1• Mos Fol!
•Mbi pesë vite para prologut•
Për të kuptuar se pse disa njerëz janë detyruar të bëhen të këqij në jetë, na jepen dy alternativa: ose do tregohemi empatikë dhe do vëmë veten në vendin e tyre, që t'i mirëkuptojmë, se pse kanë një rol të tillë, ose do detyrohemi të përshkojmë të njëjtën rrugë si ata. Do bëhemi dhe vetë të këqij.
Anila krijoi më tepër distancë midis vetes dhe pasqyrës së madhe përballë saj, e vendosur në murin me pllaka ngjyrë gështenje të zbehtë në tualetin e shtëpisë, në të cilën ajo jetonte me qira në Tiranë, duke bërë disa hapa pas, derisa mundi të shikonte veshjen e plotë të zgjedhur për atë ditë, që të ishte më e qartë, se për cilin model flokësh të vendoste: ose krehjen anash në të majtë të ballukeve deri poshtë vetullave kafe në harkim natyral, ose lënien e tyre përgjatë ballit.
Ngjyra rozë e pluhurt e pantallonave të shkurtra zbuste ëmbëlsisht rozën e ngrohtë të bluzës së shkurtër me mbishkrimin me të bardha të shprehjes "Your mind is not your slave, nor your boss. It is your colleague!" sipër kraharorit.
Ajo vendosi t'i linte balluket të paanuara, kështu që i rregulloi në atë mënyrë flokët. I bashkoi të gjitha fijet e tjera të drejta ngjyrë bajame në të çelët pas shpine, i kapi tub me një lidhëse të bardhë flokësh dhe i buzëqeshi refleksionit njëzet e një vjeçar të vetes nga pozitiviteti, që ndieu prej fytyrës ngjyrë bezhë të trëndafiltë në formë zemre me tipare të ëmbla dhe shikimit të përzemërt të syve të shkruar kafe të ngrohtë kakaoje dhe kanelle të butë.
- Anila! - kushërira e saj moshatare nga ana tjetër e derës së bardhë e shoqëroi thirrjen me zë të vogël me një të trokitur jo fort të lehtë në të.
- Urdhëro! - thirri Anila, ndërsa i afrohej derës, për ta shkyçur.
- A je mirë?
- Mirë jam, - u habit nga shqetësimi, që pa në fytyrën në formë diamanti ngjyrë porcelani të butë, me tipare të theksura rigoroze dhe sy kafe të mbyllur të Brunildës. Ajo vetë kishte vendosur, që të vishte xhinse të zeza dhe këmishë të bardhë me mëngë deri mbi bërryla, për të dalë dhe flokët e gëshenjtë në çokollatë të zezë deri në mesin e shpinës t'i linte lëshuar.
- M'u kall data, ngaqë po vonoheshe. Thashë se tentove vetëvrasje. - rrëfeu Brunilda akoma e panikosur prej atij dyshimi.
- Uou! Çfarë thua? - Anila qeshi me habi dhe shpotitje nga ai absurditet, por u alarmua fill më pas, kur hamendësoi, që mbase Brunilda e kishte pasur një frikë të tillë, ngaqë ajo vetë do kishte qenë mbyllur ndonjëherë në tualet dhe ishte përpjekur të vriste veten.
Brunilda zgjati dorën e tensionuar drejt çantës së bardhë në raftin ngjitur derës kryesore, hodhi vështrimin nga salloni në të majtë, shikoi divanin e rehatshëm të verdhë ngjitur murit bezhë të hapur, pikturat e vendosura pas tij, tavolinën e ulët prej xhami me vazon me lule në krye dy libra në të majtë të saj dhe perdet e bardha të mbyllura, edhe shfryu më tepër e ngërthyer nga paniku, që pas pak do e linte prapa atë zonë rehatie, për të dalë në botën e jashtme me gjithë ato rreziqe, të cilat mund të ishin duke e pritur te hyrja e pallatit, për ta hequr qafe njëherë e mirë.
Ajo ditë e bukur maji mund të shijohej edhe brenda shtëpisë me ndonjë film, libër, apo lojë. Pse duhej të dilnin patjetër? Të detyroheshin, që të përfshinin në rutinën e tyre njerëz të huaj? Po sikur ata t'u bënin diçka të keqe dhe ajo "diçka" t'u linte ndjesi negative të parehatshme për të gjithë pjesën e mbetur të jetës?
Sigurisht që nuk bëhej fjalë, për t'i thënë gjë Anilës, se si po ndihej. Do merrte leksionin e radhës prej saj, që nuk duhej të ishte aq shumë introverte, pasi nuk do fitonte asgjë të mirë nga ajo karakteristikë e tillë personaliteti.
- Jam e sigurt... - Anila ngriti gishtin e majtë tregues lart me të tjerët të mbledhur grusht, për të tërhequr vëmendjen e saj. - Jam e sigurt, se po mendon më të keqen e mundshme, që mund të na ndodhë, vetëm ngaqë po dalim; tragjeditë më të mëdha.
Brunilda uli kokën në shenjë miratimi dhe e shikoi Anilën fajtore. Nuk i kontrollonte dot mendimet dhe ndjesinë, sikur do ta pësonte keq, po të dilnin nga shtëpia. Diçka e pazakontë negative do ndodhte dhe atyre do iu prishej e gjithë dita.
- Dëgjo! - Anila kërkoi vëmendjen e plotë të saj. - Nëse dalim sot, e gjithë jeta jote do ndryshojë. Për mirë, - shtoi, që të mos e panikoste më tepër.
- Ou! - qeshi mosbesuese me tallje shoqja e vet. - Sa deklaratë e fortë! Se mos po ndryshon jeta jote.
- Jeta ime ndryshon çdo ditë. Eja! - ajo i mori krahun dhe iu drejtuan daljes së shtëpisë. - Futju punës dhe kap ndonjërin!
- Jam e sigurt, që ti këtë gjë ke kohë, që e mendon.
- Unë jam rruspije, do t'i kap të gjithë. - tha Anila për ta bërë atë, të qeshte dhe u gëzua, që ia doli mbanë.
- Në rregull, do mundohem, që ta pëlqej të ardhmen. - Brunilda premtoi tejet e frymëzuar, për ta mbajtur fjalën atë herë.
- Jo po mos u përpiq, po deshe! Pa merak, se do të të mbroj unë. Nuk do të të fluturojë asnjë shishe në ajër drejt kokës.
- Kam shumë besim te ti, - tha me shaka Brunilda.
••••
Ajo u kaplua menjëherë nga paniku, sapo Anila i sugjeroi dhjetë minuta më vonë, që të hynin në një bar më tutje në të djathtë të tyre dhe pranoi, pa mundur të thoshte gjë, për ta kundërshtuar.
Kaq e pati dhe pozitiviteti. Filloi të ndihej e sëmurë, sikur nga momenti në moment do binte në koma. Mbingarkesa e ndjesisë së ankthit iu shtua dhe më tepër, me t'iu afruar pragut të hyrjes edhe parë të rinjtë, dhe jo vetëm, që po hynin dhe dilnin nga aty. Brunilda nuk po arrinte dot, që ta përballonte dot gjithë atë furi emocionesh brenda vetes. Nuk ndihej aq e fortë.
Ishte vetëm një ndërtesë me mure prej xhami në Tiranë, tavolina katrore të bardha dhe karrige lëvizëse të gjelbra në nuancë të errët, ku njerëzit mund të uleshin, për të kaluar kohën nën shoqërinë e një pijeje, ama Brunildës ai vend po i ngjante si një pjesë e ferrit në Tokë. Ana e saj introverte po ia bënte shpirtin për spital me këmbënguljen, që ndodhej shumë larg zonës së vet të rehatisë dhe duhej t'ia mbathte vrapit nga aty, sa nuk i kishte fluturuar vërtet ndonjë shishe në ajër drejt kokës atë pasdite.
- Çfarë po ndodh? - ajo mbajti frymën e alarmuar, me të vënë re një grup njerëzish, që zunë pragun e hyrjen dhe u ndie gati, për t'u larguar menjëherë.
- Asgjë, - u përgjigj e patrazuar Anila, ndërsa i afroheshin derës kryesore. - Po dalin disa persona dhe këta, që ndodhen jashtë, po presin, për të hyrë më pas.
Anila vërejti, që Brunilda nuk u qetësua plotësisht nga ai sqarim dhe mendoi të mos i jepte më tepër shpjegime, për të mos e vënë më shumë nën presion, por u përpoq ta siguronte me shikim, që nuk kishte asgjë, për të pasur frikë dhe priti në heshtje, që të hynin brenda.
- Ulemi këtu? - Brunilda sugjeroi një tavolinë nga fundi i barit, pa e parë shoqen e saj fillimisht, nëse ajo e kishte vëmendjen, për ta dëgjuar, po qe se do pyetej për ndonjë gjë.
- Po.
Anila po ecte ngadalë dhe hutueshëm me sytë e ngulur mbi tiparet simpatike të errëta të burrit të ulur në tavolinën pas tyre, që nuk dukej më shumë se njëzet e gjashtë vjeç, mbi mënyrën se si ai ishte rehatuar në karrige me duart e vendosura mbi gjunjë dhe po dëgjonte me një shprehi strikte fytyre dhe planifikuese njëkohësisht të diçkaje një grua në fund të të njëzetave, e veshur me kostum klasik të zi në të djathtë të tij.
I panjohuri në të majtë i një moshe me të në pamje të parë i kishte përqendruar sytë blu me nuancë të lehtë të ngjyrës gri te brunja në tavolinën e tyre dhe po mbante vesh në bisedë gjithashtu.
Shikimi i Anilës ndaj tij u kthye në kundrim nga energjia tërheqëse e marrë prej syve qelibari të bronztë në fytyrën ngjyrë rëre të çelët, në formë ovale pakëz të zgjatur.
Përshkrimi "rrezikshmërisht joshës" iu duk i përshtatshëm për të dhe ajo dyshonte se do e kishte pasur megjithatë një përshtypje të tillë ndaj tij, edhe nëse bruni me flokët e shkurtër nuk do kishte veshur bluzë dhe xhinse të zeza si atë ditë.
Anila u ul përballë Brunildës me pamje nga ai dhe shtyu karrigen më në të majtë, që ta shikonte të plotë fytyrën e tij.
- Si ndihesh? A je për shpëtim? - pyeti Brunildën me zë më të lartë, seç mendonte se kishte qenë e nevojshme dhe me vëmendjen tek i huaji, se mos do fitonte shikimin e tij, por nuk ia doli.
Ai vazhdonte t'i mbante sytë të ngulur mbi tavolinën e zezë, ndërsa fliste me të vogël.
- Jam, - qeshi Brunilda.
- Sigurisht, që je. I njoh tipat si puna jote unë. Bën naze në fillim, ama do e shohim pastaj, kur të mos mbahesh më dhe të kërkosh vetë, që të dalim.
- Mbahem, mbahem. Jam e fortë.
Përgjigja e saj e bëri Anilën, të qeshte dhe ajo shikoi si përciptazi atë tutje. U zu në befasi, kur ai i ktheu vështrimin dhe ajo vështroi menjëherë Brunildën. Zemra, sikur të kishte qenë dëshmitare okulare për çdo moment, filloi t'i rrihte më shpejt se zakonisht dhe emocionet e furishme, që i ngërthyen të gjithë trupin, i pëlqyen.
Ndoshta Brunilda kishte të drejtë. Atë ditë mund edhe të ndryshonte jeta e saj në kuptimin e plotë të fjalës dhe Anila ishte e gatshme për atë ndryshim. Aventurat, misteret e ndërlikuara, të papriturat dhe sfidat jetë-ndryshuese e kishin bërë gjithmonë të ndihej më e plotë, e gjallëruar dhe ta donte jetën edhe më shumë. Po i shtohej gjithnjë e më tepër dëshira, që simpatiku në tavolinën më tutje të ishte aventura e radhës.
Brunilda bëri porosinë, me të ardhur kamarierja te tavolina e tyre, kryqëzoi krahët dhe shikoi e buzëqeshur Anilën, sikur dinte një të fshehtë të sajën.
- Çfarë? - Anila e pa e konfuzuar.
- Po pres të më thuash vetë, se kush është ai tipi, që po shikon.
Anila e dha veten me anë të skuqjes në fytyrë dhe harkimit të ëmbël të buzëve.
- Nuk e njoh, - pranoi.
- Idrizaj, trego të vërtetën! - Brunilda e urdhëroi në mbiemër. - Kush është ky?
- Nuk e di, - ngriti supet Anila.
- Gënjeshtare, - tundi kokën mosbesuese Brunilda. - Ty nuk të besoj këtu e te ti. A mos... - thirri papritmas, duke kuptuar gjithçka. - Prandaj e hape derën vonë sot, kur erdha unë në shtëpi? - vuri dorën mbi gojë e shokuar ajo. - Edhe barku ka filluar të të fryhet...
Anila shikoi barkun e saj dhe Brunilda ia dha të qeshurit me zë. Shaka të tilla bënin vazhdimisht me njëra-tjetrën.
- Do ta kapësh, ë? - e thumboi kjo e fundit me zë të ulët.
- Do ta kap. S'mban më ujë pilafi. - vendosi Anila. - Tani rri pak në heshtje; të dëgjoj se çfarë thonë dhe t'i zbuloj emrin.
- ... as që e kisha marrë me mend, se ishe ti. - tha e habitur e huaja në tavolinë me burrin, për të cilin Anila ishte e interesuar. - E mendova se mund të ishte ndokush, që e njoh, por s'e vrava mendjen gjatë.
- As unë nuk u interesova më tepër, kur më tregoi Blerimi, - tha tjetri në të majtë të tij për të dhe Anila e shikoi e lumtur, këtë herë duke menduar, që e dinte se si quhej.
Dridhja e telefonit të vendosur mbi tavolinë ia doli, që t'ia largonte vëmendjen prej tij.
- Shefja e punës! - ajo hapi sytë më tepër dhe u bë gati të përgjigjej. - Mos thuaj gjë! - i kërkoi Brunildës.
- Ta dija, që njiheshit, do kisha treguar më përpara. - u tha ai dy të njohurve të tij.
- Blerim, mos fol!
Kërkesa e ardhur nga gruaja përballë e ulur në tavolinën tutje i dhuroi një shikim të rëndë pyetës asaj nga ai dhe Anila shtangu menjëherë prej urdhrit, që i kishte dhënë, pa u menduar, atij.
- Më fal! - ajo i buzëqeshi e sikletosur. - Më fal!
Blerimit iu shtendosën tiparet e ngurta të fytyrës, për t'iu zëvendësuar më pas me një të qeshur të lehtë.
- S'ka problem, - tha ai mirëkuptues dhe e largoi vështrimin prej saj.
Anila përvijoi buzët nga ndjesia e krijuar prej zërit të tij të qetë dhe me një intensivitet jo të ekzagjeruar, që ia doli ta grishte menjëherë.
Brunilda gjeti rastin, për të kthyer kokën pas dhe parë se kë kishte qenë duke shikuar Anila, hamendësoi direkt, që bëhej fjalë për burrin me sytë ngjyrë kafe, i cili ngjante sikur ofronte më tepër ndodhi të papritura, sesa jetë të qetë si bruni me sytë blu dhe buzëqeshjen e një njeriu jo problematik, edhe ndaloi vështrimin te Denada, e cila po e shikonte e trandur Anilën, akoma me dyshimin se po gabohej dhe nuk ishte pikërisht ajo në tavolinën ngjitur.
Si nuk e kishte vënë re, kur kishte hyrë në bar? Ishte hera e parë, që po e takonte drejtpërdrejt dhe Anila nuk kishte ndonjë ndryshim nga fotoja e profilit të saj në Instagram, veçse ishte më e rritur, se dy vite më parë, kur Denada e mbante mend, para se t'i kishte bërë bllok, pasi nuk e kishte duruar dot, që të lejonte, për t'i dalë as si sugjerim llogaria e Anilës, ekzistenca e të cilës, i kujtonte vetëm Amarildon dhe si ishte ndarë vetë me të.
Denada ktheu kokën ende e shastisur nga tavolina e saj me pyetjen e vrullshme, për t'u shtjelluar sa më shpejt, nëse Blerimi e kishte njohur personin, që sapo i kishte kërkuar falje, apo jo.
Duhej të largohej menjëherë bashkë me të dhe Albionin nga aty, sa nuk ishte shndërruar në skenë krimi ai vend dhe Anila Idrizaj të mos ishte viktima e vetme në atë bar.
- Mua më mbaroi koha e pushimit. Më duhet të shkoj në punë. Do rrini ju? - Denada uroi, që jo.
- Po ngrihemi dhe ne tani. - tha Albioni.
- OK, - ajo tentoi të nxirrte portofolin e zi të parave nga çanta e bardhë, por Blerimi i vendosi dorën mbi kyçin e majtë.
- E bëra ftesën unë sot, jo ti. - vuri në dukje serioz, që do paguante ai dhe Denada, për të mos humbur kohë më gjatë edhe të ishte tepër vonë, për ta larguar atë nga Anila, pranoi në heshtje, që të mos paguante.
Anila bashkoi buzët e trishtuar, ndërsa e ndiqte me sy Blerimin, duke e ditur, që ai po largohej dhe ndoshta nuk do takoheshin më.
Fundi i pragut të fillimit të asaj aventure. Mbase ai kishte qenë i lidhur me dikë tjetër, ose ndoshta nuk ishte njeri i drejtë dhe ajo po mbrohej, duke qëndruar pa dëshirën e saj sa më larg tij, ama Anila i doli menjëherë në mbrojtje, me argumentin se ishte duke e paragjykuar dhe donte ta kishte edhe një mundësi, që ta njihte më mirë. Nëse do ta takonte sërish në të ardhmen, do ta hidhte një hap drejt tij.
- Më duket se kjo gruaja të njohu, - tregoi dyshimtazi Brunilda. - Sikur të njoh unë ty. Nuk e vure re, apo u shtire?
- Nuk e vura re.
- Sa nuk i ra të fikët, kur të pa.
- Seriozisht? - Anila rrudhi vetullat e pashqetësuar. - Ndoshta ka menduar se jam dikush tjetër. A je mirë ti?
Brunilda miratoi me kokë.
- Po vë re ndokund shishe në ajër, duke të fluturuar drejt kokës?
- Jo, - qeshi lehtë ajo.
- Sepse është e gjitha psikologjike. Po mendove mirë, ashtu ndodh. Nuk ka fare ndryshe dhe as mos e ço nëpër mend të kundërtën, vetëm pozitivitet. Në fillim është e vështirë, por pastaj të bëhet rutinë ai lloj i të menduarit dhe ia merr dorën lehtë.
- E drejtë. Jam shumë krenare, që po thua fjalët e dëgjuara prej meje. - tha me shaka Brunilda.
- Posi! Je motivuese e madhe shumë ti, - ironizoi Anila. - Unë mezi ngrihem nga krevati. Gjithmonë ti ia del të më bindësh, që të dal dhe të shijoj jetën. Gatuan mëngjesin, pastron të gjithë shtëpinë... - vazhdoi lojën ajo.
- Asnjë minutë nuk qëndroj ndenjur, kurse ti gjithë kohën vetëm në telefon.
- Ashtu është. Veç në telefon mund të jem ekstroverte, jeta reale më tmerron.
- Si nuk ke fytyrë, që gjithmonë duhet të të nxjerr unë nga shtëpia?
- Çfarë është kjo? - Anila preku të dyja faqet e saj të ngrohta. - Oh, qenka fytyrë! - thirri e habitur dhe të dyja qeshën me zë.
I thoshte shpesh Brunildës, që të mos e mbimendonte të ardhmen dhe hamendësonte ngjarje, të cilat nuk do kishin ndodhur, nëse ajo nuk do t'i kishte krijuar në mendjen e saj më përpara, por tani Anila i uli vetë barrierat e saj mbrojtëse nga lodhja e një çasti dhe të menduarit për kohën pas të tashmes ia doli t'i ngjallte emocione të brishta trishtimi dhe mungese fuqie.
Nuk i besohej dot, që ekzistonte mundësia, për t'u bërë realitet një version jete në të ardhmen, ku ajo nuk do mundej të dilte me kushërirën e saj si atë ditë dhe Anila nuk bënte dot asgjë për të.
....vazhdon....
Bạn đang đọc truyện trên: AzTruyen.Top