27• Lindja e Diellit

    Hëna ngjante me një çerekplanet prej hiri të vendosur nga ana e perëndimit, ngjyra bojëqielli e horizontit të së cilës po shndërrohej në flori pasteli me nuancë rozë të butë trëndafili.

    Leonora shikonte vazhdimisht në aplikacionin Hartat, se ku ndodheshin dhe bënte "screenshot" vendodhjet, që mendonte se mund t'i nevojiteshin në të ardhmen; stacioni i metrosë, me të cilën ajo dhe Blerimi udhëtuan, për të mbërritur në apartamentin, ku do qëndronin në Nju Jork, disa pika kryesore të vendeve, për të ditur se ishte në rrugën e duhur dhe vetë apartamentin.

    - Do sistemohemi dhe pushojmë pak, pastaj dalim. - tha ai, ndërsa hynin në ashensorin e pallatit dhe Leonora miratoi me një pulitje të lehtë të syve të shndritshëm nga lumturia.

    Amerika i kishte dhënë energji pozitive me të vendosur këmbën mbi tokën e shtruar me asfalt dhe ajo po mendonte, që mbase edhe mund të jetonte aty. Nju Jorku ishte po aq i bukur, sa e kishte parë në foto, edhe ngaqë ishte me Blerimin, prej të cilit vendet, ku kishin qenë së bashku, kishin përfituar dhe i ishin dukur më se të bukura Leonorës.

    Aventura sapo kishte filluar.

    Ajo shikoi veten në pasqyrën e ashensorit dhe vështrimi i saj i qetë i rikujtoi të atin. Ngazëllimi në fytyrë iu zëvendësua nga çehrja e nostalgjisë. I kishte treguar vetëm edhe Denadës, që do largohej nga Shqipëria. As nuk kishte folur me Granitin dhe e merrte me mend, që babai i saj nuk ia kishte idenë më të vogël, se e bija i ndodhej në anën tjetër të botës. Kishte dyshimin e fortë se, dhe po të ishte në dijeni, Ardianit nuk do t'i shkaktohej ndonjë ndjesi e veçantë, për t'u marrë në konsideratë nga ana e tij.

    Leonora kishte pamje shumë të përafërt fizike të fytyrës me të. Graniti i kishte ngjarë Zanës; njeri energjik dhe pozitiv në dukje, që i mbante ndjenjat e vërteta përbrenda dhe kishte marrë vetëm ngjyrën e syve nga Ardiani, kurse Leonora ishte versioni femër i tij; të dy jepnin përshtypjen se ishin njerëz të qetë dhe që shikonin vetëm punët e tyre, u përshtateshin rrethanave dhe kalonin, pa bërë zë, në modalitet mbijetese, kur u kërkohej një qëndrim i tillë, e shprehnin haptazi, se si ndikoheshin nga ambienti përreth, apo veprimet e ndokujt kundrejt tyre dhe, kur fiksoheshin, që dikush donte t'u bënte keq, nuk e merrnin fare parasysh ekzistencën e një traktati paqeje, për t'i dhënë armikut një mundësi, që ky i fundit të kërkonte falje.

    Sa fat të ngjashëm kishte pasur me të! Ajo të paktën e kishte fituar lirinë. Nuk e imagjinonte dot, se si kishin jetuar babai i saj dhe Zana për vite me radhë dhe vazhdonin të jetonin në atë version të padëshiruar jete, si jetonte Graniti me dijeninë e historisë, se si ishin martuar prindërit e tij dhe po të mos ishte zbuluar kryerja e atij betimi të rremë, ndoshta ai nuk do të kishte ekzistuar kurrë.

    Të katërt kishin të kaluar tronditëse të lidhur me njëri-tjetrin. Leonora kishte vepruar si duhej, që ishte larguar në heshtje. Kështu nuk do ua kujtonte gjatë gjithë kohës me gjendjen e saj në depresion, se çfarë jete të rrënuar kishin bërë dhe po bënin. Gjithmonë e kishin kritikuar për një qëndrim të tillë, por kurrë pranuar se ata ishin shkaku i ekzistencës së atij pragmatizmi.

    Tani ishin të lirë. Me siguri Graniti, babai i tyre dhe Zana edhe e kishin përjetuar ndjesinë, se papritur gjërat kishin filluar të shkonin si duhej, pa e ditur se e kishin atë lloj emocioni, ngaqë ajo ishte larguar.

    - Lëri pak vëmendje edhe Nju Jorkut! Mos e merr të gjithën vetëm ti! - sugjeroi Blerimi ngacmues dhe ajo i shkëputi mendimet nga vendlindja, për të shikuar atë në të majtë të saj.

    - Ti e vendos, se kush do e ketë vëmendjen tënde. - vazhdoi flirtimin Leonora dhe ai shkëputi buzët nga njëra-tjetra në qeshje të cekët.

    - Jam i sigurt, që do ta përdorësh si duhet. - ai tregoi zgjedhjen e tij me atë përgjigje.

    - A je i sigurt, që të dua? - e vuri në provë ajo.

    - Po, - Blerimi nuk hezitoi për asnjë moment. - E dashura ime më do.

    Ai etiketim i rikujtoi me ëmbëlsi Leonorës, se po jetonte ëndrrat e bëra realitet tashmë. E pamundura ishte fshirë nga fjalori. Bashkë me të dashurin e saj, që e donte gjithashtu, po udhëtonin dhe kishin çdo gjë në vijë.

    Kthyen të dy kokën nga ashensori, sapo dëgjuan sinjalin e hapjes së dyerve të tij dhe morën valixhet, për të dalë nga kabina.

    Një grua rreth të dyzetave kishte qenë duke pritur bashkë me vajzën e saj në katin e pestë, ku ndaluan ata të dy. Leonora shikoi vetëm për pak çaste flokët e gjatë të zinj e të lëshuar mbi supe të të panjohurës, pallton e saj ngjyrë mjalti, fustanin e bardhë të ngushtë deri mbi gjunjë dhe çizmet e bardha me taka, anashkaloi pas një sekonde vogëlushen pesëvjeçare në dukje me flokët e verdhë të shkurtër kaçurrele, e veshur me xhinse të kaltra dhe xhup të bardhë, edhe fiksoi vështrimin në biçikletën e saj të vogël, që fëmija kishte nga ana e majtë.

    Leonora i kishte kërkuar babait të saj, t'ia blinte një biçikletë të kuqe, kur kishte qenë dhjetë vjeçe, ashtu sikur Graniti kishte të tijën blu, por Ardiani kishte kundërshtuar me argumentin, se vajzat nuk duhej të ngisnin biçikletë, ngaqë do rrezikonin të mos ishin "në rregull" pastaj. Leonora e kishte kuptuar menjëherë, që i ati kishte nënkuptuar faktin, se rrezikonte të humbiste virgjërinë, po t'i jepte biçikletës dhe nuk kishte këmbëngulur dot më gjatë prej frikës se Ardiani do dyshonte, që ajo nuk ishte e virgjër dhe prandaj nuk e kishte problem ngarjen e një biçiklete.

    E kishte dëgjuar edhe një moshatare në klasën e saj, në Pukë, kur kishte qenë tetëmbëdhjetë vjeçe, teksa ajo i kishte thënë me të vogël shoqes së ngushtë, se herën e parë, kur kishte kryer marrëdhënie me të dashurin, nuk kishte pasur gjakderdhje dhe ai e kishte pyetur, nëse ajo i kishte dhënë ndonjëherë biçikletës pikërisht për atë arsye.

    Të gjitha herët, kur e kishte pasur mundësinë, ta ngiste fshehurazi biçikletën e Granitit, kishte hequr dorë prej asaj frike të imponuar nga i ati, se mund t'i shkatërrohej e gjithë e ardhmja, nëse do dilte kundër fjalës së tij, që të mos i jepte biçikletës.

    - A je mirë? - Blerimi vërejti ngultazi i shqetësuar shprehinë e trishtë të fytyrës së saj.

    - Jam shumë mirë, - buzëqeshi e gëzuar Leonora. - Ngaqë je ti me mua.

    Ai e aviti pranë vetes, që ta puthte në ballë dhe nxori çelësin nga xhepi, për të hapur derën ngjyrë blu mbretërore të zbehtë të apartamentit. Lejoi të dashurën, të hynte e para dhe ajo përfshiu me vështrim të shpejtë të gjithë ambientin përreth si në fotot e shikuara në internet; muret ngjyrë rëre të hapur, perdet e mbyllura të bardha të dritareve-dyer në sallonin përballë saj, të cilat e reflektonin të pakët dritën e diellit të fillim-marsit, divanet ngjyrë karamele të çelët, tavolina e bardhë në qendër dhe ajo e ngrënies me katër karrige përreth saj afër kuzhinës në të djathtë.

    - Këto duhet të jenë dhomat e gjumit, - Blerimi iu afrua dy dyerve majtas tyre dhe përballë njëra-tjetrës. - Cilën dëshiron?

    - Të shoh, nëse ndonjëra ka dritare nga lindja e diellit.

    Leonora hapi fillimisht derën në të djathtë, shikoi dritaren nga jugu, hodhi vështrimin përciptazi nga krevati dopio me mbulesën blu pasteli, gardëroba e po asaj ngjyre, komodinat dhe muret e bardha, dhe iu drejtua dhomës tjetër, e cila kishte dritaren nga ana e lindjes.

    - Këtë dua, - hyri e lumtur brenda dhe studioi ambientin përreth, përshkoi dorën mbi mbulesën ngjyrë rozë pudër të krevatit dopio, ndërsa i afrohej dritares, duke kaluar pranë gardërobës së verdhë të mbyllur.

    - Në rregull, - pranoi Blerimi. - Ka edhe një palestër me pishinë këtu pranë, nëse ke dëshirë të notosh. Mund të shkojmë, kur të duash.

    Leonora e shmangu vonë shikimin, për t'u kthyer nga dritarja dhe ai dyshoi nga ngrysja në fytyrë e saj, se ndoshta ajo nuk e dinte notin, ngaqë nuk ia kishte mësuar njeri dhe as ia kishin dhënë mundësinë, për ta mësuar vetë të paktën, por nuk ia thoshte dot atij.

    - Di të notosh, apo të të mësoj unë? - Blerimi shtriu dorën përgjatë belit të saj dhe e kundroi flirtues.

    - Dua të mësoj, - ajo kaloi duart sipër supeve, pas qafës së tij dhe ia ktheu vështrimin po të tillë, mirënjohëse që ai kishte ditur se si ta pyeste, pa e vënë në siklet. - Por unë mund të punësoj edhe dikë tjetër. Pse duhet t'ju zgjedh juve, zotëri?

    - Jam shumë i mirë në praktikë.

    Argumenti i tij nënkuptues, që nuk po fliste vetëm për notin, e bëri Leonorën të vinte buzën në gaz e emocionuar dhe ia ktheu puthjen, që Blerimi i dha.

    - Pse zgjodhe këtë dhomë? - ai e pyeti kurioz.

    - Dua të shoh diellin, kur të lindë. - Leonora u kthye nga dritarja dhe vështroi tutje.

    - Pasi të më shohësh mua, e ke fjalën? - Blerimi i mbështeti shpinën te kraharori i vet me duart e vendosura mbi gjoks dhe i puthi qafën e zbuluar nga flokët e saj të kaluar pas shpine.

    Leonora lëshoi kokën pas sipër supit të tij dhe me sytë e mbyllur buzëqeshi e dehur nga emocionet e furishme prej prekjeve të Blerimi. Trupi sikur i njihte prej kohësh pëllëmbët e shtrira mbi të, teksa i përshkonin kraharorin.

    Ai e shtrëngoi më tepër pranë vetes në përqafim dhe i la një tjetër puthje të thellë në qafë.

    - Po shkoj të sjell valixhen. - tha Blerimi në formën e pëshpërimës në veshin e majtë dhe u shkëput prej saj.

    Leonora mori frymë thellë e ngazëllyer, që ishte duke jetuar atë lloj realiteti.

    Ishte realitet, apo jo? Se kishte parë vazhdimisht ëndrra, ku ndodhej në një tjetër vend dhe ishte ndierë plotësisht sikur gjendej vërtet aty, por këtë herë ishte e gjitha reale.

    Hapat e Blerimit u venitën përnjëherësh dhe Leonora nuk dëgjoi asnjë lloj zhurme në shtëpi.

    Mos ishte në ëndërr?! Nuk ndodhej në Amerikë në ato çaste? Blerimin në të vërtetë nuk e kishte takuar kurrë, as Albionin dhe as nuk ishte Leonora Vitori? E kishte parë veten gjithashtu shpesh në ëndërr, sikur kishte qenë bionde, një herë tjetër brune dhe kishte pasur një jetë totalisht ndryshe.

    Po sikur të ishte vërtet në ëndërr? Po e shikonte veten si flokëkuqe, por në të vërtetë kishte një tjetër pamje dhe një tjetër jetë? Graniti nuk ishte vëllai i saj, Albioni do ishte i martuar me një grua, që ajo nuk e njihte dhe Blerimi ishte i lidhur me dikë tjetër gjithashtu, por Leonora do kishte lexuar ndonjë libër, parë film, apo dëgjuar histori për ta dhe mendja kishte trilluar skenare në formën e ëndrrës me ata të përfshirë në të?

    Gjithçka deri në ato momente kishte qenë një iluzion?

....vazhdon....

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top