21• Më në Fund, Granit!

    Një vrundull terrori e mbërtheu Leonorën të tërën për fyti, sikur sapo të ishte ndeshur me vdekjen dhe jo të kishte parë Granitin përmes syrit magjik të derës kryesore të shtëpisë së saj.

    Të bisedonin ishte gjëja e fundit, që ajo dyshonte, se ishte arsyeja e vizitës së tij. Të takonte Albionin, ishte e parafundit. E para qëndronte dyshimi, se ai e kishte zbuluar për Blerimin dhe kishte ardhur të sqarohej me të, pasi kishte hequr qafe përfundimisht Blerimin.

    Nëse do kishte pasur bindjen, që do ishte e sigurt, po të mos e hapte derën, nuk do e kishte bërë kurrsesi atë veprim, por, duke e ditur se kështu nuk do mund të shmangej për tërë jetën, me zemrën tek i rrihte, sikur të ishte duke marrë pjesë në një garë me makina sportive, e pranonte se duhej të hapte derën dhe të përballej me të vëllanë.

    Pastaj ishte dhe lidhja e gjakut midis tyre, e cila e shtynte drejt Granitit, duke i shkaktuar një nevojë thelbësore për mirëqenien e vet, që të takohej me të vëllanë, të flisnin qetësisht dhe të kalonin disa minuta kohë së bashku si familjarë. Kishte të njëjtën ndjesi dhe ai ndaj saj vallë?

    Ndoshta po gabohej ajo dhe Graniti nuk dinte asgjë për të dhe Blerimin. Edhe sikur të ishte në dijeni dhe Albioni ta kishte zbuluar gjithashtu, Leonora do ta mohonte deri në fund, megjithëse e dinte, që nuk do ia merrte njeri fjalët për bazë. Ata nuk do donin t'ia dinin fare, që s'kishin prova. Do këmbëngulnin se dyshimet e tyre të pavërtetuara ishin të sakta, sikur këto të fundit të ishin aksioma.

    Ajo ngurtësoi fytyrën dhe me shikim të rëndë doli përpara Granitit. Ai e vështroi i lodhur nga shmangia e saj dhe kuptues, që Leonora ishte vonuar qëllimisht, për të mos e hapur derën, ngaqë ishte ai.

    - Domethan deri qtu erdhëm, - vërejti i zhgënjyer nga të dy.

    Leonora heshti në dilemë, për t'i kthyer fjalë, apo të mundohej e qetë, ta largonte sa më parë, pa krijuar debat midis tyre.

    - Albioni nuk asht ktu, - tha me ton strikt në pritje, që Graniti të ikte dhe ajo të mbyllte derën.

    - E di, - ai hyri brenda pa leje dhe mbylli derën pas vetes.

    E motra ndoqi çdo veprim të tijin në heshtje, pa mundur të reagonte nga shtrëngimi gjithnjë dhe më i padurueshëm në fyt.

    - E pashë, kur doli prej pallatit. Po unë erdha me fol vetëm me ty.

    - E kena ba iher diskutimin për qët punë, Granit. - kundërshtoi Leonora më vrazhdë nga ç'kishte dashur.

    - Ngjo! - ai e vështroi butësisht, ashtu si zëri, që po përdorte. - E di se nuk kena pas t'kalume t'mirë bashkë edhe për ata kam ardh, me ndryshu çdo gja.

    Ajo vetëm e shikoi neutrale në heshtje për disa sekonda në shenjë përgjigjeje ndaj kërkesës së tij.

    - A supozohet me qesht unë tashi me kto fjalë? Se s'po e kuptoj. - pyeti me ironi dhe Graniti anoi sytë i lodhur. Dukej, që do i duhej të përpiqej më tepër.

    - Nuk asht e drejtë me ma hedh krejt fajin mue, Norë! Ti nuk e di se ça kam hek unë.

    - Oh, bukur! Tani fillove viktimizimin. - qeshi hidhur ajo. - A ke hek gjâ prej meje?

    - Nuk thashë se ka qan faji jot, - ai po e humbiste ekuilibrin e qetësisë në të folur.

    - Nuk m'intereson fare se ça thu, Granit! Ka mund'si me dal përjashtë?

    - Boll tashi, Norë, se nuk je ma f'mijë! - qortoi me shikim të rreptë i vëllai.

    - F'mijë?! - ajo nuk e mbajti dot zërin të ulur nga ankesa e tij. - Ju nuk m'keni lan kurrë, me qan f'mijë! - akuzoi e revoltuar ajo. - Unë nuk kam jetue fare si duhet për fajin tan.

    - OK, ça t'baj unë? - pyeti i dorëzuar ai nga sjellja kryeneçe e saj, për të mos rënë dakord, që të bisedonin për një tjetër mundësi midis tyre. - M'thuj ti mue, ça t'baj? A kujton se ba me e pas n'dorë t'kalumen qtash, nuk do e kisha ndryshu? Direkt.

    - Ke pas mundsinë mos e shkrujt t'tillë!

    - Po u shkrujt! - tha në padurim e sipër i indinjuar ai. - Tash ka kalu ajo kohë, nuk kthehet má. Pse me vazhdu me vujt kot?

    - Kush a t'u vujt? Ti? - pyeti mosbesuese nga përgjigja pozitive, nëse ai do e jepte të tillë. - Ti dhe baba e keni dit shumë mir se çfar padrejtsie keni qan t'u ba ndaj meje. Keni prit, që unë t'sillesha si zot edhe, kur ju vërtetoja se jam njeri dhe meritoja t'njëjtat mund'si si ju, m'keni trajtu sikur t'isha djall. M'duket se ti, Granit, nuk e di diçka për djajtë. Ata nuk pendohen, për t'kqijat se bajnë. - rrëfeu errësisht me qëllime negative në sy Leonora.

    - Domethan tash e ke vendos m'u ba njeri i keq. - kuptoi prej atij sqarimi ai. - A e ke pa veten n'pasqyrë qto koht e fundit, a jo? Nuk je ma i njëjti person. - vuri në dukje ai. - Ke ndryshu krejt.

    - Ma n'fund, Granit! Ma n'fund kam ndryshue. - tha krenare Leonora për veten e saj. - Unë nuk e di, se ça ke hek ti, sepse nuk kam qan shkaku për asnjanën prej qatyne ngjarjeve, se t'kanë ndodh, kurse ti e di krejt, ça kam hek unë, sepse ti i ke shkaktu të tana! - mbajti tonin e lartë të zërit ajo. - Gjithmonë je mundu keq për mue; gjakun tan! Gjakun tan çove n'ferr me durt e tua! - rikujtoi akoma e tronditur ajo veprimin e rëndë të tij. - Se me mendu "A thu jam te e mërzit Norën? Mos jam t'i i ba padrejtsi?" nuk bahet fjalë. Prite Zot rrezikun e madh, me mendu gjanat e sakta ti! Veç "O burra kush t'çohet i pari, m'i bâ sa ma tepër lig'si Nors." Edhe unë m'u bâ njeri i keq kam vendos. - tha haptazi ajo, pa ndierë nevojën, të shtonte, që nuk e kishte seriozisht, që, sado të liga t'i bëheshin, kurrë nuk do ua bënte qejfin armiqve, duke rënë në të njëjtin nivel të ulët si ata. - Edhe për me m'ec sa ma mbarë, po e filloj punën me ty: ti për mue nuk ekziston, Granit!

    - Nuk mund e bash gjakun ujë, - ai insistoi edhe një herë, që të mos hiqte dorë prej tyre. - Jam vllai jot!

    - Gjys' vllai, - korrigjoi Leonora. - Domethan asisen.

    - A e shef? - tundi kokën i zhgënjyer Graniti. - Ke ba tan at' jetë t'vështirë e prapëseprapë sillesh qështu. Po me t'pa lan ma lirshëm ty? Mir', se t'i kena vendos do kufizime n'kohë, se ti paske qan t'u shkallue komplet!

    Leonora duartrokiti.

    - Bravo për kët veprim t'guximshëm, se ke ba! Krejt bota ta di për nder. - tha me sarkazëm ajo. - Po ti pse nuk thue? Paska qan t'u dek gjysa e Shqip'ris', po t'mos kisha ba nji jetë t'tillë unë n'Pukë! Uo! Për pak keni shpëtue! - ngriti vetullat si e tromaksur nga një realizim i tillë situate dhe ai mbylli sytë i penduar për ç'kishte folur gabim në inat e sipër.

    - At'here aq sa kam dit, kam veprue. - justifikoi veten Graniti. - Po tash di ma tepër. - u betua me shikim të sinqertë, që kishte ndryshuar.

    - Ti nuk di asisen, - komentoi gjykuese Leonora. - Ti... - ajo lëshoi një frymëmarrje të thellë dhe nuk mundi ta ndalonte në kohë djegien e syve nga formimi i lotëve prej fjalëve, që donte të thoshte. - Ti nuk e di, se ça do t'thotë me t'prek trupin dikush pa dëshirën tane.

    Graniti lëvizi buzët i tronditur, që Leonora po thoshte kaq haptazi një padrejtësi të bërë akoma në ditët e sotme grave dhe vajzave, por që nuk thuhej me zë të lartë mjaftueshëm dhe heshtja e një pjese prej tyre nga detyrimi i kishte bërë shumë burra dhe gra ta konsideronin normale diçka të tillë. Mosveprimi, për ta ndaluar atë lloj krimi, këtë përfundim nxirrte.

    - Por ndoshta e di shumë mirë, se ça do t'thotë me prek trupin e dikujt pa lejen e vet. - hodhi dyshimin serioze ajo dhe Graniti hapi sytë më tepër nga akuza e saj absurde, ngjyra blu e të cilëve u bë më e mbyllur dhe e shndritshme.

    - Ça Zotin e Madh je t'u than? A je n'veti? - e kritikoi ai me shikim të ashpër.

    - Sigurisht, që po! - ia ktheu me zë të hareshëm dhe e pamposhtur ajo nga zemërimi i tij. - Tan kët jetë t'mrekullushme se kam unë, si mos me qan? - pyeti me ironi. - Oh, faleminers, meqë ra fjala, për kontributin falas se ke dhan, për me ardh unë deri n'kët gjenje. Nuk e di, ça do kisha ba n'kët jetë, po t'mos kisha pas lig'sinë tane. - ngriti vetullat, si të ishte duke folur seriozisht. - Prit! M'duket se e di. - tha papritmas. - Po, e ditkam! Do kisha jetu e lirë.

    - Po jeto! Kush a t'u t'ndal? - ngrysi vetullat ai, sikur Leonora po ankohej pa pasur arsye, kur zgjidhja ishte qartazi para syve të saj. - Ndahu prej Albionit edhe ban jetën se do. Ti ke pas qef m'u ba stiliste flok'sh. Futu n'kurs, n'qoft'se t'pëlqen halâ si profesion edhe puno pastaj! T'ndihmoj unë për të tana. - ofroi ndihmën e tij Graniti.

    Leonora ishte tepër e zënë, duke ripërsëritur fjalët e tij, që të fshihte trallisjen në fytyrë, nga ç'kishte dëgjuar. I vëllai po i ofronte ndihmë, për të ecur në rrugën drejt dritës në fund të tunelit. Do e bënte vërtet ai? E kishte seriozisht për ndryshimin dhe do t'i qëndronte në krah, po t'i kërkohej prej saj diçka e tillë, apo Graniti kishte nevojë, që ajo të bënte ndonjë gjë për të dhe prandaj po e merrte me të mira, që më pas t'i kërkonte shpagim për të tëra?

    Ai dyshim ia copëtoi zemrën më tepër nga lëndimi prej qëllimit të tij.

    - Me râ unë n'durt e tua? Nuk m'i ka pré Zoti mendtë halâ. - refuzoi Leonora.

    Graniti psherëtiu i drobitur.

    - Ça duhet me ba me ty, moj vajzë?

    - Me m'u hek qafe. Qta ban ti. - theksoi çdo fjalë të thënë ajo. - Tani jashtë! - bëri me shenjë nga dalja.

    - Norë...

    - Granit! - ndërpreu hidhurazi ashpër e motra. - Unë kam hek dorë prej teje, qysh kur m'martove me zor me Albionin. Ka mbarue. Mos u përpiq ma!

    - Uou! - e pa i habitur ai. - Kur Zotin je ba kaq mosmirënjoh'se ti, moj?

    Leonora stepi kokën mosbesuese nga trandja, që ai e kishte seriozisht me atë akuzë dhe papritmas çehrja e fytyrës iu zëvendësua me atë të realizimit në përlotje, se sa gabim kishte qenë deri në ato momente.

    - Granit, m'vjen shumë keq!

    Ai e pa i lehtësuar, që më në fund ajo po vinte në vete.

    - Nuk e di si jam ba njeri i tillë, kur ti gjithmonë je mundu me qán shembull drejt'sie për mue. - Leonora tregoi me anë të asaj sarkazme, që pak më parë kishte qenë duke u shtirur, sikur e pranonte, që ishte gabim dhe ai u zemërua më tepër.

    - Unë gjithmonë jam mundu me pas kujdes n'jetë për ty! Gjithmonë! - rrëfeu Graniti. - As nuk kam pí alkool, as nuk kam përdor drogë edhe jam përpjek ku e ku mos m'u fut n'probleme, vetëm sepse thoja: "Kam nji motër te shpia, edhe duhet me qan n'gatishmëri për ta, n'qoft'se m'kërkon ndihmë."

    - Po m'i çakordon nervat komplet, - ajo e humbi dhe atë pak durim, që i kishte mbetur. - Kur m'ke ndihmu ti mue?

    Graniti ndenji në heshtje.

    - Ti veç sa ma ke nxi jetën ma tepër! - iu hakërrye Leonora. - E kupton termin "e burgosur", apo jo? Unë jam rrit t'u pyt veten "çfar gabimi kam ba, se po dënohem qështu? Po dënohem me rob t'tillë n'jetën teme!".

    - Po ça jam t'u t'than tash 300 vjet? - as Graniti nuk po mundej ta ruante toruan më gjatë. - Kam gjet nji m'nyrë se si me qan të dy t'lirë edhe mos me pas má probleme t'tilla n'jetë.

    - Ou! Po unë nuk du, që ti t'jesh i lirë. Si i bahet k'saj pune? - ngriti mjekrën me arrogancë Leonora.

    - Po nuk qeshë unë, i bie mos me qan as ti e lirë.

    - Burgosja jote m'jep mue liri, - rrëfeu ajo.

    Graniti u ndie i pafuqishëm, për ta kthyer dritën në sytë e fikur të Leonorës së dorëzuar, që ajo të luftonte qoftë edhe vetëm njëherë të fundit, nga frika se i vëllai do ta braktiste sërish dhe Leonora nuk e përballonte dot një tjetër zhgënjim të tillë.

    - Norë, - zbuti tonin e zërit ai. - Unë të d...

    - Ti qëndro gjithmonë larg prej meje! - urdhëroi motra e tij. - Kurrë nuk ke për t'gjet falje te unë, për ça ke ba, Granit. Jam gati me qëndru tan jetën sikur jam sot, veç mos m'u liru ti! Ec! - tha prerazi fjalën e fundit, duke e ditur se sa do thyhej ai, nëse vërtet kishte ardhur t'i kërkonte falje, pa pasur qëllim negativ, siç kishte dyshuar ajo dhe mori pikërisht një reagim të tillë prej tij.

    Graniti përtheu vështrimin dhe doli pa fjalë i mundur nga shtëpia e saj.

    Leonora dihati me të mbyllur derën, që të mblidhte veten dhe të mos qante, duke menduar se tani, që ishin sqaruar, nuk do kishte pse ta takonte më dhe gjithçka ishte në rregull, por ngashëreu më tepër në lotë nga dëshpërimi, që ishte detyruar të vepronte në atë mënyrë, që kishin ardhur deri në atë gjendje, që nuk ishin të lumtur, që nuk mbante mend të kishin qenë ndonjëherë të tillë, që ishte kundër tij dhe nuk e falte dot, që urrejtja ishte aq e thellë, sa nuk kishte sasi dashurie midis tyre, që të mund të mjaftonte, për t'i shëruar plagët e shkaktuara.

    Për aq kohë, sa do ishin së bashku në të njëjtën jetë, vëlla e motër nuk do ishin kurrë në të njëjtin vend njëkohësisht.

....vazhdon....

Pjesa i dedikohet @verand11 🥰🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top