e kam fjalën, burgimin para tre viteve. Ke pyetur policinë, nëse i kanë zbuluar fajtorët e vërtetë?

    - Po, sot pyeta; para se të të zgjoja ty. - rrëfeu i qetë Blerimi. - "Asgjë të re," thanë. Por nuk ma merr mendja, se fajtorët do merren më me këtë punë. Atëherë ndodhi një gabim nga ana e punonjësit te lavazhi, ku çova makinën atë ditë. Ishte rastësi, që ai kishte ngatërruar pakon, e cila kishte qenë në një makinë tjetër, me të cilën punonjësi po merrej gjithashtu dhe e kishte vendosur pakon në makinën time. As nuk e kishte ditur se ajo kishte pasur drogë.

    - Thua të ketë thënë të vërtetën në gjykatë, kur ka dhënë atë dëshmi?

    - Mendoj se po.

    - Mos ndoshta kujtojnë, që po kërkon të marrësh hak. - Leonora u përpoq ta fshihte frikën nga ai supozim.

    - Kujtojnë, por nuk bëjnë dot gjë, sepse rrezikojnë, t'u zbulohet identiteti. Kështu që secili në punën e tij. Ato vite kanë kaluar dhe kaq. S'mund ta kthejmë dot kohën pas. Nuk ke pse frikësohesh. - i vendosi duart anash fytyrës.

    - OK, - ajo buzëqeshi e gjallëruar sërish nga mirëkuptimi në komunikimin midis tyre.

    Blerimi tregohej gjithmonë i matur, kur u jepte përgjigje pyetjeve të bëra nga Leonora, merrte parasysh gjendjen e saj emocionale, para se ta pyeste për ndonjë gjë rreth të shkuarës, ku ai nuk kishte marrë pjesë, apo të fliste për jetën e tij, ngjarje të ndodhura nga e kaluara, çfarë planesh kishte për në të ardhmen dhe nuk i bënte presion për asgjë, për t'i ndryshuar mendim, që ajo të binte dakord për ndonjë temë pa dëshirën e saj.

    - Po shkoj të laj fytyrën dhe hamë mëngjes. Do bëj edhe një dush pastaj.

    - Mirë, - Blerimi u step anash, t'i hapte udhën dhe Leonora doli nga kuzhina.

    Mbylli derën pas vetes, kur hyri në tualet dhe u shikua në pasqyrën ngjitur, u buzëqeshi me dashuri syve akoma të përgjumur, por më të shndritshëm se kurrë nga lumturia, flokëve të shpupuritur, të cilët i lidhi topuz të shkujdesur dhe hapi rubinetin me ujë të ngrohtë.

    - Kjo është reale, - i tha vetes, ndërsa admironte personin e reflektuar, që ishte bërë, e tashmja, që po jetonte, lidhja, që kishte me Blerimin, puna 'online' si menaxhere marketingu në kompaninë, ku punonte edhe ai, dhe mundësia për t'u marrë me hobin e saj të preferuar, stilim flokësh. - E gjithë kjo lumturi, që ke, është e vërtetë dhe ajo, që do vijë, do jetë e vërtetë gjithashtu.

    Imagjinoi e emocionuar, sikur ata të dy do martoheshin së bashku dhe do ta kalonin pjesën tjetër të jetës me njëri-tjetrin përkrah, edhe ai tregoi se kishte pikërisht këtë qëllim, nga mënyra se si u soll me të gjatë ditëve të pranverës në vazhdim, të cilat vendosën t'i kalonin në Amerikë.

    Ata tre muaj ngjanë me të shtunat pushim, të cilat i jetuan duke udhëtuar nëpër shtete të ndryshme të kontinentit dhe ndërkohë Leonora mësoi edhe notin, të ngiste makinën dhe t'i jepte biçikletës. Rutina e tillë e lirë pati ndryshim vetëm në fund të majit. Blerimi nuk i kishte blerë lule atë ditë Leonorës vetëm si dhuratë për të.

    Përfytyrimi i reagimit të saj ia shtoi entuziazmin dhe energjinë atij, për të nxituar më shpejt edhe i ra derës kryesore të apartamentit të tyre. Fshehu buqetën pas shpine dhe, kur Leonora u duk te pragu, ai tregoi pjesën e parë të surprizës. Soditi fytyrën e saj të habitur e më pas mrekullimin në sytë e ngrohtë, dhe u ngazëllye më tepër.

    - Këto lule thonë se të përkasin ty. Ke ndonjë informacion, Leonora?

    - Faleminderit! - ajo mori lulet dhe e vështroi me mirënjohje. Blerimi nuk reshtte së i shprehuri dashurinë.

    - Ti meriton më të mirat e jetës, - ai e puthi. - Mendova të dalim sonte. Si thua?

    - Po, - Leonora miratoi tërë gëzim dhe e përqafoi.

    Në mendje i erdhi menjëherë ideja, që të vishte fustanin e kuq të errët dhe të shkurtër goxha sipër gjunjëve, me mëngë disi të gjera deri te kyçet e duarve, i cili kishte të mbuluar zonën e qafës me anë të një shiriti si të një golfi dhe një të çarë përgjatë qendrës së kraharorit, e deri në fund të nivelit të gjoksit, për të nxjerrë në pah lëkurën ngjyrë bezhë të butë me nuancë të dukshme rozë trëndafili tejet të hapur. Veshjen zgjodhi ta shoqëronte me një palë taka të kuqe vere, orën me zinxhirë floriri, një palë vathë të po asaj ngjyre në formën e çerekhënës dhe një byzylyk me një çerekhënë gjithashtu.

    "Kam lindur natën. - i kishte rrëfyer Blerimit, kur i kishte blerë bizhuteritë në argjendari. - Më pëlqen shumë një kohë e tillë dhe hëna, edhe prej kësaj arsyeje."

    Harkoi buzët e mikluar në sedër, kur vërejti me anë të pasqyrës të dashurin të mbështetur te pragu i derës, tek kundronte i grishur trupin e saj, flokët e kuq me onde të shtrira pas shpine dhe më pas tërë dëshirë përvëluese nga joshja në dukje sytë e buzëqeshur ëmbëlsisht të Leonorës.

    Ajo dhuroi kënaqësinë e të soditurit edhe për pak çaste, ndërsa vendoste vathët dhe më pas kthehej me fytyrë nga Blerimi, i cili ia doli ta linte pa fjalë, siç kishte bërë, kur ishin takuar për herë të parë, veshur me të zeza; një pamje, që ftonte për mëkat dhe i jepte atij energjinë e një njeriu të rrezikshëm, i cili e shprehte qartazi se nuk ofronte siguri dhe zonë rehatie, ama dinte si të joshte, për të menduar se me praninë e tij nuk ishte fare nevoja për atë lloj zonë.

    - Ndryshove mendje? - Blerimi hyri në dhomë. - Nuk do, që të dalim?

    - Jo, dua. - u habit ajo. - Pse the kështu?

    - Je veshur sikur dëshiron të rrimë. - sqaroi ai, tek i shkonte pranë dhe Leonora buzëqeshi.

    - Kam edhe një fustan të ngushtë, por zgjodha këtë sonte, sepse lëvizet më lehtë nëpër trup. - ajo e vështroi ngultazi dhe po aq provokueshëm, sa fustani i tillë lehësisht i rrëshqitshëm përgjatë trupit të saj.

    Blerimi zeroi hapësirën midis tyre, duke i vendosur dorën e djathtë pas shpine dhe të majtën mbi të çarën e fustanit përgjatë vijës poshtë fytit deri në fund të kraharorit, edhe pa ndryshimin e saj të menjëhershëm, dorëzimin nga ajo prekje e flaktë dhe frymëshkëmbimin në trajtë të parregullt.

    - Paske thënë të vërtetën! - ai çoi dorën e majtë anash këmbës së saj të djathtë poshtë belit, përshkoi lëkurën e butë për nga lart, e puthi Leonorën fort dhe e mbajti pranë vetes edhe kur u shkëput nga ajo.

••••
    Blerimi nuk ia tha arsyen e daljes gjatë kohës, që hëngrën darkë në një restorant, që Leonora të mos dyshonte gjë.

    Vetëm kur mbërritën në apartamentin e tyre, e drejtoi për nga ballkoni i tij nën dritën e hënës të akullt në lindje, e ktheu nga vetja dhe e vështroi thellë.

    - Më duket e frikshme ndonjëherë, kur mendoj se ç'mund të bëj nga dashuria e madhe, që kam për ty.

    - E ç'mund të bësh, për shembull? - e pyeti kurioze vetullngritur ajo.

    - Mund të të lë, të ikësh.

    Përgjigjia e tij e breshtoi në vend.

    - Jam gati të djeg të gjithë qenien time nga malli për ty, vetëm që ti të jesh e lumtur, edhe pse pa mua. - rrëfeu Blerimi. - Por unë dua, që ti të qëndrosh gjithmonë.

    Ai nxori një kuti të kuqe të errët nga xhepi i pantallonave dhe u ul në gjunjë, i ndierë sikur ishte përpara njeriut të duhur, gjë që e bënte kohën të duhur dhe vendin të tillë gjithashtu, edhe nuk do donte të ishte askund tjetër në ato çaste.

    Ajo lëvizi buzët e shastisur nga veprimi i tij, me sytë e ngulur mbi unazën me një gur safiri në mes dhe rrethi me diamantë të vegjël.

    - Dëshiron edhe ti të qëndrosh? Pranon të martohesh me mua, Leonora?

    - Po! - tha menjëherë më se e sigurt, se ishte përgjigjia e duhur dhe Blerimi u ngrit në këmbë. I vendosi unazën në gisht dhe e puthi.

    - Ti nuk do të jesh kurrë "Mjaft!" për mua, Leonora. Kurrë nuk do të them "Mjaft e kam dashur! Mjaft e kam përqafuar! Mjaft e kam shikuar!". Asnjëherë nuk do të mbarojë dashuria, që kam për ty. - u betua i fejuari i saj.

    - Blerim, ti po më shëron! - u shpreh e përlotur nga ngadhënjimi ajo dhe iu afrua vetë, që të putheshin sërish.

    Hëna në formë drapëri i kishte kthyer shpinën tokës dhe kishte shtrirë dy cepat e saj drejt një ylli më lart, si të ishte duke i kërkuar me ngulm lëmshit të zjarrtë, që ai të pranonte vetëm një përqafim të vogël prej satelitit natyror formëndryshues, por ylli, i frikësuar, që e gjitha mund ishte kurth dhe do rrezikonte të burgosej përgjithmonë në krahët mbërthyes të hënës, po qe se do pranonte, rrinte sa më larg i lirë në qiellin blu marine të natës.

....vazhdon....






Pjesa shkon për @jetezaaa 🥰🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top