23• Sakrificë në Betejë

    Leonora nuk e parandieu fundin final, e megjithatë nuk u mbështet në supozimin, që ndoshta bëhej fjalë për diçka tjetër dhe jo atë dhe Blerimin.

    Vështroi Granitin pa i shqitur sytë për asnjë moment, teksa ai peshonte duart mbi këmbë dhe ngrihej në gjatësinë e tij të plotë, edhe zemra i ngjau asaj, sikur do t'i shpërthente nga kraharori prej rrahjeve-ulërimë në heshtje, që të zhdukej nga aty, pa e kthyer kokën pas prej rrezikut, që paskësh qenë duke e pritur në shtëpi dhe ajo, pa ditur gjë, kishte rrëshqitur në humnerën e pamëshirshme.

    Shikoi me më tepër zili të vëllanë, i cili në tiparet e theksuara dhe pakëz të mprehta të fytyrës disi katrore dukej totalisht i pashqetësuar dhe sikur kishte gjithçka nën kontroll, ndërsa ajo dridhej si purtekë nga frika me jetën e saj nën skllavërimin e tyre. Çdo përpjekje e bërë në të shkuarën, për të pasur të njëjtin autoritet si ai, i kishte dështuar nga vetëbesimi i dobët prej ambientit përreth dhe paniku nga të mbimenduarit, se nuk kishte më e fortë se njerëzit, me të cilët vihej përballë.

    - Hajde, Norë! - e ftoi i buzëqeshur i shoqi. - Graniti ka ardh me na takue. Meqë do ikim mbasnesër n'Kosovë.

    Leonorës nuk i mjaftoi ai sqarim, për t'u çliruar nga mbërthimi i ankthit. Mos po gënjenin, që ajo të mos dyshonte gjë? Shikimi i qetë i të vëllait mbështeste fjalët e Albionit.

    - Në rregull, - Leonora reagoi thatë dhe iu drejtua me nxitim dhomës së gjumit, kur pa Granitin, të desh t'i afrohej.

    Ajo u ul mbi krevat, ndërsa merrte frymë me hove dhe durimi kishte arritur kulmin. Nuk e përballonte më gjatë të jetuarit nën frikën se kur do t'i jepnin fund jetës së saj, të cilën ia kishin marrë me pahir nën kontrollin e tyre.

    Të luftonte; zgjidhja ishte e qartë, por ç'do ndodhte pas asaj lufte? Ku do shkonte të jetonte? Granitin e anashkaloi si opsion, për ta pasur në krah dhe mendoi Denadën, që mund t'i vinte në ndihmë, por ndihej keq, të binte në dorën e saj, nga frika se do t'i ndodhte diçka dhe nuk do ia shpërblente dot më pas. Ajo i kishte ofruar gjithmonë mbështetje, nëse Leonora do vendoste të ndahej prej Albionit, por kjo e fundit nuk kishte dashur, që ta rrezikonte Denadën dhe Albioni t'i bënte keq asaj, për të marrë hak ndaj Leonorës.

    Me siguri që as nuk do kishte një "pas asaj lufte", sepse nuk do fitonte dot. Do t'i duhej të mbronte veten me fjalë, të cilat mund edhe ta çonin drejt vdekjes. Leonora ishte përpjekur gjithmonë të ishte e kujdesshme në të folurit, për të mos i nevrikosur babanë e saj, të vëllanë dhe bashkëshortin nga frika se ata do acaroheshin së tepërmi dhe pasi ta dhunonin, do ta vrisnin.

    Fjalët, që shpeshherë i ishin dukur e vetmja mënyrë, për të filluar të shpëtuarit veten, mund të bëheshin arsyeja se pse buzët, që i kishin lënë të lira ato fjalët nga burgu i quajtur mendje, të mbyteshin nga gjaku i saj, pasi të vdiste.

    Nuk e kuptonte dot se si ia dilnin të tjerët, që të fitonin. Ku e gjenin tërë atë vetëbesim?

    Çfarë të thoshte, për ta motivuar veten? Gjatë gjithë jetës së saj ajo vetëm kishte lejuar të pushtohej nga ndjenjat negative të parehashtme për shpirtin. Tani po i kërkohej të bënte çfarë e kishte shmangur vazhdimisht: të dilte nga ajo lloj zone rehatie, të bënte gjënë e duhur për veten e saj dhe jo vetëm.

    Ndoshta...

    Kjo do ishte arsyeja se pse po haste kaq shumë pengesa, ngaqë ishte në rrugën, për të bërë gjënë e duhur edhe, që të fitonte luftën, atë herë duhej ta linte ekzistencën e së ardhmes, t'i vinte surprizë. Fillimisht të merrej me të tashmen dhe, nëse nuk do kishte të ardhme, fakti, që kishte luftuar për të dhe nuk kishte lejuar më njeri, që ta detyronte për të jetuar e burgosur më gjatë, do t'i falte qetësinë e shumëmunguar të shpirtit.

••••
    Graniti bëri ngadalë pas, i cenuar nga vazhdimi i shpërfilljes së saj.

    Sapo Albioni i kishte thënë për largimin, ai kishte menduar, që Leonora nuk donte të largohej, por ishte e detyruar prej Albionit dhe Graniti kishte vendosur, që të fliste edhe një herë me motrën e tij, për ta bindur, t'i pranonte ndihmën e ofruar. Ajo po refuzonte vetëm prej krenarisë, për të mos e falur aq lehtë dhe Granitit nuk i dukej e drejtë, që ta linte në gabim, vetëm sepse Leonora vazhdonte të këmbëngulte, për të vijuar në atë lloj rruge.

    Ai u ul sërish në divan dhe priti mosbesues në heshtje për ardhjen e saj. Leonora qëllimisht nuk po dilte nga dhoma, që të mos takohej me të. Një tjetër shpagim, që Graniti po shlyente nga e kaluara midis tyre.

    - M'fal pak, - Albioni iu drejtua dhomës së gjumit.

    Graniti e dëgjoi atë, kur ai e pyeti Leonorën, se çfarë po bënte dhe mendoi i vendosur, që të largohej. Ajo nuk e donte aty dhe ndoshta po gabohej ai. Mbase Leonora dëshironte vetë, që të shkonte në Kosovë.

    - Jam t'u ec unë, - tha, teksa ngrihej më këmbë, sapo Albioni hyri brenda dhe deshi të justifikohej për mospraninë e të shoqes.

    - OK.

    - Ti m'shkruj, kur t'jeni n'Kosovë.

    - Mirë, - pranoi Albioni dhe mbylli derën i gëzuar, pasi Graniti u largua.

    Edhe ajo punë sapo ishte mbyllur me sukses. Kishte pasur frikë, se Leonora do pajtohej me vëllanë e saj, vetëm për të mos shkuar në Kosovë, por ajo vazhdonte të mbante qëndrim. Tani kishte mbetur vetëm udhëtimi, disa ditë në shtetin ngjitur atdheut të tyre, për të mos rënë në sy dhe gjithçka do merrte fund lehtë.

    Ai iu drejtua kuzhinës, që të merrte një gotë ujë, por ndaloi fill në korridor, kur dëgjoi zhurmën e përplasjes së një materiali mbi dysheme në dhomën e gjumit.

    Leonorën e gjeti duke vendosur disa rroba në valixhen e zezë të udhëtimit.

    - Mos pate nevojë për ndihmë? - hyri brenda Albioni. - Të më kishe thirrur.

    Ajo u kthye me fytyrë nga ai dhe e shikoi tejet serioze në sy.

    - Kam vendosur të divorcohem prej teje, - shpalli me zë të palëkundur dhe Albioni e pa i habitur.

    - Çfarë? - pyeti vetullngrysur ai.

    - Ajo, që dëgjove, por ti po pyet "Çfarë?", për të më dhënë mundësinë, që të ndryshoj mendim. - ia ktheu me po të njëjtin ton zëri Leonora, ndërsa merrte rrobat e tjera të saj nga gardëroba e bardhë dhe Albioni e shikonte hutueshëm i konfuzuar nga vendimi i papritur. - Nuk është nevoja. Mendoj se i jemi neveritur tepër vetes, duke u treguar të padrejtë me njëri-tjetrin dhe duhet të ndalojmë. Ne nuk jemi njerëz të ligj.

    - Nora, për çfarë e ke fjalën? - Albioni iu afrua, që ta ndalonte i qetë, për të mos e trembur.

    - Për martesën tonë, - ajo vendosi të luante lojën e tij, atë herë me qëllimin e padiskutueshëm për të fituar. - Unë dhe ti nuk e duam njëri-tjetrin, kështu që s'kemi asnjë arsye, pse të rrimë bashkë.

    - Nga e nxore këtë, që unë nuk të dua?

    Leonora nuk e përmbajti dot të qeshurën nga pyetja e tij.

    - Sepse po të më doje, nuk do më detyroje, të bëja gjëra, që mua nuk më bënin aspak të lumtur dhe ti e di shumë mirë, që nuk kam qenë kurrë e lumtur me ty edhe as ti me mua. Por, le të lëmë gjithçka pas! - kërkoi me mirësjellje ajo, ndërsa i afrohej dhe e vështronte e trishtuar, që dhe ai nuk kishte qenë i lumtur, megjithëse vetë e kishte zgjedhur atë lloj rruge. - E kemi mundësinë, për të filluar një jetë të re dhe e meritojmë. Të mos vuajmë më!

    Uli kokën me të thënë atë kërkesë dhe solli në mendje Granitin, sa padrejtësi, që po mendonte, se ishte duke i bërë dhe ndjenja e fajit e goditi në kraharor. Albioni e meritonte një tjetër mundësi dhe ai jo?

    Pasi të divorcohej, do fliste me të vëllanë.

    - Ke dikë tjetër?

    Pyetja e tij e bëri të ngrinte sytë dhe të ndeshej me vështrimin hetues gati në sulm të Albionit.

    - Jo, - vendosi të thoshte Leonora.

    Nga këndvështrimi i saj vetëm ekzistonte dikush tjetër, jo që e kishte në kuptimin se ishte e lidhur me të, siç do ta merrte parasysh Albioni dhe rrezik të bëhej vrasës edhe për shkak të saj. Ndoshta ai nuk do ta zbulonte kurrë, do vazhdonte jetën e tij i lumtur me dikë tjetër dhe e gjithë ajo tragjedi në prag, për të ndodhur, mund të parandalohej vetëm me mohimin e saj. Për veten, për Albionin, Blerimin, Granitin dhe tërë të njohurit e tyre, Leonora tha "Jo.".

    - Avokati im do të të sjellë kërkesën së shpejti, - ajo vazhdoi me palosjen e rrobave në valixhe.

    - Kush tha, që pranoj divorc? - nënqeshi Albioni.

    - Nuk thashë, se tha njeri. - Leonora mbajti indiferentizmin e saj nga këmbëngulja e tij, për të vazhduar të njëjtën situatë. - Dhe nuk është nevoja, që ta thotë askush, përveç meje ose teje. Unë e thashë e para, ty të takon ta pranosh.

    - OK, kjo situatë po më bezdis shumë. Do më tregosh se si është puna vërtet me ty, apo jo? - kërkoi të dinte me nervat kandil ai.

    - Mjaft, Albion! - ashpërsoi zërin dhe ajo gjithashtu. - Pse je kaq i fiksuar, të na e nxish jetën të dyve? Si është puna me ty?

    Përgjigjen e mori nga sytë e tij. Ai e shikonte lumturinë e Leonorës, si pengesë për atë vetë, që të ishte i gëzuar. Mundësia, për të qenë të lumtur, u ofrohet të gjithëve, ama disa njerëz nuk duan ta përdorin atë shans vetëm nga inati dhe zilia, se pse ajo mundësi nuk u ofrohet veç atyre, por edhe disa të tjerëve dhe prandaj njerëzit xhelozë përpiqen, që as as ata të tjerët të mos jenë të lumtur.

    - Unë nuk kam asnjë lloj problemi, Nora. Ti paske nevojë për një vizitë te 'Pesa', me sa po shoh!

    - Unë heq dorë prej teje, - ajo ngriti duart lart në shenjë dorëzimi dhe mori një pallto të zezë nga gardëroba.

    - Por ti ishe mirë pak më përpara. Çfarë të ndodhi?

    - Jam lodhur! - Leonora e shoqëroi të bërtiturën me hedhjen e palltos mbi pllaka ngjitur saj dhe Albioni e pa sikur ajo sapo të ishte çmendur. - Jam lodhur duke duruar njerëz, që vetëm më bëjnë keq dhe duan të komandojnë jetën time, kur në fakt ajo është veç e imja dhe unë bëj çfarë të dua me të! - ajo rikujtoi prerazi me vështrimin e ngritur kryelartë dhe aspak negocionues, për të ndryshuar mendim.

    - Ti ke qenë gjithmonë nënshtresa e dikujt, - nënqeshi me përbuzje ndaj saj, Albioni. - Tani t'u kujtua se është e jotja, që të luftosh për të?

    - Tani, më vonë... kur të kem dëshirë unë. - Leonora mbajti po atë qëndrim kokëfortë dhe shikim të vrazhdë. - Nuk ka më lojëra, Albion. Historinë e jetës sime nuk do ta shkruajë asnjeri tjetër, përveç meje. Pastaj, a shkruaj, apo shkarravis, atë e di vetë.

    - Ti vetë? A e di ti, se sa herë e kam mbrojtur unë Granitin, kur ka qenë në rrezik? - ai përdori letrën e fundit kundër saj. - Falë meje është gjallë vëllai yt. Kanë dashur tërë ata njerëz, që ta vrasin, por unë e kam shpëtuar.

    Leonora u gjend e papërgatitur nga ato fjalë dhe i uli menjëherë barrierat e indiferentizmit, me të dëgjuar emrin e Granitit dhe çfarë i ishte kanosur, duke shprehur në fytyrë frikën nga humbja e një familjari, që tani po përpiqej ta meritonte dashurinë e saj dhe kapërthimin nga ndjesia e vetmisë së plotë prej humbjes së tij.

    - Gënjen! - mori veten ajo. - Jam e sigurt, që ka ndodhur e kundërta.

    - Unë po ta them tani, që të mos thuash më vonë se kam faj, nëse i ndodh gjë Granitit.

    - Po më shantazhon me vëllanë tim? - picërroi sytë kërcënuese ajo. - Më duket se e ke dhe ti një vëlla. Edhe Agustinit mund t'i ndodhë ndonjë gjë. Jeta ka njerëz shumë të drejtë. - ajo ia ktheu reston e kërcënimit dukshëm, që nuk po bënte blof dhe mbylli valixhen.

    - OK, Norë. A ka mundësi të vish në vete? - kërkoi bezdisur Albioni. - Se sinqerisht po fillon të më dhembë koka prej nervave.

    - Prit! Më duket, se nuk më intereson kjo gjë. - vërejti Leonora gjoja mendueshëm. - Jo. S'dashkam t'ia di fare! - ajo tërhoqi valixhen nga krevati mbi dysheme dhe iu drejtua daljes.

    - Kot po përpiqesh. Përsëri këtu do kthehesh, mbaje mend! - thirri Albioni pas saj, ndërsa Leonora mbyllte derën pas vetes dhe largohej më në fund prej asaj shtëpie.

    Nuk ndieu lumturinë, që kishte pritur, të përjetonte, kur doli nga pallati, por vetëm më tepër frikë, se ç'mund t'i ndodhte Granitit për shkak të saj.

    Kur nuk kishte qenë në dijeni për rreziqet, që i ishin kanosur atij, nuk kishte qenë aspak e shqetësuar për të, kurse tani, që Albioni i kishte shprehur me zë ekzistencën e ngjarjeve, të cilat mund t'i merrnin jetën vëllait të saj, ajo ishte e tmerruar nga frika, që mund ta humbiste Granitin. Nuk donte t'i merrej përfundimisht mundësia, për t'u pajtuar me të.

    Ndoshta ishte nxituar në vendimin për divorc dhe do vepronte më drejt, po të kthehej tek Albioni? Ai do ta dënonte për guximin, që ajo kishte pasur të ngrinte krye kundër tij dhe do ta torturonte më tepër.

    Leonora ktheu kokën nga shtëpia në katin e tretë dhe psherëtiu e pashpresë dhe pa fare fuqi, për të vijuar betejën me plagët e pashëruara akoma prej luftës deri në ato momente.

    Pse po vuante kaq shumë? Tërë ato ngjarje, që përjetonin njerëzit në planet, asnjëra prej tyre nuk mund të ndikonte rastësisht te jeta e saj, për ta shpëtuar, pa u detyruar Leonora, që të sakrifikonte më tepër liri nga vetja?

    Kishte lindur në luftë dhe kishte jetuar në luftë. Tani ajo donte vetëm, që të paktën të vdiste në paqe.

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @RejanaZeneli ❤🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top