16• Lamtumirë e Brishtë

    Të menduarit për njëri-tjetrin u zgjua bashkë me ta mëngjesin pasardhës dhe ndërgjegja nuk u vonua aspak, që t'i kritikonte, se po vepronin gabim dhe duhej të ndalonin menjëherë.

    Të qenit në dijeni, se ajo, që ndienin, ishte e gabuar, ua shtonte edhe më tepër rrezikun, për të paguar rëndë për lejimin e ekzistencës së atyre mendimeve dhe ndjenjave të ndaluara.

    Por e djeshmja nuk lodhej së u kujtuari, që jeta tashmë nuk ishte e njëjtë për ta dhe Blerimi me Leonorën nuk donin të ktheheshin si më parë, kur nuk dinin asgjë për njëri-tjetrin. Momentet në agjenci midis tyre krijonin iluzionet e bukura të një të ardhmeje, ku ata mund të takoheshin sërish pa frikën, se nuk duhej të ishin vetëm në të njëjtin ambient dhe se dikush mund t'i ndante, për të marrë hak ndaj tyre.

    Ishin vetëm ata të dy në një tjetër kapitull të ri jete, ku lumturua nuk ishte aspak e pamundur dhe çdo sekondë u përkiste atyre, për ta jetuar së bashku.

    Leonora nuk kishte pasur më parë aq shumë emocione, për të shkuar në punë, sesa atë mëngjes nga shpresa se mbase Blerimi do vinte në zyrë me justifikimin, për të takuar Denadën, meqë e njihte dhe me atë udhë do shikonte dhe atë. Me një lëmsh të padukshëm emocionesh të furishme në kraharor, i cili kapërthente gjysmën e oksigjenit drejt mushkërirve dhe ajo ndiente vështirësi në frymëmarrje, po qëndronte më këmbë përpara pasqyrës së tualetit dhe shikonte flokët e kapur pas koke me një kapëse blu të mbyllur, golfin e kuq të errët dhe pantallonat e zeza, me mëdyshjen se duhej të vishte rroba në ngjyra më të hapura, për t'i rënë në sy atij.

    Shkundi kokën mosbesuese në çfarë mendimesh ishte zhytur dhe doli nga tualeti, në pamundësi për ta parë veten më tepër në pasqyrë prej turpit të situatës, ku ishte vendosur. Presioni nga mënyra mynxyrë e të jetuarit pa vullnetin e saj e kishte bërë të miklohej nga bukuria e Blerimit, të mendonte e nxitur prej vështrimit të tij, se ai e donte vërtet gjithashtu, por të qenit vetëm në ato çaste në shtëpinë e saj, po i vinte në ndihmë, që ta peshonte si duhej situatën dhe të reflektonte në të kuptuarit kishte krijuar përshtypje pozitive dhe ndjenja romantike për Blerimin, prej mungesës së dashurisë, që duhej t'i ishte dhënë nga njerëzit, të cilët e kishin pasur me detyrim, për t'ia ofruar atë.

    Duhej të zbriste me këmbë në tokë, të shikonte pa filtra realitetin, ku ndodhej dhe ta pranonte atë, që të mos rrëzohej pastaj nga goditja katastrofike e këtij të fundit si një rrufe me formën e rrënjës së një bime në qiell të hapur. Ishte e martuar me dikë dhe, megjithëse jo me dëshirën e saj, i dukej më e sigurt, sikur të hiqte dorë nga ndjenjat për shokun e afërt të Albionit edhe të imagjinuarit se dhe Blerimi e shikonte në atë mënyrë, siç kishte dëshirë ajo dhe duhej të vazhdonte jetën e saj.

    Trokitja e Blerimit në derën e zyrës atë paradite zhduku në çast çdo vendim të Leonorës, për ta harruar atë dhe vendosi në qendër të vëmendjes rrahjet e vrullshme të zemrës së saj jashtë kontrollit nga shikimi i tij me mall për të, që e bëri të besonte verbërisht, se edhe ai e donte.

    Denada ishte larguar para gjysmë ore nga puna dhe akoma nuk ishte kthyer. Në zyrë ndodhej vetëm ajo dhe, nëse Blerimi do hynte brenda, do ishin veç ata të dy në praninë e njëri-tjetrit.

    Leonora u ngrit në këmbë me gjunjët, që i dridheshin në lëkundje dhe e vështroi Blerimin në përpjekje, për të mos u përhumbur dukshëm nga magjepsja prej syve të tij.

    Ai kishte nxjerrë argument Denadën, për të shkuar te zyra, me justifikimin e pashprehur me fjalë, që të shikonte Leonorën. Nuk i kishte treguar Denadës, se do t'i shkonte për vizitë me mendimin se do ta gjente aty. Po t'i kishte shkruar dhe ajo t'i kishte thënë, se në atë orar do kishte dalë, do kishte shkuar në zyrë, megjithatë, duke e ditur se Leonora ishte vetëm? Sigurisht që jo, mendoi jo fort i bindur.

    Ndoshta ishte në favorin e tij, që e kishte gjetur vetëm. Do fliste me të, ndërsa priste Denadën dhe gjatë bisedës, mbase do vinte re ndonjë gjë tek Leonora, që do ta bënte, të mendonte se ajo nuk ishte aq perfekte, sa i dukej atij, do t'i zhdukeshin totalisht ndjenjat për të, kur të kuptonte se Leonora nuk ishte e veçantë, siç kishte krijuar ai përshtypjen për të dhe do hiqte dorë përfundimisht prej saj, pa pasur nevojë, të rrezikonte miqësinë me Albionin.

    Blerimi hapi derën prej xhami dhe hyri brenda me më tepër vetëbesim, që ishte duke marrë vendimin e duhur në lidhje me Leonorën. Po të vijonte të ushqente ndjenja, në të ardhmen edhe mund të mos e donte dhe të pendohej, që kishte rrezikuar aq shumë për ta.

    - Si je, Leonora? - ai i zgjati dorën, ta përshëndeste formalisht dhe ndjenjat e fjetura për një çast, u rizgjuan në formën e dashurisë shumë më të fuqishme se më parë, me të prekur dorën e saj të butë.

    - Mirë, - buzëqeshi e ndrojtur me mirësjellje ajo, që mbase duhej të rrinte serioze, për të mos u kuptuar haptazi, që e pëlqente.

    - Është larguar Denada për sot?

    - Jo, për pak minuta vjen. - sqaroi Leonora, teksa përpiqej të qetësonte zemrën nga afërsia e konsiderueshme me Blerimin.

    - Mund të pres këtu? - ai bëri me shenjë nga karrigia e zezë ngjitur tavolinës së punës të shefes.

    - Po, - ajo u step e lumtur në të majtë, që Blerimi nuk po largohej menjëherë dhe do kalonte kohë me të.

    E justifikoi veten, se thjesht do bisedonte me dikë, që e njihte dhe s'kishte pse të ndiente alarm, se po kryente masakër. Ata të dy nuk po bënin ndonjë gjë të jashtëligjshme, që të mos komunikonin së bashku. Ishin thjesht dy të njohur, që do flisnin me njëri-tjetrin, për të shtyrë kohën, deri kur të vinte Denada dhe kaq.

    - Kemi lëngje frutash te ky frigorifer, - Leonora iu afrua pajisjes elektronike pak më tutje tavolinës. - Dëshiron, për të pirë?

    - Po, - miratoi ai dhe mbështeti shpatullat në shpinën e karriges.

    Nuk e ndieu aspak rehatinë indiferente, që priti të kishte nga prania e saj. Sytë kërkonin me ngulm ta vështronin. Si mund të qëndronte shpërfillës ndaj një bukurie të tillë të ulur në karrigen e zezë përballë, ndërsa i mbushte një gotë me lëng dardhe?

    - Faleminderit! - nuk lëvizi, deri kur Leonora vendosi gotën mbi tavolinë dhe vetëm atëherë e mori në dorë këtë të fundit.

    - Asgjë, - ajo hodhi lëng mbi një tjetër gotë për vete gjithashtu.

    - Si shkojnë punët në këtë agjenci? Keni pasur ndonjë problem? - e pyeti i merakosur.

    - Jo. Jemi shumë mirë. - u përgjigj e buzëqeshur Leonora dhe mori gotën e saj, të pinte lëng gjithashtu me sytë shmangës ndaj tij. Shtrëngimi i fytit nuk e linte të bënte asnjë veprim tjetër, pa sqaruar plotësisht ndjenjat për burrin e veshur me të zeza në atë zyrë, pa i shprehur ato, pa zbuluar, nëse edhe ai ndiente po njësoj, apo jo.

    - Do ishim takuar edhe më përpara, - tha Blerimi i penduar thellë, që nuk kishte zgjedhur atë, kur i ishte ofruar mundësia. - Por kam qenë në burg, - ndërmori rrezikun të tregonte. Albioni do t'i kishte treguar tashmë gjithsesi; nëse jo, donte, që ajo ta zbulonte prej tij. - Prandaj nuk kam qenë në dasmën tënde.

    "Nuk do ishte bërë ajo dasmë, po të kishe ardhur ti." - Leonora mundi vetëm ta thoshte në heshtje dhe me vështrim atë përgjigje.

    Po ta kishte njohur, para se të ishte martuar me Albionin, më përpara do kishte pranuar të vdiste, vetëm që të mos i përkiste njeriu tjetër, përveç Blerimit, për të cilin besonte verbërisht se dhe ai do kishte bërë çmos nga dashuria për të, që të mos e linte, të martohej me dikë tjetër.

    - Pse të futën në kurth? - hamendësoi vetë ajo, që kishte ndodhur ashtu dhe jo që ai kishte bërë krim, edhe prandaj ishte dënuar me burgosje. Nuk donte ta besonte, që as Blerimi nuk ishte njeri i drejtë, sikur dukej.

    - Nuk e di, - ai ndieu dashurinë për të, t'i rritej nga besimi i pafajshëm i saj. - Mendova se do e zbuloja, kur të dilja nga burgu, por nuk më ka kontaktuar njeri.

    Leonora e vështroi e frikësuar në heshtje dhe Blerimi guxoi ta shikonte thellë, pa folur gjithashtu. Po sikur ai të ishte në rrezik dhe ajo ta humbiste, edhe pse nuk ishte i saj, për t'u humbur? Atëherë vërtet që do ishte fundi për të dhe nuk do kishte pse të vazhdonte më. S'mund të jetonte asnjë minutë më tepër në burgun e krijuar nga familja e saj.

    "Të dua! - menduan të dy njëzëri ndaj njëri-tjetrit. - E di, që është shumë e pakuptimtë dhe duket marrëzi, po të merret parasysh, se kur u njohëm; totalisht iluzion të çmendurish, por jam gati të vë bast të gjithë qenien time, se është dashuri e vërtetë, që po të më jepet mundësia, për të të njohur më mirë, duke dalë me ty, nuk do ndryshoj aspak ndjenjë, veçsa do përfundoj duke të dashur më tepër. Çfarë të bëjmë, për të fituar një shans, që ta nxjerrim njëri-tjetrin nga tortura e të fshehurit ndjenjat brenda vetes me anë të të shprehurit ato?"

    "Blerim! Nuk marr dot frymë, kur jam afër teje, nga ndjenjat që kam për ty." - ajo largoi sytë e hipnotizuar nga dashuria intensive romantike e shpalosur në sytë e tij për të, para se imagjinata të merrte të tatëpjetën dhe të bënte ndonjë veprim të pamoralshëm nga këndvështrimi i shoqërisë. Megjithëse nuk ia tha me zë ato fjalë të menduara, iu krijua përshtypja, se ai i kishte lexuar të gjitha në shikimin e saj.

    - Dua ta gjej vetë, se pse ke ardhur. - pronarja hyri tërë shend e verë brenda në dyqan dhe të dy u ngritën menjëherë të alarmuar në këmbë, që ajo mund të kishte dyshuar ndonjë gjë tek ata. - Dëshiron sugjerim nga unë për një udhëtim surprizë, që do t'i bësh të dashurës tënde.

    Blerimi përkuli buzët lehtë dhe shikoi nga Leonora, e cila ishte gati në zemërthyerje, po t'i konfirmohej, që ai kishte një tjetër.

    - Goxha mënyrë zgjodhe, për t'i bërë reklamë biznesit. - vërejti me shaka ai. - Cilin udhëtim sugjeron?

    - Më të shtrenjtin, - u përgjigj menjëherë Denada dhe Blerimi qeshi.

    - Nuk më duhet për momentin, - tha, që të qetësonte Leonorën e afruar në heshtje me vështrimin e ulur te tavolina e saj e punës.

    - Ke shumë, që pret? - Denada iu drejtua frigoriferit dhe mori për vete një gotë, për ta mbushur me lëng portokalli.

    - Pak më parë erdha.

    - Më ke shkruar, që do vish? Nuk më ka ardhur mesazh.

    - Jo. Mendova se do të të gjeja këtu, prandaj nuk të thashë gjë.

    - Ah, OK. - tha ajo.

    Leonora po përfitonte nga rasti, që Blerimi po bisedonte me Denadën, për të kundruar këtë të fundit, admiruar qetësinë e tij, ndërsa fliste dhe trupin e relaksuar në karrigen përballë. I pëlqente kaq shumë ndjesia e ngrohtësisë, që merrte nga vështrimi i tij dhe shpresa, se mbase... mbase diçka e papritur do ndodhte dhe ata të dy vërtet do mund ta kishin një mundësi, për të qenë së bashku, i forcohej me kalimin e çdo sekonde.

    Do jetonte, sikur të mund t'i përkisnin përjetësisht njëri-tjetrit me vullnetin e tyre të plotë.

    - Disa shokë të mi më kanë ftuar, për të shkuar në piknik me ta nesër nga dreka te Liqeni. - tha Denada. - Pse nuk na bashkohesh? - ftoi Blerimin. - Eja dhe ti Nora! Thuaji Albionit...

    - Unë nuk vij, - ai e mori me mend se Leonora do dyshonte për shkak të saj.

    - Pse? Disa orë argëtim janë ato. Do të të bëjë mirë. - sugjeroi Denada. - U vendos, pra! Të dy do vini. - shpalli ajo pa miratimin e tyre dhe ata heshtën.

    Donin me gjithë zemër, të shkonin, që të mund të takoheshin përsëri, megjithëse ndërgjegjja u sugjeronte të kundërtën dhe i kërcënonte me përfytyrimin e një versioni jete, ku do kishte vetëm vuajtje, nëse do vazhdonin të zgjidhin njëri-tjetrin.

    Ai paralajmërim, që po thyenin rregullat, kishte filluar të binte në vesh të shurdhër. Zemra ia kishin bërë çorap arsyetimin mendjes dhe ajo vetëm donte të ishte pranë kryeqendrës së mendimeve të saj.

    Leonora druante se nuk do shkonte dot, ngaqë Albioni do refuzonte, ama ky i fundit u bind nga Blerimi dhe të nesërmen ajo mundi të shkonte te Liqeni Artificial i Tiranës nga ora dhjetë e paradites.

    Të dy kishin vendosur në heshtje, që t'i jepnin fund përfundimisht asaj diçkaje, që nuk i vinin dot emër haptazi midis tyre. Ishin rrëmbyer deri në ato çaste, por tani duhej të ndalonin. Nuk do fitonin asgjë, duke vazhduar të ndienin për njëri-tjetrin, pasi e dinin, se çfarë dhe kush i pengonte. Pse të rrezikonin dhe t'i shkaktonin trishtim vetes më kot?

    Rezultati i atyre vendimeve ishte vërtetimi se kishin vullnet të dobët, sepse gjatë tërë kohës u shikuan vazhdimisht fshehurazi, u zunë rishtazi mat, duke pasur njëri-tjetrin nën vështrim dhe kthenin kokat fill më pas, që të mos viheshin re sërish.

    Edhe atë pak vullnet, që po e mbanin për fyti, u shpëtoi nga duart, kur Blerimit iu la vetëm një vend në tavolinë, për t'u ulur dhe ai ishte në të djathtë të Leonorës. Albioni ndodhej në të majtë të saj.

    Ajo kishte mbetur e ngrirë si statujë midis karrigeve të të dyve dhe mezi jepte e merrte, duke u kthyer ndonjë përgjigje tek-tuk të tjerëve, apo qeshur me shakatë e tyre.

    Arsyetimi e mbylli përfundimisht punën për atë ditë, kur ajo ndieu dorën e tij padashje, të prekte të sajën të vendosur mbi stol, u gozhdua e tëra nga ndjesitë intime të vërshuara në çdo qelizë të trupit të vet dhe trandja, që s'kishte përjetuar emocione të tilla më parë nga dikush, edhe tani nuk po e njihte më veten.

    Ishin të vetmit, që u larguan të zymtë, pasi ai piknik mbaroi, sepse nga vështrimi në formën e lamtumirës, që i hodhën njëri-tjetrit, e kuptuan se tani nuk i shmangeshin dot vetes më gjatë.

    Duheshin, prandaj nuk duhej të takoheshin më. Duhej të ndalonin sa ishin në kohë dhe nuk kishin vuajtur më tepër. E pranonin, që të donin njëri-tjetrin, ishte dhimbje.

    Por ata e bënin dhimbjen, të dukej kaq e bukur!

....vazhdon....

    Pjesa i dedikohet @sindiiizz ❤🤗🤗

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top