17• Po Mbaron.
Ndërgjegjja i dha një tjetër goditje Leonorës, kur ajo u ngrit vonë paraditen denike të së shtunës së 12 nëntorit dhe gjeti Albionin në kuzhinën e shtëpisë së tyre, ndërsa mbushte gotat me lëng portokalli mbi tavolinë. Ai kishte përgatitur mëngjesin.
- Desha të të zgjoja, se mos nuk doje të flije aq shumë, por meqë s'më pate thënë për diçka të tillë, të lashë, të pushoje. Bëra gabim?
- Jo, - tha Leonora, ndërsa i afrohej tavolinës, pa e shikuar dot në sy prej turpit që ndiente akoma, ngaqë kishte kaluar natën me të.
Mposhti instinktin, për ta shtyrë të shoqin tutje, kur ky i fundit i shkoi pranë dhe ia ktheu puthjen, që ai i dhuroi. Një tjetër moment i sikletshëm, i cili, ajo dëshironte, që të mos kishte ndodhur kurrë dhe të mos përsëritej më. I gjithë trupi e kundërshtonte, kur mundohej të mendonte vazhdimisht për Albionin, karakteristikat pozitive, që ai shprehte se kishte dhe përpiqej të binte në dashuri me të, por i ishte ngulitur në nënvetëdije, se e kishin martuar me detyrim me njëzet e nëntë vjeçarin, ai e kishte ditur situatën e Leonorës dhe ishte bashkuar me armiqtë, që ajo kishte pasur, për t'i ngulur asaj një tjetër thikë pas shpine.
Edhe sa trauma do i duhej të mbante mbi shpinë, derisa të thoshte "Mjaft!"?
Atë ditë, që ishte martuar, kishte rënë dakord në heshtje, për të pranuar disfatën e luftës dhe fatin e saj të rënë për short, edhe të mësohej me dhimbjen nga prania e thikave të marra gjatë betejës, ngaqë nuk kishte parë asnjë zgjidhje, për të shpëtuar, por tani, që e kishte zbuluar atë, e imagjinonte mënyrën, se si Blerimi mund t'ia shprehte dashurinë dhe hiqte ato thika, edhe grishej gjithnjë e më tepër nga mirazhet e universeve të trilluara sipas dëshirës së vet, të cilat ishin pa dhimbje dhe lot, por vetëm me dashuri dhe ëndrra të realizuara.
Sa herë, që mundohej ta shikonte Albionin si personazh pozitiv në jetën e saj, statimi i kundërt e godiste si çekan në tru. Ai ishte më negativi nga të gjithë ata, që Leonora i konsideronte armiq. Shtirej, sikur e donte, por në të vërtetë e manipulonte, duke u sjellë mirë me të, vetëm për ta mbajtur nën komandën e tij. Nuk ndahej dot prej saj, sepse kishte frikë se mos shoqëria do e përfliste, se ajo e kishte tradhtuar dhe ai mëkat kishte ndodhur edhe për faj të tij, ngaqë nuk kishte mundur të kontrollonte dot një grua.
Edhe vetë Leonora habitej me të, se si ia dilte ai, të jetonte me dikë, që ishte e qartë, se nuk e donte. Albioni ishte shumë simpatik, i sjellshëm dhe ekstrovert. Patjetër, që do merrte shpërblim për karakteristika të tilla nga dikush, që do e meritonte. Ndërsa, duke e mbajtur Leonorën të burgosur në atë martesë, po kyçte në atë mënyrë edhe veten.
Ishte përpjekur vazhdimisht ta donte Albionit, por, sado që ishte munduar, zemra e saj ishte treguar kokëfortë në vendimin e vet.
"Jo! - kishte thënë në mënyrë kategorike ajo. - Jo ai!"
Një vendim i tillë kishte qenë i palëkundur ndaj çdo gjesti të mirëfilltë, që Albioni kishte bërë ndaj saj. Zemra nuk ishte joshur nga mënyra, se si ai ia kishte shprehur dashurinë.
"Jo! - bërtiste kjo e fundit, sa herë që pronarja, e cila e ndiente veten të skllavëruarën e saj, e dëgjonte. - Kjo nuk është dashuri, por manipulim. Ai ka pëlqyer fytyrën tënde, fjalët e mira të thëna për ty nga shoqëria përreth dhe ka menduar, t'i bëjë qejfin edhe familjes të tij, duke u martuar me një person të tillë. Po të të kishte dashur, kurrsesi nuk do të ta kishte goditur shpirtin më tepër se ç'ishte i tillë. Kurrë ai!"
Por, me të ndeshur sytë me Blerimin, zemra ishte ngritur menjëherë peshë dhe, si një shpend i burgosur në kafaz, i cili kërkon më tepër hapësirë, për të hapur krahët në fluturim të lirë, kishte rrahur si delirante në të majtë të kraharorit të saj, e ngazëllyer, që takimi, të cilin e kishte pritur të ndodhte, që kur kishte zbuluar ekzistencën e shpirtit binjak diku në botë, më në fund kishte ndodhur.
"Ai! - kishte thirrur më tërë fuqinë, që i kishte mbetur, zemra. - Padyshim ai!"
Po ta kishte pasur lirinë, për të jetuar si të donte, e dinte se menjëherë do e kishte pranuar ftesën e tij, për të dalë dhe njohur, edhe me shumë gjasa do ishin lidhur bashkë. Ndoshta prandaj kishte ndjenja dashurie romantike për të? Sepse ato nuk ishin të shprehura dhe po mblidheshin të tëra brenda vetes së saj? Nëse do i ishte dhënë mundësia, ta njihte, do e kuptonte, që Blerimi nuk ishte për të dhe do hiqte dorë prej tij, por e burgosur, për të jetuar nën urdhrat e dikujt tjetër, nga dëshpërimi, që ishte pa zgjidhje dhe përkrahjen e njerëzve të duhur, kishte krijuar iluzionin, se Blerimi mund ta nxirrte nga ai burg dhe mbase prandaj e donte Leonora atë; për interes. Në një tjetër situatë ndoshta nuk do kishte ushqyer ndjenja romantike ndaj tij.
- Çfarë ke dëshirë, të bëjmë sot? - e pyeti Albioni tërësisht dakord në dukje, akoma pa treguar ajo sugjerimin e saj dhe të dy u ulën,ë të hanin mëngjes përballë njëri-tjetrit.
- Unë... - Leonora qëndroi me kokën ulur e fokusuar në shqyrtimin e situatës, ku ndodhej.
Ambienti me shoqërinë toksike, ku kishte lindur dhe ishte rritur në Pukë, nuk ia kishte ofruar kushtet e duhura, për të bërë një jetë, siç e meritonte qenia njerëzore dhe prandaj ajo ndiente sikur të gjithë jetën e saj e kishte bërë në mënyrën e gabuar. Nuk njihte veten. Nuk e dinte se çfarë donte vërtet. Rrallë kishte parë filma, ngaqë nuk ishte lejuar prej familjes me argumentin e tyre, se asaj mund t'i lindnin ide të ndaluara, që do ta çonin në rrugën e gabuar dhe ata do turpëroheshin për faj të saj, e për atë arsye, as nuk kishte lexuar dot libra jashtëshkollorë dhe akoma nuk lejohej të lexonte nga Albioni. Për çdo gjë, që shpenzonte, duhej t'i jepte llogari atij dhe kishte frikë se, po të ndërmerrte rrezikun, për të lexuar libra fshehurazi, do zbulohej prej tij, ai do dyshonte nga asgjëja, që ajo po e tradhtonte dhe do t'i bënte keq asaj.
Edhe sikur të ndodhte ndonjë mrekulli dhe të shpëtonte nga Albioni, do ishte Graniti gati në pritje, për ta vrarë.
T'i jepte një tjetër mundësi të tashmes së përbashkët me Albionin, për të ndryshuar drejtim? Mbase do përjetonte ndonjë ndodhi të veçantë atë ditë dhe i shoqi do ishte ai, që do ia hiqte thikat asaj, me sa më pak dhimbje të shkaktuar gjatë heqjes.
- Mendoj të shkojmë te deti. - ofroi Leonora. - Hamë drekë jashtë dhe kthehemi në mbrëmje, që të hamë darkë në Tiranë, në ndonjë vend, ku nuk kemi qenë.
- Në rregull. Ku dëshiron të shkojmë? Lezhë, Durrës, Vlorë? Madje ta kalojmë aty fundjavën, them unë. Nuk kam punë, veç po bëra ndonjë plan, për të dalë me Blerimin, por mund ta anuloj.
Leonora vazhdoi të hante në heshtje me zemrën, që menjëherë shtoi të rrahurat, sapo dëgjoi emrin e tij dhe e kuptoi fill se për kë bëhej fjalë.
- Sa e njeh këtë Blerimin? - pyeti me sa më pak kuriozitet në zë, që ishte e mundur. - Nuk dua të të dalë ndonjë problem për shkak të tij.
- Mjaftueshëm sa për të qenë mik me të, - tha Albioni dhe ajo u trishtua, që ai i ra bisedës kaq shkurt, por picërroi sytë fill dyshueshëm, kur hamendësoi, që arsyeja, pse Blerimi kishte qenë në burg prej dy vitesh, ishte sepse burri i saj ia kishte ngritur atë kurth. E dinte shumë mirë, se çfarë pune të jashtëligjshme bënte Albioni dhe nuk do habitej, po të zbulonte se ato dyshime kishin qenë të sakta.
Blerim Agolli ishte goditur pas shpine nga shoku i tij i ngushtë.
••••
Deti kishte qenë gjithmonë peng në zemrën e saj, për ta vizituar. Nuk kishte qenë asnjëherë në perëndim të Shqipërisë dhe hapësira e madhe ujore kaq afër Pukës dhe Tiranës, por njëkohësisht dhe miliarda momente lumturie larg nuk i dilte Leonorës nga mendimet, sa herë që ajo shikonte dete në broshurat te zyra, ku punonte. I kishte dëshpërimisht zili njerëzit, që jetonin buzë tij, ata, që kishin mundësi të shkonin, kur të donin aty dhe vuante në heshtje pamundësinë, për të qenë aq e lirë, sa t'ia plotësonte vetes një dëshirë të tillë.
Fakti, që Shqipëria kishte dalje në det, e mbante Leonorën në këmbë. Do t'i ishte marrë fryma, po të kishte jetuar në një shtet të kufizuar vetëm nga toka. Të ishte në dorën e saj, do jetonte në një ishull; të kishte pranë edhe mal, edhe det.
Ky i fundit në Vlorë e përshëndeti me një dallgë të zhurmshme, e cila i lagu këmbët e zbathura dhe Leonora shikoi tutje horizontit e lumtur dhe plot mall për ujin e detit, kur të ndahej prej tij, megjithëse e kishte përpara syve në ato momente, por nuk e shuante dot dhimbjen nga të mbimenduarit, se çfarë e priste, pasi të largohej nga Vlora. U ul pak më tutje bregut dhe qëndroi në heshtje, me kokën të mbështetur në parakrahun e majtë. Sikur t'i jepej mundësia, të vinte një ditë me Blerimin!
- Solla diçka, për të ngrënë.
Ktheu kokën menjëherë e trembur nga Albioni më këmbë anash saj.
- Më fal! - thirri ai menjëherë. - S'e vura re, që ishe përhumbur aq shumë.
- S'ka problem, - ajo mori krepin e ofruar dhe filloi të hante ngadalë.
Bënë një xhiro më pas buzë detit drejt hotelit dhe, pasi hëngrën darkë, vendosën ta mbyllnin me kaq për atë natë. Të nesërmen do shëtisnin sërish.
Leonora filloi menjëherë të mendonte justifikime, për të mos fjetur me të shoqin, por nuk i erdhi në mendje asgjë, që të mos e bënte Albionin, të dyshonte, se mos ajo kishte një burrë tjetër në jetën e saj dhe ai të supozonte, se ishte Blerimi edhe Leonora hoqi dorë, duke bindur veten se edhe të fjeturit bashkë ishte pjesë e martesës së tyre dhe mund t'i ndihmonte të kapërcenin pengesat, që kishin përballë.
Mezi i mbajti lotët nga ndjesia, që nuk po bënte dashuri me burrin e saj, por ai po e përdhunonte dhe Leonorës nuk i kishte mbetur më forcë, për ta duruar një krim të tillë mbi trupin e vet. Ishte tërë kohës gati në përgjërim, t'i lutej atij, që të ndalonte, por nuk mundej dot. Ai mund të hiqte dorë nga të qenit "i sjellshëm" me të dhe ta dhunonte.
Kush do ta mbronte më pas? Kishte frikë se do gjykohej, që po e ekzagjeronte ajo. S'ishte e thënë, që çdo marrëdhënie intime midis një çifti do ndodhte, sa herë të donin të dy, por edhe të bënin kompromis, për hatër të njëri-tjetrit. Leonora dyshonte, se në një rast të tillë bëhej fjalë vetëm për gruan, që duhej t'i bindej atij rregulli të trilluar.
Kishte pyetur veten vazhdimisht, para se të martohej, se si ia dilnin disa të tjerë të flinin me vullnetin e tyre të plotë me dikë, që nuk e dashuronin, por veç për interes material. Si i lejonin ata të huajt, që shpirti nuk i njihte, të preknin trupin e tyre, i cili kërkonte tejet përkujdesje? Mos vallë gjithçka ishte vërtet psikologjike, siç thuhej nga shumë njerëz? Po ta bindje veten, që një ndodhi nuk do ishte aq dramatike, sa ty të ngjante, para se të ndodhte, vërtet nuk do ishte e tillë?
Ajo nuk kishte mundur dot, që ta përshtaste jetën e saj me atë mendësi, sado që ishte përpjekur. Çdo natë, pasi ishte detyruar të flinte me bashkëshortin, kishte përfunduar duke qarë në heshtje e mbyllur në tualet, apo e mbuluar nën batanije me plagosjet, që ia po dobësonin gjithnjë e më tepër shpirtin e brishtë.
Tani druante, se nuk i kishte mbetur më dhe aq shumë forcë, për të mbijetuar. Fundi po fillonte të dukej i errët në horizont.
....vazhdon....
Pjesa i dedikohet @denisa9505 🙂🤗
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top