15• Nuk Jemi të Lirë.

    Si të takoheshin përsëri?

    Plani i Blerimit kishte ndryshuar. Tani nuk kishte dëshirë të shkonte në një vend, ku nuk ndodhej edhe Leonora. Ajo ishte skalitur në qendër të mendimeve të tij, sikur të kishte qenë gjithmonë aty, por vetëm pasi e kishte takuar nga afër, ia kishte vënë re praninë.

    Ndjenja e pazhdukur dot ndaj saj, që në momentin që e kishte parë, nuk hiqte dorë nga përpjekja, për të gjetur një strehë në zemrën e tij, megjithëse argumentet, se ishte duke vepruar gabim dhe duhej të ndalonte me çdo kusht së menduari dhe ndieri për të, nuk po ia dilnin dot, që ta dëbonin atë ndjenjë këmbëngulëse, e cila e nxiste Blerimin, për ta kujtuar fytyrën e Leonorës, vështrimin e saj të butë ashtu si zërin, që kishte, të mendonte se sa e bukur ishte ajo dhe sa shumë do ndryshonte jeta e tij për mirë, sikur e ndaluara të bënte pjesë në të.

    Si ishte e mundur, që nuk e kishte takuar më përpara, kur e besonte verbërisht, që kishte ndjenjë tepër të romantike midis tyre? Mos ndoshta arrestimi para dy viteve e kishte penguar të njohurit njëri-tjetrin? Nëse do kishte qenë i lirë, do ishin takuar? Ishte i sigurt, që do kishte ndierë njësoj për Leonorën, si disa orë më parë.

    Do kishte ndierë edhe ajo? Ishin të sakta dyshimet e tij, që dhe Leonora kishte përjetuar të njëjtat ndjenja, apo vërtet po keqkuptohej në lidhje me të?

    Sikur të mos ishte gruaja e Albionit! Një fakt i tillë ishte si tel me gjemba nëpër muret e kraharorit për të. As nuk mund ta shikonte, siç kishte dëshirë dhe të flisnin, për ta njohur. Do ta kishte hequr qafe Albionin pa një pa dy, sikur të ishte i sigurt, që nuk do t'i dilnin probleme më pas, por druante se kunati i Leonorës, Agustini, do dyshonte se ajo kishte lidhje me vrasjen e vëllait të vet dhe do merrte hak ndaj të dyve.

    Nuk donte, që Leonorës t'i ndodhte gjë e keqe për fajin e tij.

    - Edhe pak dhe mbërritëm te restoranti, - tregoi Denada, ndërsa ecnin përgjatë rrugës 'Mine Peza'. - Më duket se bëra gabim, që sugjerova të shkonim në këmbë.

    - Jo, - tha Blerimi me zë të ulët. Kishte nevojë të ecte.

    - Dëgjo! - Denada i preku krahun e djathtë, që të kishte të gjithë vëmendjen e tij. - Kisha menduar, mos të thoja gjë, por ndoshta flet ti pa dashje dhe mirë do ishte, ta dije, që të merrje masa.

    - Për çfarë? - ai e vështroi kurioz.

    - Leonora, gruaja e Albionit, ka qenë ajo vajza, për të cilën të kam folur tri vite më parë, që të njiheshe me të te festa e kompanisë, ku punoja unë.

    Rrëfimi i saj i ngjau si uji i ftohtë akull i vërshuar papritmas brenda kraharorit. Denada sapo i kishte thënë se arsyeja, pse ai ndiente pikëllim në formën e mërzitjes për ndjenjat e ndaluara, që kishte në ato momente, ishte se tri vite më parë e kishte shpërfillur mundësinë, për të pasur një shans, që t'i shprehte ato ndjenja, ngaqë kishte zgjedhur të përdorte Anilën për hakmarrjen ndaj Amarildos dhe jo të hiqte dorë nga padrejtësia ndaj saj, për të gjetur një tjetër mënyrë, ku nuk do lëndohej asnjeri i pafajshëm.


    - Blerim, do të vijë një vajzë te festa sonte... - ai ngrysi vetullat nga entuziasmi i tepërt i kushërirës. - Sa e kam takuar, kam thënë: "Kjo është fiks për Blerimin."

    - Denada, më duket se një e moshuar të ka marrë nën kontroll të gjithë trurin.

    - Jo, jo. - qeshi ajo. - E kam seriozisht. Edhe ti, kur ta shohësh, do më japësh të drejtë. Është njëzet vjeçe dhe e ka emrin...

    - Jo! - ai preu kategorikisht. Edhe të merrej me lidhje mblesërie, i kishte mbetur edhe asaj shfaqjeje iu dha mundësia, që të realizohej. - Po e mbyll telefonin, mirupafshim!


    Leonora kishte qenë çmimi. Ajo kishte qenë shpërblimi, që do kishte marrë, po të kishte zgjedhur, të mos e kryente atë masakër ndaj Anilës dhe, meqë ai kishte vendosur t'i shkatërronte jetën kësaj të fundit, as që e kishte menduar se mund të ekzistonte mundësia, që në të vërtetë kishte qenë duke i përgatitur torturë të tillë vetes, një dashuri të ndaluar dhe të pamundur; duke menduar se kishte qenë duke djegur shpirtin e Anilës, nuk e kishte kuptuar që paskësh qenë duke përgatitur edhe zjarrin, për t'u djegur vetë ai bashkë me Leonorën.

    - Nga e njeh ti këtë?

    Denada mbajti shikimin të ngulur mbi trotuar, solli fill në mendje se nga, ndaloi, përpara se të shkonte më larg dhe të kujtonte fragmente të caktuara të së shkuarës, të cilat i kishin hapur goxha punë, për të ndenjur pa zë në një skaj të mendimeve dhe u përgjigj thatë, për të mos rënë në dyshime, që nuk kishte kujtime të mira për mënyrën, se nga e njihte Leonorën.

    - Kam qenë në të njëjtën klasë me vëllanë e saj në gjimnaz.

    - Janë nga Puka si ti?

    - Po, - tha ajo.

    Kështu duhej ta kishte njohur edhe Albioni. Vëllai i tij, Agustini, kishte qenë në të njëjtën klasë me Denadën dhe vëllanë e Leonorës.

    Donte të dinte më tepër për të, familjen e saj, si kishte përfunduar ajo në Tiranë dhe a i kishte thënë gjë Denada atë ditë, tri vite më parë, se donte ta prezantonte me dikë, apo i kishte treguar planin e saj rreth të dyve vetëm Blerimit, por nuk dëshironte, që Denada të dyshonte se mos atij i ishin krijuar ndjenja për Leonorën tashmë dhe ta vinte edhe atë në pozitë të vështirë, prandaj u detyrua të sulmohej nga kurioziteti i pashuar dhe të humbiste luftën me të, pasojat e së cilës ishin agoni trishtimi më e tepërt.

    - Të tregova, që të mos i thuash gjë Albionit, se unë kam dashur dikur të të njoh me një vajzë dhe po ta zbulojë, që është Leonora, mund te futeni në probleme të dy. Kushedi ç'mendon ai pastaj! - iu referua Denada burrit të Leonorës. - Është diçka e shkuar, gjithsesi. Përderisa nuk ju kthehet më pas si mundësi dhe të dy keni vazhduar jetën, megjithëse jo me vullnetin tuaj, pse të futeni në telashe kot më kot, apo jo?

    Blerimi miratoi në heshtje me kokë dhe kundërshtues me mendime. Denada sapo kishte nënkuptuar edhe për Leonorën, që kishte qenë e detyruar të ndiqte atë rrjedhë të caktuar jete. Mos ndoshta e kishte thënë kalimthi, se i kishte rënë fjalia, apo e kishte pasur seriozisht dhe ajo vërtet nuk ishte martuar me dëshirën e saj me Albionin?

    Kishte kaq shumë të vërteta, që donte t'i zbulonte medoemos, por nuk mundej dot prej të kaluarës, që kishte bërë dhe nuk kishte asnjë argument të vlefshëm, për ta justifikuar, që të shfajësohej dhe të arrinte të ishte bashkë me Leonorën.

    Do ndiente ajo të njëjtën gjë për të, po ta zbulonte, që ai kishte qenë në burg? Do ta besonte, po t'i tregonte, se kishte rënë pre e padrejtësisë dhe jo që kishte qenë fajtor, ashtu siç ai kishte shpallur të tillë dikë të pafajshme tri vite më parë? Do ta mirëkuptonte Leonora, se ai kishte qene verbuar nga dhimbja e humbjes në mënyrë brutalisht tragjike të së motrës dhe etja për hakmarrje nuk e kishte lënë të merrte parasysh asgjë tjetër, edhe do ia jepte Blerimit një mundësi?

    Ajo burgosje i kishte prishur tërë atë punë. Do ta kishte hequr qafe Anilën kohë më parë dhe nuk do ishte aspak i shqetësuar në ato momente, se mos Leonora e njihte ate dhe ish-e dashura i kishte treguar asaj, se çfarë i kishte ndodhur për shkak të Blerim Agollit. Tani ngurronte, ta vriste motrën e Amarildos, se mos do shkonte diçka jo sipas planit te tij, do futej ne burg sërish, do dënohej me më shumë vite heqje lirie dhe nuk do mundej ta shikonte Leonorën. Të paktën jashtë e kishte një mundësi.

    Por ndoshta ato të dyja nuk ishin takuar kurrë më parë dhe nuk do takoheshin asnjëherë. Leonora nuk do ta zbulonte kurrë të shkuarën midis tij dhe Anilës dhe vdekja e Albionit do të thoshte një mundësi për Blerimin, që ai të bashkohej me gruan, për të cilën ndiente.

    Ndërgjegjja e injoruar, që kur kishte zbuluar arsyen e vetëvrasjes së Xhulianës, guxoi t'i bënte krahasimin midis djalit të dikurshëm para humbjes së të motrës dhe njëzet e nëntë vjeçarit, që ishte atë ditë; nga dikush, që as nuk e çonte nëpër mend t'i bënte edhe të keqen më të vogël dikujt, në një njeri të pashpirt, që ishte i gatshëm edhe të përgjakte duart, vetëm për të marrë, çfarë dëshironte.

    Po, kishte fituar kundër Amarildos, por as ai nuk ishte dorëzuar, pa marrë hak dhe Blerimi kishte përshtypjen, se Xhuliana ndihej e humbur para vëllait të Anilës, ngaqë vëllai i saj kishte hequr dorë nga humaniteti.

    Puliti sytë më gjatë se zakonisht, i dërrmuar të vazhdonte më tej, por ekzistenca e Leonorës e tërhiqte drejt jetës, për të cilën mendonte se ajo, edhe po e dënonte për Anilën me anë të pamundësisë, për të pasur Leonorën dhe gjithashtu edhe e merrte me të mira, për ta bindur, që të vijonte të jetuarit, duke i dhënë shpresa Blerimit, që, nëse Leonora nuk e donte Albionin, mund të gjendej një zgjidhje për ata të dy, që të ishin së bashku.

    - Oh, Albioni! - vënia në dijeni e Denadës, e bëri Blerimin, që të vështronte i ardhur plotësisht në vetëdije të ambientit përreth nga Denada dhe më pas drejtimi i shikimit të saj të surprizuar në të majtë të tij.

    Albion Huba parkoi makinën e vet të zezë ngjitur barit përballë tyre dhe doli nga automjeti i qeshur për daljen e mikut të tij nga burgu.

    Personin, që duhej ta njihte, duke menduar se ishte shoku i tij i afërt, Blerimi e njohu nga fakti se ai ishte bashkëshorti i Leonorës. Sytë ngjyrë blu të errët në gri, që po e vështronin të gëzuar, kishin parë trupin e saj të zbuluar dhe duart, që pas pak do preknin te tijat, kishin prekur cdo pjesë të trupit të saj. Fakti, që Albioni i kishte larë, nuk e ndryshonte atë të vërtetë dhe as hamendësimin, që ai të njëjtin veprim do bënte dhe atë natë, kur të shkonte në shtëpi dhe e shoqja do ishte duke e pritur.

    - Kur nuk të duron as burgu, dhe të nxjerr para kohe, veç për të të hequr qafe. - vërejti tallës Albioni dhe shtriu krahët pas shpinës së Blerimit, për t'i rrahur shpatullat në shenjë përshëndetjeje.

    Blerimi u dha vetëm një shuplakë të lehtë supeve të tij dhe i vrenjtur në fytyrë u gjallërua, kur ai u shkëput, ta shikonte.

    - Gëzuar ditëlindjen dhe të shkuara!

    - Faleminderit!

    - Kur dole?

    - Në mëngjes, - ia ktheu me vështrimin shmangës mbi të tjerët. Nuk e shikonte dot në sy, pa menduar për Leonorën.

    - Mirë, po më shih, kur të flas, se nuk je në burg këtu. Unë të duroj, pa merak. - e shpotiti Albioni.

    - Si shkon ti? - pyeti thatë Blerimi me shpërfillje ndaj shakasë së tij.

    - Mirë, - tha në humor ai. - Punë, si zakonisht.

    - Po shkojmë të hamë drekë te një restorant këtu afër. Eja dhe ti! - ftoi Denada me mendimin se dhe Blerimit do t'i bëhej qejfi, po t'u bashkohej dhe miku i tyre.

    - Nuk shkëputem dot nga puna, - refuzoi me keqardhje Albioni. - Dhe tani ndalova vetëm, për t'ju përshëndetur juve. Një herë tjetër. - premtoi.

    - Në rregull, - buzëqeshi mirëkuptuese Denada.

    - OK, do shihemi, pra! - ai i dha dorën asaj dhe më pas Blerimit, i cili e torturoi më tepër veten nga të menduarit, që Albioni do takohej së shpejti në mbrëmje me Leonorën në shtëpinë e tij dhe Blerimi nuk bënte dot asgjë, për ta ndaluar atë takim.

    Nuk kishte asnjë zgjidhje me pak rrezik. E duhura ishte, që të pranonte heqjen dorë prej saj, ta bindte veten me pahir, që ndjenja, se e donte gruan, ishte thjesht një mendim kalimthi, ngaqë ajo i ishte dukur tejet e bukur për një moment dhe jo që ai ndiente vërtet për të, e pas njëfarë kohe të shkurtër do ta harronte.

••••
    Leonora u drodh e tëra nga frika, kur dëgjoi derën kryesore të shtëpisë në Tiranë, të hapej.

    - Albion! - thirri për siguri.

    - Po, unë jam. - i erdhi përgjigja nga pragu dhe ajo mori frymë thellë e ngërthyer nga pikëllimi, që do i duhej të duronte edhe një tjetër natë në një krevat me të.

    Nuk kishte asnjë mënyrë arratisjeje, për të cilën kishte hequr dorë, të mendonte, kur ishte martuar me të, ngaqë nuk kishte ndier më tepër fuqi, të luftonte e vetme në një betejë, në mes të së cilës ishte flakur që në lindje, por takimi me Blerimin kishte qenë si zgjidhja e të gjitha problemeve dhe shërimi nga e shkuara. Ekzistenca e tij e kishte motivuar dhe dhënë forcë të papërshkrueshme, për t'u ngritur dhe luftuar, por ajo forcë ishte vrarë brenda pak sekondave nga rrethanat, që e kishin përplasur Leonorën përtokë nga hapësira e pafundme e lirë, që kishte ëndërruar me sytë mbyllur dhe e kishin bërë të pranonte, se ajo lloj force ishte një tjetër shpresë e rreme në jetën e saj dhe së shpejti do shuhej e tëra. Albioni kurrsesi nuk do t'i linte të qetë. Në mos ai, do ishte vëllai i tij, Agustini, e në mos ky i fundit, do t'u vihej pas Graniti, i cili ishte shkaku pse ajo po jetonte e burgosur në atë version të së tashmes.

    Nuk kujtoi më atë, kur shikoi Albionin, tek hynte në kuzhinë, që të mendonte më pas se arsyeja, pse ishte e martuar me të, ishte vetëm për faj të Granitit, por mendoi Blerimin, vështrimin e tij, ndjenjat e dashurisë të shprehura në sytë me ngjyrën më unike dhe të bukur kafe, që kishte ndeshur ndonjëherë dhe u frikësua nga hipoteza, që ai kishte vendosur ta fshinte atë ndjenjë të ndaluar për të, pa menduar aspak se mos ndoshta ajo donte të divorcohej prej Albionit dhe të kishin një mundësi së bashku, por e kishte ndarë mendjen, se nuk ia vlente të hynte në telashe, për një grua, të cilën mund ta harronte shumë shpejt dhe do ishte më tepër në favorin e tij, sikur të lidhej me dikë, që nuk kishte fare pengesa të tilla.

    "Graniti!" - ajo shtrëngoi dhëmbët nga urrejtja e pashuar prej vitesh ndaj tij, për jetën, që ai e kishte detyruar të jetonte, ndërsa i kthente puthjen të shoqit.

    Po të mos kishte ekzistuar Graniti, me siguri që e tashmja e saj do kishte qenë shumë ndryshe. Në ato çaste nuk do ishte duke ngrënë darkë në shtëpinë e dikujt, të cilin nuk e donte si bashkëshortin e saj, por mbase përkrah Blerimit. Ishte e sigurt, sikur ta kishte parë me sytë e saj në realitet një tjetër version të asaj të tashmeje; sikur ishte takuar prej kohësh me Blerimin, kishin ndierë për njëri-tjetrin menjëherë si atë paradite në agjencinë e Denadës, kishin dalë së bashku, për t'u njohur më tepër dhe ishin lidhur, duke shprehur se kishin verbërisht përshtypjen, që ishin shpirtra binjakë.

    Sado njerëz të tjerë të takonin, njëri-tjetrit do t'i përkisnin me vullnet të plotë deri në fund.

    Sikur të mos mjaftonte, që ia kishte nxirë jetën deri në ato çaste, tani Graniti kërkonte të fliste me të. Ku e gjente guximin edhe ta sillte nëpër mend ekzistencën e saj? Tërë ato vite jetë të jetuara nuk kishte mësuar asgjë prej gjëje? Ishte tridhjetë e dy vjeç. Çfarë po priste? T'i përsëritej historia dhe ta pësonte në veten e tij, për të ndryshuar?

    Mos ndoshta... prandaj po kërkonte një tjetër mundësi? Për të rregulluar marrëdhëniet me të, sepse i kishte ndodhur dhe atij një ngjarje e tillë?

    Leonora s'donte t'ia dinte fare. Nuk i ishte detyruar asgjë Granitit, që të priste deri kur ai të burgosej dhe vetë si ajo, për atë që të reflektonte dhe kuptonte se kishte qenë gjatë tërë kohës gabim në lidhje me ta.

    Granit Vitori ishte një torturues shpirtrash, i cili nuk meritonte asnjë mundësi të dytë.

    Ajo ishte duke ngrënë në heshtje, ndërsa vajtonte në po atë mënyrë vdekjen e versionit, ku ishte e lirë dhe e pavarur, punonte si stiliste flokësh në një sallon bukurie dhe Albioni nuk flinte me të pa dëshirën e saj; një version ku ishte me burrin, që donte dhe ai ndiente për të gjithashtu. Sa version i pamundur, për të ndodhur, që ngjante nga këndvështrimi i saj!

••••
    Albioni iu afrua nga pas shpine, vendosi gotën mbi banak majtas Leonorës dhe e përqafoi me duart përgjatë barkut të saj.

    - Lëri! - ai iu referua enëve të vendosura mbi lavaman, për t'u larë, ndërsa i kalonte flokët e kuq të lëshuar në anën e djathtë, për t'i zbuluar qafën dhe lënë një puthje të thellë mbi lëkurën e butë. - I rregulloj unë nesër në mëngjes.

    Leonora mori frymë thellë me dhëmbët e shtrënguara në thyerje, që të mblidhte forcën, për të duruar prekjen e padëshiruar nga trupi i saj.

    - Nuk janë shumë, - ajo tha më vrazhdë, se ç'kishte tentuar të fliste, me shpresën se ai do largohej dhe vetë do vonohej qëllimisht deri kur atë ta zinte gjumi.

    Albioni e ktheu me fytyrë nga vetja, shikoi lutjen ngurruese në sytë e saj kafe, për t'u thënë me zë nga frika, që të mos vazhdonte më tej dhe ta linte të qetë, iu përgjigj Leonorës me puthje shpërfillëse në buzë ndaj përgjërimit të saj dhe fjeti me të atë natë, duke i rikujtuar me anë të çdo prekjeje dhe puthjeje zotëruese, që ajo i përkiste atij dhe jo e kundërta. Ishte tradita prej kohësh, që gruaja duhej t'i bindej bashkëshortit si kreu i familjes, që ai ishte dhe Leonora e kishte për detyrë, t'i zbatonte të gjitha rregullat e asaj tradite, nëse nuk donte të qurravitej më pas për pasojat nga mosbindja.

    Ajo nënshtroi me heshtje, siç ishte bërë dhe vetë e tillë, të gjitha klithmat e shpirtit, për të luftuar dhe priti, të dëgjonte frymëmarrjen e Albionit, kur të ishte në gjumë, për t'u ngritur nga krevati.

    - Ku po shkon? - ai u zgjua menjëherë, sapo ndieu lëvizjen e saj nëpër krevat.

    - Të vesh pizhamat, - Leonora tregoi të vërtetën, pa e parë në sy. - Nuk fle dot pa rroba, ti e di.

    - Mos u vish! - Albioni e tërhoqi nga krahu pranë vetes dhe e mbajti mbërthyer në përqafim, që Leonora të mos largohej.

    Ajo mbylli sytë e drobitur, për të marrë frymë më tepër në atë realitet, kur ndërkohë ishte një e tashme tjetër e tëra vetëm lumturi, që po e priste. I dhimbte më tepër mbajtja e të gjithë vuajtjes përbrenda dhe të mos pasurit mundësinë, për ta shprehur të paktën duke qarë. Sytë nuk patën më tepër forcë dhe i lanë lotët e nxehtë, që t'i binin pa zhurmë të lirë nga kapakët burgosës nëpër fytyrë edhe mbi këllëfin e bardhë të jastëkut.

    Shpresa, që, po të ëndërronte se kishte shpëtuar nga Albioni, në një të ardhme të afërt, do ishte duke jetuar vërtet sipas dëshirës së saj, i dukej si helmi i ëmbël, të cilin e pinte me dëshirë vetëm prej shijes, që ai kishte dhe e mashtronte Leonorën për disa çaste me ëmbëlsinë e tij, që më pas ta çonte dhunshëm drejt fundit të pamerituar veç dëshpërim.

    Fund, që Blerimi po ndiente se e kishte prekur. I shtrirë në krevatin e tij me fytyrën nga tavani i bardhë i dhomës tjetër të gjumit në shtëpinë e Denadës, po mendonte vetëm sikur e kishte pranuar ftesën e saj para tre viteve, kur kishte qenë me Anilën te Qendra Tregtare Ring, për të njohur Leonorën dhe në ato çaste ishte me të; ajo nuk ndodhej në krevatin e dikujt tjetër, por të tijin, po i buzëqeshte atij, po puthte atë dhe tregonte se pëlqente të prekej vetëm nga ai.

    Të dy menduan të njëjtën gjë atë natë, para se të flinin gjumë larg njëri-tjetrit dhe me njëri-tjetrin në mendime: që në jetë nuk paskësh burg më torturues, sesa ai i krijuar nga vetë njeriu në mendjen e tij!

....vazhdon....

    Pjesa shkon për @jetezaaa 🙂🥰

Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top