2• Luftë pa Rregulla
"Unë jam ushtar. Nuk
ndikohem nga ndjenjat."
T-34
| Klaus Jäger |
••••
Blerimi e kishte pritur, që të ishte dikush, të cilin e kishte takuar të paktën një herë në jetën e tij, por, që vërtet ta kishte pasur aq pranë dhe madje edhe të kishte folur me të, akoma i dukej e pakapërdishme si ndodhi.
Në përgjithësi nuk ishte person, që e vriste mendjen për teorinë, se çdo gjë në jetë ndodhte për një arsye të caktuar. Ai mbështeste më tepër parimin e rrjedhës së ngjarjeve.
Sepse morëm një vendim të caktuar në një situatë të caktuar, ngaqë kështu ndiemë se ishte më e drejtë, që të veprohej, arritëm në një moment të paparashikuar se do ishte në atë lloj mënyre, jo që ka një arsye për të ardhmen, se pse ndodhemi pikërisht në një version të tillë të së tashmes.
Por Anila Idrizaj e kishte vënë në dyshime, për të menduar thellë rreth teorisë, ku ai nuk besonte. Ngaqë do takohej sërish me të, e kishte ndeshur atë ditë në lokal? Që t'i bëhej më i lehtë realizimi i qëllimit të tij kundrejt Amarildos?
E kishte vënë re dhe kuptuar shikimin e saj të tërhequr nga ai, ama nuk i kishte shkaktuar aq ndjesi përshtypjeje, sa të tregonte interes për të.
Mos vallë takimi midis tyre vërtet kishte ndodhur për në favor të tij?
Kishin kaluar dy muaj që nga ajo ditë dhe dyshonte se Anila do ta kishte harruar tashmë, edhe do ishte lidhur me dikë tjetër, por këtë gjë nuk e shikonte aspak si pengesë.
Nëse ajo vërtet kishte të dashur, Blerimi do t'i ndante ata të dy.
Pa humbur kohë më tepër, me të zbuluar identitetin e saj, kishte bërë kërkim më të detajuar për Anilën në internet, dhe, siç e kishte marrë me mend, në aplikacionin Instagram kishte zbuluar shumë informacione te llogaria e saj publike në lidhje me të, të cilat, ai mendonte, se do t'i vinin goxha në ndihmë; Anila e kishte ditëlindjen më 23 korrik dhe ishte njëzet e dy vjeçe, kishte dhe një motër shtatë vite më të vogël, Visarën, dhe shoqja më e ngushtë, e njëkohësisht kushërira e saj quhej Brunilda Idrizaj dhe e kishte ditëlindjen më 13 korrik. Ngjyra e preferuar e Anilës ishte ajo rozë, kishte mbaruar studimet Bachelor për Anglisht dhe pëlqente shumë patinazhin.
Jeta, që ai kishte vendosur të shkatërronte, dukej sikur nuk e kishte përjetuar kurrë më parë një goditje aq fatale. Në ishte i saktë, apo jo, në atë hamendësim, do ia thoshte vetë Anila.
Blerimi kishte hapur një llogari fallco në Instagram, për të ndjekur atë dhe nga fotoja e saj e hedhur në "story" dhjetë minuta më parë, ajo e fotografuar tek vishte këpucët e bardha të patinimit, e veshur me xhinse të shkurtra të kaltra, një fanellë të shkurtër ngjyrë rozë bebeje me supet e zbuluara dhe mëngët deri poshtë bërrylave, flokët e mbledhur me një kapëse ngjyrë floriri pas koke dhe lënë disa fije bashkë me balluket përgjatë ballit, ai kuptoi se do ta gjente te patinazhi, po të nxitonte dhe nuk u vonua më tepër në mendime, se mos po zgjidhte rrugën e gabuar, duke e ngatërruar Anilën në atë çështje dhe do vepronte më saktë, po të hiqte dorë përfundimisht nga ajo, sa ishte në kohë. Amarildo duhej të ishte menduar më gjatë, para se të kishte dalë kundër tij.
Blerimi pagoi faturën e pijes së porositur në një bar te Qendra Tregtare Ring dhe u nis i vendosur drejt zonës së patinazhit, për të mos hequr dorë nga plani i bërë. Anila Idrizaj nuk ishte dhe as nuk do ishte asgjë tjetër më shumë në jetën e tij, veçse lodra e duhur për të, që ai të merrte hak me të njëjtën mënyrë ndaj Amarildos.
Ftohtësinë e sallës e ndieu, sapo ngjiti shkallët dhe vërejti, që vendi i recepsionit ishte bosh. Megjithëse ishte paradite, kishte shumë pjesëmarrës, kryesisht të rinj.
Menjëherë kontrolloi përreth për Anilën dhe e gjeti në këmbë, të mbështetur me shpinën para rafteve ngjyrë vanilje dhe kafe, ku të ardhurit mund të linin materialet e tyre personale, gjatë kohës që ndodheshin aty.
Ngjante e qetë dhe në rehati nga ambienti, edhe njerëzit përreth. Nuk kishte fare frikë, se diçka mund të shkonte papritmas gabim dhe depresioni, ku do binte, nuk do e linte, që të buzëqeshte më dhe të ishte aq e lumtur, sa ngjante në ato çaste.
Fati, si dukej, kishte vendosur, që në këtë histori të ishte me Blerimin, pasi ngjitur me Anilën, shoku i tij, Rolandi, po aq trupgjatë dhe në të njëjtën moshë si ai, me flokë të shkurtër të zinj dhe sytë e po asaj ngjyre, ashtu si uniforma e veshur e punës, po bisedonte bashkë me dy vajza, të cilët Blerimi i kishte takuar edhe më përpara, kur kishte shkuar aty dhe kishte dalë disa herë me ta.
Hapi i radhës iu formua menjëherë në mendje atij dhe Blerimi nuk u vonua as edhe një sekondë më tepër, që ta vinte në zbatim. Ai eci drejt dy binjakeve bionde rreth njëzet vjeçe me sytë ngjyrë teali dhe të veshura me kostume sportive të gjelbra, dëgjoi Rolandin, t'i tregonte njërës prej vajzave, Izabelës, që ai e kishte mësuar patinazhin që ditën e parë, kur kishte hyrë në pistën e akullt dhe të rrëshqitshme, edhe hyri në bisedë.
- Mjaft gënjeve, Roland! Nuk po të beson njeri.
Blerimi vërejti në gjendje të turbullt, se si Anila ngriti kokën nga ai dhe e ndieu energjinë e surprizimit të saj, që po takoheshin sërish.
- Thuaju dhe ti, që është e vërtetë! - Rolandi kërkoi ndihmën e të sapoardhurit. - Kemi qenë bashkë, kur erdhëm për herë të parë këtu ne të dy.
- E vërtetë, - Blerimi miratoi me kokë dhe vuri re, që Anila herë pas herë ngrinte kokën dhe e vështronte.
- Nuk e di, - Izabela në të majtë të Rolandit po dridhej nga emocioni dhe nervozizmi. - Unë kam frikë, se s'do ta mësoj kurrë.
Ajo kishte bërë vetëm disa xhiro të vogla, duke u mbajtur te bordurat e hekurta në skajet e pistës në të djathtë dhe po mendonte, që të hiqte totalisht dorë nga vështirësia, për ta mësuar.
- Kështu të duket në fillim, pastaj nuk do dëshirosh, të largohesh. - Blerimi mendoi se kishte ardhur momenti, që t'i kthente shikimin Anilës, e cila nuk kishte lëvizur nga vendi dhe ai kishte përshtypjen, se kjo e fundit po shtirej, sikur po përdorte telefonin, por nuk e ndërmori akoma një hap të tillë.
- Kam parë disa video në internet, ku thuhej se hapi i dytë, për të mësuar patinazhin, është të dish se si të rrëzohesh. - vërejti binjakja e Izabelës, e cila, ndryshe nga motra katër minuta më e madhe se ajo, nuk e kishte problem faktin, që duhej durim, për t'ia marrë dorën patinazhit. Valentina i adhuronte sfidat.
Blerimi shikoi si rastësisht Anilën, kuptoi vështrimin e syve të saj, sikur ajo po priste, që ai ta njihte dhe të shprehte habinë e tij, u shtir sikur nuk e mbante mend, duke u kthyer nga Rolandi dhe fill më pas e shikoi përsëri Anilën, këtë herë duke e treguar qartazi në mimikën e surprizuar të fytyrës, se iu kujtua, që e kishte takuar diku dhe sapo i kishte ardhur në mendje se ku.
Anila uli shikimin mbi telefonin e saj edhe shtrëngoi dhëmbët më tepër, që ta mbante buzëqeshjen nën kontroll dhe të mos binte më shumë në dukje, se sa e ndikuar ishte nga prania e Blerimit. Po i dukej e pabesueshme, që po e takonte sërish. E kishte shprehur dëshirën në heshtje për një ndodhi të tillë midis tyre, por nuk kishte qenë aq optimiste, nga të marrurit parasysh, se ai mund të ishte larguar nga Tirana përgjithmonë, ose kushedi çfarë i kishte ndodhur tjetër. Por shpresën totalisht nuk e kishte humbur dhe tani po shpërblehej. S'do ta linte më në dorë të fatit, që të priste se kur do vendoste ky i fundit, për t'u takuar përsëri me Blerimin. Me t'iu dhënë mundësia, do fliste me të.
Fiku telefonin dhe ngriti vështrimin si pa vëmendje nga ai. Fitoi shikimin me të njëjtën ndjesi, siç kishte ajo prej tij, e mbajti për një çast atë dhe guxoi të harkonte shumë cekët buzët, për të shprehur interes më qartazi ndaj Blerimit, që ai të mos kishte dyshime, se ndoshta më parë ishte keqkuptuar dhe ajo nuk ishte e interesuar për të, siç i ishte dukur atij.
Anila u kthye nga pista, për të hyrë në dyshemenë e akullt, e pushtuar nga euforia hipnotizuese romantike ndaj tij. Mendoi të bënte pak patinazh, që ndërkohë edhe ai të largohej nga miqtë, për të qëndruar vetëm dhe atëherë t'i afrohej. Këmbët menjëherë gjetën ekuilibrin, për ta mbajtur, pa u rrëzuar dhe bëri disa lëvizje nëpër dyshemenë e akullt. E ndiente vështrimin e tij mbi të dhe se si truri po i shpërqendrohej, duke e hutuar dhe rrezikuar, që të rrëzohej. Nuk kishte pasur më parë aq nervozizëm nga fakti se dikush po e shikonte, sesa në ato çaste.
Bëri patinazh me vetëm njërën këmbë të vendosur në pistë, disa manovra të tjera, që kishte parë në internet dhe vërejti Blerimin, tek qëndronte në kënd të pistës nga e majta, ndërkohë që Rolandi punonte te recepsioni dhe dy binjaket bënin patinazh, ndërsa ai akoma po vështronte atë.
Ai çast iu duk momenti i duhur Anilës, për të vepruar. Ndjenjat pozitive të shkaktuara nga Blerimi iu shndërruan në drogë lumturie për zemrën e saj, e cila po i rrihte së tepërmi nga entuziazmi dhe emocionet prej tij. Kishte bindjen që, sa më tepër ta ushqente veten me atë dozë droge, aq më e lumtur do të ndihej. Jeta do kalonte gjithsesi. Përse ta shpenzonte, duke u penduar, se pse nuk kishte rrezikuar, kur mund ta kujtonte me nostalgji gëzimi dhe krenari për veten atë moment, që kishte guxuar të ndërmerrte një hap përpara?
Eci drejt tij dhe ndaloi ngjitur, duke përplasur qëllimisht këpucët e patinave me murin, që rrethonte pistën, për të shkaktuar zhurmë.
- A mund të flas tashmë? - e pyeti Blerimi thumbues, duke i rikujtuar atë ditë në bar.
Ajo buzëqeshi në shenjë pranimi shakanë e tij dhe i shkoi më pranë. Vendosi dorën fajtore në dukje mbi kokën anash në të djathtë dhe i rrëshqiti ngadalë gishtërinjtë e hollë drejt faqes.
- Nuk ia kam idenë, se si e thashë atë fjali. - rrëfeu me ton kërkues, për t'u besuar, që po thoshte të vërtetën, ndërsa e shikonte Blerimin me sinqeritet e penduar. - Nuk pata fare qëllim, të të të jepja urdhra.
- Nuk e keqkuptova aspak, - e siguroi me vështrim të buzëqeshur ai dhe zërin e shtruar, edhe zgjati dorën në prezantim. - Jam Blerim Agolli.
- Anila Idrizaj, - ajo pranoi dorën e tij.
- Unë, ta dija që do më sqaroje, do të të kisha ndërprerë. - tregoi Blerimi. - Pata menduar, të të pyesja për atë ditë, ndërsa pinim ndonjë gjë.
Anila ia nguli sytë e shtangur nga ftesa e humbur.
- Gënjeva! - thirri menjëherë. - Nuk është aspak e vërtetë, që kam thënë padashje "Mos fol!".
Blerimi qeshi nga argumenti i saj nënkuptues, që ajo kishte dëshirë të dilnin dhe Anila u gëzua, që e kishte bërë të mendonte, se ai kishte rëndësi për të.
Asaj i pëlqente shumë t'i bënte njerëzit, që të ndiheshin të rëndësishëm dhe nuk kishte aspak frikë, se ata mund të përfitonin prej saj dhe t'i shkaktonin ndjesi negative, sepse, siç mundej t'i bënte, të ndiheshin të rëndësishëm, ashtu kishte fuqinë edhe t'i bënte, të ndiheshin të pavlerë. Varej e gjitha, se si kishte dëshirë ajo, që të vepronte.
- Tani më bëre goxha kurioz, për ta ditur të vërtetën. Kam ndonjë mundësi, që ta zbuloj brenda kësaj jave? - ai e vështroi ngultazi flirtues, për t'i shprehur se e pëlqente dhe nga marrja frymë thellë e saj, shkëputja e shikimit midis tyre dhe buzëqeshja e emocionuar, kuptoi, që Anila sapo kishte rënë në grackë.
- Unë e kam afatin e fundit sot, për ta mbajtur mend arsyen. Pastaj nesër e harroj të gjithën.
Blerimi vuri buzën në gaz nga ftesa e saj, për të dalë atë ditë, i lumtur, që e kishte hedhur ajo atë hap dhe ai nuk kishte pse mundohej, që ta bindte vetë, pa dyshuar gjë Anila.
- S'duhet të humbas kohë, pra. - vërejti ngacmues. - Premton, se do thuash të vërtetën dhe vetëm të vërtetën?
- Të vërtetën dhe vetëm të vërtetën! - iu betua me ton solemn Anila dhe të dy qeshën nga serioziteti i shtirur i saj.
Blerim Agolli nuk bëri asnjë lloj premtimi.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top