18• Je Armiku Im.

    "Uou!" - Blerimi shtangu, me të mbyllur derën e dhomës së tij dhe hedhur sytë nga hyrja e shtëpisë.

    Xhuliana po hiqte atletet, ndërsa mbante flokët e lyer me blu të errët dhe rozë gjithashtu me dorën e majtë pas shpine.

    Ai po fillonte të dyshonte se motra e tij dy vite më e rritur vërtet po fshihte diçka, që i kishte ndodhur në Tiranë dhe kjo ishte arsyeja, se pse ajo kishte lënë universitetin në mes, për ta vazhduar vitin e tretë në Arkitekturë vitin e ardhshëm akademik dhe jo justifikimi, që kishte nevojë për ta bërë pushim atë vit, që të qetësonte mendjen, sepse ndihej tejet e stresuar nga shkolla dhe pas një viti pezull do e merrte veten.

    - Të shkojnë, - Blerimi komplimentoi seriozisht ngjyrën e flokëve dhe modelin e tyre të ri me balluke të njëzet vjeçares, sepse po ta pyeste, pse i kishte lyer, kur Xhuliana kishte marrë gjithmonë krenari në flokët e saj të zinj e të dendur, e dinte, që do niste debat me të dhe fitoi një shikim shpërfillës prej saj, veprim totalisht i pazakontë nga ajo.

    - Çfarë iu ke bërë flokëve, moj? - Alma nga ana tjetër, që ishte dyzet e pesë vjeçe dhe kishte të njëjtat tipare fizike si e bija nuk u kursye aspak në dhënien e mendimit të saj, pa e shqyrtuar fillimisht në heshtje, nëse duhej ta thoshte, apo jo.

    - Çfarë kam dashur, - as Xhuliana nuk e mori fare mundimin, që ta fshihte ironinë ndaj mamasë së tyre, e cila po e ndiqte me sy të çapëlyer nga pragu i kuzhinës, ndërsa e bija hynte në dhomën e vet dhe Alma shikoi për ndihmë Blerimin, që të sqarohej nga ai, se çfarë po ndodhte.

    Vajza kishte kohë, që rrinte e zymtë, por nuk tregonte se kishte probleme, të cilat nuk po i zgjidhte dot dhe kishte nevojë dëshpërimisht për ndihmën e dikujt.

    Blerimi shfryu i frustruar dhe hyri në dhomën e vet gjithashtu. Xhuliana kishte që në nëntor, që sillej çuditshëm. Nuk bënte shakatë klasike të saj, nuk përqafonte një herë në dhjetë minuta të ëmën, kur kthehej në shtëpi nga universiteti, nuk trazonte të vëllanë, kur ky i fundit përdorte telefonin dhe ajo s'i shqitej, sikur të ishte betuar, që të mos largohej prej tij, pa e bërë telef nga nervat dhe gjithnjë e më rrallë po dilte nga dhoma e saj. Ndiente mall për gjallërinë dhe anën humoristike, që ajo kishte pasur. Pse ishte shndërruar në njeri kaq të mbyllur?

    - Mama, a ka mundësi të dalësh nga dhoma ime?

    Zëri lartësisht i vrazhdë i saj, i tërhoqi vëmendjen dhe doli në korridor.

    - Por do mbytesh tërë kohën brenda, - ai dëgjoi argumentin e Almës, ndërsa ai shkonte në dhomën e Xhulianës. - Dil dhe merr pak ajër jashtë!

    - Nuk dua ajër! Nuk dua asgjë! - bërtiti Xhuliana. - Pse nuk më lë rehat?

    - Çfarë ke? - i vëllai shtyu derën me zhurmë dhe shikoi ashpër në mënyrë qortuese të motrën, që i kishte bërtitur mamasë së tyre. - Ule zërin, se nuk ta ka kush frikën!

    Xhuliana u ktheu shpinën dhe mori frymë thellë, që të qetësohej me fytyrën nga dritarja.

    - Ç'është kjo sjellje e jotja këto kohë? - vërejti hidhur Blerimi. - Mos ke vrarë njeri?

    "Sikur!" - mendoi Xhuliana në përlotje. - Dilni jashtë! Do ndërrohem. - tha vrazhdë ajo.

    - Eja, dalim! - Alma i preku krahun e trishtuar nga gjendja e saj dhe Blerimi iu bind.

    Xhuliana doli dy orë më vonë nga dhoma e vet me po ato rroba të pandërruara, me të cilat ishte kthyer në shtëpi nga parukeria, xhinse dhe xhup lëkure të zi, edhe hyri në kuzhinë, për të përgatitur një çaj.

    - Do shkoj nesër në Tiranë, - rrëfeu me të hyrë në dhomën e ndenjjes, ndërsa ata të dy po shikonin televizor. - Do rri disa ditë nga Denada.

    - Kur do vish? - e pyeti e ëma kundërshtuese, për ta lënë të ikte, por mbase shoqëria me miken e saj të ngushtë do t'i bënte mirë Xhulianës.

    Kjo e fundit nuk u përgjigj menjëherë.

    - Pas një jave, - gënjeu dhe Blerimi e kuptoi fill.

    - Për çfarë po shkon? - pyeti dukshëm dyshues ai.

    - Punë personale grash, - u justifikua e motra dhe iu drejtua dhomës së saj, pa dhënë më tepër sqarim.

    Ai u ofrua ta shoqëronte deri te stacioni i autobusit dhe Xhuliana pranoi.

    - Ke harruar gjë? I more, ç'të është dashur? - e pyeti akoma me hatërmbetje nga sjellja e saj, ndërsa prisnin te stacioni.

    - Po, - tha me monotoni ajo, ndërsa shikimin e mbante të ngulur mbi atletet e saj të zeza.

    - Xhul, - Blerimi u ul në të djathtë të saj mbi stolin e drunjtë dhe i përkëdheli flokët. - Çfarë të ka ndodhur? - e pyeti butësisht. - Fol me mua!

    Xhuliana shtrëngoi dhëmbët, për të mos e shprehur me anë të së qarës se ishte përlotur dhe po vuante.

    - Të ka thënë gjë njeri?

    Prej saj mori sërish vetëm heshtjen.

    - A mos ke lënë shkollën dhe nuk tregon prej frikës, se të qortojmë? - hamendësoi ai. - Nuk të themi asgjë, Xhul; vetëm të jesh mirë ti, këtë duam ne.

    E motra nuk foli.

    - Pse nuk më tregon? I rregulloj unë të gjitha problemet, që ke. - iu betua i vëllai. - Të lutem, Xhul! Thuaj diçka! Më duket sikur më kanë ngulur thika në kokë, kur të shoh kështu.

    Ajo përfitoi nga ardhja e autobusit, që të ngrihej më këmbë dhe të mos i kthente përgjigje.

    Blerimi nuk këmbënguli më gjatë. Mendoi se do ishte më mirë, sikur të priste kthimin e saj nga Tirana dhe më pas të flisnin qetësisht në shtëpinë e tyre në Përmet. Ndoshta disa ditë nën shoqërinë e Denadës në Tiranë do t'i bënin vërtet mirë dhe Xhuliana do kthehej në gjendjen e mëparshme.


    Vetëm t'i kishte treguar. Kaq duhej të kishte bërë ajo dhe me të tjerat do ishte marrë vetë Blerimi. Do ia kishte servirur në një tabaka të artë kokën e Amarildo Idrizajt Xhulianës, nëse ai veprim do e kishte ngushëlluar sadopak të motrën dhe do kishte mjaftuar për të, që të mos e vriste veten.

    Veç nga urrejtja e krijuar ndaj saj, se pse kishte marrë parasysh vetëm të drejtat e veta dhe i kishte dhënë fund jetës, pa i konsideruar fare përgjegjësitë ndaj të ëmës dhe tij, edhe se sa do e vuanin ata të dy humbjen e saj, nuk kishte qarë në varrimin e të motrës. Po sikur të kishte vrarë veten ai? Do ishte gëzuar Xhuliana? Do t'i kishte ardhur mirë për Almën, që e kishte pësuar një fatkeqësi të tillë? Çfarëdo t'i kishte ndodhur, nuk duhej të ishte treguar aq egoiste, duke menduar vetëm për veten dhe të kishte zgjedhur vdekjen, si të vetmen mundësi shpëtimi.

    Ishte betuar me tërë fuqinë e shpirtit, që kurrë nuk do e falte Xhulianën, për çfarë i kishte shkaktuar atij dhe të ëmës, por atë shpirt e kishte ndierë të thyer në copash therëse të shpërndara kudo nëpër trup, kur kishte zbuluar për krimin e Amarildos ndaj Xhulianës mbi shtatë vite pas vdekjes së saj dhe një muaj pas vdekjes së Almës.

    Atë ditë kishte qarë; vetja tjetër e tij paskësh qenë nën kaq shumë torturë dhe traumë, e ai nuk kishte këmbëngulur mjaftueshëm, për ta zbuluar. E kishte lënë të qetë, me mendimin se Xhuliana do e zgjidhte vetë problemin, që kishte dhe gjithçka do kthehej në normalitet; motra e tij zemërmirë, që kishte vendosur gjithmonë atë dhe mamanë e tyre përpara vetes, që përherë kishte shpenzuar vetëm gjysmën e shumës së parave të marra për në shkollë dhe me gjysmën tjetër kishte blerë ëmbëlsira, për t'i ngrënë në shtëpi me familjarët e vet; Xhuliana Agolli kishte qenë nisur, për të vdekur atë ditë në Tiranë dhe vëllai i saj, Blerimi nuk kishte reshtur së menduari që atëherë, se mund ta kishte parandaluar një tragjedi të tillë, po të kishte insistuar pak më tepër, për të ditur, se si kishte qenë puna me të.

    Amarildo e kishte pasur hak atë lloj fundi të pësuar prej tij, por goditja në formë shpagimi e marrë nga jeta në lidhje me Leonorën, po i mësonte në mënyrë të pamëshirshme Blerimit, që nuk duhej të ishte ngatërruar me të pafajshmen Anila Idrizaj. Ndoshta dhe asaj, pasi ishte ndarë prej tij, i ishte dhënë mundësia të takonte dikë në jetë, por, prej frikës se mund të pësonte të njëjtin fat, si nga ai, po qëndronte larg atij burri, kushdo të ishte ky i fundit.

    Amarildo kishte filluar gjithçka! Po të mos ishte bërë shkak për vdekjen e Xhulianës, ajo me shumë gjasa do kishte qenë gjallë dhe e lumtur në ato momente, Blerimi dhe Leonora do ishin njohur në të tjera rrethana dhe do kishin dalë së bashku, edhe Anila do kishte bërë jetën e saj të fundit, duke përshkuar një tjetër rrugë në atë të tashme.

    Tani, me tërë atë kaos të shkaktuar dhe jetët e tyre të kthyera përmbys, Blerimi po mendonte se e vetmja mënyrë, për ta harruar Leonorën, ishte të njihej me një grua tjetër. Do dilte dhe më pas ndiente për të, do lidheshin bashkë dhe ai nuk do ishte më i burgosur, duke ndierë mall për lirinë, që e kishte para syve të tij, por që ai nuk e prekte dot.

    Vëmendjen po ia tërhiqte vajza më këmbë pak më tutje tij, pranë një djaloshi rreth njëzet vjeç të veshur me të zeza, ngjyra e rrobave të të cilit binte goxha në kontrast me ato të brunes së panjohur, pantallona vishnje të gjera vere, një bluzë të bardhë me mbishkrimin "built not to fall" dhe sandale të po asaj ngjyre. Flokët e errët, ajo i kishte lënë lëshuar dhe era e detit Adriatik po përfitonte, që të lozte me fijet e shumta të mëndafshta sipas dëshirës së saj.

    Vetë ai ishte ulur në krye të shkallëve të Sfinksit në Durrës me shpinën e kthyer nga dielli, në skaj të grupit të miqve të tij, tre burra të tjerë të ulur me të dhe dy gra në këmbë, edhe po shikonte çehren e fytyrës së paduruar të vajzës ndaj djalit përballë. Mendoi se nervat për të arritën kulmin, kur ai thithi cigaren në dorën e djathtë dhe i hodhi asaj tymin në fytyrë. Dukej sikur për t'i bërë përshtypje, por e panjohura nuk e hëngri atë karrem. Ajo shikoi e bezdisur duhanpirësin, e pandikuar nga tymi i hedhur syve, si për t'i thënë "nuk mund ta kesh seriozisht me këtë veprim".

    Kur pa, se vajza mbeti vetëm, ngaqë duhanpirësi u largua drejt një grupi të rinjsh më tutje, Blerimi mori kanaçen e një pijeje energjike në çantën pas tij dhe u ngrit më këmbë, që të shkonte pranë saj.

    - Mendova se do të të duhej. - ai i zgjati pijen, i buzëqeshi flirtues, për të thyer akullin barrierë midis tyre para njohjes dhe puliti sytë më ngadalë se zakonisht, kur vërejti se nga shikimi i hidhur fitoi një vështrim habie dhe soditjeje ndaj pamjes së tij fizike nga ana e vajzës.

    Sado e rrezikshme të duket errësira, do ketë gjithmonë diçka tërheqëse rreth saj.

    - Faleminderit! - ajo e mori kanaçen akoma në mëdyshje, që nuk duhej të merrte gjë nga një i huaj, por burri simpatik përballë ngjante sikur vetëm donte të hynte në bisedë me të, sepse e kishte shikuar dhe pëlqyer.

    - Ke ardhur me ndonjërin? Nuk dua të të nxjerr probleme. - Blerimi e shikoi tejet i shqetësuar për të, që ajo të ndikohej nga përkujdesja e tij dhe ia doli, kur pa mirënjohje në sytë e saj të gështenjtë.

    - Jam me shoqërinë. Dhe me ato nga detyrimi dola. - shtrembëroi pakëz fytyrën tërë mërzi ajo.

    - OK. Mund të ulemi diku, nëse dëshiron. Mos të lodhesh më këmbë; ose bëjmë një xhiro përreth, po qe se ke kohë.

    - Bëjmë xhiro, - pranoi ajo e kapluar nga ndjesia pozitive dhe tërheqja prej tij, që të kalonte më tepër kohë me të, ta njihte dhe mbase do dilnin edhe ndonjë ditë tjetër së bashku.

    E priti Blerimin, ndërsa ai shkoi të fliste me shokët e tij dhe më pas të dy ranë dakord, të ecnin përgjatë shëtitores buzë detit.

    - Pra, do ma japësh që tani një mundësi, të di më tepër për ty, duke filluar nga emri yt, apo duhej të vërtetoj, se e meritoj atë shans fillimisht? - pyeti në formë shakaje ai dhe vajza qeshi.

    - Do ishim më rehat, besoj, po të flisnim, duke ditur emrat e njëri-tjetrit. - sugjeroi ajo dhe i zgjati dorën. - Quhem Margarita. Shkurt Rita. Rita Doku.

    - Blerim Agolli, - ai i shtrëngoi dorën dhe shikoi më i përqendruar tiparet e saj të fytyrës ezmere në formë të rrumbullakët , vetullat e imëta pakëz të drejta në harkim, buzët e vogla ngjyrë trëndafili rozë në të errët dhe dy nishane në të majtë të mjekrës.

    Në pamje të parë nuk dukej njeri, që tërhiqte vëmendje menjëherë, ama po t'i dhurohej edhe një shikim, ia dilte të joshte me seriozitetin e saj prej një njeriu kryelartë, që dukej se preferonte më tepër vetminë përpara nëpërkëmbjes. Bukuri e lezetshme dhe e fortë.

    - Në rregull, Rita. Kush qenka ai person që meriton të shohë "Atonement" në shenjë torture, ngaqë të detyroi të vije këtu?

    Vetë nuk e kishte parë filmin asnjëherë, por mbante mend një bisedë midis Denadës dhe Xhulianës, ku Denada i kishte thënë shoqes së ngushtë, se për ditëlindjen e saj të nëntëmbëdhjetë, më 16 shtator, do t'i bënte dhuratë një biletë kinemaje, për të parë "Atonement" dhe Xhuliana kishte refuzuar menjëherë, me argumentin se ai film ishte shumë prekës dhe nuk kishte aq forcë psikologjike, as ta shikonte për herë të dytë.

    Margarita vuri buzën në gaz dhe kujtoi arsyen se pse në ato çaste ndodhej aty dhe jo në shtëpi, duke parë ndonjë film fantazi, zhaneri i saj i preferuar.

    - Dy motrat e mia të mëdha, - rrëfeu vajza. - U fiksuan me mish e me shpirt, që unë të dilja me miqtë dhe të mos rrija e mbyllur tërë kohën në shtëpi, duke studiuar edhe vetëm të dal, kur më duhej të shkoj në universitet; studioj për Farmaci, vit i tretë dhe, sipas tyre, do çmendem, po nuk ndryshova rutinë.

    - Dhe pse zgjodhe këta njerëz?

    - Janë miqtë e grupit në universitet. Njëra prej tyre më ftoi edhe mua, që t'u bashkohesha sot. Motrat e mia, Teodora dhe Fabiana e dëgjuan ftesën, dhe shkrepësja e ndezur bëri të vetën në benzinë. - ajo u kthye nga ai, të shikonte se mos e kishte bezdisur me ankesat e saj, por Blerimi nuk dukej aspak i trazuar dhe po e dëgjonte me vëmendje.

    - Nuk i përshtaten nivelit tënd të bisedës? - hodhi dyshimin ai rreth shoqërisë së saj, dhe e kuptoi se i kishte rënë në të, kur Rita shmangu shikimin e ndierë fajtore, që po mendonte dhe fliste negativisht për ta.

    - Ndoshta s'iu përshtatem unë atyre. Nuk e di, se si është e vërteta.

    - E vërteta është se ti nuk e mbron dot veten tënd, sepse nuk do, që të dalësh kundër tyre. - vërejti Blerimi. - Tani, a e ke këtë qëndrim, ngaqë ta kanë imponuar të tjerët, apo sepse ia ke imponuar ti vetes, nuk jam i sigurt, cila është arsyeja e vërtetë.

    - Epo... - Margarita ndieu nevojën të merrte frymë më thellë se zakonisht. - Janë persona, që nuk i marrin gjërat seriozisht dhe mua nuk më pëlqen kjo. - u shpreh ajo. - Domethënë, sa herë, që unë flas për një temë, kapen pas ndonjë fjale, për të qeshur në tallje dhe shumicën e kohës rrinë vetëm nëpër telefona, edhe kjo sjellje e tyre më bën të ndihem keq, sepse mendoj, që ndoshta janë bezdisur prej meje dhe me anë të atyre veprimeve, po mundohen të më tregojnë në mënyrë indirekte, që nuk duan të më kenë në shoqërinë e tyre.

    "Mbimenduese," - Blerimi solli menjëherë në mendje Brunilda Idrizajn, por e veniti tutje fill, për të mos humbur përqendrimin ndaj Margaritës dhe të krijonte përshtypje negative tek ajo, ashtu si miqtë e saj.

    - Unë kam shoqëri të afërt, por nuk jam tip që dal shumë shpesh. - tregoi Rita. - Nuk di, ç'të bëj, që motrat e mia të më lënë të qetë.

    - T'u thuash vetëm një herë, që nuk do bëjnë të gjithë njerëzit të njëjtën mënyrë jetese, ngaqë kështu duan ato dhe, po këmbëngulën në të vetën, vetëm për të qenë kundër teje, megjithëse e dinë se ti ke të drejtë, shpërfilli dhe mos u thuaj më gjë. Injorimi funksionon shumë mirë ndonjëherë. - sugjeroi Blerimi dhe ajo e mori në konsideratë këshillën e tij. - Oh, edhe ngërdheshu në formë talljeje ndaj tyre, që të tregosh se nuk të bëjnë fare përshtypje kritikat e pavenda, që të thonë dhe do jesh në rregull.

    Margarita qeshi më në humor se më parë, tani që e kishte një zgjidhje konkrete, se si të vepronte. Më përpara, kur qortohej për mënyrën e saj të jetesës, hidhej menjëherë në sulm, duke i qortuar gjithashtu, se pse merreshin me jetën e saj dhe gjithmonë përfundonte ajo e nevrikosura, edhe me ndjesinë e të mbyturit nga negativiteti. Por tashmë nuk do e prishte qetësinë për askënd. Do vepronte, siç kishte dhënë mendimin e tij Blerimi.

    - Ku jeton ti? Në Durrës? - pyeti ajo.

    - Jo, Tiranë.

    Ai foli për disa fragmente të jetës së tij në përgjithësi nga e kaluara, të cilat, e dinte se nuk do ta futnin në telashe, e tashmja dhe e ardhmja gjithashtu.

    Doli shpesh me të gjatë atyre ditëve të mbetura të nëntorit dhe, pavarësisht dëshirës, sikur të kishte qenë me Leonorën në çdo moment, sesa me Ritën, bindi veten, se ishte fillimi akoma dhe durrsakja e meritonte një mundësi prej tij.

    E mbajti me pahir në mendime këtë të fundit, sidomos kur Albioni e ftoi një mbrëmje, që të shikonin me disa miq të tjerë një ndeshje futbolli në një lokal dhe e kishin lënë të shkonin bashkë aty.

    Ai po priste jashtë shtëpisë së saj, duke imagjinuar, sikur Leonora mund të dilte nga momenti në moment prej pallatit dhe kështu do kishte mundësinë ta shikonte. Ndiente tmerrësisht mall për të.

    Ndoshta kishte nevojë edhe për vetëm pak kohë, që ta hiqte nga mendja. I dukej sikur ishte akoma herët, për të provuar, nëse e kishte harruar sadopak, apo jo.

    Iu ngjallën dyshimet se ishte totalisht herët, kur e pa atë tek ecte në rrugicën drejt pallatit të saj vetëm dhe Rita nuk i figuroi askund në kujtesë Blerimit në ato çaste.

    Asnjë rregull, që s'duhej ta thyente dhe asnjë zë ndërgjegjjeje nuk po ia dilte dot, që t'ia shuante zjarrin përbrenda vetes atij dhe t'i veniste shikimin tërë dëshirë, tek e kishte mbërthyer me kundrim trupin e Leonorës dhe më pas vështroi thellë vetë atë, e cila kishte ngadalësuar hapat e ngujuar nga takimi i papritur me Blerimin, malli për të cilin iu tregua edhe një herë, se sa therës kishte qenë ato ditë, që nuk e kishte parë dhe tani po i shprehte se sa dëshirë do kishte, sikur në ato momente të ishin vetëm ata të dy diku, pa asnjë përgjegjësi ndaj ndokujt, asnjë prangë rreth shpirtit; veç ata të dy duke iu dhuruar njëri-tjetrit me tërë pasionin e mundshëm, që ndienin.

    Duhej të përshëndeteshin formalisht, që të mos linin, të kuptohej më gjatë, se çfarë dëshironin të bënin në ato momente. Kishin kaq shumë, për të thënë dhe dashuri, për t'i shprehur njëri-tjetrit, por asnjë mënyrë të sigurt në favorin e tyre, për ta hequr qafe atë peng në jetë.

    - Mirëmbrëma! - e përshëndeti ajo në mërmëritje me vështrimin e shmangur, pa mundur, që ta shikonte në sy.

    Një privilegj të tillë e mori Blerimi, para se të ndaheshin.

    - Mirëmbrëma! - soditi ai perfeksionin, që i kaloi ngjitur dhe u ndie tejet fatkeq, që e kishte kaq pranë dhe kishte edhe dashurinë e saj, që ishte më kryesorja, ama nuk mund të ishin dot së bashku.

    Atë mbrëmje e shikoi Albionin herë pas here gjatë lojës si rival, pa e përfshirë fare miqësinë. Me siguri, që ai e dinte se Leonora nuk e donte, ama, megjithatë, nuk ndahej prej saj.

    Blerimi ia shprehu vazhdimisht me shikim mikut të afërt, ato fjalë, të cilat nuk ia thoshte dot me zë, për të mos rrezikuar Leonorën.

    "Ti ke dikë, që më përket mua."

....vazhdon....

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top