10• Ky Qenka Plani Yt!
Heshtja midis tyre po e lebetiste Brunildën.
I kishte shkruar Anilës në WhatsApp, që kishte ndeshur Blerimin, për të mos u keqkuptuar më vonë, se pse nuk i kishte thënë gjë dhe Anila i kishte kthyer si përgjigje vetëm fjalën "OK".
Brunilda nuk dinte se çfarë t'i shkruante tjetër, për të kuptuar, nëse çdo gjë ishte në rregull dhe Blerimi nuk kishte treguar një version të gënjeshtërt të takimit të rastësishëm midis tyre.
Si ishte puna me të? Negativiteti, që ndiente nga dinakëria tinëzare e tij, ishte i padurueshëm. Si nuk e vinte re Anila këtë gjë? Ajo kishte qenë në lidhje më parë, por jo aq e verbër. Apo ishte në dijeni për të tëra, e megjithatë heshtte për hir të dashurisë ndaj tij? Më përpara do e besonte për veten, se mund të rrezikonte në mënyrë të tillë, kur e kishte qartazi paralajmërimin, se duhej të shkëpuste çdo lloj komunikimi me dikë, sesa për Anilën.
Brunilda ishte përpjekur tërë ato herë, të mendonte se po gabohej ajo dhe vërtet po e gjykonte Blerimin para kohe, ama thellësia e zemrës këmbëngulte se parandjenja ishte e saktë dhe ai nuk kishte hyrë me qëllime të mira në jetën e tyre.
Se mos ishte dhe kriminel, edhe do u hapeshin më tepër telashe prej tij?
La telefonin mbi tavolinën e drunjtë të ngrënies në kuzhinën e shtëpisë së prindërve të saj dhe nga dërrmimi e ulur mbi karrigen e bardhë, vendosi pëllëmbët anash kokës, e paqartë se si ta qetësonte veten nga të mbimenduarit në ankth për të ardhmen.
Sikur të mos kishin shkuar në bar atë ditë maji dhe të mos e kishin takuar Blerimin! Vallë do e kishin njohur gjithsesi më vonë?
Se si do shkonte ajo punë, nuk mendonte dot asnjë version të sigurt, që do përjetonin, veç ndodhive negative kërcënuese, për të prishur qetësinë e tyre.
"Kur do vish?"
Mesazhi nga Anila, që ndezi ekranin e telefonit dhe u shfaq i plotë, ia preu frymën për një çast.
"Pasnesër." - Brunilda shkroi me duart, tek i dridheshin.
"OK, do flasim."
E ndieu të ftohtin e përgjigjen, sikur Anila t'ia kishte transmetuar me anë të mendimeve një ndjesi të tillë dhe Brunilda e lexoi mesazhin në po atë mënyrë në heshtje.
Shkroi pyetjen "Ka ndodhur gjë?", por nuk e dërgoi. Mbase Anila nuk do t'i tregonte, sepse donte, që të sqaroheshin përballë.
Supozimet pozitive, që po shqetësohej më kot dhe s'kishte pse të trazohej, ngaqë s'kishte bërë ndonjë krim, nuk e fituan dot luftën ndaj atyre negative, që kushedi ç'gënjeshtra do t'i kishte thënë Blerimi Anilës për të dhe ajo i kishte besuar.
Aq sa mezi e priti ditën e pasnesërme, aq edhe kishte uruar, që të shtyhej sa më shumë dhe të mos përballej me Anilën. Ndoshta, po të kalonte pak më tepër kohë, ajo do ta kuptonte, që ishte gabim dhe Blerimit nuk i duhej besuar, edhe do ishte në anën e Brunildës.
••••
Ajo hapi derën kryesore ngadalë atë ditë dhe e gjeti Anilën në dhomën e ndenjes, duke parë televizor.
- Erdha unë, - lajmëroi qetësisht dhe nga vështrimi i hidhur i Anilës kuptoi, që ishte në rrezik edhe duhej të kishte kujdes në çdo fjalë, që do thoshte.
- Mos të mori malli për mua dhe e kuptove, që nuk është psikologjike? - pyeti me të qeshur Brunilda. - Bleva akullore. - tregoi kutinë ngjyrë rozë në dorën e majtë dhe Anila u ngrit në këmbë përballë saj.
- Blerimi më foli për takimin tuaj.
- Vetëm nëse ka folur mirë, ka thënë të vërtetën. - Brunilda ia ktheu me shaka, që të veniste sadopak tensionin e sikletshëm në dhomë.
Anila e shikoi tërësisht serioze.
- Pse nuk e pëlqen ti këtë person? - kryqëzoi krahët përpara ajo dhe e shikoi Brunildën me sytë dyshues të picërruar.
- Të kam thënë, më duket njeri, që shtiret, prandaj.
- Prandaj, apo sepse e do?
Brunilda u ndie e zënë në grackë nga rrjedha e sapomarrë e debatit. Fundi po i ngjante si kreu i një ujëvare dhe, nëse nuk do dinte të lundronte, për të dalë nga rrjedha drejt tij në kohë, do binte dhe do humbiste.
- Në çfarë kuptimi, e dua? - e dinte në çfarë, por uronte që Anila të ndryshonte mendim.
- Në kuptimin që ke rënë në dashuri me të, - sqaroi troç Anila.
Brunilda donte ta pyeste e prekur, se si mund të dyshonte për diçka të tillë tek ajo, por ndaloi në çastin e fundit. Ç'kishte për t'u habitur? Të dyja dinin gjithë ato situata, ku shoqet e ngushta i kishin ngulur thikën pas shpine njëra-tjetrës.
Anila vërtet mund të kishte besim te Brunilda, ama i jepte të drejtë, që ajo nuk ishte totalisht e sigurt për të. Njerëz ishin, fundja. Nga ta dinte Anila, se çfarë mendimesh kishte vërtet mikja e afërt?
- Ngaqë më duket njeri i shtirur, - tha e qetë Brunilda. - Është thjesht një përshtypje e imja, që kam për të.
- Moj vajzë, unë nuk jam fëmijë! - Anila iu afrua e nevrikosur. - Kujton, se nuk e di unë, si është kjo histori? Ti shtiresh, sikur e urren, por në të vërtetë e do!
- Jo! - Brunilda kundërshtoi zjarrtë akuzën e hedhur mbi të. - Asnjëherë nuk e kam menduar diçka të tillë.
- Ashtu? Atëherë pse nuk më tregove të gjithë bisedën, që kishit bërë, kur u takuam tek RING-u?
Brunildës iu ngushtua fyti dhe nuk mundi të fliste.
- T'u kujtua, se për çfarë e kam fjalën, - lexoi Anila reagimin e saj. - Të ka thënë se unë jam ekstroverte, ngaqë ti je introverte dhe nuk ke thënë asgjë.
- Kam thënë!
- Çfarë ke thënë?
- Që ti ke qenë ekstroverte, akoma pa u takuar me mua. Anila, ai të paska gënjyer! - thirri e shokuar Brunilda. - Kjo është provë e qartë, që po luan me ty.
- Pse nuk më tregove për këtë gjë, pra?
- Sepse... - çfarë t'i thoshte? - Harrova! - justifikoi Brunilda me tepër shpejtësi.
- Harrove! - Anila qeshi mosbesuese.
- Anila, më duket se ti nuk e ke përjetuar kurrë dashurinë e vërtetë, prandaj nuk i di kuptimet e shikimeve.
Ajo mendoi për të dashurin e parë, shikimin e tij thjesht pasionant, si ndjenja e vetme, që kishte pasur për të edhe vetë, dhe nuk e kundërshtoi dot Brunildën, me argumentin se e kishte përjetuar dashurinë e vërtetë. Ishte në dijeni të faktit, që lidhja midis tyre kishte qenë thjesht romancë të rinjsh dhe asgjë më shumë.
- Dikush, që të do, të sheh me admirim të një tjetër niveli. Sikur do të të thotë, që je aq e bukur në pamje fizike dhe shpirt, sa nuk ka fjalë, të të përshkruajë dhe prandaj ta shpreh me vështrim. Edhe sikur vetëm copa të jesh, ai të vështron si kryeveprën më epike, që ka pasur ndonjëherë në jetën e tij. Nuk i intereson askush tjetër në atë mënyrë; ose ti, ose fare. Blerimi nuk ta jep një vështrim të tillë, - tha me keqardhje Brunilda.
- E jep, por vetëm unë e vë re dhe s'besoj se duhet patjetër, që ta dallosh edhe ti.
- Më thuaj diçka të vërtetën! - kërkoi shoqja e saj. - Që kur e ke takuar në fillim, asnjëherë nuk e ke pasur ndjesinë sikur ai po shtiret me ty?
Anila nuk e tha dot menjëherë përgjigjen "jo", sepse e kishte menduar dhe vetja nuk e mohonte dot, sado që donte të kishte vetëm ajo të drejtë. E kishte pasur një ndjesi të tillë, por me kalimin e kohës nën shoqërinë e Blerimit e kishte bindur veten nga sjellja e tij, që ai ndiente vërtet për të.
- Jo! - tha Anila prerazi. - Kjo është vetëm imagjinata jote, Brunilda. Ti kështu vepron gjithmonë; hamendëson më të keqen për njerëzit e tjerë, sikur vetë je engjëll.
- Në rregull, le ta lëmë këtë bisedë!
- Pse ta lëmë?
- Nuk dua të zihem me ty. Më mirë të heshtim dhe të mendohemi fillimisht, se çfarë thamë dhe duam të themi, edhe pastaj diskutojmë.
- Ti ke frikë të komunikosh me njerëzit, prandaj thua kështu, që të shmangësh bisedën.
Brunilda u zemërua.
- Si është puna me ty?
- Jo me mua, por me ty! Më duket se ti do medoemos, që unë të ndahem nga Blerimi, që ti të lidhesh me të.
- Çfarë? - vrenjti fytyrën në neveri Brunilda. - Jo!
Anila nënqeshi sertë.
- Pse ke kaq shumë frikë prej meje? Ndoshta dëshiron Blerimi të lidhet me mua. - argumentoi ajo.
- Edhe ti do pranoje menjëherë.
- Kjo të inatos ty? Jo që ka edhe ai faj? Anila, nuk më besohet, që po sillesh totalisht pa logjikë. Duket qartë, që Blerimi të ka bërë lavazh truri. Ti nuk ia ke idenë, se çfarë thua, vetëm dëshiron të jesh me patjetër kundër meje.
- Blerimi më hapi sytë. Gjatë gjithë kësaj kohe ti je shtirur me mua! Gjoja je introverte dhe prandaj nuk del dot, ama vetëm ke dashur, që unë të bëhem e tillë dhe të shkëputem tërësisht nga bota, sepse je xheloze për arritjet e mia!
- Çfarë arritjesh?
Anila e vështroi në shastisje e ofenduar.
- Qëllimisht e bëre atë pyetje. Nuk më besohet, që je njeri i tillë dhe vetëm tani po e kuptoj. Unë jam munduar gjithmonë mirë për ty! - akuzoi me zë të lartë ajo. - Kurse ti veç ke përfituar dhe asnjëherë s'më ke respektuar.
- Çfarë po thua? - Brunilda ishte e shokuar nga mllefi i saj.
- Po them, që je narciste! - vazhdoi Anila të fliste, pa dashur t'ia dinte për gjendjen shpirtërore të shoqes së ngushtë nga fjalët e veta. - Nuk të ka interesuar kurrë, që unë mundohem ku e ku të të bëj të ndihesh e rëndësishme, siç mundohem për veten time. "Sa naive është!", do kesh thënë. Epo, nuk ka më naivitet. Meqë do medoemos të ndihesh zero gjithë jetën tënde, veç për të më ulur mua poshtë, zero ndihu! E tillë je, prandaj edhe sillesh ashtu!
Brunilda hapi gojën e tronditur nga ato fjalë si thika prej akulli të ngulura pa mëshirë në zemrën e saj dhe mbeti pa folur.
- E sheh, çfarë më detyrove të them? - akuzoi Anila, ndërsa puliste sytë me forcë. - Ti, po nuk pësove goditjen më të madhe shkatërruese, nuk mëson ndryshe dhe sikur të gjitha të mirat të të ofrohen.
- Shoh, që ti e paske bërë zgjedhjen tënde! - Brunilda e pa zemërthyer dhe iu drejtua menjëherë daljes nga shtëpia.
E urreu faktin, që nuk e fshehu dot gjendjen emocionale përpara Blerimit, kur e ndeshi këtë të fundit tek shkallët në hyrje të pallatit.
Ai e kuptoi menjëherë se ç'kishte ndodhur dhe guxoi t'i konfirmonte me shikim pakëz të qeshur, se kishte qenë i gjithi plan i tij; Anila kishte rënë në kurth dhe pasojat i kishin rënë edhe Brunildës mbi shpinë.
Nuk kishte qenë dhe aq e vështirë, për ta kthyer të dashurën kundër shoqes së saj. Disa argumente më tepër, se pse ajo sillej si introverte, përpos komentit, që Brunilda vetëm bënte viktimën, se në të vërtetë nuk ishte introverte aspak, dyshimi se ndoshta ajo kishte filluar të pëlqente Blerimin dhe prandaj i kishte kërkuar shpesh Anilës ato ditë, të takoheshin, për të krijuar distancë midis tyre, betimi ndaj Anilës se ai kishte ndjenja vetëm për të dhe nuk kishte në mendje asnjë grua tjetër, një përqafim dhe shprehjen e keqardhjes se ajo ishte njeri kaq zemërmirë e mundohej t'u gjallëronte jetën shumë njerëzve, dhe ata vetëm përpiqeshin të përfitonin prej saj, duke e manipuluar me anë të vlerësimit të shtirur sikur ishin mirënjohës ndaj dashurisë së ofruar nga ajo dhe e dashura kishte besuar versionin e tij.
Kishte pasur pak dyshime, që Brunilda do ia dilte t'ia hapte sytë Anilës, por me aq sa po kuptonte nga shprehia e fytyrës së saj dhe shikimi tërë urrejtje kundrejt tij në ato çaste, fitoren e kishte marrë ai.
- Mirëdita! - e përshëndeti me një të qeshur dukshëm mezi të përmbajtur dhe i erdhi të ngërdheshej më tepër, kur ajo i kaloi ngjitur, pa i thënë asgjë.
Brunilda duhej të ishte falendëruese, që Blerimi ishte mjaftuar me kaq. Gjëja e fundit, që kishte kohë, të toleronte në ato çaste ai, ishte të merrej me dikë, ekzistenca e të cilit nuk i kishte bërë asnjëherë përshtypje më përpara dhe ishte i sigurt, që nuk do t'i bënte as në të ardhmen.
Nëse ai plan, për ta prishur shoqërinë e saj me Anilën, nuk do kishte funksionuar, Blerimi do t'i i kishte thënë Albionit, që ta rrëmbente Brunildën dhe t'ia shiste ndonjë trafikanti.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top